Mbrëmë e shikova pak intervistën e Skënder Von Hysenit, Duka i Dobratinit. Ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-ministër i Punëve të Jashtme, koordinator shtetëror i dialogut Kosovë - Serbi (shkëputur nga CV-ja e tij e begatshme diplomatike), del e na thotë se Kosova do të shndërrohet në një vend të izoluar sikur Palestina. Epo duhesh të jesh shumë injorant e edhe idiot diplomatik që të dalësh me një deklaratë të tillë. Kosova dhe Palestina nuk e kanë asnjë ngjashmëri në historikun e tyre, dhe që ta kuptosh këtë idiotësi duhesh vetëm ta dëgjosh qasjen e zyrtarëve të Palestinës ndaj Kosovës dhe qëndrimin e tyre karshi problemit Kosovë-Serbi
Sirtari im diplomatik ditët që i lamë pas është stërmbushur nga kabllogramet "diplomatike" apo të ashtuquajturit “non-paperë” të shumtë. Një mikeshë e imja e çmuar e kishte thënë shumë bukur në statusin e saj në Facebook; "Me këto test balona jena ba si Kapadokia". Për ata të cilët nuk e dinë Kapadokia është një destinacion shumë i njohur turistik në Turqi, ku turistët mund t’i shijojnë fluturimet me balonat e shumta shumëngjyrëshe, të cilat fluturojnë me ndihmën e ajrit të ngrohtë të liruar nga propani i djegur brenda balonës. Kështu që metafora e saj e përdorur në atë status është shumë e qëndrueshme dhe valide.
Kosova gjithmonë ka qenë vend i test-balonave të ndryshme. Shpeshherë nga protagonistë, organizata apo shërbime dhe gjeointeresa strategjike të huaja e ndonjëherë edhe nga vetë politikanët tanë naivë. Balonat e ndryshme janë lansuar dhe më pas është matur reagimi dhe pulsi i publikut në lidhje me një temë të caktuar.
Së fundmi i kemi dy rastet e publikimeve të disa “non-paperë”-ve një term i cili derivon dhe përdoret në qarqet burokratike të Bashkësisë Evropiane. Kuptimi i tyre i plotë është më se vijon: "Një jo-letër (non-paper) është një dokument jozyrtar, zakonisht pa atribuim të qartë, i paraqitur në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht Këshillit të Ministrave, për të kërkuar marrëveshje për ndonjë çështje të diskutueshme procedurale ose politike. Shpesh qarkullojnë nga Presidenca e Këshillit, nga një shtet anëtar, anëtarë individualë ose nga Komisioni Evropian, letrat kërkojnë të provojnë reagimin e palëve të tjera ndaj zgjidhjeve të mundshme, pa e angazhuar domosdoshmërisht propozuesin ose duke reflektuar pozicionin e tij ose të saj publik deri në atë moment. Dokumentet që përcaktojnë mundësitë e ndryshme për strukturimin dhe financimin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), qarkulluar nga Presidenca spanjolle në vjeshtë 2009, madje edhe para se Traktati i Lisbonës të kishte hyrë në fuqi, përfaqësojnë shembuj të kohëve të fundit të mosdokumenteve (non-paper) brenda Këshillit".
“Non-paper” i fundit u tha se ka origjinën nga administrata franceze dhe ajo gjermane, gjë të cilën ambasadorët e akredituar në Kosovë të këtyre dy vendeve e mohuan. Nuk do të shkruaj shumë mbi përmbajtjen e këtij “non-paperi” pasi që u tha shumë në lidhje me të në ndërkohë. Por në vija të trasha aty kërkohet një distrikt autonom në veriun e Kosovës, aty kërkohet një pavarësi e plotë e Kishës Serbe përbrenda Kosovës dhe kuaj të shumtë të tjerë të Trojës në formë kurthesh për shtetin e ri të Kosovës.
Me fjalë të urta, marifeti i këtij “non-paperi”, autorësia e të cilit po ngelet e "mistershme" -pitja u hangër por tepsia mbeti. E edhe pasi që u hangër pitja askush nuk po merret me diskutimin rreth pites por rreth tepsisë.
Mbrëmë e shikova pak intervistën e Skënder Von Hysenit, duka i Dobratinit. Ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-ministër i Punëve të Jashtme, koordinator shtetëror i dialogut Kosovë - Serbi (shkëputur nga CV-ja e tij e begatshme diplomatike), del e na thotë se Kosova do të shndërrohet në një vend të izoluar sikur Palestina. Epo duhesh të jesh shumë injorant e edhe idiot diplomatik që të dalësh me një deklaratë të tillë. Kosova dhe Palestina nuk e kanë asnjë ngjashmëri në historikun e tyre, dhe që ta kuptosh këtë idiotësi duhesh vetëm ta dëgjosh qasjen e zyrtarëve të Palestinës ndaj Kosovës dhe qëndrimin e tyre karshi problemit Kosovë-Serbi.
Mirëpo si mik i dikujt i cili Kosovën e vendosi në Lindjen e Mesme si një vend me shumicë myslimane dhe me "problemet qindravjeçare me botën e krishterë" dhe vend i cili pranon ta ketë ambasadën e vet në Jerusalem në këmbim të njohjes së Izraelit, unë edhe mund ta kuptoj. E edhe ata të cilët e formuluan Kosovën si të tillë e edhe Von Hyseni sot janë vetëm qytetarë të thjeshtë të shteteve të tyre përkatëse dhe impakti e pesha e mendimeve të tyre politike janë të barabarta me 0. Edhe ata piten e tyre e hangrën na e lanë tepsinë.
