OpEd

Peshkopi dhe baca Adem

Një rrëfim për Kishën dhe shtetin

1.

Peshkopi Artemije dhe baca Adem ishin fizikisht pothuajse të së njëjtës gjatësi dhe tashmë mund të konstatohej me saktësi të fjalëpërfjalshme se mund ta shikonin njëri-tjetrin sy më sy, pa e ngritur apo ulur kokën.

E kam të freskët këtë përshtypje dhe momentin kur u përshëndetën për herë të parë në Selanik për Pashkët ortodokse të vitit 1998. Organizator i takimit qe fondacioni i njohur gjerman “Bertelsmann” dhe pedanterisë gjermane për caktimin e takimit (një fundjavë e bukur pranvere në një qytet në Greqi ku mund të arrinim të gjithë pjesëmarrësit) i iku fakti i thjeshtë e tejet i rëndësishëm se Pashkët janë festa më e rëndësishme ndër të krishterët ortodoksë, dhe se ato kësaj here në kalendar erdhën dy javë pas atyre katolike-protestante të Gjermanisë.

Peshkopi, megjithatë, pranoi se ishte e një rëndësie të madhe të vinte e të takohej me Adem Demaçin dhe me ne të tjerët që përfaqësonim politikë a shoqëri civile të shqiptarëve të Kosovës dhe që së bashku me diplomatë e mendimtarë serbë e të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës të përpiqeshim për një zgjidhje që nuk do të na çonte më tutje në luftë.

Darka e shenjtë e së premtes së Pashkëve dha rrezen e vet të thellë shpirtërore dhe dy njerëzit e të dy ballëve të tavolinave bekuan të gjithë pjesëmarrësit me respektin e tyre të thellë të ndërsjellë e respektin për të gjithë. Peshkopi foli për vuajtjet e bacës Adem, për nevojën që të mos keqtrajtohet më asnjë njeri, shqiptar a tjetër. Baca Adem foli për respektin e thellë që ka populli shqiptar për “vëllezërit serbë” e Kishën Ortodokse, të cilën e ka ruajtur ndër shekuj. Qe një kor lutjesh religjioze dhe joreligjioze për paqe.

2.

Darka e dytë vazhdoi në një tavernë, në pjesën e vjetër të Selanikut.

Gjatë ditës që të gjithë ishim pajtuar se lufta është e keqe, se Milosheviqi është në masë të madhe fajtor për tërë këtë situatë dhe se duhet gjetur zgjidhje të ndërmjetme që do të krijonte kushte për paqe, dialog e zgjidhje demokratike për konfliktin.

Darka supozohej se nuk kishte pse të mos vazhdonte në frymën e njëjtë sikur debati. Por, ndërsa vinin e shkonin pjatat e mezesë dhe gotat e verës, e të inkurajuar me frymën që po mbretëronte nga nata e parë, baca Adem dhe peshkopi hynë në një territor që nuk ishte i përgjithshëm, ku kapërcehej përcaktimi i përgjithshëm për paqe, demokraci dhe respekt. Që të dy e filluan një bisedë rreth së kaluarës së afërt, të viteve tetëdhjetë. Në të baca Adem shihte me qindra e mijëra shqiptarë të rrahur e të burgosur, një të kaluar për të cilën Kisha Ortodokse nuk e kishte ngritur zërin. Peshkopi Artemije shihte Patrikanën e djegur të Pejës nga “dora e terroristëve shqiptarë”, për ç’gjë shqiptarët e tjerë nuk e kishin ngritur zërin.

- Kjo është propagandë, tha baca Adem.

- Si propagandë?, pyeti me neveri Peshkopi.

- Ashtu, tha, propagandë.

- Por, si mund të jetë propagandë, ka dokumente për këtë...

- Me aso dokumentesh false unë e kam kaluar gjysmën e jetës në burg.

(Policia federative e asokohshme kishte konstatuar se kuzhina e Patrikanës së Pejës u dogj pjesërisht nga një aksident i shkaktuar nga një defekt në instalimet e godinës).

3.

