Tek ne si treguesit, po ashtu, edhe të dhënat ekonomike mbeten të njëjta. Pra, jemi përherë në gjendje stagnimi
Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës, rishtazi publikuan të dhëna për tregues të ndryshëm ekonomikë, për vitin 2018. Përgjithësisht, treguesit e këtyre raporteve janë të njëjtit nga viti në vit, por të dhënat ndryshojnë. Ky nuk është rasti i Kosovës. Tek ne si treguesit, po ashtu, edhe të dhënat ekonomike mbeten të njëjta. Pra, jemi përherë në gjendje stagnimi.
Sigurisht se nuk ishte gjithmonë kështu. Kosova, si ekonomi e shoqëri nuk është e njëjta në krahasim me ditët e para të pasluftës. Ende pa u rivendosur mirë në vendet e tyre të punës, punëtorët pronarë të aseteve të ndryshme industriale prodhuese e shërbyese u përballën me ndryshime strukturore ekonomike, të cilat u pasqyruan edhe në ndryshime të përgjithshme shoqërore. Ata u vendosën përbrenda kornizave të një sistemi tjetër, i cili i shihte punëtorët vetëm si individë. Nëse ata kishin pronë, atëherë ajo mund të ishte individuale, por assesi nuk mund të ishin pronarë kolektivë të aseteve të ndryshme shoqërore e publike. Ata u përballen me një proces të shpejtë e të rëndë të privatizimit, me ç’rast shteti u angazhua për zhbërjen e vetes e shoqërisë përbrenda ekonomisë, në mënyrë që t’i hapet rrugë kapitalit privat. Duke pasur parasysh kontekstin historik botëror (rënia e murit të Berlinit rreth një dekadë më herët dhe shtrirja e neoliberalizmit gjithandej) dhe kontekstin historik të Kosovës (një vend i sapodalë nga lufta dhe në një situatë krize, e neoliberalizmi fillet e veta i gjen pikërisht në këto situata), nuk ishte befasi që ky sistem ekonomik po imponohej në vendin tonë.
Për një dekadë e gjysmë të privatizimit dërrmues, shteti shiti rreth 1500 asete shoqërore, nga të cilat nuk arriti të mbledhë as 700 milionë euro. I tërë ky proces u bazua dhe ende po bazohet mbi dy premtime: 1. privatizimi do ta zhvillojë ekonominë e vendit nëpërmjet investimeve (veçanërisht të huaja) dhe 2. nëpërmjet privatizimit do të luftohet korrupsioni, që domosdo vjen kur asetet janë në pronë publike apo shoqërore. Zhvillimi ekonomik nuk erdhi, por papunësia u shtua për rreth 80.000 persona për shkak të privatizimit. Ndërsa, korrupsioni jo që nuk u luftua, por u pa se është fenomen i domosdoshëm për realizimin e procesit të privatizimit (prandaj edhe shitjet super të lira të aseteve, sikurse shitja e KEDS-it për 26 milionë euro).
Sigurisht se një ekonomi e tillë nuk do të kishte jetë të gjatë. Ajo do të kolapsonte dhe vendi do të ngrihej në revoltë në kërkim të ndryshimeve të mëdha. Por sistemi i tillë ekonomik mbijetoi duke shpëtuar në rrjetën e madhe e të fortë të remitencave. Ata që financuan çlirimin nga kolonializmi, tani po financonin mbijetesën ekonomike të një vendi postkolonial, regjimi i të cilit kishte krijuar një ekonomi të përçudnuar. Në afat të gjatë remitencat vetëm rriteshin, por ato asnjëherë nuk u panë si mundësi e zhvillimit ekonomik. Ato liheshin të lira e të shpërndara, për t’u përkthyer në konsum që siguron qetësi. P.sh. regjimi asnjëherë nuk konceptoi e realizoi një fond të mërgimtarëve, të cilët do të mundë të investonin në Kosovë, qoftë nëpërmjet procesit të imponuar të privatizimit apo edhe të “green field” investimeve.