Dje gjatë vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel ishim dëshmitarë të deklaratës së tij se ai nuk do t’i përgjigjet ftesës për bisedimet me palën serbe më 11 maj. Midis rreshtash e kuptuam se takimet e deritanishme në Bruksel midis palës kosovare dhe asaj serbe ishin aranzhuar dhe dakorduar me presidentin serb, Vuçiq, e më pas pala kosovare vetëm është informuar për datën e mbajtjes së një takimi të tillë. Edhe pse në shikim të parë duket si diçka minore dhe e parëndësishme, në aspektin diplomatik i ngre Kosovën dhe kryeministrin e saj në vendin ku ajo duhet të jetë, partnere e barabartë në këto bisedime dhe jo vetëm pjesëmarrëse në to, ku në fakt bisedohet për vetë qenien e saj. Në njëfarë metafore të kapshme kjo do t’i binte sikur t’i të martoheshe por dhëndër të hynte dikush tjetër. Me rëndësi që dasma të jetë e jotja.
Mendoj se ky veprim i Kurtit i zuri në befasi edhe shumë analistë të banaliteteve të përditshmërisë sonë shqiptare, të cilët u detyruan që t’i ndërronin fjalët e veta dy apo më shumë herë brenda vetëm një dite.
Ka pasur mjaft momente të ngathëta fillimi i qeverisjes së Qeverisë Kurti 2, mirëpo qasja linçuese e secilit detaj nga ana e studiove të shumta televizive me debakëltues analitikë të moçaleve mediatike kosovare nuk u bën nder as atyre e aq më pak shikuesit të lodhur më nga fytyra dhe protagonistë e papagaj të njëjtë dhe njëngjyrësh mediatik-politikë.
Në të njëjtën katrahurë ku opozita është ende në kërkim të vetes dhe ku harresa afatshkurtër ka shkaktuar lidhje të shkurtër në memorien e tyre politike, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kërkon nga kryeministri i Kosovës dhe nga Qeveria që tema e të pagjeturve të jetë prioriteti më i lartë në dialogun me Serbinë. Jo se kjo temë nuk do të duhej të ishte në atë prioritet, mirëpo kur kjo gjë vjen nga goja e një ish-ministri të Punëve të Jashtme, e bartës çantash i shefave të vet, pjesëmarrës në po të njëjtat bisedime ndër vite, kjo atëherë shndërrohet në diçka shumë të gërditshme. Mënyra e bërjes opozitë të këtij lloji ia zgjat Albin Kurtit jetëgjatësinë komode në qeverisje me vendin.
E njëjta ndodhi edhe në Shqipëri me zgjedhjet e datës 25 prill. Përkundër faktit se sa shumë i nevojiten ndryshimet atij vendi, janë pikërisht qasja dhe infantiliteti i opozitës shqiptare ato që në mënyrë komode ia zgjatën jetën qeverisjes së Edi Ramës edhe për një mandat të tretë. Me të gjitha ato dështime pas vetes në qeverisjen me vendin dhe fiasko të shënuara e të mos jesh në gjendje si opozitë që ta ndërrosh dhe rrëzosh pushtetin është për studim.
Përndryshe, ishin të prekshme dhe melankolike letërshkëmbimet e Edit me Batonin, në të vërtetë ish-presidentin Thaçi nga qelia e tij në Hagë. E thashë edhe më herët lansimi i balonave të politikanëve naivë shqiptarë për të matur pulsin e publikut dhe reagimin ku gjatë atyre lansimeve bëhen gabime fillestare. Nuk e besoj se Haga do të lejonte një të akuzuar për krime të rënda lufte t’i drejtohej një politikani tjetër me urimet dhe mesazhet politike nga qelia, dhe e dyta, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm në deficitin e ish-presidentit në të shprehur e që në të shkruar sigurisht se do të merrte përmasa edhe më katastrofale. Kështu që ish-presidenti mund ta ketë aminuar një letër e cila do të shkruhej nga dikush tjetër, por në emër të tij. Po ai edhe libra autobiografikë të paguar me qindra mijëra euro nga paraja e taksapaguesit ka urdhëruar nga autorë të tjerë që të shkruajnë për te, e lëre më "Një letër nga qelia e Hagës". Se ç’ma kujtoi filmin artistik të viteve ‘90 me tani të ndjerin Adem Mikullovci, "Një pallto për babin tim në burg". Shumë lotin e kemi derdhur ne mërgimtarët me atë dramë televizive në formë video-kasetash VHS.
Kur jemi te zgjedhjet në Shqipëri e përmend se Qeverisja Kurti 2 ka mjaft ngathtësi në fillimin e qeverisjes së saj. Njëra nga to është edhe pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në zgjedhjet e Shqipërisë. Si qytetar i thjeshtë do të ishte plotësisht në rregull dhe ai do të kryente obligimin e vet qytetar; nën petkun e kryeministrit të Republikës së Kosovës mendimi im është se nuk ishte gjë e drejtë për ta bërë dhe mesazhi i dërguar është i gabuar.
Por një gjë pozitive pas kësaj ishte se kryeministri Kurti edhe një herë paksa i zuri në befasi moçalistët mediatikë dhe ai e uroi dhe e përgëzoi kryeministrin Rama për fitoren e tij me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.