OpEd

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e parakohshme dhe etnicizimi i politikës në Kosovë si imponim ndërkombëtar

Një mënyrë për t’u dhënë legjitimitet më të madh përfaqësuesve të moderuar serbë në Kuvend do të ishte një reformë kushtetuese, në të cilën do të hiqeshin kuotat e përfaqësimit në Kuvend, por që me një ligj për partitë politike ato do të detyroheshin që në listat e tyre zgjedhore të përfshijnë një përqindje të caktuar të kandidatëve të komuniteteve të tjera dhe të krijojnë lista shumetnike zgjedhore. Kjo do të duhej të vlente për të gjitha partitë, pa përjashtim

Përderisa modalitetet e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë në diskutim e sipër, me dy parti opozitare (LDK dhe AAK) që kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë si hap i parë dhe me PDK-në e cila pajtohet që të shkohet me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, LVV-ja ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet. Mirëpo, në gjithë këtë diskutim pakkush ka folur rreth pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje. Me cilat parti politike do të garojnë dhe sa mund të jetë përgjigjja e elektoratit serb në këto zgjedhje, nëse ato mbahen, ta zëmë në qershor apo në fillim të korrikut.

Nëse bazohemi në pjesëmarrjen e serbëve në referendumin për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore si dhe në pjesëmarrjen e tyre në regjistrimin e popullsisë, nuk mund të pritet që të ketë një pjesëmarrje të rëndësishme të elektoratit serb në zgjedhjet e parakohshme për Parlamentin e Kosovës. Politika e bojkotit, e dirigjuar nga Beogradi, për zbatimin e së cilës përkujdeset Lista Serbe, me gjasë do të jetësohet edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Beogradi zyrtar, e me të edhe Lista Serbe, si forca dominuese politike serbe në Kosovë, do të përpiqen të krijojnë një tablo në të cilën serbët e Kosovës do të paraqiten si viktima të politikës së Albin Kurtit dhe se me këtë arsyetim ata do të bojkotojnë procesin politik më të rëndësishëm demokratik të vendit. 

Para zgjedhjeve shtrohet pyetja se sa është i drejtë dhe demokratik procesi zgjedhor në Kosovë dhe se a ka gjasa që në Kosovë të ketë parti politike joetnike. Përderisa Kosova ka arritur që në këto vitet e fundit të ketë procese demokratike zgjedhore, të cilat e mundësojnë rotacionin e pushteteve në mënyrë paqësore dhe në bazë të vullnetit të zgjedhësve, sfida më e madhe e demokracisë dhe e pluralizmit politik në Kosovë si dhe e zgjedhjeve të drejta mbetet brenda përbrenda komunitetit serb, dhe atë që prej Marrëveshjes së vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar nga ish-kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me të cilën u krijua Lista Serbe që e pasqyron koalicionin qeverisës në Beograd. Prej krijimit të kësaj liste, zërat e ndryshëm politikë brenda komunitetit serb janë heshtur përmes presioneve, kërcënimeve e ndonjëherë edhe përmes dhunës fizike ndaj përfaqësuesve të moderuar serbë apo edhe ndaj familjeve të tyre. 

