OpEd

Pesë këshillat e Escobarit

Ajo çfarë SHBA-ja kërkon është “evropianizimi” i “Ballkanit të Hapur”. Pra, “Ballkani i Hapur” duhet të integrohet brenda procesit të zgjerimit. Këtë duhet ta bëjë praktikisht duke u integruar brenda kuadrit politik dhe institucional të Procesit të Berlinit. Ose mund të mbetet kështu si është: cirk i padobishëm politik

Javën e kaluar kam shkruar se si mbledhja e fundit e “Ballkanit të Hapur” u duk si një barsoletë ballkanase. Sidoqoftë, këtë barsoletë me një serb, boshnjak, malazias dhe shqiptar e bëri serioze një amerikan. Gjatë fjalës së tij z. Gabriel Escobar vendosi pesë parimet mbi të cilat SHBA-ja mbështet “Ballkanin e Hapur”. Kësisoj, z. Escobar praktikisht ua prezantoi liderëve të rajonit një shtegdaljeje nga lëmshi i sikletshëm ku e kanë futur veten me “Ballkanin e Hapur”.

Fillimisht z. Escobar që në fillim e bëri të qartë se Amerika sot nuk është Amerika e para njëzet vjetëve. Prandaj, ai tha: “Ne nuk e shohim Ballkanin Perëndimor nga këndvështrimi i problemeve të ‘90-ave, por nga prizmi i mundësive të shekullit XXI”. Ky ishte mesazh ndoshta më i rëndësishëm dhe më i nënvlerësuar i takimit. Me fjalë të tjera, Serbia ka qenë “problem” në vitet ‘90, por sot është “mundësi”. Dhe këtu nuk dua të them se kjo është një gjë e keqe apo e mirë – kjo varet nga shumë të panjohura, por gjëja e parë që duhet të bëjmë është të njohim në diskursin tonë publik se pozicionimi i SHBA-së karshi aktorëve të rajonit ka ndryshuar. Faktori shqiptar nuk e ka tapinë e aleancës amerikane. Serbia është shtet më i madh i rajonit në kuptimin gjeografik, ushtarak dhe ekonomik. Si e tillë SHBA-ja me të drejtë dhe kokëftohtë sheh potencialin e mundësive që sjell një aleancë më e afërt me shtetin serb. Pra, me fjalë të tjera, për SHBA-në, Serbia në Ballkan do të duhej të ishte ajo çfarë është Gjermania në Evropë, Japonia në Azi apo Izraeli në Lindje të Mesme. Unë nuk e di përgjigjen se si duhet të pozicionohemi karshi këtij realiteti të ri, por për fillim besoj se duhet të njohim këtë realitet të ri dhe të fillojmë një debat se cilat janë pasojat nga një strategji amerikane, e cila në epiqendër të saj karshi Ballkanit njeh dhe legjitimon pozitën dominuese të Serbisë në rajonin tonë.

E fillova me këtë për të nënvizuar se pa kuptuar këtë nuk mund kuptohet pozicioni përkrahës i SHBA-së për “Ballkanin e Hapur”. Pra, SHBA-ja dëshiron të krijojë mekanizmat dhe instrumentet përmes të cilave ato do të incentivizojnë Serbinë që të distancohet nga Rusia dhe Kina dhe të fuqizojë aleancën e saj me SHBA-në. Kjo nuk mund të arrihet brenda nate dhe me një lëvizje të vetme, por ajo çfarë dua të them është se në arsenalin diplomatik të SHBA-së për “perëndimizimin” e Serbisë, “Ballkani i Hapur” është njëri nga instrumentet amerikane, të cilat në shkëmbim për largimin nga Rusia dhe Kina do t’i ofrojë legjitimimin perëndimor të lidershipit serb në Ballkanin Perëndimor.

Tani, pas kësaj hyrjeje, z. Escobar vendosi pesë parimet mbi të cilat SHBA-ja mbështet “Ballkanin e Hapur”.

E para, për SHBA-në, qëllimi i “Ballkanit të Hapur” nuk duhet të jetë bashkëpunimi rajonal, por integrimi në strukturat evropiane. Bashkëpunimi rajonal është vetëm mjeti për realizimin e këtij qëllimi kryesor. Pjesa absolute e qytetarëve të rajonit dëshiron të anëtarësohet në BE, 70% e tregtisë së vendeve të rajonit bëhen me BE-në, ndërsa mbi 60% të investimeve të huaja direkte vijnë nga BE-ja. Pra, SHBA-ja nuk dëshiron të shohë ngritjen e strukturave rajonale, të cilat e shohin rajonin si qëllim në vetvete, por mjet i cili kontribuon në kompletimin e Evropës së bashkuar dhe të lirë.

