OpEd

Përpjekjet prej Sizifi për t’u ngjitur në majën e malit St. Moritz

Një përgjigje ndaj shkrimit me titull “Haradinaj, njeriu i vendimeve të mëdha”, i shkruar nga Halil Matoshi – këshilltar politik i kryeministrit

Kur në mesnatën e 17 majit 2017 u arrit një koalicion qeverisës, të cilin e konsideroja (gabimisht) shumë joparimor, shkrova në mediat sociale se “nuk befasohem ma”. Por më duhet të pranoj se ende befasohem me zhvillimet politike dhe sidomos me aleancat makiaveliste. Kësisoj, edhe më tej mbetem i befasuar me ata individë që në qindra shkrime të tyre kanë kritikuar politikat dhe politikanët ekstraktivë apo mjelës, e pastaj me po aq zell shkruajnë qindra e shkrime të tjera për të mbrojtur të njëjtit politikan mjelës. I tillë mu duk edhe shkrimi i ish-gazetarit, tani këshilltar politik i kryeministrit - Halil Matoshi. Në një shkrim me titull “Haradinaj, njeriu i vendimeve të mëdha”, i publikuar nga disa media elektronike në fillim të kësaj jave, Matoshi akuzon mediat (disa nga to) dhe organizatat e shoqërisë civile (disa nga to) se nuk po raportojnë për vendimet e mëdha të Haradinajt dhe vazhdon të rendisë ato vendime.

Duke marrë për bazë se këshilltari politik i kryeministrit konstatimet e tij për vendimet e mëdha i përfundon me pikëpyetje duke kërkuar përgjigje, duke marrë parasysh se si zyrtar i lartë shtetëror z.Matoshi shpreh opinionin e Zyrës së kryeministrit dhe duke besuar se komunikimi i drejtpërdrejtë i kontribuon debatit në mes të pushtetit dhe të qeverisurve, në këtë shkrim do të mundohem të jap mendimin tim për “vendimet e mëdha” të kryeministrit.

Çmimi i energjisë elektrike

Këshilltari politik pyet se përse askush nuk po shkruan se përse qytetarët e Kosovës nga janari i këtij viti nuk paguajnë 80 euro megavatin për energji elektrike, por vetëm 30 euro dhe se gjatë një viti qytetarët do të kursejnë deri 300 euro. Për këtë ai ia mvesh meritat liderit të cilin askush nuk po e glorifikon, pasi që mori vendim për shpronësimet në Hade dhe Shipitullë. Për çmimin e energjisë elektrike, asnjëherë nuk ka vendosur kryeministri, asnjëri nga ta. Vendosja e çmimeve bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila së paku në letër është agjenci e pavarur, e cila është përgjegjëse vetëm para Kuvendit të Kosovës. Vendimi i fundit për çmime që ka marrë ZRRE-ja ka qenë ai i prillit 2017, sipas të cilit largohen tarifat dimërore dhe hiqen blloqet tarifore. Me ndryshimet e bëra në prill 2017, qytetarët paguajnë më shumë verës e më pak dimrit. Sipas një analize të organizatës joqeveritare INDEP, të publikuar në mars 2017, largimi i blloqeve tarifore dhe ngritja e çmimit të energjisë nga 9.09 cent/kWh në 11.68 cent/kWh do të shtrenjtojë faturat për të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë kursyer deri para marrjes së vendimit të ri për tarifa.

Është e vërtetë se problemi me shpronësimet në Hade dhe Shipitullë është zvarritur nga të gjitha qeveritë. Mirëpo, vendimi i Qeverisë Haradinaj për të anuluar vendimin e Qeverisë Mustafa për shpronësimet në këto fshatra, sipas kalkulimeve të para do të ngritë koston e shpronësimeve nga 13 milionë euro në mbi 20 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e objekteve në këto dy fshatra të Obiliqit janë montazh me qëllim të përfitimit nga shpronësimet. Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, Qeveria do të duhej që të publikojë shumat dhe emrat e të gjithë përfituesve nga procesi i shpronësimit. Sipas informatave të pakonfirmuara, (për atë nevojitet informacion nga Zyra e kryeministrit) deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe persona të tjerë me ndikim janë përfituesit më të mëdhenj nga procesi i shpronësimeve, për faktin se kanë blerë prona në zonën e mihjeve.

Këshilltari politik deklaron se para “vendimit të madh” të Haradinajt Kosova ka shpenzuar deri në 100 milionë euro në vit në import të energjisë, kurse tani gjërat do të stabilizohen. KEK-u dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë shpenzuar asnjë cent për import të energjisë viteve të fundit. Pas privatizimit të KEDS-it kjo është përgjegjësi e kompanisë private. Natyrisht, moszgjidhja e problemit të shpronësimeve do të ndikonte në rritjen e importeve dhe rrjedhimisht rritjen e çmimeve të energjisë, por as në këtë rast Qeveria nuk do të shpenzonte asnjë cent ngase nuk është përgjegjësi e saj. Të deklarosh se kryeministri ka ndikuar në çmime, është njësoj sikur të pranosh se kryeministri shkel pavarësinë e agjencive të pavarura. Por kjo nuk do të ishte asgjë e re, ashtu siç ka dëshmuar Qeveria me vendimet për shkarkimin e jashtëligjshëm të Bordit të KOSTT-it dhe Bordit të Agjencisë së Akreditimit.

