OpEd

Peter Handke në vallen e mohuesve të gjenocidit

Një përmendore, disa dekorata, këngë kafehanesh: kështu u prit shkrimtari serbomadh austriak Peter Handke në “pjesën serbe” të Bosnjë-Hercegovinës dhe në Beograd. Vizitën e tij e festoi edhe Manastiri i Deçanit në Kosovë. Handke nga nacionalistët serbë po shfrytëzohet për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet masive serbe në rajon

Edhe në kohëra të pandemisë, Peter Handke, një letrar austriak në moshë të shtyrë, është i gatshëm të sakrifikojë. Ditëve të fundit nobelisti i letërsisë braktisi shtëpinë e tij afër Parisit dhe ndërmori një pelegrinazh nëpër “botën serbe” nga Banjalluka në Beograd. “Bota serbe” (srpski svet) është një parullë që po përdoret dendur nga pushtetarët nacionalistë serbë për të shfaqur ambiciet për dominim të Ballkanit. Në Banjallukë, kryeqytet i entitetit serb të Bosnjës, Handke takoi Millorad Dodikun, i cili është lider i serbëve të Bosnjës, nacionalist sipas nevojave të politikës ditore, antievropian dhe antiamerikan (Washingtoni e ka futur në listë të zezë, Brukseli jo, madje e trajton si politikan normal). Handke, një primadonë e nacionalistëve serbë, mori një dekoratë në Banjallukë, pastaj pozoi para një përmendoreje që mëtonte të paraqiste Peter Handken (me trup të hajthëm dhe kokë tepër të madhe). Bashkë me Nemanja Kusturicën, ish-Emir Kusturicën e konvertuar nga boshnjaku në serb të mendësisë mesjetare, Handke vizitoi Vishegradin dhe qytetin Andriqgrad, një lloj Disney Land i nacionalistëve serbë për të nderuar shkrimtarin po ashtu nobelist Ivo Andriq, i lindur si kroat dhe i shndërruar në jugosllav me simpati jo aq të vogla për serbët. Në Vishegrad forcat serbe kanë bërë kërdi gjatë luftës. Në një hotel trupat e kasapit Millan Llukiq kanë dhunuar dhjetëra gra e vajza. Për t’i shpëtuar tmerrit disa kanë kërcyer nga ndërtesa. Viktima të tjera serbët i kanë hedhur nga ura e Vishegradit në lumin e Drinës. Pas një kohe serbët matanë kufirit ishin ankuar se numri i madh i kufomave e kishte bllokuar hidrocentralin lokal. Të gjitha këto janë të dokumentuara, gazetarë jo vetëm perëndimorë kanë shkruar tekste të hulumtuara mirë mbi krimet e llahtarshme serbe. Nga një qytet multietnik me boshnjakë e serbë Vishegradi tani është një qytet serb, që po serbizohet me ngulm nga pushteti me qëllim që të shlyhen gjurmët e myslimanëve. Pasi u vu në dispozicion të nacionalistëve serbë në Bosnjë, Handke e vazhdoi rrugëtimin e “idiotit të dobishëm” dhe nga duart e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pranoi një dekoratë tjetër. Për nacionalistët serbë Handke e thotë të “vërtetën”. Dhe e “vërteta” e Handkes është ajo e nacionalistëve serbë: domethënë “krime kanë kryer të gjithë”, “serbët janë viktima”, “nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë”, “serbët në Kosovë po vuajnë”. Për të propaganduar këtë narracion që zhvesh serbët nga çdo përgjegjësi, Vuçiq dhe Dodik e mbulojnë Handken me dekorata, e gostitin me raki dhe e argëtojnë me këngë kafehanesh. Në një ndejë Handke ia mori këngën bashkë me orkestrën, krahas tij ishte edhe shkrimtari Muharem Bazdulj, edhe ky një boshnjak që i pëlqen të jetë njëfarë Cece letraro-nacionaliste në shërbim të nacionalistëve serbë. Bazdulj jeton në Beograd dhe s’përton të vajtojë Serbinë, së cilës “perëndimi i poshtër ia ka grabitur Kosovën”. Prej vitesh Bazdulj shkruan kolumne për gazetën “Oslobogjenje” të Sarajevës. Tek tani, pasi e kapi mikrofonin për t’u ndihmuar Handkes dhe orkestrës serbe, Bazdulj u ndëshkua: “Oslobogjenje” njoftoi se do të ndërpresë bashkëpunimin me të.

Vizita e Handkes në “republikën serbe” të Bosnjës dhe në Beograd pati jehonë edhe në Manastirin e Deçanit në Kosovë. Në profilin zyrtar të këtij manastiri, Handke u lavdërua si mik i vërtetë i serbëve, që e paskësh thënë të vërtetën. Asnjë fjalë për Handken, mohues të gjenocidit serb në Srebrenicë, asnjë fjalë për viktimat boshnjake në Vishegrad, asnjë fjalë për viktimat e regjimit serb në Kosovë. E “vërteta” e Peter Handkes në fakt është revizionizëm historik dhe fyerje e viktimave. Kjo propagandë po përcillet me zemërim nga opinioni boshnjak, ndërsa në Kosovë vërehet një indiferencë e madhe. Në të vërtetë zemërimi ndaj Handkes nuk sjell asgjë. Por sidomos Kosova ka dështuar të mbajë afër plot intelektualë të njohur perëndimorë, të cilët në vitet 90-të, e sidomos gjatë luftës, qenë mbështetës të mëdhenj të çlirimit të Kosovës nga Serbia. Disa prej tyre kanë vdekur e janë harruar, disa janë ende gjallë, por edhe këta janë të harruar. Kosova mjaftohet me vetizolimin e saj kulturor dhe mental.