OpEd

Përqafimi i fundit i pitonit

Asnjëherë nuk duhet harruar se marrëdhëniet e Perëndimit me Serbinë janë sikur dashuria e pitonit. Në cilindo moment Perëndimi mund ta shtrëngojë Serbinë politikisht dhe ekonomikisht deri në asfiksim. Tani pas dështimit të Banjskës, ky shtrëngim dashurie do të bëhet më i fortë

Për kohë të gjatë themelet e angazhimit perëndimor në rajonin tonë janë ngritur mbi tri premisa: (1) e ardhmja e rajonit është BE-ja dhe NATO-ja; (2) Serbia si vend më i madh i rajonit ka rëndësi qendrore në arritjen e këtij qëllimi; dhe (3) rrjedhimisht duhet t’ia ofrojmë karotat e nevojshme lidershipit politik në Beograd për të motivuar të shkojë drejt Perëndimit.

Kësisoj Perëndimi e afroi Serbinë duke e bërë vend favorit apo “front runner” për anëtarësim në BE. Serbia fitoi statusin e vendit kandidat dhe hapi negociatat e anëtarësimit. Perëndimi po ashtu asistoi Serbinë në ngritjen ekonomike duke integruar ekonominë serbe me atë rajonale dhe evropiane. Sot ekonomia serbe dominon ekonominë rajonale, ndërsa BE-ja është larg partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë: 60% e tregtisë së Serbisë është me BE-në, ndërsa 63% e investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë nga BE-ja.

Nga viti 2009 deri në vitin 2021 eksportet serbe drejt BE-së janë pesëfishuar duke arritur shumën rekorde prej 14 miliardë eurosh. Po ashtu edhe bashkëpunimi me NATO-në u intensifikua. Në vitin 2006 Serbia i është bashkuar Partneritetit për Paqe dhe ka ngritur zyrën ndërlidhëse në Beograd. Në vitin 2009 Serbia dhe NATO kanë dakorduar Programin e parë Individual të Partneritetit. Në vitin 2015 kanë dakorduar Planin e parë dyvjeçar të Veprimit për Programin Individual të Partneritetit, dhe po të njëjtin vit Serbia ka ratifikuar Marrëveshjen për Statusin e Forcave me NATO-në (SOFA). Sot Serbia gëzon nivelin më të lartë të bashkëpunimit me NATO-në që një vend joanëtar mund ta ketë.

Kjo qasje e Perëndimit ishte e logjikshme. Kjo ishte receta e suksesit e Perëndimit, e cila arriti të shndërrojë një armik të betuar sikur Gjermaninë apo Japoninë e shekullit XX në aleatët më të afërt të shekullit XXI. Sidoqoftë, problemi me këtë qasje ishte se Serbia refuzon të bëhet Gjermania apo Japonia moderne. Në këtë sens storia e saj i ngjan më shumë stories së Rusisë moderne. Pas shpërbërje së Bashkimit Sovjetik komuniteti perëndimor ka investuar jashtëzakonshmit shumë që të bëjë Rusinë pjesë integrale të rendit ndërkombëtar. Në kuptimin politik Perëndimi dhe Rusia kanë gjetur gjuhë të përbashkët në ruajtjen dhe promovimin e rendit ndërkombëtar, duke bashkëpunuar brenda institucioneve multilaterale, siç janë OKB, Këshilli i Evropës, etj. Ata kanë bashkuar forcat në temat e ndjeshme, siç janë kontrolli i armeve bërthamore, lufta kundër terrorizmit apo luftimi i ngrohjes globale. Po ashtu Perëndimi i ka ndihmuar Rusisë që të integrohet në ekonominë globale, duke i lejuar asaj që të shfrytëzojë burimet e saja natyrore dhe duke rritur kështu mirëqenien e qytetarëve rusë. Sidoqoftë, i gjithë ky investim politik perëndimor kolapsoi me pushtimin rus të Ukrainës të 24 shkurtit 2022.

Po kështu më 24 shtator 2023 i gjithë investimi politik perëndimor kolapsoi me sulmin paraushtarak të Serbisë ndaj Kosovës. Kjo ditë jetësoi një nga citimet e preferuara të Vuçiqit, “Rusia dhe Serbia ndajnë të njëjtën të ardhme”.

Arsyeja e dështimit të politikës së karotës ndaj Rusisë dhe Serbisë është e njëjtë. Të dyja këto vende nuk kanë hequr dorë nga ëndrrat e tyre hegjemoniste. Të dyja e shohin Perëndimin si kërcënim për realizimin e ëndrrave të tyre. Dhe të dyja shohin bashkëpunimin si dobësi, ndërsa dobësinë si mundësi për të shfrytëzuar me forcë. Por sikur “aksioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë, Serbia dështoi me aksionin e saj paraushtarak në veri. Ajo mbivlerësoi kapacitetin e forcave të saja të sigurisë dhe nënvlerësoi kapacitetin e inteligjencës perëndimore dhe të Policisë së Kosovës. Prandaj, sikur që Rusia duhet të humbasë përfundimisht në Rusi në mënyrë që Evropa të ketë paqe, po kështu Serbia duhet të humbasë përfundimisht në veri në mënyrë që rajoni ynë të ketë paqe.

Dhe përderisa Kosova ka çdo arsye që të festojë këtë fitore të sigurisë, konsideroj se duhet të njohim faktin se politikisht jo shumë çfarë ka ndryshuar. Normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është subjekt i mjeteve ushtarake, por tavolinës politike. Dhe ndonëse Kosova është nga kjo javë në avantazh, faktet themelore që karakterizojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë ngelin të pandryshuara: aleatët do të insistojnë në vazhdimin e dialogut, Serbia do të vazhdojë të përdorë veriun për të destabilizuar Kosovën, ndërsa Kosova do të vazhdojë të ketë vështirësi në zgjerimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në veri.

Në këtë drejtim nuk mendoj se sulmi i Serbisë ndaj Kosovës do të ndryshojë radikalisht vizionin e aleatëve tanë për Serbinë. Më shumë sesa ndryshim vizioni duhet të presim ndryshim mjetesh. Gabimi i Serbisë do të shfrytëzohet nga aleatët tanë për të përshpejtuar ankorimin e Serbisë në strukturat euroatlantike. Për gabimin e bërë aleatët tanë do të sigurohen se Serbia do të paguajë, por jo duke kërkuar dënimin e saj, por duke siguruar avancimin e interesave të tyre. Në diplomaci nuk ka inate dhe emocione, vetëm synime dhe interesa. Nga sot Perëndimi do ta ballafaqojë Serbinë me “ofertën të cilën nuk mund ta refuzojë”, nëse do të kisha huazuar nga filmi ikonik amerikan.

Asnjëherë nuk duhet harruar se marrëdhëniet e Perëndimit me Serbinë janë sikur dashuria e pitonit. Në cilindo moment Perëndimi mund ta shtrëngojë Serbinë politikisht dhe ekonomikisht deri në asfiksim. Tani pas dështimit të Banjskës, ky shtrëngim dashurie do të bëhet më i fortë.