Epilogu i takimit të Selanikut ishte se ekziston një gatishmëri nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë për të dalë kundër politikës së Milosheviqit në Kosovë, dhe ky ishte një gjest i rëndësishëm që po ashtu kërkonte trimëri personale, posaçërisht në një vend si Kosova, ku shumica e popullatës serbe ishin jo vetëm përkrahës të Milosheviqit, por në formë burimore kishin qenë forca që e kishte ngritur në pushtet.

Kur përfundoi lufta në Kosovë dhe vendi u çlirua, i gjithë pushteti i administratorëve të caktuar nga Beogradi, ngjashëm me ata kolonialë britanikë e francezë që largoheshin së bashku me forcat okupuese, shkuan për në Serbi dhe ditën kur erdhi Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s në Kosovë, kryeadministratori i OKB-së, Kouchner, së bashku me gjeneralin Jackson me urgjencë kërkonin se kush do t’i përfaqësonte serbët. Përzgjedhja logjikshëm ra tek i vetmi institucion që mund të kishte ndonjë lloj legjitimiteti të përfaqësimit të serbëve lokalë - Kisha Ortodokse me peshkopin e vet Artemije. Nuk kishte më ushtri serbe, administratorë, kryetarë të Partisë Socialiste apo të asaj JUL - kishte mbetur vetëm Kisha, madje ajo që përfaqësohej nga njeriu që së bashku me figura të tjera të njohura, si ati Sava Janjiq nga Manastiri i Deçanit, kishin dalë haptazi kundër regjimit të Milosheviqit.

Peshkopi Artemije u shndërrua në zërin politik të serbëve të Kosovës. Atëherë kur fliste e shkruante kundër keqtrajtimit e përndjekjes së serbëve të Kosovës pas luftës, të atyre që mund të kenë qenë të fajshëm dhe atyre që ishin krejtësisht të fajshëm. Dhe atëherë kur, sikur do të më rastiste ta shihja në një moment pakujdesie të tij, do të qëndronte mbi hartë të Kosovës dhe do t’u tregonte diplomatëve perëndimorë se si duhej të krijohej rrjeti i rrugëve që do të lidhnin të gjitha “enklavat serbe”, në mënyrë që të krijohej një tërësi tokësore serbe në Kosovë e lidhur në vijimësi me territorin e Serbisë.

4.

Peshkopi do ta përfundonte shumë shpejt karrierën e të qenit zëri i vetëm i serbëve të Kosovës. Këtë rol do t’ia marrin, natyrshëm, politikanët e zgjedhur serbë të Kosovës, ata që në zgjedhjet e para parlamentare u quajtën “Koalicioni kthimi”, me synim të të qenit zëri autentik i interesave serbe në Kosovë. Pastaj do t’ia marrë jonatyrshëm Beogradi zyrtar, duke u shndërruar në zërin zyrtar për çdo interes serb, sekular a kishtar. Së fundmi do t’ia marrë vetë Kisha. Më 2010, me akuza për keqpërdorim financash, peshkopi u shkarkua nga funksionet e tij. Në një lojë ironish historike, pasi që u largua në një manastir në veri të Kosovës, në afërsi të Zubin-Potokut, nga organet kishtare iu kërkua ndihma e policisë së Republikës së Kosovës, shtetit kundër të cilit ka qenë, që të dëbohet edhe nga aty.

Më ra në mend i tërë ky rrëfim si analogji për narracionin e sotëm të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë. Ajo është diku në kërkim për të qenë zë që mbron herë interesin e Kishës, herë interesin e serbizmit, herë interesin e Serbisë, me rrëfime që ndonjëherë i afrohen atij të kuzhinës së Patrikanës e duke harruar se kur të harxhohen të gjitha këto rrëfime e kërkime rolesh, megjithatë do të mbeten në Kosovë, një Republikë laike e bacës Adem, aty ku religjionet, si në shumicën e shteteve evropiane, janë të ndara nga shteti.

Dhe, ndoshta mu këtu është keqkuptimi i pazgjidhur deri më tani.