Remitencat u shfrytëzuan për të krijuar, rritur e mirëmbajtur një politikë tjetër të gabuar e të dëmshme ekonomike e politike: tregtinë. Vetëm në vitin 2017, zyrtarisht Kosova ka pasur mbi 700 milionë euro remitenca, e jo zyrtarisht mbi 1 miliard euro brenda një viti. Ndërsa, vetëm nga Serbia Kosova ka blerë rreth 500 milionë euro mallra dhe shërbime brenda vitit. Pra, jo vetëm që janë hapur dyert, por janë rrëzuar edhe muret e mbrojtjes së prodhuesve vendorë. Prodhimi vendor pati dy procese të cilat e shkatërruan, njëri i brendshëm e tjetri i jashtëm. Procesi i brendshëm që e shkatërroi ishte privatizimi, ndërsa i jashtmi ishte vërshimi i tregut vendor nga produktet e shteteve të rajonit, veçanërisht Serbia dhe Maqedonia.
Immanuel Wallerstein, sociolog amerikan, përshkruan qartë linjën e zhvillimit të shteteve përbrenda sistemit kapitalist. Ai tregon se zhvillimi i sektorit të prodhimit është faktor shumë i rëndësishëm, pastaj zhvillimi i sektorit të tregtisë dhe në fund i sektorit financiar. Pra, sipas Wallerstein, për të përfituar nga tregtia së pari duhet të zhvillosh prodhimin, e pastaj tregtia e zhvilluar si pasojë e prodhimit, zhvillon edhe sistemin financiar.
Kjo tezë më së miri vërtetohet nga periudha kohore e viteve 1750 deri më 1810, kur fuqia botërore ekonomike kaloi nga Holanda tek Britania. Kur Holanda kishte të zhvilluar sektorin e prodhimit, ajo me politikat e saj synonte hapjen e tregut dhe shtrirjen e ndikimit të saj financiar, duke zhvilluar këta dy sektorë të fundit. Në anën tjetër ishte Britania, e cila ishte ende në fazën e zhvillimit të industrisë së saj prodhuese. Për ta arritur këtë qëllim, Britania operonte me politika ekonomike të cilat mbronin prodhuesit vendorë. Kjo bëri që industria e saj e prodhimit në disa sektorë të zhvillohej më shpejt sesa ajo e Holandës, dhe vetëm në këtë moment, Britania përqafoi politikat e tregut të lirë (në këtë periudhë vijnë në shprehje edhe veprat e ekonomistit Adam Smith).
Regjimi tek ne ka kapërcyer drejt e tek tregtia. Aktualisht gati gjysma e bizneseve të regjistruara në Kosovë janë biznese tregtare. Edhe pse në numër kaq të madh, ky realitet nuk rezulton me konkurrencë dhe shpërndarje të fuqisë financiare mes këtyre tregtarëve, ashtu siç presupozon teoria neoliberale. Ndër këto 16.557 biznese tregtare, pjesa dërrmuese janë biznese të vogla e të mesme, ndërsa një numër shumë i vogël janë biznese super të mëdha, të cilat ndikimin e tyre financiar e kanë shtrirë edhe në institucionet politike të vendit. Ky ndikim, i gërshetuar me praktikat neoliberale të imponuara në shoqërinë dhe ekonominë tonë, ia ka nënshtruar ekonominë interesave tregtare dhe e ka mbytur prodhimin.
Shteti nuk mund të zhvillohet nga tregtarët (si në kuptimin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik). Këtë më së miri e tregon deficiti ynë i lartë tregtar, nga i cili po e humbim mundësinë e akumulimit të kapitalit, si hap fillestar për ndërtimin e një shteti të fortë ekonomikisht e politikisht. Në fazën postkoloniale në të cilën gjendemi, edhe në skemën e liberalëve është gabim instalimi i politikave të cilat e hapin tregun në këtë mënyrë. Siç tregon edhe rasti i Holandës dhe Britanisë, tregu hapet (liberalizohet) atëherë kur ekonomia ka mjaftueshëm prodhim të produkteve dhe shërbimeve për të eksportuar.
