Kosova, Serbia dhe aleatët perëndimorë kanë filluar një shteg të ri dhe të paeksploruar të dialogut. Ky shteg i ri është më ambicioz, por më sfidues. Ndonëse caku është i qartë, rruga është e pashkelur. Pasi që dialogu ka avancuar përtej kornizave të deritanishme, është edhe e natyrshme që të gjitha palët të mos ndihen komod dhe të mos kenë të gjitha përgjigjet e sakta. Ky udhëtim në shtegun e paeksploruar do të kërkojë një shkallë të improvizimit dhe adaptimit në rrethanat e reja që do të krijohen përgjatë rrugës. Pas një kohe të gjatë të status-quos është koha të provojmë shtegun e ri
Në një karikaturë të vitit 1803 Napoleon Bonaparte shihet i armatosur dhe i gatshëm për luftë, përderisa një person tjetër e tërheq për trupi për ta qetësuar. Personi tjetër është ministri i tij i Jashtëm, Talleyrand. Talleyrand ka hyrë në histori jo vetëm si figurë e jashtëzakonshme politike dhe diplomat par excellence, por edhe si sabotues aktiv i planeve të shefit të tij. Përderisa Napoleoni besonte në luftën dhe ekspansionin e Francës me forcë, Talleyrand ishte dishepull i paqes dhe besonte se para madhësisë së perandorisë vjen cilësia e perandorisë. Ky botëkuptim i kundërt shpesh ka sjellë dy bashkëpunëtorët në konflikt. Kur me një rast Talleyrand ishte duke ia prezantuar Napoleonit një marrëveshje paqeje ai e përmblodhi marrëveshjen duke thënë se është marrëveshje e “ndërtuar mbi parimet”. Në këtë Napoleoni iu përgjigj: “Punë e shkëlqyer. Më pëlqejnë parimet. Ato nuk më obligojnë asgjë”.
Ky shkëmbim në mes dy titanëve të kohës m’u kujtua derisa isha duke përcjellë samitin e Ohrit dhe reagimet e më vonshme në Kosovë, Serbi dhe BE. Palët janë dakorduar për një sërë parimesh dhe zotimesh të cilat mund t’i obligojnë ato për shumë çka dhe për asgjë. Ato mund t’i obligojnë palët të bëjnë paqe dhe të nisin luftë. Kjo lloj paqartësie publike rreth samitit të Ohrit shpejt u përcoll me interpretime të ndryshme në diskursin publik. Dhe përderisa është e dobishme që të inkurajojmë një debat sa më të gjerë për dialogun, është po ashtu shumë e rëndësishme që t’u qëndrojmë besnikë fakteve dhe më pastaj të nxjerrim përfundimet – dhe jo e kundërta. Në këtë drejtim konsideroj të nevojshme të adresohen së paku pesë mite rreh samitit të Ohrit.
“Samiti i Ohrit është historik”
Në javët dhe ditët para samitit të Ohrit u ndërtua një mjedis me pritje të mëdha nga samiti i Ohrit. Fillimisht përzgjedhja e vendit të takimit ishte indikacion që diçka me rëndësi do të mund të ndodhte. Kjo ndjenjë u sforcua edhe më shumë kur kuptuam pak ditë para takimit se vetë presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, diskutuan për dialogun Kosovë – Serbi. Sekretari Bliken zhvilloi bisedë telefonike me përfaqësuesin e lartë Borrell, ndërsa numri dy i Departamentit të Shtetit telefonoi z. Kurti dhe z. Vuçiq. Në nivele pune z. Esobar dhe z. Lajçak zbarkuan fizikisht në Prishtinë dhe Beograd. Pra, marrë gjithë këtë së bashku u ndërtua një pritje publike që do të kemi zhvillim historik nga Ohri.
Tani me Ohrin mbrapa nesh mund të konkludojmë lirshëm se Ohri nuk ishte historik. Arsyeja përse nuk ishte historik më sjell tek miti numër dy.
“Kemi vëmendjen e lartë ndërkombëtare”
Qe një kohë është krijuar besimi se dialogu Kosovë – Serbi gëzon vëmendjen e lartë ndërkombëtare. Kancelari Sholc dhe presidenti Macron kanë pritur z. Kurtin dhe z. Vuçiq. Të dytë kanë zhvilluar takime me sekretarin Blinken. Fuqitë e mëdha kanë emëruar të dërguarit e tyre specialë për dialogun. Tre liderët e BE-së (Gjermani, Francë dhe Itali) u kanë dërguar letër të veçantë z. Kurtit dhe z. Vuçiqit për rëndësinë e dialogut. Dhe marrë të gjitha këto në tërësi është krijuar miti që kemi vëmendjen e lartë ndërkombëtarë. Mossuksesi i Ohrit shembi këtë mit. Pra, fakti se fasilituesit nuk patën fuqi të obligonin palët të dakordoheshin për marrëveshje më ambicioze ishte tregues më i qartë se dialogu nuk gëzon mbështetje serioze politike në SHBA dhe BE. Dialogu nuk është prioritet i kancelarive perëndimore. Është çështje që duhet menaxhuar nga diplomatët perëndimorë.
