Edhe lidershipi i Kosovës shpesh ka qenë në presion amerikan dhe ka përvojë se çfarë ndodh kur i dëgjon e çfarë kur nuk i dëgjon këto kërkesa. Por për dallim nga bullizimi që presidenti Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance ia bënë liderit ukrainas, në rastin e Kosovës, Amerika këtë e ka bërë prapa dyerve të mbyllura dhe e ka bërë bashkë me aleatët evropianë
Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që iu bë në Shtëpinë e Bardhë presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky. Vështirë të besohet se nuk ka qenë një skenar i parapërgatitur për t’i bërë presion publik atij. Dhe gjithçka ishte një bullizim ndaj personit, i cili udhëheq një popull në luftë me një armik që është superfuqi bërthamore. Ndaj një presidenti, i cili nuk ka pasur përvojë politike më herët dhe nuk ka pasur mundësi të mësojë finesat diplomatike. Dhe të cilit i falen edhe gabimet që mund t’i ketë bërë, sepse ai nuk ka kohë e as nuk e ka qetësinë që të mendojë se çfarë taktike duhet të përdorë në cilat takime. Nga pyetja se pse nuk ka veshur kostum, e deri te qortimi me gisht që të mos u mbajë amerikanëve ligjërata, dukeshin të koordinuara. E tërë Evropa sidomos qesh me pyetjen e një gazetari që i tha se ai nuk po tregon respekt për Shtëpinë e Bardhë pse nuk ka veshur kostum. Zelensky, sikur një person që mban zi ku ka rast vdekje, ka thënë se nuk do të veshë kostum derisa të mos kryhet lufta. E gjithë bota e di se ai po i përmbahet këtij betimi. Dhe kjo administratë është e fundit që mund t’i tregojë dikujt se si tregohet respekti me veshje.
Le të shikojnë se si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë te Trumpit, njeriu më i pasur në botë Elon Musk, vishet kur shkon në Shtëpinë e Bardhë. Por fjala “disrespect” duket se ishte zgjedhur për të koordinuar sulmet ndaj Zelenskyt, duke u mburrur pastaj njerëz të administratës se si ata “e kanë përzënë Zelenskyn”. Dhe, që është ndoshta edhe më shumë e rëndë, udhëheqësit amerikanë më së shumti hidhëroheshin kur dikush qortonte Putinin. Ndaj tij deri me tash asnjë fjalë e vetme nuk është dëgjuar as nga Trumpi e as nga bashkëpunëtorët e tij.
Kjo situatë e pahijshme nga Shtëpia e Bardhë ka lënë pa fjalë aleatët e Amerikës, duke bërë pyetje për herë të parë në histori nëse vërtet mund të konsiderohet SHBA-ja më aleate e besueshme. Sepse kjo sjellje ndaj Zelenskyt erdhi vetëm dy ditë pasi në OKB Amerika u rreshtua në grup me Rusinë, Bjellorusinë dhe Korenë e Veriut, kundër botës së lirë. Dhe në kohën kur asnjë fjalë të keqe, por vetëm fjalë të mira ka Trumpi për Rusinë dhe Putinin, ai thotë se “BE-ja është krijuar me qëllimin që t’ia ngulë Amerikës” dhe ai këtë nuk do ta lejojë siç ka bërë Biden, të cilin e quajti edhe kësaj radhe “të marrë”.
Tash shumë njerëz do të dëshironin sikur kjo të jetë pjesë e një skenari të përbashkët. Ku Trump dhe Zelensky, të dy me përvojë në emisionet zbavitëse televizive, kanë inskenuar një grindje të tillë për ta vënë në lajthitje Rusinë. Pra që kjo që shihet në diskursin publik të pabesueshëm, të jetë vetëm një hije në sy, ndërkohë prapa perdes të ketë bashkëpunim dhe koordinim me aleatët evropianë dhe vazhdim të mbështetjes për Ukrainën. Që të besohet se janë ndarë rolet, në të cilat SHBA-ja merr me të mirë Rusinë, ndërsa Evropa është luftarake dhe e ashpër.
Zelensky dhe ukrainasit, sikur edhe evropianët, vërtet do të kalojnë përtej kësaj që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë nëse në realitet SHBA-ja kryen punë, ndihmon Ukrainën dhe sjell paqen. Dhe thënë të drejtën, Trumpi në disa raste e thotë të vërtetën. Është e vërtetë se gjatë mandatit të tij, Ukraina mori ‘javelinët’, armën kryesore që i ndihmoi të mbrohej në ditët e para të sulmit dhe është po ashtu e vërtetë se administrata e Bidenit në fillim të luftës ishte shumë hezituese në dhënien e ndihmës në armatim ukrainasve dhe ky hezitim i ndihmoi Rusisë.
Prandaj edhe brenga më e madhe e evropianëve është që të mos ndalet ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën dhe në anën tjetër vazhdimi i përkushtimit për të mbrojtur aleatët evropianë në NATO.