Se Lista Serbe nuk i përfaqëson interesat e komunitetit serbo-kosovar, porse është dorë e zgjatur e koalicionit aktual ultranacinonalist në Beograd, kjo nuk do shpjegim të mëtejmë. Se a e ka cunguar dhe mbytur pluralizmin politik në mesin e serbëve të Kosovës, kjo është më se evidente. Pra, krijimi i Listës Serbe e ka dëmtuar më së shumti komunitetin serb dhe më tutje është duke e dëmtuar edhe bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndëretnike në Kosovë. Marrëveshja e vitit 2013 për krijimin e Listës Serbe, që ishte shpresuar gabimisht se do të ndihmonte në pjesëmarrjen politike të serbëve të veriut në procesin politik dhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës, pati efekt të kundërt dhe vetëm sa e rriti ndikimin e Beogradit në mesin e serbëve të Kosovës. Elitat politike serbe që ishin duke u krijuar gradualisht në viset e banuara me shumicë serbe përmes pjesëmarrjes së tyre në procese zgjedhore qendrore dhe lokale prej vitit 2007 a këtej, u asgjësuan pothuajse tërësisht. Ata që nuk i përkisnin Partisë Progresiste të Vuçiqit, SPS-it të Daçiqit dhe partisë së Vulinit u mënjanuan, dhe në vend të tyre Beogradi përzgjodhi njerëz të dëgjueshëm të cilët me besnikëri do të ndiqnin urdhrat nga lart. Politikanët e tjerë serbë u damkosën si kolaboracionistë dhe u mënjanuan nga skena politike. Votuesit serbë, jo vetëm në veri por edhe në pjesët e tjera të Kosovës, janë vetizoluar dhe nuk kanë guxim të afrohen me fqinjët e tyre shqiptarë nga frika e reprezaljeve dhe damkosjeve që në emër të Beogradit ua bën Lista Serbe. Me një fjalë, në mesin e serbëve të Kosovës u instalua një dominim njëpartiak dhe u shua pluralizmi që ishte duke u shpërfaqur deri në vitin 2013.

Është vështirë të parashihet se a do të marrë pjesë Lista Serbe në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të Kosovës. Qëndrimi i saj (lexo: i Beogradit), do të determinojë se sa do të jetë numri i votuesve serbë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesa tjetër e spektrit politik serb, nëse mund të quhet ashtu, nuk do të ketë ndikim në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës. Sot, më shumë se kurrë, serbët në Kosovë jetojnë të izoluar dhe sipas urdhrave të Beogradit, nuk shpërfaqin ndonjë tendencë që fatin e tyre ta marrin në duart e veta duke krijuar dhe duke i votuar përfaqësuesit e tyre organikë. Ata jetojnë në agoninë e krijuar nga Beogradi zyrtar dhe përdoren për qëllimet shoviniste të Vuçiqit me kompani. Por për këtë nuk e kanë fajin qytetarët e thjeshtë serbë. Përgjegjësi për këtë agoni, ndër të tjera, kanë edhe faktori ndërkombëtar, edhe përfaqësuesit e Kosovës që nënshkruan marrëveshje të dëmshme në Bruksel, e të cilat i privuan serbët në Kosovë që të kenë elitat e tyre politike të krijuara në bazë të një gare demokratike, në të cilën votuesit serbë, e jo Beogradi, do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë ata.

Në këtë mes përfaqësimi i serbëve në Kuvend dhe në Qeveri është i garantuar me Kushtetutë dhe këto dispozita të përfaqësimit janë zemërgjera. Problemi qëndron në ndërhyrjen e Beogradit në jetën politike të serbëve të Kosovës dhe mbytja e pluralizmit politik në mesin e serbëve në Kosovë. 
Një mënyrë për t’u dhënë legjitimitet më të madh përfaqësuesve të moderuar serbë në Kuvend do të ishte një reformë kushtetuese, në të cilën do të hiqeshin kuotat e përfaqësimit në Kuvend, por që me një ligj për partitë politike, ato do të detyroheshin që në listat e tyre zgjedhore të përfshijnë një përqindje të caktuar të kandidatëve të komuniteteve të tjera dhe të krijojnë lista shumetnike zgjedhore. Kjo do të duhej të vlente për të gjitha partitë, pa përjashtim. Në këtë mënyrë, votuesit serbë do të mund t’i votonin kandidatët serbë në listat zgjedhore mikse, ku do të kishte edhe kandidatë shqiptarë, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj, egjiptianë e kështu me radhë. Kjo zgjidhje do të promovonte një politikë të moderuar nga ana e partive politike, por edhe do ta ndihmonte shkëputjen nga ndikimi vicioz i Beogradit në politikën e Kosovës. Në këtë mënyrë, edhe do t’i jepej përgjigjja demokratike tendencave për etnicizimin e politikës në Kosovë, që është imponim i bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka pasur ndikim vendimtar në këtë etnicizim.