Vuçiqi kishte sjellë me vete pite me mish dhe i kishte gostitur pjesëmarrësit e takimit në Bruksel. Pitja u hongër, tepsia mbet. Lahuta na shkoi për dardha të buta nga UNESCO-ja, tash edhe pitja është në rrezik.
Ky fundvit mund të them lirisht se është një prej fundviteve më dinamike me sasinë e kabllogrameve që arrijnë, dhe njëra e zë tjetrën, ndërsa ngjarjet vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi marramendëse. Është kohë e vështirë të jesh diplomat në këso kohërash, ku ngjarjet edhe në vendin e origjinës, edhe në vendin nikoqir, që për mua është një vend virtual, siç është Facebooku, zhvillohen me një shpejtësi galopante.
Javën që e lamë pas Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet e ligjeve, të cilat do ta mundësojnë shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Kjo i irritoi Serbinë dhe Rusinë deri në atë masë saqë kërkuan takim urgjent të Kombeve të Bashkuara.
Më 17.12.2018 ai takim urgjent edhe u mbajt në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Përballë njëri-tjetrit përsëri do të ishte dueti tashmë me famë ndërkombëtare Vuçiqi-Thaçi.
I pari ia tha këngës Aleksandër Vuçiqi ashtu dhimbshëm qysh vetëm ai di. Sikur të kishte ndonjë trafik aty në sallë zhiletët do të shkonin si hallva për Natë të Madhe. Rrente burri i botës as duke mos iu dridhur as buza e as syri. Serbët gënjeshtrën e kanë në ADN, atë e ka shpalosur edhe akademiku i tyre Dobrica Qosiq. Në një moment Sandrit i shpëtoi një shkarje raciste apo edhe fashiste, ku ai në gjuhën angleze tha: “someone should tame them down there” u referohej shqiptarëve dhe në përkthim do t’i binte se “dikush duhet që t’i zbusë ata atje poshtë”. Kjo fjala “me i zbutë” e gjuhës angleze është ajo, e cila i referohet zbutjes së kafshëve të egra. Jo nuk e prita që Hashimi do të replikonte, sepse ai nuk disponon me njohurinë e gjuhës angleze të atij niveli, kështu që ai koment fashist kapërceu ashtu pa ndonjë zhurmë.
Në Facebook vërejta një ekzaltim “gjithëpopullor” me fjalimin e Thaçit aty në Kombet e Bashkuara. Jo unë nuk u ekzaltova. Ishte një fjalim 20 vjet i vonuar, edhe me gjithë shpalljen e Pavarësisë presidenti i vendit s’e lëshonte prej gojës Rezolutën 1244 dhe pasusi i fundit në fjalimin e tij “me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike” nuk e përmend opsionin e shkëmbimit të territoreve, ajo mungon.
Më 17.12.2018 Federica Mogherini i kthen përgjigjen Ramush Haradinajt në letrën e tij dërguar asaj dhe njoftimin për formimin e një Grupi negociues kosovar të votuar nga Parlamenti i Kosovës. Ajo e përgëzon çdo iniciativë dhe mbështetje në kuadër të dialogut, mirëpo e njeh Hashim Thaçin si udhëheqës të këtyre bisedimeve e këta të tjerët vetëm si mbështetje logjistike për të. Kjo ishte një shuplakë nga ana e BE-së ndaj Haradinajt dhe Qeverisë së Kosovës, dhe midis rreshtave diplomatik lë të kuptosh që bisedimet kanë shkuar bukur larg me Thaçin që tash atyre t’iu ndërrohej formati.
Të nesërmen Presidenca e shpalos edhe një letër të dërguar nga presidenti Trump, më 14.12.2018. Nga kjo letër kërkohet një unifikim i zërave të politikanëve kosovarë karshi bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Letër e ngjashme i ishte dërguar edhe Aleksandër Vuçiqit në Beograd.
Këtu paksa është krijuar edhe njëfarë mjegullie në skenën politike kosovare. Me marrjen e Qeverisë, Ramush Haradinaj vullnetarisht hoqi dorë nga udhëheqja e bisedimeve me Serbinë dhe deklaronte se ka shumë punë të brendshme për me u marrë me to. Ato me të cilat ai u mor fillimisht menjëherë i kushtuan Kosovës, 100 milionë euro. Gjysma borxhe të falura ndaj ambalazhuesve të ujit, edhe gjysma tjetër një pagesë e dyshimtë për “Bechtel Enkan”. Pasoi kidnapimi i shtetasve turq dhe deportimi i tyre prej Kosovës para syve të kryeministrit dhe presidentit e këta duke “mos qenë në dijeni”. Mos të flasim për numër rekord ministrash edhe batalione të zëvendësministrave, 60.000 veteranët, rritja e rrogës në mënyrë arbitrare për veten e vet. Pastaj edhe demarkacioni me Malin e Zi, temë për të cilën Haradinaj jo shumë kohë më parë e kishte kundërshtuar bash shumë. Kishte përmendur edhe sulltanë e mbretër, që nuk kishin mundur t’i lëviznin ata kufij ... tash pasi që dita-ditës po shpalosen planet e Hashim Thaçit për shkëmbime të territoreve me Serbinë, kryeministri Haradinaj ka filluar t’i kundërshtojë ato. Kundërshtimet shkojnë deri në nivel me BE-në. Taksa e futur për prodhimet serbe dhe atyre nga Bosnjë-Hercegovina ndoshta do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë edhe nga qeveritë e tjera, por ja që ajo nuk ndodhi.
