Ndryshimet klimatike po përshpejtohen dhe ne kemi nevojë për politika që do t’u ndihmojnë vendeve të pellgut ujëmbledhës të Himalajeve që të përshtaten. Riorganizimi aktual i rendit global e anashkalon njërën prej kërcënimeve më kritike për stabilitetin. Të ashtuquajturat fuqi të mëdha duhet ta kuptojnë se çfarë është në rrezik dhe të veprojnë me vendosmëri, ose përndryshe duhet të ndalojnë së pretenduari se janë liderë për çështjet globale të klimës
Në imagjinatën tonë kolektive, Himalajet – kulmi i botës – janë arketip: i bardhë shkëlqyes, i largët, madje edhe i botës tjetër. Ngjitja e tyre është sprovë guximi, kuraje dhe e shtytjes së njerëzimit –– ndjesi e kapur në syrin e kamerës në dokumentarin “14 Peaks: Nothing Is Impossible” të Netflixit që e rrëfen përpjekjen e një alpinisti për të ngjitur majat më të larta të botës brenda shtatë muajsh. E megjithëkëtë, pavarësisht se u ngrit në 6.993 metra mbi nivelin e detit, maja e malit Machapuchare në Nepalin qendror i ngjan një piramide shkëmbore të zezë këtë dimër, pa akull dhe borë. Akullnajat pranë malit Everest janë kthyer në liqene të mëdha.
Më shumë se një atraksion turistik apo një vend për aventura lartësie, Himalajet luajnë rol vendimtar në rregullimin e klimës së planetit. Janë njashtu edhe burimi i ujit të freskët për miliarda njerëz dhe për ekosistemet e pasura (megjithëse gjithnjë e më të degraduara) të rajonit. Si rezultat, rritja e temperaturave dhe shkrirja e akullnajave po gjenerojnë pasoja të gjera që tashmë paraqesin rreziqe të rënda për njerëzimin.
Rrafshnalta Tibetiane është në qendër të Azisë së Maleve të Lartë, një zonë kjo e njohur si Poli i Tretë ngase është depoja e tretë më e madhe e Tokës me ujë të ngrirë, pas Antarktidës dhe Arktikut. Rajoni ka rreth 15.000 akullnaja që mbulojnë pothuajse 100.000 kilometra katrorë të Azisë Malore të Lartë, që përmbajnë 3.000 deri në 4.700 kilometra kub akull. Akullnajat furnizojnë pellgjet e lumenjve Amu Darya, Brahmaputra, Ganges, Indus, Irrawaddy, Mekong, Salween, Tarim, Yangtze dhe Yellow.
Himalajet Hinduse, Kush, shtrihen përgjatë 3.500 kilometrash dhe nëpër Indi, Nepal, Kinë, Butan, Pakistan, Afganistan, Bangladesh dhe Birmani, secila prej të cilave i pretendojnë këto male, përfshirë ujin, ajrin dhe ekosistemet e tyre, si nën kontrollin e tyre sovran. Teksa kriza klimatike i bën shirat musonike më të çrregullta, i thajnë burimet, ulin nivelin e ujit dhe e kërcënojnë furnizimin me ushqime, mungesa e bashkëpunimit dhe e koordinimit midis këtyre shteteve sjell telashe dhe përfaqëson një dështim të politikës globale që e shpërfaq qartë mungesën e lidershipit të besueshëm ndërkombëtar.
Në vitin 2020, një grup profesorësh, studiuesish dhe studentësh të diplomuar të Universitetit të Nju-Jorkut Abu Dhabi (NYUAD) dhe të universiteteve të tjera e nisën projektin Himalayan Water për të theksuar urgjencën e krizës dhe mungesën e qasjeve ndërdisiplinore të nevojshme për të ndihmuar vendet që të përgatiten për më të keqen. Por inkurajimi i bashkëpunimit nuk ka qenë i lehtë në një rajon, ku rivalitetet intensive, mosmarrëveshjet territoriale dhe dyshimet janë të kudondodhur ndërsa fuqia në rritje ekonomike dhe politike të Kinës ka ngjallur armiqësi.
Thirrjet për ringjalljen e një rendi botëror bipolar, në të cilin demokracitë janë të shkëputura nga autokracitë, e minojnë edhe më tej bashkëpunimin që e kërkon ndërvarësia. Për aq sa mbizotëron kjo mendësi, politikëbërësit do ta kenë të pamundur t’i kuptojnë dhe t’i trajtojnë rreziqet e shumanshme të lidhura me klimën që rrjedhin nga kriza në Himalaje.
Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar të Maleve në Katmandu, e cila përfshin tetë vende të Himalajeve, është aktualisht e vetmja organizatë rajonale që përpiqet të përballet me kompleksitetin e krizës. Por nisma përqendrohet shumë në shkëmbimin e të dhënave, sikur vetëm njohuritë shkencore të ishin mjaft “neutrale” për të rrjedhur midis shteteve anëtare. Megjithëkëtë, edhe ky lloj shkëmbimi mund të pengohet nga mosmarrëveshjet rajonale. Për më tepër, është e paimagjinueshme që të kufizohet politika në sferën shkencore, veçanërisht në një epokë kur kaq shumë qeveri dhe organizata ndërkombëtare po e mbrojnë angazhimin e tyre për përfshirje, barazi dhe forma të ndryshme të prodhimit të njohurive.
Me përjashtim të Traktatit të Ujërave të Indusit, midis Indisë dhe Pakistanit, nuk ka përpjekje të tjera të mirëfillta rajonale për të bashkëpunuar në menaxhimin e burimeve bregdetare. Në fakt, shtetet vazhdojnë që të investojnë në infrastrukturën ujore që e pengon dhe e ridrejton rrjedhën natyrore të lumenjve, të cilat u japin jetë ekosistemeve dhe njerëzve. Inxhinierët e formësojnë politikën me besimin se njerëzit mund të dominojnë dhe të kontrollojnë mjedisin, një këndvështrim ky që mund të duket se prodhon përfitime të matshme në afat të shkurtër, por që është shkatërrues në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë.
Këtë janar dy klasat tona universitare në NYUAD udhëtuan në Katmandu për të mësuar rreth implikimeve gjeopolitike dhe ekologjike të këtyre maleve të shkrirë. Studentët morën pjesë në një konferencë, në të cilën ekspertë nga fusha të ndryshme trajtuan një gamë të gjerë çështjesh, nisur nga aktiviteti sizmik dhe marrëveshjet e ujit e deri te politikat publike dhe depozitimi i objekteve kulturore. Çështja kryesore ishte ajo se natyra e shumanshme e sfidës në rajon nuk duhet të pengojë veprimin, porse, në vend të kësaj, duhet të nxisë zhvillimin e një qasjeje holistike.
Sa herë që smogu largohej dhe majat shfaqeshin, ne përjetonim një ndjenjë të përtërirë frike. Himalajet janë edhe madhështore e edhe të brishta duke u gërryer dhe duke u rritur teksa pllaka tektonike mbi të cilën ndodhet nënkontinenti indian shtyhet nën kontinentin më të butë aziatik. Malet ndërveprojnë me qiellin lart dhe me lumenjtë poshtë, ndërsa çdo ndryshim në këtë ekuilibër delikat mund të ndikojë në jetën dhe jetesën e miliarda njerëzve.
Megjithëkëtë, akullnajat po shkrihen me shpejtësi - kjo nuk ka se si të jetë më e qartë. Anëtarët e ekipit tonë hulumtues, të cilët shkuan deri në 5.800 metra poshtë malit Everest në mes të janarit, panë gurë të zhveshur në vend të borës dhe pellgje të shkrirë, aty ku dikur kishte kulla akulli lëvizëse.
Ndryshimet klimatike po përshpejtohen dhe ne kemi nevojë për politika që do t’i ndihmojnë vendet e pellgut ujëmbledhës të Himalajeve që të përshtaten. Riorganizimi aktual i rendit global e anashkalon njërën prej kërcënimeve më kritike për stabilitetin. Të ashtuquajturat fuqi të mëdha duhet ta kuptojnë se çfarë është në rrezik dhe të veprojnë me vendosmëri, ose përndryshe duhet të ndalojnë së pretenduari se janë liderë për çështjet globale të klimës.
(Sophia Kalantzakos, profesoreshë e Studimeve Mjedisore dhe Politikave Publike në Universitetin e New Yorkut në Abu Dhabi, është drejtuesja themeluese e projektit “Geopolitics and Ecology of Himalayan Water” dhe autore e librit “China and the Geopolitics of Rare Earths”, si dhe të “The EU, US, and China Tackling Climate Change: Policies and Alliances for Anthropocene”. Kunda Dixit, anëtar vizitor i fakultetit në Universitetin e New Yorkut në Abu Dhabi, është botues i “Nepali Times” in Kathmandu dhe autor i librit: Dateline Earth: Journalism as if the Planet Mattered”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).