“Kosova e Re”

Pasi gabimisht dhe në mënyrë naive i lë meritat për çmimin e energjisë elektrike tek vendimet e kryeministrit, këshilltari politik pyet se “si u bë që asnjë media dhe askush nga spektri i organizatave joqeveritare nuk ka bërë ndonjë hulumtim serioz përse projekti “Kosova e Re” dhe investimi prej 1.3 miliardë eurosh u shty që nga viti 2010, ndërsa u deshtë që në krye të Qeverisë të vinte Haradinaj që kontrata të nënshkruhej brenda 100-ditëshit të parë qeverisës”? Përgjigja e shkurtër për këshilltarin politik: publikojeni kontratën pastaj flasim. Përgjigja e gjatë: termocentrali i ri do të shtrenjtojë çmimet e energjisë deri në 60%; teknologjia e propozuar në fillim nuk është më efiçientja, andaj doli nevoja për konsultime shtesë; investitori nuk i ka mjetet për investim, andaj procesi i ndërtimit shtyhet më shumë; shkalla vjetore e kthimit në investim është e papërballueshme për xhepin e kosovarëve; Banka Botërore, e cila që nga fillimi e ka përkrahur këtë proces, tani nuk është e sigurt në përkrahjen e saj për shkak se nuk pajtohet me projektin dhe kjo e vështirëson sigurimin e mjeteve për investim; që nga fillimi ka qenë vetëm një kompani e interesuar, por procesi ka avancuar në kundërshtim me ligjet e prokurimit publik; kur termocentrali i ri të fillojë gjenerimin e energjisë, çmimi i energjisë nga qymyri do të jetë dukshëm më i shtrenjtë sesa ai nga burimet alternative të energjisë; se Qeveria i garanton blerje të energjisë për 20 vjetët në vazhdim nëse nuk ka kërkesë të mjaftueshme për energji...

Por sërish duhet kthyer te përgjigja e shkurtër: publikojeni kontratën për “Kosovën e Re”. Arsyetimi se kontrata nuk është finalizuar është arsyetim i pabazë dhe joligjor. Si mund të nënshkruhet një kontratë e pafinalizuar? Por edhe nëse është kontratë e pafinalizuar, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në padinë e Institutit GAP dhe KOSID konstaton se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë shkelje ligjore kur nuk ka lejuar qasje në dokumentet draft, andaj duhet të publikohet edhe kontrata për “Kosovën e Re”.

Pensionet e viktimave të dhunës seksuale

Sipas këshilltarit politik, vendim tjetër i “madh” dhe madje jopopullor është edhe vendimi për ndarjen e pensioneve për viktimat e torturës dhe dhunës seksuale, vendim i cili është injoruar tani e dhjetë vjet. Së pari, ndarja e pensioneve për viktimat e torturës dhe dhunës seksuale është obligim ligjor, i cili rrjedh nga Ligji për kategoritë e dala nga lufta, i aprovuar vitin e kaluar në Kuvend. Së dyti, ndarja e vetëm një milion eurove është tepër e ulët për të kompensuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale. Me një milion eurot e ndara do të mundë të ndahen nga 230 euro për 365 viktima brenda vitit. Sipas kryetares së Komisionit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale, vetëm në ditët e para të vitit 2018 pritet të marrin dokumentacionin për 1.000 viktima. Konsiderohet se janë 20.000 viktima të torturës dhe dhunës seksuale. Në rast se vetëm çereku i tyre aplikojnë për pension, atëherë nevojiten afër 14 milionë euro në vit. Qeveria e Kosovës duhet të inkurajojë të gjitha viktimat që të aplikojnë dhe të fillojë kompensimin e tyre. Por njëkohësisht në procesin negociator Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë fillimin e negociatave për dëmet e luftës, duke përfshirë edhe pagesën e pensioneve për viktimat e dhunës seksuale, ashtu siç Japonia i kompenson viktimat e dhunës seksuale të Koresë dhe vendeve të tjera për krimet që ka ushtruar gjatë Luftës së Dytë Botërore (më gjerësisht për këtë në një shkrim tjetër).

Nuk mund të mburret një Qeveri e cila ka ndarë buxhet për pensionet e vetëm 1.8% të viktimave të torturës e dhunës seksuale, e në anën tjetër ndan mbi 60 milionë euro për 36 mijë veteranë të luftës, apo 11 mijë më shumë sesa që janë evidentuar në listat e NATO-s më 1999.