“S’ka nënshkrime, s’ka marrëveshje”
“S’ka kapitullim” është shndërruar në parullën zyrtare të presidentit Vuçiq, e cila synon të komunikojë betejën e shtetit serb kundër armiqve të jashtëm. Ky lloj viktimizimi dhe beteje e përhershme hyjnore e shtetit serb është ndjenjë thellë e ingranuar në psikikën publike serbe. Po ashtu është material politik i mirë. Në këtë sfond Vuçiqi ka portretizuar mosnënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe atë të Ohrit si refuzim i kapitullimit të shtetit serb karshi armiqve të jashtëm. Por kjo, sikur pjesa e madhe e historisë serbe, është mit. Mit i cili u shemb nga vetë fasilituesit e BE-së. Marrëveshja bazë dhe aneksi respektiv janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me apo pa nënshkrime te palëve.
“Tradhtia e Kurtit”
Një pjesë e skenës politike dhe e opinionit publik sulmoi Marrëveshjen bazë dhe takimin e Ohrit si një lloj tradhtie të Kurtit. Disa interpretuan nenin 7 të Marrëveshjes në fakt si Asociacion +, duke implikuar se neni 7 është shumë më shumë se Asociacioni. Kjo mund të jetë, por nuk është kështu tani për tani. Prandaj nuk mendoj se është e drejtë që të shpallim dikë tradhtar duke spekuluar se çfarë ne mendojmë ai do të bëjë ose nuk do të bëjë në të ardhmen. Në këtë drejtim konsideroj se beteja kryesore për Asociacionin ende nuk është zhvilluar. Në fakt, ajo tani do të fillojë. Por në pritje të kësaj beteje për një gjë tani mund ta akuzojmë Kurtin. Ai ka filluar një shteg të ri të dialogut. Pra, deri më sot dialogu nuk ka njohur konceptin e “vetëmenaxhimit” të komunave serbe. Ka njohur Asociacionin, fusnotën, shkëmbimin e territoreve, etj., por jo “vetëmenaxhimin”. Ndonëse është e qartë që Kurti ka sjellë këtë risi në dialog me qëllim të zëvendësimit të fjalës Asociacion, me këtë hap ai ka krijuar realitet të ri në dialog. Nga sot e tutje epilogu dhe forma e këtij “vetëmenaxhimi” të komunave serbe do të jenë trashëgimia politike e Kurtit.
“Ohri ishte dështim”
Një pjesë e opinionit publik në Kosovë e shpalli të dështuar samitin e Ohrit. Përderisa siç potencova edhe më herët samiti i Ohrit qartazi nuk ishte historik, mbase është e ngutshme të shpallet i dështuar. Këtë e them pasi që Marrëveshja bazë e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë karakterizohet me tri rrethana të veçanta që e bëjnë vlerësimin për suksesin apo dështimin të parakohshëm. E para: zakonisht në marrëveshjet e këtilla përgjegjësinë dhe lidershipin për zbatimin e marrëveshjes kanë palët e marrëveshjes. Dhe në këtë drejtim është e qartë që palët – Kosova dhe Serbia – nuk kanë vullnetin për zbatimin e marrëveshjes. Por në këtë rast unik BE-ja si fasilituese ka marrë rol qendror në udhëheqjen e hapave drejt zbatimit të marrëveshjes. Në këtë drejtim, gjatë javëve në vijim do të kuptojmë nivelin e seriozitetit të BE-së në zbatimin e marrëveshjes së arritur dhe eventualisht jetësimin e kërcënimit për sanksionimin e palës jokonstruktive. E dyta: sfondi ndërkombëtar në kuadër të të cilit marrëveshja do të zbatohet është jashtëzakonisht i paparashikueshëm dhe fluid. Lëvizjet e papritura në Ukrainë mund të ndryshojnë ndjeshëm dinamikat në rajon dhe natyrisht dialogun Kosovë-Serbi. Pozicionimi politik dhe ushtarak i Serbisë karshi këtyre dinamikave do të jetë po ashtu faktor i rëndësishëm. Dhe e fundit: Kosova, Serbia dhe aleatët perëndimorë kanë filluar një shteg të ri dhe të paeksploruar të dialogut. Ky shteg i ri është më ambicioz, por më sfidues. Ndonëse caku është i qartë, rruga është e pashkelur. Pasi që dialogu ka avancuar përtej kornizave të deritanishme është edhe e natyrshme që të gjitha palët të mos ndihen komod dhe të mos kenë të gjitha përgjigjet e sakta. Ky udhëtim në shtegun e paeksploruar do të kërkojë një shkallë të improvizimit dhe adaptimit në rrethanat e reja që do të krijohen përgjatë rrugës. Pas një kohe të gjatë të status-quos është koha të provojmë shtegun e ri.