E tërë kjo politikë ekonomike e tregtare ka rezultuar me pabarazi të ndjeshme në shoqërinë tonë. Matja e pabarazisë ekonomike në Kosovë sjell dy rezultate, varësisht se çfarë faktori marrim për bazë: të hyrat apo konsumin. Këtu i shohim dy Kosova: atë të zhveshur nga ndihma që diaspora jonë dërgon nëpërmjet remitencave dhe Kosovën me remitencat e diasporës. Kosova pa remitencat e diasporës ka pabarazi më të lartë, 39.5 pikë të koeficientit Gini. Ndërsa, në anën tjetër, nëse pabarazinë duam ta shohim nëpërmjet shpenzimeve që bëjnë qytetarët tanë, shohim se ajo është pak më e ulët, 33.25 pikë të koeficientit Gini, gjë që tregon se remitencat e diasporës sonë zbusin pasojat e politikave të dëmshme ekonomike e sociale të qeverive të pasluftës dhe ulin hendekun mes shtresave ekonomike në vend.
Kjo situatë, e cila duket si e përhershme në vendin tonë, nuk mund të zgjidhet me reforma të politikave aktuale. Ajo zgjidhet vetëm me ndryshime rrënjësore të strukturës sonë ekonomike. Sektorin financiar në vend e kemi shumë të zhvilluar, por vetëm në shërbim të vet sektorit financiar. Në këtë situatë, ekonomisë së Kosovës i duhet një bankë zhvillimore, me kreditë e së cilës do të rimëkëmbej industria prodhuese e vendit. Kjo do të ndikonte në rritjen e punësimit, që rrjedhimisht do të ndikonte në rritjen e të hyrave publike të vendit. Edhe këto të fundit do të duhej të ndryshonin. Duke pasur parasysh pabarazinë në të hyra në Kosovë, politikat fiskale do të duhej të bazoheshin në tatimin progresiv, pra: kush fiton më shumë, kontribuon më shumë. Pabarazi edhe më të lartë se në të hyra, kemi në pasuri. Pasuria në vendin tonë është akumuluar e po akumulohet çdo ditë e më shumë tek një shtresë super e pasur ekonomike. Kjo sjell situata krize përbrenda tregut, ku p.sh ndërtohen me qindra njësi banesore brenda vitit, shumë prej të cilave mbeten të zbrazëta për shumë vite, e në çdo komunë gjenden qindra e mijëra persona që nuk kanë njësi banesore të veten. Kjo situatë do të fillonte të përmirësohej me politika të banimit të përballueshëm, me ç’rast shteti apo komuna do të ndërtonte njësi banesore të cilat do të shiteshin me kosto të ulët, borxhe afatgjata e kamata shumë të ulëta.
Rruga nëpër të cilën do të duhej të kalonte ekonomia jonë është rruga e zhvillimit të industrisë prodhuese, të harmonizuar me politika të mbrojtjes së ambientit; rritjes së punësimit, të harmonizuar me të drejta të punëtorëve; rritjes ekonomike të vendit, të harmonizuar me ulje të pabarazisë në të hyra dhe në pasuri. E tërë kjo e ndihmuar nga një sektor financiar me kapital të konsiderueshëm publik, drejt një politike tregtare që ndërtohet mbi interesat ekonomike të vendit, e jo të disa kompanive tregtare të cilat kanë akumuluar kapital të jashtëzakonshëm. E tërë kjo është e mundshme vetëm me ndryshim të mendësisë mbi raportin e shtetit dhe ekonomisë, të materializuar me ndryshime rrënjësore të strukturës sonë ekonomike.