OpEd

Pesë mesazhe të pulsit publik

Numrat e paprecedentë të përkrahjes qytetare për liderët institucionalë të vendit krijojnë një narracion të fuqisë së pakontestueshme politike të mazhorancës, por nëse gërmojmë pakëz mbi këtë sipërfaqe, shpërfaqet një pikturë më komplekse

Pulsi publik i UNDP-së është dokument kurioz: opozita shpeshherë e pëlqen, pushteti rrallëherë e mirëpret, e mediat çdoherë i gëzohen. Besoj se është kështu, sepse prej kohesh pulsi publik është njohur si një nga burime më të besueshme të disponimit politik të qytetarëve në vend. Kësaj radhe janë pesë mesazhe që pulsi publik sjell në vëmendjen tonë.

1. Rritje e kënaqësisë së qytetarëve me punën e institucioneve të vendit. Nga ekzekutivi dhe legjislativi, e deri te Presidenca dhe sistemi prokurorial e gjyqësor qytetarët kanë raportuar kënaqshmëri

më të madhe me institucionet e tyre. Pra, vërehet një dozë e përgjithshme e optimizmit te qytetarët. Ky disponim optimizmi patjetër se është reflektuar edhe te liderët institucionalë. Rrjedhimisht 60.3% të qytetarëve ishin të kënaqur me punën e presidentes, 58.3% me punën e Kryetarit të Kuvendit dhe 51.5% me punën e kryeministrit.

Këta numra nuk duhen nënvlerësuar, ata indikojnë një përkrahje të paprecedentë për liderët institucionalë të Kosovës. Natyrën e tyre të paprecedentë e shpërfaq më së miri krahasimi me paraardhësit e tyre. Për shembull, në krahasim me kryeministrin Mustafa, kryeministri Kurti gëzon më shumë se dyfishin e përkrahjes së qytetarëve. Në krahasim me kryekuvendarin Veseli, kryekuvendari Konjufca gëzon dyfishin e përkrahjes së qytetarëve. Në krahasim me presidentin Thaçi, Presidentja Osmani gëzon trefishin e përkrahjes së qytetarëve.

Sidoqoftë po ashtu këtë përkrahje të paprecedentë nuk duhet as mbivlerësuar. Më shumë se përkrahje e pakontestueshme, gjetjet e këtij pulsi publik duhet parë si përjashtim nga rregulli. Me përjashtim të rezultateve të pulsit të fundit publik, perceptimi i qytetarëve për liderët institucionalë ka një trajektore të rënies. Askund kjo nuk duket më qartë se në rastin e kryeministrit. Nga marrja e detyrës së tij, kënaqshmeria me punën e z. Kurti ka njohur vetëm rënie: nga 65.4% në prill 2020 në 44.9% në nëntor 2022. Kjo rënie u ndërpre vetëm tani me pulsin e fundit publik. Pak a shumë e njëjta storie është sa i përket përkrahjes për presidenten dhe kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht para nesh ngrihet pyetja çfarë e shkaktoi ringritjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me liderët institucionalë të vendit?

Besoj se përgjigjja vetevidente është: pozicionimi i tyre karshi dialogut me Serbinë. Që nga fundi i vitit të kaluar, kur filluan eskalimet në veri, kjo mazhorancë ka mbajtur një qëndrim më të ashpër politik karshi Serbisë dhe dialogut. Nga fillimi i zbatimit të targave RKS dhe shkarkimi i Gjuriqit, e deri tek arrestimi i kriminelëve dhe ngritja e flamurit të Kosovës në ndërtesat komunale në veri, në sytë e qytetarëve kjo mazhorancë ka zbatuar një politikë më “patriotike” dhe “sovraniste” të vendit. Veprimet e tilla të mazhorancës kanë krijuar një narracion të përballjes së Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë në veri dhe rrjedhimisht kanë sforcuar ndjenjat emocionale të qytetarëve karshi shtetit dhe institucioneve të tyre. Kjo shpjegon edhe rritjen horizontale të kënaqshmërisë së qytetarëve me të gjitha institucionet e vendit, pa përjashtim. Në kohë krize dhe përballje me faktorët e jashtëm, homogjenizimi i brendshëm i shoqërisë është refleks i natyrshëm.

