Kur miqtë tanë perëndimorë na bëjnë thirrje për “progres në fushën e sundimit të ligjit”, kjo nuk është një deklaratë e radhës politike, por rikujtim historik i vlerës themelore që sundimi i ligjit ka për civilizimin
Që nga ditët e para kur njeriu ka filluar të mendojë për organizimin e jetës moderne, sundimi i ligjit është parë si themel mbi të cilin duhet ndërtuar çfarëdo shoqërie progresive. Për këtë arsye Platoni kishte këshilluar: “Aty ku ligji i nënshtrohet pushtetit, dështimi i shtetit është i garantuar. Por, nëse ligji është zot i pushtetit, ndërsa pushteti skllav i tij, atëherë shteti do të jetë i bekuar dhe qytetarët e tij do të shijojnë gjithë begatinë që Zoti do t’iu dhurojë”. Aristoteli ka qenë në pajtim të plotë: “I vetmi shtet i qëndrueshëm është ai ku të gjithë qytetarët e tij janë të barabartë para ligjit”.
Këto kanë qenë shkëndijat e para të të menduarit filozofik për rëndësinë themelore që sundimi i ligjit ka për organizimin e shoqërisë. Sidoqoftë, përderisa këto botëkuptime kanë qenë të vetëkuptueshme për Platonin dhe Aristotelin, ato nuk kanë qenë të tilla për sundimtarët dhe perandoritë. Janë dashur me dhjetëra shekuj, qindra vite luftë dhe miliona viktima që njerëzimi të arrijë në një pikë ku sundimi i ligjit do të jetë epiqendra rreth së cilës civilizimi do të organizojë veten. Ma kalimin e kohës, parimi i sundimit të ligjit është përqafuar nga të gjitha shoqëritë demokratike dhe si i tillë përfaqëson themelin e shteteve moderne.
Në rastin e SHBA-së, rëndësia e drejtësisë ka qenë aq e madhe për themeluesit e saj saqë fjalët e para të Kushtetutës së SHBA-së janë: “Ne populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të themelojmë Unionin çdoherë e më të afërt, në ndjekje të drejtësisë...miratojmë këtë Kushtetutë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Pra, duke mësuar nga grekët dhe romakët, SHBA-ja ka njohur se sundimi i ligjit duhet të jetë themel mbi të cilin do të ngrihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjalët e para të preambulës së Kartës së Kombeve të Bashkuara janë: “Ne populli i Kombeve të Bashkuara të përkushtuar për...krijimin e kushteve në kuadër të të cilave drejtësia dhe respektimi i obligimeve që burojnë nga traktatet dhe burimet e tjera të së drejtës ndërkombëtare do të sigurohen...themelojmë organizatën ndërkombëtare Kombet e Bashkuara”.
Fjalët e para të Statutit themelues të Këshillit të Evropës janë: “Të bindur se sigurimi i paqes përmes drejtësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar është kyç për ruajtjen e civilizimit... miratojmë këtë statut”.
Fjalia e dytë e Traktatit të Bashkimit Evropian është: “Bazuar në inspirimin kulturor, fetar dhe njerëzor të trashëgimisë evropiane, nga e cila ne kemi zhvilluar vlerat universale të...sundimit të ligjit...kemi vendosur të themelojmë Bashkimin Evropian”.
Përmes kësaj panorame mbi të cilën janë ngritur shtetet moderne dhe organizatat ndërkombëtare kam dashur ta bëj të qartë rolin qendror që sundimi i ligjit ka për funksionimin e shoqërive moderne demokratike. Këtë duhet ta mbajmë në mend herën tjetër kur dëgjojmë ftesën e miqve tanë perëndimorë për “progres në fushën e sundimit të ligjit”, pasi që kjo nuk është një deklaratë e radhës politike, por rikujtim historik i vlerës themelore që sundimi i ligjit ka për civilizimin perëndimor.
