OpEd

Përtej Speciales

Gjykata Speciale në Hagë nuk do të sjellë drejtësinë e kërkuar për Kosovën. Ajo mund të adresojë disa prej krimeve që thuhet se janë kryer - mund të dënojë apo edhe të lirojë të akuzuarit e mundshëm - por drejtësinë për gjithë ato që ndodhën në vitet 1998-1999 në Kosovë nuk do ta sjellë. Këtë mund ta bëjë vetëm Kosova me një gjykatë të veten, që do të hapë dyert për secilin dëshmitar, të dëshmojë për secilin krim, dhe të akuzojë secilin përgjegjës

Nuk ka mbetur shumë pa u thënë për Gjykatën Speciale.

Ka më shumë se katër vjet prej se kjo çështje është duke u debatuar në publik dhe në prapaskenën politike, duke shkaktuar, në momente të caktuara, edhe tensionime të larta politike dhe të sigurisë.

Është cilësuar e padrejtë, meqë në shënjestër ka vetëm raste të zgjedhura që lidhen me krimet që supozohet se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është protestuar kundër saj për arsye se “njollos vlerat e UÇK-së”. Është kërkuar shfuqizimi i saj, dhe, në një moment, para një viti, gati sa edhe nuk e bënë të njëjtët që më 2015 insistuan se duhet të krijohet; ishte vetëm presioni ndërkombëtar ai që e parandaloi shfuqizimin e Gjykatës, dhjetorin e vitit 2017.

Është kërkuar amendamentimi i mandatit të saj, ashtu që të ngarkohet me hetimin dhe gjykimin edhe të krimeve të shumta që në vitet e luftës janë kryer nga forcat serbe në Kosovë. Para kësaj, është kërkuar, po ashtu, që Gjykata të trajtojë edhe vrasjet politike të pasluftës, ndërsa ka pasur edhe që kanë pritur se Gjykata do të “pastrojë” skenën politike të vendit.

Ka pasur lloj-lloj spekulimesh se kush mund të akuzohet prej saj, ndërsa Beogradi nuk është ndalur së përdoruri ekzistimin e këtij institucioni si “dëshmi” dhe “provë finale” se është Kosova dhe jo Serbia “delja e zezë” e Ballkanit!

Dhe tani, e ngjizur nga Raporti akuzues i Këshillit të Evropës i hartuar nga zvicerani tashmë famëkeq, Dick Marty, dhe e krijuar e legjitimuar nga vetë krerët politikë të vendit dhe nga shumica jonë parlamentare, Gjykata Speciale ka nisur një varg ftesash për intervista në adresat e disa prej ish-luftëtarëve të UÇK-së për intervistim.

Ftesa e intervistime, këto që janë mbase paralajmërimi i fundit për arritjen e aktakuzave të para.

* * *

Nëse ftesat e dërguara javët e fundit nënkuptojnë edhe arritjen e shpejtë të aktakuzave të para, kjo e gjen Kosovën në një moment shumë të papërshtatshëm.

Për shkak të marrëzive të shumta – prej përplasjeve për demarkacion e deri tek lojërat e ndyta me këmbim territoresh dhe ndryshim kufijsh - vendi ka kohë që gjendet në një krizë të thellë politike. Kuvendi i Kosovës është pothuajse i bllokuar, ndërsa Qeveria funksionon më shumë me forcën e muskujve sesa në bazë të një programi koheziv të koalicionit shumëpartiak. Polarizimi politik ka mbërritur majën jo vetëm mes pushtetit dhe opozitës, por edhe brenda segmenteve të taborëve të njëjtë politikë.

Një skenë e tillë politike, që duket sikur e ka humbur çdo aftësi për të vepruar jashtë interesit të ngushtë partiak e grupor, nuk do të hezitojë që edhe proceset e pritshme në Hagë t’i përdorë e keqpërdorë për llogari të veta, ndoshta edhe me çmimin e krijimit të tensioneve në vend.

Por publiku kosovar bën mirë të mos e harrojë gjenezën e gjithë këtij pështjellimi: Gjykata Speciale nuk është pasojë vetëm e Raportit të Dick Martyt. Më shumë se kaq, është pasojë e mungesës së vullnetit dhe aftësisë së krerëve të Kosovës që të trajtojnë me seriozitet akuzat iniciale nga Raporti i Këshillit të Evropës, sado absurde që mund të kenë qenë ato.