Buxheti për strehimoret e viktimave

Vendimi tjetër “madhor”, sipas këshilltarit politik, është edhe ndarja e 65 mijë eurove për strehimoret e viktimave të dhunës. Edhe për këtë vendim këshilltari akuzon mediat dhe organizatat joqeveritare se nuk po ia njohin meritat kryeministrit. Për të vlerësuar si të drejtë ose të padrejtë një vendim, atë duhet vendosur në kontest dhe krahasuar me diçka. E vendimi për ndarjen e 65 mijë eurove për strehimoret e viktimave të dhunës nuk mund të shikohet i ndarë nga vendimi për ndarjen e 290 mijë eurove për ushtruesit e dhunës dhe pjesëmarrësit e konfliktit të Kumanovës. Përderisa Qeveria ndan 10 mijë euro për person për pjesëmarrësit e konfliktit të Kumanovës, ndan vetëm 54 euro në vit për viktimat e dhunës. Sipas OSBE-së, çdo muaj në Policinë e Kosovës regjistrohen rreth 100 viktima të dhunës, brenda një viti më shumë se 1000. Jo të gjitha rastet marrin ndihmën e strehimoreve të viktimave, por shuma prej 65 mijë eurosh është tepër e ulët për t’u krenuar dhe për ta quajtur vendim të madh.

Rritja e asistencës sociale

Një vendim tjetër për të cilin këshilltari politik është në kërkim të lëvdatave është edhe vendimi për rritjen prej 20% të asistencës sociale, ku sipas tij një familje mesatare do të përfitojë 180 euro në muaj. Nuk mund të komentoj se çka nënkupton këshilltari politik me “familje mesatare”, por sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri më i madh i familjeve në asistencë sociale kanë nga 4 deri 6 anëtarë. Me rritjen e asistencës sociale për 20%, një familje katër anëtarëshe do të marrë 97.5 euro në muaj, një familje pesë anëtarëshe do të marrë 105 euro në muaj, kurse një familje gjashtë anëtarëshe do të marrë 112.5 euro në muaj. Për të marrë 180 euro në muaj ndihma sociale një familje duhet të ketë 15 anëtarë. Nuk e di që familja mesatare kosovare përbëhet nga 15 anëtarë, edhe çfarë mund të bëjë një familje 15 anëtarëshe me 180 euro në muaj? Edhe pas rritjes prej 20%, çdo familje në asistencë sociale e cila ka më shumë se dy anëtarë mbetet nën kufirin e varfërisë, i cili është 1.82 euro në ditë.

Përpjekjet prej Sizifi

Sipas këshilltarit politik, pas 100 ditëve punë të lodhshme, kryeministri e ka merituar një pushim treditor për të cilin nuk është shpenzuar asnjë cent i shtetit. Por si ta dimë nëse nuk është shpenzuar asnjë cent i shtetit dhe kush ka paguar për to, kur Zyra për Informim në të cilën bën pjesë edhe këshilltari politik nuk ka afruar asnjë dëshmi se si është bërë pagesa në një ndër vendpushimet më të shtrenjta të Evropës?

“Haradinaj që nga dita e parë e punës ka bërë përpjekje prej Sizifi për ta shtyrë gurin në majë...” vazhdon glorifikimin këshilltari politik, i cili vetëm një muaj para se t’i bashkohej politikës shkruante se një nga arsyet “përse dështojnë kombet nuk është varfëria, thatësia ose lufta e murtaja, porse politikanë ekstraktivë (përfitues) që shtiren patriotë e luftëtarë lirie, liderë të korruptuar deri n'asht, që vjedhin shtetin e tyre – zhvatin taksat e qytetarëve - pamëshirshëm dhe egërsisht”. Tani, z.Matoshi shërben nën një politikan ekstraktiv, i cili merr vendim për faljen e borxheve vetëm se ju ka tek, ashtu siç deklaroi në intervistën e tij në “Jeta në Kosovë”; ndan 290 mijë euro për ushtrues të dhunës brenda e jashtë vendit vetëm se nuk i pritet që t’i respektojë procedurat ligjore, ashtu siç deklaroi në intervistën e tij në “Klan Kosova”; gjuajtjen me armë nuk e sheh si punë të madhe dhe e arsyeton bartjen e armëve ilegale, ashtu siç deklaroi në intervistat e tij në KTV dhe TV Dukagjini. Përderisa rritja e pagës së kryeministrit dhe e vartësve të tij kërkohet që të shikohet si vendim që e nderon postin e jo individin, nuk thuhet asnjë fjalë për vendimin e Qeverisë për të mos përkrahur rritjen e pagës minimale nga 130 euro dhe 170 euro në 250 euro.

Për “elitën intelektuale” që ndihmon mbetjen në pushtet të politikave dhe “politikanët mjelës”, lideri opozitar rus dhe shahisti i famshëm Garry Kasparov shkruante: “përvoja ka dëshmuar se mund t’ia dilni mjaft mirë edhe kur rreshtoheni në anën e gabuar të historisë, përderisa rreshtoheni në anën e duhur të përfitimeve materiale”.