***
Projekti i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është instrument kyç përmes të cilit Perëndimi ka zgjedhur të shtrijë demokracinë dhe begatinë perëndimore në këtë pjesë të botës. Në kuadër të këtij procesi sundimi i ligjit ka pasur çdoherë rol qendror.
Kriteri i parë që duhet përmbushur çdo shtet që synon të anëtarësohet në BE është: “Stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave”. Në gjuhën burokratike të procesit të zgjerimit, ky quhet kriteri i parë i kritereve të Kopenhagës. Kjo është edhe arsyeja përse në procesin e negociatave të anëtarësimit, kapitujt në fushën e sundimit të ligjit, respektivisht ata 23 dhe 24, janë të parët që hapen për negociata dhe të fundit që mbyllen në përfundim të procesit negociator. Kjo qasje e BE-së është rikonfirmuar dhe në kuadër të metodologjisë së re të zgjerimit që u miratua më 5 shkurt 2020.
Sundimi i ligjit ka qenë thembra e Akilit në procesin integrues të Kosovës. Kjo është parë më së qarti në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2016, Komisioni Evropian propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën nën supozimin se Kosova do të bëjë progres në dy kritere të mbetura: (1) ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe (2) fuqizimin e sundimit të ligjit, përmes luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga ajo kohë, pavarësisht ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk ka arritur të bëjë progres në kuadër të kriterit për sundimin e ligjit. Kësisoj, të gjitha rastet e profilit të lartë sikur PRONTO, FAJDE apo VETERANËT kanë dështuar. Gjashtë vjet pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, Kosova ka dështuar edhe një rast të vetëm të suksesshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Kjo është edhe arsyeja përse disa vende skeptike të BE-së nuk e ndajnë mendimin e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian në vlerësimin se Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave. Prandaj, në shkurt të vitit 2021, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Cristine-Butel, tha se “Franca beson, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se në këtë fazë ende nuk janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Prandaj, ne mbetemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimit të sundimit të ligjit, si dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë.” Nga ana tjetër, në qershor të vitit 2021, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning, tha se argumentet e Kosovës për progres në fushën e sundimit të ligjit “nuk ishin mjaft bindëse”. Pra, është e qartë se mungesa e progresit në fushën e sundimit të ligjit ka penguar drejtpërdrejt procesin e liberalizimit të vizave.
***
Pakënaqësinë e Perëndimit me sistemin e drejtësisë së Kosovës, siç duket, e ndajnë edhe qytetarët e vendit. Sipas projektit të GLPS-së: “Krijimi i Indeksit të Performancës së sistemit gjyqësor dhe mbështetja e zbatimit të sistemit të ri të organizimit të Gjykatave dhe Prokurorive në Kosovë – RoLPIK”, 72.4 për qind e qytetarëve mendojnë se gjykatat janë të ndikuara prej nivelit politik. 68.3 për qind e tyre mendojnë njëjtë për prokurorinë. Si rrjedhojë, prokuroria (6.1 për qind dhe gjykatat (4.1 për qind) gëzojnë besimin më të ulët të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit. Pulsi i fundit publik i UNDP-së e konfirmoi këtë perceptim të qytetarëve.
Dhe për mua kjo është shumë më me rëndësi sesa çfarë mendojnë kancelaritë në Berlin, Paris apo Hagë. Është e qartë se kemi një problem serioz me sundimin e ligjit në Kosovë. Dështimet në sundimin e ligjit janë duke ua mohuar qytetarëve liberalizimin e vizave dhe drejtësinë që e kërkojnë. Kemi ngritur një sistem drejtësie fasade. Një sistem drejtësie që duket bukur vetëm në letër, pra janë miratuar ligjet e avancuara, janë ngritur institucionet e pavarura të drejtësisë, është ndërtuar Pallati i ri i Drejtësisë, janë rritur pagat në sistem të drejtësisë – pra, gjithçka në letër duket e bukur. Por mbrapa kësaj fasade të drejtësisë së bukur jeton një realitet i shëmtuar i padrejtësisë. Prandaj, këtu njeriu dënohet me katër muaj burg për tri qese kafe, por nuk dënohet askush për milionat e veteranëve dhe fajdeve. Kemi ngritur një sistem ku ligji sundon, por nuk ka sundim të ligjit.