Tani së fundmi nga Kuvendi u formua edhe Grupi negociator i udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Presidenti Thaçi u deklarua se e mirëpret bashkëpunimin me ta. Mirëpo, fakti se LDK-ja dhe VV-ja nuk e njohin këtë “Grup negociator”, kjo iniciativë lë shumë për të dëshiruar dhe ende nuk mund ta fitojë epitetin “Gjithëpërfshirëse”. Edhe Veton Surroi së fundmi deklaroi se nuk do t’i bashkëngjitet kësaj iniciative nëse pjesë e saj nuk do të jenë LDK-ja dhe VV-ja.
Ndoshta letra e presidentit Trump pas analizave të cilat do t’ia bëjnë partitë politike do të përshpejtojnë mënyrën për të dalë me një zë unifikues apo thjesht të kuptojnë se bisedimet, të cilat Thaçi i ka bërë deri më tash kanë shkuar shumë më larg se që këta kanë menduar dhe tani edhe nuk do të kenë aq shumë opsione për manovrime politike në tavolinat e tyre.
Sot më datën 19.12.2018 ishte takimi i radhës i Federica Mogherinit me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Haradinaj nuk ishte i ftuar. Thaçi fluturoi drejt nga New Yorku për në Bruksel. Edhe Edi Rama mungonte, studentët dhe protestat e tyre në mbarë Shqipërinë ia kanë sjellë punët mjaft ters, dita-ditës kërkesat e studentëve sa vijnë e shtohen dhe nuk do të shkojë edhe shumë larg, kur ato do të bëhen edhe puro politike dhe do të kërkohen kokat e politikanëve. Vuçiqi kishte sjellë me vete pite me mish dhe i kishte gostitur pjesëmarrësit e takimit në Bruksel. Pitja u hongër, tepsia mbet. Lahuta na shkoi për dardha të buta nga UNESCO-ja tash edhe pitja është në rrezik.
Serbia vazhdon me ankesat e saj se çfarë humbjesh ekonomike enorme i kanë shkaktuar taksat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, gjë të cilën unë nuk e besoj, ajo vetëm po e luan rolin e viktimës dhe dëshiron që Kosovën ta paraqesë si një entitet që sjell vendime antihumane dhe se vendimet e tilla e rrezikojnë edhe “ekzistencën” e popullit serb në veri. Së paku në veshët e komisarit për Zgjerim, Johanes Hahn, ankesat kishin krijuar dhembshuri, simpati dhe përkrahje, ky u kishte premtuar një ndihmë prej 100 milionë eurosh. Mirëpo, edhe Vuçiqi në Beograd po ballafaqohet me protesta të qytetarëve të vet. Me gjithë faktin se ky i kontrollon të gjitha mediat në Serbi, e bukura e internetit është se informatat depërtojnë edhe me xhirime live nga pjesëmarrësit në protesta dhe ato ishin bukur masive.
Evropa është në një pikë të vlimit, Franca, Belgjika, Hungaria, Shqipëria, Serbia. Mbretëria e Bashkuar ende e hutuar se çka është duke ndodhur me procesin e BREXIT-it, por ashtu si unë po i shoh gjërat, nuk do të vonojë shumë dhe do të shohim edhe këtu popullin në rrugë. E pastaj domino efekti mund të jetë i paparashikueshëm. Por unë besoj fuqishëm në atë se zhvillimi ynë industrial, teknologjik nuk është në hap të njëjtë me zhvillimin tonë shpirtëror dhe spiritual, dhe si i tillë ky zhvillim na ka tjetërsuar nga nevojat njerëzore, nga ndjenja e të qenit njeri dhe na ka shndërruar në rob të gjërave materiale dhe rob të parasë, të cilën mundësisht do ta fitonim në shumat sa më të mëdha dhe në afate kohore sa më të shkurtra. E mua kjo më dhemb si mundet një copë letre ta kontrollojë një qenie njerëzore deri në atë masë? A nuk është edhe letra e tualetit letër? Përse nuk na e kontrollon ajo jetën, por paraja? E keni menduar ndonjëherë këtë?
Ju sfidoj që të reflektoni vetëm 5 minuta dhe ta mendoni këtë gjë. Një letër, të cilën dikush e ka shpallur “të vlefshme” ua kontrollon dhe sfidon jetën, karakterin, statusin shoqëror, integritetin personal ... ndërsa ajo tjetra mund të jetë edhe faqe e ndonjë libri apo gazete, nuk prish punë do ta kryejë punën e vet.