OpEd

Përtej futbollit

Këngët e Erës e të Perkoviqit dhe shqiponjat e Xhakës e Shaqirit kanë ardhur në kohën e duhur për lojtarët serbë. Ata nuk kanë ndierë gjithaq barrën e dështimit në fushën e blertë, ku përfunduan në grup pas Brazilit e Zvicrës. Mediat serbe ishin të koncentruara për të parë se si po festojnë fqinjët. Për këtë, nëse diçka ia vlen të shikohet “përmes VAR-it” nga shqiptarët, atëherë janë videot kur Xhaka e Shaqiri bëjnë shqiponjat pas golave ndaj Serbisë

Tash që Kupa e botës në Rusi ka mbaruar dhe ethet e festës nuk janë më të rrëmbyeshme, ndihma e sistemit VAR do të ishte e mirëseardhur për të parë edhe një herë se çfarë ka ndodhur gjatë muajit të futbollit.

Dhe, çfarë do të shihnim?

Rusët, tash të kthyer në normalitet, do të shihnin një Rusi që nuk e njihnin më përpara, apo më saktë, një që nuk do ta shohin më - me policë të sjellshëm, me festa në çdo qoshe dhe me plot të huaj.

Tifozët e huaj, që ishin rreth një milion gjatë një muaji të turneut, do të shihnin një Rusi mikpritëse, joraciste dhe johomofobike. Një që nuk e kishin menduar. Ata, me të drejtë do të vazhdojnë të pyesin nëse raportet e përjavshme për ulërima “të majmunëve” nga ana e tifozëve në stadiumet ruse dhe për hedhje të bananeve të fushë për lojtarët zezakë janë të vërteta. Do të pyesin edhe nëse ata që shkaktuan trazira e rrahje nëpër rrugët e Francës dy vjet më parë, ishin huliganë rusë.

Kampionati rus ka nivelin më të lartë të racizmit në botë, bazuar në statistika zyrtare. Po ashtu, ka edhe shumë huliganë.

Por këto dukuri nuk u panë gjatë një muaji e nuk shihen as me ndihmën e sistemit VAR. Shteti rus pa botërorin si mundësi të artë për të ndrequr imazhin në sytë e botës, për të treguar Rusinë moderne dhe fuqinë shpesh të kontestuar të saj. Dhe shumëkush, përfshirë dhe FIFA-n, thanë se ia doli.

Pra, Rusia është një prej fituesve të turneut.

VAR-i, po ashtu, do të ndihmonte shumë edhe aktorët e garës - sportistët. Futbollistët dhe drejtuesit e ekipeve, duke parë se si kanë performuar, do të bindeshin se koha kur fati i ekipeve është varur nga një futbollist ka ikur. Me gjasë Argjentina e 1986-s ishte e fundit që pati fatin të ndjekë nga pas një lojtar - Maradonën. Kjo Argjentinë e sotshme dështoi duke ndjekur Lionel Messin. Një shembull të mirë ka dhënë edhe Franca dhe trajneri Didier Deschamps. Ai ka lënë plot yje jashtë ekipit, me arsyetimin se mund të prishin frymën që mbretëron. Fundja ka rastin e Botërorit 2010, kur lojtarët u rebeluan, duke u bërë më të rëndësishëm se fanella që e bartnin.

Botërori ka treguar dhe njëherë se gara e klubeve me atë të përfaqësueseve ndryshon. Jo gjithherë lojtarët e mirë bëjnë në ekip të mirë.

Vetëm përfaqësueset e bashkuara, ato që shpirtin ekipor e kanë të fortë, mund të arrijnë suksese. Ky bashkim i lojtarëve në fushë, ka nxitur edhe një nacionalizëm që ka bashkuar kombet.

Në Francën kampione, ku e djathta ekstreme “po tenton të marrë territor”, vendasit kanë rritur besimin në të huajt tregojnë anketat e fundit. 14 prej 23 lojtarëve të përfaqësueses janë lindur në Afrikë ose kanë origjinën nga atje. Festa ishte e përbashkët në Paris dhe kudo tjetër. Në Kroaci, vend që dha ekipin nënkampion, suksesi ndihmoi të harrohen shumë probleme, sportive e politike. Të paktën përkohësisht. Kroacia, si një prej vendeve më të varfra të Bashkimit Evropian, sot nuk ka një stadium modern për të luajtur ndeshjet. Dy stadiumet më të mira të saj, “Maksimiri” në Zagreb dhe “Poljudi” në Split, do të jenë dukshëm më të këqij sesa stadiumi i qytetit të Prishtinës kur të përfundojë së rinovuari, që pritet shumë shpejt. Shto këtu edhe korrupsionin dhe dënimin e zyrtarëve të futbollit në këtë vend, atëherë suksesi ishte më se i mirëseardhur.

Belgët ka kohë që nuk kanë festuar bashkë, valonë e flamanë. Por e bënë këtë kur dolën për të pritur Përfaqësuesen e tyre që zuri vendin e tretë në Botëror.

Anglezët ka vite që goditeshin nga mediat e opinioni, pasi nuk jepnin atë që pritej në raport me atë për çka njiheshin - “djep i futbollit”.