Zakonisht ka shumë takime ku palët grinden. Por zakonisht grindjet ndodhin në takime prapa dyerve të mbyllura e para opinionit aktrojnë se gjithçka ka qenë në rregull. Këtu ka ndodhur e kundërta. Grindja ishte para kamerave. Po ashtu është e vërtetë se ata që ndihmojnë kanë të drejtë të kenë edhe kërkesa.
Kosova ka pasur përvoja me këtë. Edhe lidershipi i Kosovës shpesh ka qenë në presion amerikan dhe ka përvojë se çfarë ndodh kur i dëgjon e çfarë kur nuk i dëgjon këto kërkesa. Por për dallim nga bullizimi që presidenti Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance ia bënë liderit ukrainas, në rastin e Kosovës Amerika këtë e ka bërë prapa dyerve të mbyllura dhe e ka bërë bashkë me aleatët evropianë.
Në Rambouillet, delegacionit të Kosovës u është dhënë pothuajse ultimatum nga amerikanët. Siç kanë dëshmuar vetë pjesëmarrësit e kësaj konference, atyre u është thënë se nëse nuk e pranojnë marrëveshjen, Amerika nuk do të merret më me ta. E nëse Kosova e pranon e Serbia jo, atëherë do të ketë ndërhyrje të NATO-s. Edhe në negociatat për statusin e Kosovës u është thënë se Pakoja e Ahtisaarit është e vetmja mundësi për të arritur pavarësinë. Por këtë Amerika e bëri bashkë me aleatët kryesorë evropianë. Dhe nuk ishte lehtë për lidershipin kosovar ta pranojë, sepse as Marrëveshja e Rambouillet-së e as Pakoja e Ahtisaarit nuk ishin ideale dhe nuk ishte tërësisht ajo që Kosova kërkonte.
Kosova ka shembuj edhe çfarë ndodh kur nuk përfillen kërkesat amerikane. Kur nuk u përfill kërkesa e tyre që të mos dërgohen kryetarët e zgjedhur të komunave në veri në zyrat komunale, SHBA-ja vendosi një varg sanksionesh. Menjëherë sanksione vendosi edhe BE-ja edhe Shqipëria. Kur Kosova nuk dëgjoi këshillat që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, SHBA-ja orkestroi dështimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe edhe këtë e bënë me ndihmë të aleatëve evropianë. Por Amerika këtë e ka bërë pa bërë shumë zhurmë, duke thënë në mënyrë diplomatike se “raportet nuk janë në nivelin që ne do të dëshironim” dhe se “në këto rrethana nuk mund të ndihmojmë shumë në njohjen e Kosovës dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare”.
Tash edhe Kosova mund të gjendet para një sfide të madhe. Nuk mund të krahasohet me Ukrainën, sepse Ukraina po përballet me një luftë brutale. Por në aspektin politik Kosova mund të bëhet një sfidë edhe për raportet SHBA-BE-NATO. Askush nuk e di se si mund të veprojë Amerika. Të gjithë ata që pretendojnë se e dinë se çfarë do të bëjë ajo, gabojnë. Sepse kurrë nuk ka qenë më e paparashikueshme administrata amerikane. Nëse brenda ditësh është rreshtuar me Rusinë, Bjellorusinë e Korenë e Veriut, nëse për luftë e fajëson Ukrainën që mbrohet e jo Rusinë që e ka sulmuar, nëse BE-në e quan krijesë që ka qëllim t’ia ngulë Amerikës, kush mund të garantojë se si do të sillet Amerika në Ballkan. Kush mund të garantojë se një ditë amerikanët nuk do të thonë se “pse ne kemi në Kosovë 500 e Franca vetëm 3 ushtarë“ në misionin e NATO-s.
Dhe kush mund të garantojë se një ditë nuk do të vijë një i dërguar amerikan dhe të thotë: “Evropa e paaftë ka provuar 14 vite dhe ka dështuar shumë. Ne e zgjidhim këtë për një ditë”. E çfarë zgjidhje do të propozojë, këtë po ashtu nuk mund ta parashikojë askush. Përkundër frikës dhe spekulimeve deri më tash, vërtet nuk janë parë shenja se administrata amerikane po ndryshon kursin në qasje ndaj Ballkanit Perëndimor. Ka thënë se u mbetet besnike angazhimeve në NATO, do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e shtetit, mbështet edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe integritetin territorial të këtij shteti. Por nëse Amerika vendos të tërhiqet nga Evropa, dhe të zvogëlojë praninë e saj në Evropë në përgjithësi, kjo mund të ndodhë edhe me Ballkanin si pjesë e Evropës.
Dhe nëse kjo administratë amerikane angazhohet në rajon, a do të angazhohet bashkë me BE-në apo do të veprojë individualisht. Përvoja më e re krijon ankth, sepse është e vështirë të jesh i sigurt nëse dëshiron që kjo administratë të vijë me propozime për zgjedhje të shpejta apo të vazhdosh me maratonat e pasuksesshme të angazhimit të BE-së. Ajo që Kosovës më së paku i duhet, e kjo vlen edhe për Serbinë dhe tërë rajonin, do të ishte një farë eventuale mes Amerikës dhe aleatëve evropianë edhe në rajonin e Ballkanit. Por për momentin, Ballkani është në pritje e fokusi është në Ukrainë.