Në janarin e vitit 2011, kur akuzat për trafikim organesh nga Raporti i Dick Martyt po i hidhnin hije të rëndë Kosovës duke zënë vend në kryetitujt botërorë, Qeveria e Kosovës refuzonte t’i merrte seriozisht akuzat, dhe refuzonte madje edhe të merrte parasysh mundësinë e krijimit të një komisioni hetimor, u mboll fara e parë e Gjykatës Speciale. Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i zgjedhur në zgjedhjet ku vota e qytetarëve - siç thanë monitoruesit perëndimorë - u manipulua me të madhe (“Kishte vjedhje industriale”, ishte përshkrimi i njërit), zgjodhi të merrej me akuzat ndaj tij, duke paralajmëruar ndaj autorit të Raportit një padi, të cilën kurrë nuk e ngriti.

Edhe krerët e sistemit gjyqësor të Kosovës, që sipas detyrës do të duhej të hetonin çdo pretendim për krime të kryera në Kosovë, kthyen kokën në anën tjetër, duke zgjedhur (siç bëjnë rëndom) të mos merren fare me akuza që në krime të mundshme implikojnë emra të hierarkisë së lartë politike.

Refuzimi i institucioneve shtetërore të Kosovës që të trajtojnë dyshimet e ngritura – bashkë me dështimin e EULEX-it që të kryejë punën e vet - u hapi derën hetimeve nga Task-Forca e BE-së, gjetjet e së cilës, më pas, duhej të nxirreshin para një trupi gjyqësor. Po ta kishte pasur Kosova, ta zëmë në vitin 2014, një sistem kredibil gjyqësor, që i trajton rastet efektshëm, sipas ligjit, dhe pa vonesa. Po të kishte Kosova Prokurori të Shtetit që nuk heziton të hetojë dhe të akuzojë krimet edhe kur ato janë kryer nga njerëz të pushtetit dhe politikës. Po të kishte pasur Kosova një Qeveri, një Kuvend dhe një Presidencë që nuk ndërhyjnë në punët e drejtësisë – mbase një trup i tillë gjyqësor, Gjykatë Speciale, do të ishte krijuar në Prishtinë dhe jo në Hagë. Dhe do të kishte prokurorë e gjykatës vendorë dhe jo ndërkombëtarë.

Por Kosova nuk kishte gjyqësor të pavarur e profesional dhe nuk kishte prokurorë të guximshëm e të pakorruptuar me vullnet për t’u marrë me këto. Dhe nuk kishte krerë politikë që qëndrojnë në distancë nga gjyqësori. As sot nuk i ka.

Dhe për këtë arsye kemi Hagën.

Të cilën – të mos harrojmë – vetë e votuam!

* * *

Ka diçka që ende mund të bëhet.

Dhe duhet të bëhet.

Pa marrë parasysh si do të ecin punët me Gjykatën Speciale, Kosova duhet të kërkojë drejtësinë e plotë. Ndoshta kjo kastë politikanësh dhe deputetësh nuk është e vullnetshme, por një tjetër që do të vijë pas kësaj do të duhej të hapte çështjen e krimeve të luftës të kryera në Kosovë, dhe të niste ndërtimin e një mekanizmi të veçantë që do t’i hetonte dhe gjykonte ato.

Gjykata Speciale në Hagë nuk do të sjellë drejtësinë e kërkuar për Kosovën. Ajo mund të adresojë disa prej krimeve që thuhet se janë kryer – mund të dënojë apo edhe të lirojë të akuzuarit e mundshëm – por drejtësinë për gjithë ato që ndodhën në vitet 1998-1999 në Kosovë nuk do ta sjellë. Këtë mund ta bëjë vetëm Kosova, me një gjykatë të veten, që do të hapë dyert për secilin dëshmitar, të dëshmojë për secilin krim, dhe të akuzojë secilin përgjegjës.

Me mijëra civilë të vrarë, njëzet mijë gra të dhunuara, qindra mijëra burra, gra e fëmijë të zhvendosur, fshatra të tërë të djegura, një vend i tërë i shkatërruar, një gjenocid në tentativë – duhet të gjejnë drejtësinë!

* * *

Për Gjykatën Speciale nuk ka mbetur shumë pa u thënë. Dhe në ditët në vijim sigurisht se do të dëgjojmë gjithçka. Por për drejtësinë, për viktimat e luftës në Kosovë është thënë shumë pak. Është bërë edhe më pak.

Kjo duhet të ndryshojë.

[email protected]