OpEd

Përse nuk përfituam nga përvoja e Jordanisë në privatizimin agresiv?

Këto ditë kanë filluar përgatitjet për shënimin e 100-vjetorit të Mbretërisë Hashimite të Jordanisë, e krijuar më 1921, si principatë nën mandatin britanik me vendimin e Ligës së Kombeve, kurse u bë shtet i pavarur më 25.5.1946. Ndonëse me kushtetutë qysh më 1928, Jordania u bë me kushtetutë të vitit 1952 mbretëri me sistem mbretëror parlamentar, me dy dhoma (deputetët e zgjedhur dhe senatorët e emëruar nga mbreti).

Marrë në përgjithësi, Jordani mund të merret si “storie suksesi” në Lindjen e Mesme, e karakterizuar me tërmete politike e grusht shtete ushtarake e regjime autoritare. Ndonëse ishte shikuar në fillim si “qenie artificiale”, si një vend i varfër me 300 mijë banorë, shumica beduinë në shkretëtirë që përbënte pjesën më të madhe të vendit, pa naftë, ujë e burime tjera të jetesës. Megjithatë Jordania qëndroi, përkundër atyre tërmeteve politike e grusht shteteve ushtarake në rajon gjatë 100 vjetëve të fundit.

Për mbijetesën e Jordanisë në një rajon të trazuar zakonisht citohet një mendim për shpjegimin e këtij suksesi: Jordania mbijeton e përfiton nga krizat e rajonit në saje të pozitës gjeografike dhe të sistemit politik.

Ç’është e vërteta, Jordania si vend stabil me islam të matur dhe me qasje të mirë nga Perëndimi (një herë me britanikët e pastaj me amerikanët) tërhoqi elita politike e ekonomike nga shtetet përreth e më larg, duke krijuar një shoqëri që karakterizohet me tolerancë etnike-fetare. Kështu, në fillim të shek. XX u vendosen në Jordani çerkezë, shqiptarë, armenë e të tjerë nga viset e ndryshme të ish-Perandorisë Osmane.

Në bazë të saj nuk na çudit fakti se edhe shqiptarët morën pjesë në administratën e re në Jordani, në poste të larta si Ahmed Hilimi (1882-1963) si ministër i Financave gjatë 1923-1934, Riza Tefiku (1869-1949) i cili ishte një prej themeluesve të Akademisë Arabe më 1923, dhe një prej hartuesve të kushtetutës së parë më 1928, e deri te Nuri Shafiku (1926-2011), i cili ishte ministër për financa dhe për arsim më 1979-1980.

Jordani, me participimin e saj në forcat paqësore, u gjet në Kosovë në fazën transicionit, përkatësisht gjatë administratës ndërkombëtare, që ishte pikënisja për fazën e re me shpalljen e Pavarësisë më 2008. Si vend me qasje të mirë me aleatët perëndimorë, Jordania ishte ndër vendet e para që e njohën Republikën e Kosovës dhe kishte lidhje të mira në fillim, në nivelin politik e ekonomik.

Në fillim u paraqit interesim në sektorin privat në Jordani për investime në Kosovë, e për këtë qëllim pasuan disa vizita qoftë me anë të kanaleve zyrtare ose me iniciativa private, por që nuk lanë ndonjë efekt, sepse afaristët jordanezë u kthyen me përshtypje që në Kosovë “po kërkohet haraç në çdo nivel”. Ndërkohë pasuan vizita zyrtare në nivele të ndryshme, në fillim në nivel ministror e më vonë në nivel më të lartë: vizita e presidentes Atifete Jahjaga në Jordani, në shkurt 2014-s, dhe vizita e mbretit Abdulla II në Kosovë, në nëntor 2017. Edhe mbreti shkoi në Kosovë me shumë shpresa, por u kthye ndryshe.

Me gjithë faktin që Jordania kishte ç’t’i ofronte Kosovës në aspektin ekonomik e politik, e me gjithë faktin e lidhjes personale e profesionale midis dy ministrave të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe Naser Judah, punët nuk shkojnë mirë në saje të gjendjes sonë pas 2008-s.

Në këtë kontekst isha prezent në shumë takime e biseda gjatë takimeve kosovare-jordaneze në Amman. Një prej figurave që vlen të përmendet këtu është afaristi dhe deputeti në Parlamentin jordanez për disa legjislatura, Jusuf al-Kurna. Ai, me profesion inxhinier, që merrej me ndërtimin e rrugëve dhe urave, ishte në mesin e afaristëve që e vizituan Kosovën me 2010, ndaj e kuptoi shumë mirë Kosovën si vend me perspektivë evropiane dhe fliste gjithnjë me simpati për Kosovën dhe shprehte dëshirë të priste çdo delegacion a ministër që vinte në Kosovë.

Më 2014, kur ai ishte kryetar i Komisionit për Financa në Parlament, erdhi për vizitë zyrtare në Jordani ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Si zakonisht, Jusuf al-Kurna ftoi mysafirin kosovar për një darkë në një restorant të njohur në Amman. Me këtë rast u zhvillua një bisedë miqësore, që tregonte simpatinë e Al-Kurnës ndaj Kosovës. Ndërkohë, ra biseda për fillimin e privatizimit në Kosovë, për çka u zhvillua një bisedë interesante. Al-Kurna tregoi për përvojën e Jordanisë me “privatizimin agresiv” në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, duke pranuar shumë lëshime e gabime që u bënë, ndaj iu drejtua mysafirit kosovar: “Ja si është përvoja jonë, unë shpresoj se ju nuk keni nevojë të përsërisni gabimet tona. Mos privatizoni fabrikat profitabile, vetëm ato fabrika të dështuara, ose le të jetë privatizimi me një “partner strategjik”. Unë propozoj që ta dërgoni në Jordani një komision qeveritar për ta studiuar përvojën tonë në privatizim dhe të përfitoni prej saj. Do të gjeni te ne çdo mirëkuptim”.

Me gjithë këto mendime e porosi të mirëfillta, duket se qarqet vendimmarrëse në Prishtinë nuk kishin vesh për to por, përkundrazi, privatizimi në Kosovë shkoi në atë drejtim të kundërt që u karakterizua me shumë lëshime e skandale që tani po dalin në skenë, pasi që Parlamenti formoi një komision hetimor për privatizim.

Kuptohet, nuk ishte privatizimi i vetmi rast që na tregoi ç’ishim në ato vite. Vërtet Kosova ka humbur shumë raste të tjera me Jordaninë e vendet e tjera në atë rajon, në saje të politikës sonë jo të qëlluar, gjë që u pa më së miri në dështimin tonë të madh për anëtarësim në INTERPOL, më 2018 në Dubai.

(Autori është historian kosovar, profesor shumëvjeçar (1989-2018) i historisë së Lindjes së Mesme në Jordani, tani kryeredaktor i revistës “Studime orientale” në Prishtinë)