Kriza e Ukrainës mund ta riaktualizojë një pyetje të thjeshtë që nuk do prajtur së përsërituri: si mund të merren BE-ja dhe NATO-ja në mënyrë të bashkuar në krizën e Ukrainës, nëse nuk mund të përbashkohen rreth një vendimi shumë herë më të lehtë, ai që njohja e pavarësisë së Kosovës është pjesë thelbësore e arkitekturës së sigurisë evropiane?
U bë tashmë muaji i dytë që kriza e tanishme në Ukrainë është bërë temë globale diskutimi dhe në vëmendje të opinionit ndërkombëtar. Përgjatë kësaj kohe, po përvidhen konstatime që më shumë sesa Ukrainën shpjegojnë formën e krijimit të opinionit publik, një ndeshje e përhershme dhe garë narracionesh. Ja disa mësime që mund të hyjnë në punë.
1. Rusia do të hyjë në Ukrainë...
..., por në fakt Rusia këtë e ka bërë tashmë. Prej vitit 2014, ushtarë rusë pa shenja shtetërore janë futur në territorin e Ukrainës lindore (në Donbas) për të mbështetur një kryengritje të forcave pro-ruse kundër pushtetit qendror. Si produkt i kësaj ndërhyrjeje, në Ukrainë sot funksionojnë diçka si në zhbërjen e ish-Jugosllavisë me “republikat serbe” në Kroaci dhe BeH, “republikat popullore” të Donjeckut dhe Luhanskut.
Pak më vonë, më 2014 po ashtu, Rusia aneksoi Krimenë pas organizimit të një “referendumi”, i cili prodhoi arsyetimin për aneksim.
Pra, nëse dikush prej 100 mijë ushtarëve rusë që sot janë në kufijtë e Ukrainës hyn në këtë fqinj, vetëm e vazhdon gjendjen e krijuar të luftës më 2014.
2. Ky është një sulm i papresedencë kundër sigurisë evropiane...
....që është vazhdim i sulmit të mëhershëm të papresedencë dhe do të jetë pararendës i sulmit të ardhshëm të papresedencë.
Prej ardhjes në pushtet, presidenti Putin ka deklaruar se zhbërja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe e shekullit XX. Në vizionin e tij, shekulli XXI është ringritja e fuqisë ruse në nivelin e fuqisë botërore çfarë ishte në shekullin e kaluar. Dhe, presidenti Putin gjatë mandatit të tij ka bërë lëvizje gjeopolitike që për qëllim kanë ngritjen e peshës gjeopolitike të vendit të tij. Ka destabilizuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën, duke krijuar madje territore që nuk kontrollohen nga autoritetet e atyre shteteve, ka zhvilluar luftë kibernetike dhe hibride kundër Perëndimit, duke përfshirë edhe ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane, ka ruajtur pozicion në Lindjen e Mesme, duke shpëtuar regjimin e Assadit, ka mbajtur si të papërmbyllura konfliktet në Ballkanin Perëndimor duke përkrahur nacionalizmin serb në trekëndëshin Kosovë-Serbi-Bosnjë e Hercegovinë e së voni edhe në Mal të Zi.
Prishja e arkitekturës perëndimore të sigurisë nuk është produkt anësor i politikës ruse, është politika ruse.
3. Putini do të ballafaqohet me përgjigje të fortë perëndimore...
...dhe me këtë ai është mësuar. Në fakt, situata e tanishme në kufirin e Ukrainës i shërben Putinit për ta testuar Perëndimin. Duke i mbajtur njëqind mijë ushtarët për këto dy muaj, ai është një lider autokrat që shikon në TV reagimet herë të akorduara e herë të çakorduara (sepse në demokraci ka debat dhe debati është i kundërt prej monolitit mendor, pra është edhe i akorduar edhe i çakorduar). Këto debate tregojnë demokraci perëndimore që hapin debat rreth vetes, rreth aleancës së tyre (NATO), rreth nevojës që Evropa të ketë rol më të fortë edhe në sferën e sigurisë, rreth përcaktimit se ku janë kufijtë e saj (a është Ukraina Evropë?), rreth përcaktimit se a mund të ketë Evropë pa fuqinë më të madhe evropiane në të, SHBA-në?
Kur Putinit i thuhet se do të ballafaqohet me sanksione, ai mund ta marrë këtë me cinizëm. Më 2014, kur e prishi rendin evropian të pasluftës së Dytë Botërore duke marrë copa territori nga një shtet tjetër, u ndëshkua me sanksione të cilat sipas presidentit Obama, do të dërmonin regjimin e tij. Ja ku është pas 8 vjetësh, i gatshëm të ballafaqohet me sanksione të reja. Ose, që në stilin e tij të kërkojë heqjen e sanksioneve të vjetra, nëse i kthen ushtarët e vet prej kufirit ukrainas.
4. Kriza do të zgjidhet në bisedime brenda javës ose do të ketë luftë...
...ose mbase do të ketë gjendje të këtillë për një kohë më të gjatë. Putin nuk ka ku ngutet; nuk ka konkurrencë demokratike, sepse nuk ka demokraci, nuk ka opinion publik sepse atë e kontrollon. Mandati i tij në Ukrainë e gjetiu nuk lidhet me stinë e muaj, lidhet me jetëgjatësinë e tij personale. Kriza e tanishme në Ukrainë mund të fillojë një debat më të gjatë lidhur me marrëdhënien e re mes Rusisë dhe Perëndimit, posaçërisht ngase Perëndimi, prirë nga SHBA-ja, deklaron se interesi i saj gjeostrategjik është ballafaqimi me Kinën, në të gjitha fushat, prej ekonomisë e deri në siguri.
Porosia e Putinit është e thjeshtë dhe rrjedh nga gjeopolitika ruse, ajo bazike, e të qenit vendi me 11 zona kohore. Si doni të merreni me Kinën duke më kapërcyer mua?
5. Kriza po zhvendoset thellë në Lindje ashtu si gjeopolitika...
...por është krizë evropiane që prek çdokënd, edhe Kosovën. Madje, shumë më tepër Kosovën se plot vende të tjera evropiane.
Presidenti Putin ka përsëritur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 se do ta përdorë këtë si precedent juridik për veprimet e veta në Gjeorgji, Ukrainë e kudo tjetër. Ç’është e vërteta ky arsyetim i presidentit Putin ka vlerë të njëjtë juridike me atë të është cubit e korzosë së Prishtinës të viteve shtatëdhjetë që rrihte djaloshin që shëtiste me një vajzë të bukur sepse “unë e pashë i pari”. Kjo do të thotë se presidenti Putin do t’i përdorë argumentet juridike sipas forcës: në Kosovë do të kërkojë pushtet të OKB-së, në Ukrainë do të shpërfillë tërësinë tokësore si pjesë e mandatit të OKB-së për të ruajtur paqen.
E kjo do të thotë se politikën e vet në Ballkan Perëndimor Rusia nuk ka nevojë ta dëshmojë me divizione tankesh të ushtrisë së vet; këtë e bën me thjeshtësinë e përkrahjes së politikës serbe në Kosovë, BeH dhe Mal të Zi.
E pra, kjo krizë mund të riaktualizojë një pyetje të thjeshtë që nuk do prajtur së përsërituri: si mund të merren BE-ja dhe NATO-ja në mënyrë të bashkuar në krizën e Ukrainës nëse nuk mund të përbashkohen rreth një vendimi shumë herë më të lehtë, ai që njohja e pavarësisë së Kosovës është pjesë thelbësore e arkitekturës së sigurisë evropiane.