***
Neve që jetojmë sot në Kosovë e gjithë kjo na duket jashtëzakonisht e padrejtë. Sidoqoftë, përderisa kjo mund të jetë e padrejtë, nuk është e jashtëzakonshme. Kjo është storie e njohur e zhvillimit të ngadalshëm të shtetndërtimit nëpër të cilin kanë kaluar shtetet që kanë lindur para nesh. Kërkon kohë ndërtimi i një klase të pjekur politike që do të respektojë dhe do të mbështes pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Kërkon kohë ndërtimi i një sistemi të drejtësisë që është i paanshëm dhe profesional. Me këtë nuk dua ta relativizoj problemin e sistemit të drejtësisë, por dua të nënvizoj se duhet të jemi realistë në pritjet tona karshi sistemit të drejtësisë.
Dhe në gjithë këtë mes nuk guxojmë të jemi defetist. Nuk guxojmë të dorëzohemi dhe të themi se kjo është më e mira që mund të arrijmë. Sistemi ynë i drejtësisë përbëhet prej shumë zonjave dhe zotërinjve që janë tejet të aftë dhe që duhen mbështetur. Po ashtu në këtë rrugëtim nuk jemi të vetmuar, por do të kemi gjithnjë përkrahjen e miqve perëndimorë. Një nga mekanizmat më të njohur ndërkombëtarë në fushën e sundimit të ligjit është patjetër Komisioni i Venecias. Në diskursin publik, Komisioni i Venecias është i famshëm për trajtimin e pavarur dhe profesional të rasteve të profilit të lartë, siç është konfiskimi i pasurisë në Kosovë apo shkarkimi i presidentit në Shqipëri. Por përtej rasteve të profilit të lartë, Komisioni ka zhvilluar një mjet jashtëzakonisht të dobishëm për të na ndihmuar në avancimin e sundimit të ligjit.
“Lista e Kontrollit në fushën e sundimit të ligjit” është një mjet vlerësues, i cili ka për qëllim që të vlerësojë sundimin e ligjit në cilindo vend të botës, me anë të pesë kritereve kyç të sundimit të ligjit: (1) ligjshmëria, (2) siguria juridike, (3) parandalimi i keqpërdorimit të pushtetit, (4) barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi, dhe (5) qasja në drejtësi. Vitin e kaluar, GLPS-ja ka publikuar edicionin e parë të listës kontrolluese, me ç’rast Kosova ishte në kufi të notës kaluese. Gjetjet dhe rekomandimet e këtij vetëvlerësimi duhet të shërbejnë si bazë për ndërmarrjen e një vlerësimi më detajor për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Një qasje e tillë do të komplementonte frymën progresive të mazhorancës së re në Kosovë për avancimin e sundimit të ligjit dhe do të ofronte një pasqyrë më të hollësishme përkitazi me gjendjen e sistemit të drejtësisë.
Në fund, dua ta mbylli me një dozë optimizmi. Secili prej nesh jemi të obliguar që të kërkojmë më shumë nga institucionet tona publike. Kjo është detyrë e jona qytetare. Por, në anën tjetër, duhet të pranojmë se sot sistemi i drejtësisë në Kosovë është më i mirë se para 20 vjetësh. Progresi është i ngadaltë, por megjithëkëtë është progres. Le t’i shfrytëzojmë 20 vjetët e ardhshëm për ndërtimin e një drejtësie me të cilën do të jemi krenarë, fillimisht këtu në Prishtinë, e më pastaj edhe në Berlin, Paris apo Hagë.
(Ky publikim është pjesë e projektit me titull “Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)).