E dyta, “Ballkani i Hapur” është projekt ekonomik dhe nuk mund jetë projekt politik. SHBA-ja sheh hapësirë të mjaftueshme për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare në mes vendeve të rajonit, por çështjet politike janë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe prandaj janë të ankoruara në kuadër të fqinjësisë së mirë të procesit të zgjerimit të BE-së dhe NATO-s. Me fjalë të tjera, strukturat ku fjalën kryesore e ka SHBA-ja dhe vendet e BE-së dhe jo vendet e rajonit. Rrjedhimisht, SHBA-ja nuk dëshiron të shohë struktura me tiparet politike, të cilat u bëjnë konkurrencë strukturave euroatlantike dhe nxjerrin jashtë lojës aktorët perëndimorë.

E treta, z. Escobar nënvizoi se tanimë ekzistojnë iniciativat e shumta rajonale, të cilat i mbështet SHBA-ja. “Ballkani i Hapur” është vetëm njëra nga këto. Prandaj, z. Escobar kërkoi qartësi më të madhe për modus operandi të “Ballkanit të Hapur”, duke insistuar në shmangien e dublifikimit dhe harmonizimin e “Ballkanit të Hapur” me iniciativat ekzistuese. Kësisoj, ky rekomandim i SHBA-së njohu kritikën e vazhdueshme që i është bërë “Ballkanit të Hapur” për dublifikim me Procesin e Berlinit.

E katërta, SHBA-ja nuk e sheh të mundur realizimin e potencialit të plotë në bashkëpunim ekonomik rajonal pa shoqërimin e këtij bashkëpunimi të shtuar rajonal me reformat thella nacionale në sundim të ligjit, reformën e administratës publike apo luftimin e ekonomisë joformale. Me fjalë të tjera, bashkëpunimi rajonal ekonomik është i pamundur kur nuk ekzistojnë parakushtet nacionale për bashkëpunim fer dhe të barabartë në mes vendeve të rajonit.

Dhe e fundit, z. Escobar bëri thirrje për gjithëpërfshirje në “Ballkanin e Hapur” dhe këtu ai nuk e kishte fjalën vetëm për përfshirjen e gjashtë liderëve politikë të vendeve të Ballkanit, por përfshirjen e odave ekonomike dhe bizneseve. Pra, sipas SHBA-së, nuk mund bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal pa e siguruar përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit.

***

Tani ku shkojmë nga këtu? Si duhet kuptuar pesë parimet e SHBA-së për “Ballkanin e Hapur”? Në pak fjalë ajo çfarë SHBA-ja kërkon është “evropianizimi” i “Ballkanit të Hapur”. Pra, “Ballkani i Hapur” duhet të integrohet brenda procesit të zgjerimit. Këtë duhet ta bëjë praktikisht duke u integruar brenda kuadrit politik dhe institucional të Procesit të Berlinit. Si i tillë, ai do të kishte rol qenësor në zbatimin e politikave të dakorduara në kuadër të Procesit të Berlinit dhe njëkohësisht do të mbikëqyrej nga BE-ja si arbitër neutral në mes palëve. Në këtë drejtim “Ballkani i Hapur” do të mund të mbështetej me fonde evropiane dhe sekretariat të veçantë teknik. Kësisoj, “Ballkani i Hapur” do të mund të shndërrohej në një instrument të rëndësishëm për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, i cili ka ngecur në nivele teknike në kuadër të një game të gjerë të strukturave rajonale siç janë: RCC, CEFTA, Komuniteti i Energjisë, Zona e përbashkët Evropiane e Aviacionit dhe Observatori i Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), ReSPA, etj.

Një rol i tillë i “Ballkanit të Hapur”, në kuadër të Procesit të Berlinit, do të ishte në veçanti me vlerë në sfondin e krizave në ardhje të energjisë dhe sigurisë së ushqimit, të cilat kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim sa më të afërt në mes vendeve të rajonit dhe BE-së, pak a shumë sikur në kohën e COVID-19. Pra, “Ballkani i Hapur” do të mund të shndërrohej në një instrument të dobishëm rajonal për menaxhimin e përbashkët të sfidave globale, të cilat po kërcënojnë mirëqenien e rajonit. Ose mund të mbetet kështu si është: cirk i padobishëm politik.