2. Rritje e pakënaqësisë qytetare me drejtimin politik dhe ekonomik të vendit. 45.60% të qytetarëve janë të pakënaqur me drejtimin politik të vendit, ndërsa 57.29% janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të vendit. Ndonëse këto janë nivele më të larta të pakënaqësisë së qytetarëve qysh nga fillimi i Qeverisë Kurti 2, unë dyshoj se këto të gjetura do të sëkëlldisin mazhorancën, për dy arsye. E para, në kuptimin e trendit historik niveli i evidentuar i pakënaqësisë së qytetarëve është në spektrin më të ultë historik. Pra, historikisht qytetarët kanë qenë shumë më të pakënaqur me drejtimin politik dhe ekonomik të vendit më parë se sa që janë sot. Një fakt i tillë i lejon mazhorancës të “abuzojë” me durimin e qytetarëve. E dyta, “drejtimi politik dhe ekonomik” janë nocione të përgjithshme dhe abstrakte që inkurajojnë përgjigje të përgjithshme dhe abstrakte të qytetarëve. Pra, kur qytetarët përgjigjen në pyetjet e këtilla ata nuk bëjnë vlerësimin e punës specifike të mazhorancës, por ofrojnë përshtypjen e tyre të përgjithshme për drejtimin afatgjatë të vendit. Pra, thënë ndryshe, ata mund të kanë përshtypje pozitive dhe optimiste për qeverisjen e një mazhorance të caktuar, por njëkohësisht të ngelin pesimistë dhe të zhgënjyer për të ardhmen afatgjate të vendit. Kjo shpjegon edhe dikotominë në mes optimizmit të qytetarëve për punën e institucioneve të tyre dhe pesimizmit të tyre për drejtimin e vendit.

3. Rritje e perceptimit të qytetarëve për korrupsion në qeveri. 25.3% të qytetarëve konsiderojnë se korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në qeveri. Ky është niveli më i lartë i perceptimit të korrupsionit në qeveri qysh nga fillimi i Qeverisë Kurti 2. Sidoqoftë edhe në këtë rast unë dyshoj se kjo gjetje do ta sëkëlldisë mazhorancën, për dy arsye. E para, në kuptimin e trendit historik ky është larg niveli më i ultë i perceptimit të korrupsionit në qeveri. Pra, historikisht qeveritë janë perceptuar shumë më të korruptuara nga ana e qytetarëve. Edhe në ketë rast kjo do t’i lejojë mazhorancës të “abuzojë” me durimin e qytetarëve. E dyta, qytetarët – me apo pa të drejtë – nuk e shohin më korrupsionin si problem madhor të vendit. Siç ka evidentuar edhe vetë pulsi, vetëm 2.2% të qytetarëve konsiderojnë se korrupsioni është problem madhor i vendit, duke e larguar kështu jashtë pesë problemeve madhore të vendit.

4. Marrëveshja me Serbinë nuk është e keqe. 58% e qytetarëve besojnë se marrëveshja e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe do të avancojë rrugën integruese të vendit. Vetëm 8.9% besojnë të kundërtën. Në këtë sene qytetarët kanë treguar pjekuri dhe vizion më të madh politik se politikanët të cilët kundërshtuan marrëveshjen e Brukselit dhe shtojcën e Ohrit.

5. Serbët janë gati për protesta. 40.5% të serbëve janë të gatshëm të protestojnë për arsye politike. Në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar, kjo gatishmëri është katërfishuar. Kjo gjetje minon narracionin e Kryeministrit, i cili është përpjekur të portretizojë protestat në veri si protestat e “grupeve të vogla interesi”. Pra, qartazi komuniteti serb në Kosovë është i pakënaqur me zhvillimet politike në këta gjashtë muajt e fundit.