Jo vetëm te këto katër ekipe gjysmëfinaliste ka ndikuar Botërori. Misionit të Rusisë për të organizuar një botëror perfekt, siç e ka quajtur FIFA, i ka ndihmuar edhe suksesi i përfaqësueses në fushë, duke arritur mes tetë më të mirash. Sukses përtej çdo parashikimi.

Ndihma e VAR-it mund të ndihmojë edhe shumë ekipe që dështuan. Për shembull, mund ta mbushë mend një herë e mirë Spanjën se endja e topit lart e poshtë nuk është më gjë e mençur e as efikase. Spanja pati mbi 1.100 pasime gjatë dy orëve lojë me Rusinë, shifër rekorde, por në fund humbi dhe u eliminua në 1\8 e finales. Rusia në anën tjetër pati vetëm 300 pasime.

Edhe Gjermania mund të përfitojë “nga VAR-i” për të parë se ku ka gabuar. Për të që mburret se nxjerr talente më shumë se çdo vend tjetër, të dështojë në dy ngjarje të mëdha rresht është e papranueshme. Kampionia e botës e vitit 2014, kishte dështuar edhe në Evropianin 2016. Trajneri Joachim Loew pas triumfit në Kupën e Konfederatave më 2017, tha se ka lojtarë për të bërë tri ekipe. Gjithsesi, ekipi që zgjodhi i dështoi, duke u eliminuar në fazën e grupeve, gjë që nuk i kishte ndodhur Gjermanisë, qëkur është futur në botëror sistemi i grupeve.

Dhe, nëse ndokush do të turpërohet të përdorë sistemin VAR për të parë se çfarë ka ndodhur në Botëror, është ylli brazilian Neymar. Nëse ai bën këtë, do të shohë se si u bë gazi i botës, duke u palavitur nëpër fushë sa herë prekej nga ndokush. Plot 14 minuta i kaloi i shtrirë në fushë gjatë katër ndeshjeve të botërorit. Me të nisën të tallen edhe në Brazil.

Për fund, pak nga tema e preferuar - “loja me Serbinë”. Kosova e Shqipëria nuk ishin kualifikuar për këtë botëror, por patën përfaqësuesit e tyre në Rusi. Te Belgjika që doli e treta ishte Adnan Januzaj, që shënoi një gol dhe te Zvicra ishin katër: Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Xherdan Shqiri. Tre të fundit shënuan nga një gol, por ata të Xhakës e Shaqirit do të kujtohen gjatë, pasi shënuan në fitoren ndaj Serbisë. Xhaka shënoi nga largësia për të barazuar shifrat në 1:1, kurse Shaqiri në çastet e fundit për t'ia siguruar fitoren Zvicrës 2:1. Të dy festuan duke bërë shqiponjën dykrenore me gishtërinjtë e duarve para tifozëve serbë, që gjatë gjithë ndeshjes nuk u ndalën së fyeri ata dhe shqiptarët e tjerë. Pas kësaj, serbët të mposhtur e të poshtëruar, nisën fushatë të paparë për dënimin e tyre. FIFA e kaloi gjithë këtë duke dënuar shqiptarët me nga 10 mijë franga, kurse serbët dhe federatën e tyre me mbi 50 mijë franga. Vendimi ishte një lloj “hedhje e kripës mbi varrë”. Dhe, kjo varrë nuk u kurua, pasi Kroacia, fqinji tjetër “armik” i Serbisë, arriti sukses të jashtëzakonshëm me kualifikim në finale të Botërorit. Serbëve u pengoi që kroatët festuan suksesin me këngët e një këngëtari të tyre roker, Marko Perkoviq. Këngëtari që është pjesë e grupit “Thompson”, ishte pjesëtar i luftës çlirimtare në Kroaci dhe në Serbi njihet si “nacionalist ekstrem”. Edhe për këngëtaren kosovare, Era Istrefi, thanë zi e terr, pasi u përfshi në projektin për të kënduar këngën e Botërorit bashkë me Nicky Jam e Will Smith. Ajo iu pengoi pasi kohë më parë kishte incizuar një videoklip, gjysmë e zhveshur në kishën e ngritur nga ish-regjimi serb në kampusin universitar të Prishtinës. Momentin e ceremonisë mbyllëse të Botërorit, kur Era u ngjit në skenë, duhet ta kenë përcjellë me veshë të mbyllur.

Këngët e Erës e të Perkoviqit dhe shqiponjat e Xhakës e Shaqirit kanë ardhur në kohën e duhur për lojtarët serbë. Ata nuk kanë ndierë gjithaq barrën e dështimit në fushën e blertë, ku përfunduan në grup pas Brazilit e Zvicrës. Mediat serbe ishin të koncentruara për të parë se si po festojnë fqinjët.

Pikërisht për këtë, nëse diçka ia vlen të shikohet “përmes VAR-it” nga shqiptarët, atëherë janë videot kur Xhaka e Shaqiri bëjnë shqiponjat dykrerëshe pas golave ndaj Serbisë.