Problemi i dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit nuk mund të zgjidhet duke luajtur kufirin vetëm në mes të Kosovës dhe të Serbisë, edhe nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen me këtë. Thjesht, se shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Kosovë dhe serbët nuk jetojnë vetëm në Serbi. Kurse, koncepti i shteteve etnikisht të pastra në fund të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21 është kryesisht i Beogradit dhe i Moskës. Këtij koncepti deri më tash i është dalë suksesshëm në rrugë. Pse t’i hapet rruga tash?!
NUK ËSHTË SE nuk i bën romantikë shumicën e shqiptarëve të Kosovës ideja e një marrëveshjeje të përhershme me Serbinë. Zgjidhja e një problemi të cilin e kanë bartur mbi supe breza të tërë në mbi 100 vjetët e fundit bën që shumëkush të thotë – le të bëhet. Edhe me një çmim pak më të lartë se ç’e kemi pritur dhe dëshiruar, por një herë e përgjithmonë Serbia ta njohë Kosovën, të pranohemi në OKB dhe të jemi shtet normal.
A mund të bëhet korrigjim i kufirit të Kosovës dhe të Serbisë duke lëvizur nga pak vijën nëpër disa fshatra ose komuna?
Pse jo! – po dëgjojmë shpesh qytetarët të thonë. Edhe ashtu ka pasur lëvizje të territorit të Kosovës në veri dhe në lindje pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore - thonë disa të tjerë. Pse të mos korrigjohet diçka!
Në këtë frymë tashmë shohin të flasin lirshëm edhe disa diplomatë, politikanë e analistë perëndimorë.
Pse të mos shfrytëzohet ky rast nëse pajtohen Prishtina dhe Beogradi? – sugjerojnë ata.
Sidoqoftë, nuk është e thjeshtë. Se po ishte do të ndodhte shumë më herët në Ballkan. Nuk ka ndodhur as pas luftërave. Është e rrezikshme të ndodhë edhe sot.
KRYETARI I SERBISË, Aleksandër Vuçiq, ka kohë që zgjidhjen e çështjes së Kosovës e ndërlidh me atë që e quan zgjidhje të problemit të dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit, shqiptarëve dhe serbëve. Mirëpo, duke dashur ta theksojë rëndësinë e çështjes duke përmendur dy popujt më të mëdhenj, ai pikërisht po e komplikon problemin dhe zgjidhjen. Se, problemi i dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit nuk mund të zgjidhet duke luajtur kufirin vetëm në mes të Kosovës dhe të Serbisë, edhe nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen me këtë. Thjesht, se shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Kosovë dhe serbët nuk jetojnë vetëm në Serbi.
Shqiptarët jetojnë në Shqipëri, shqiptarët jetojnë në Kosovë, shqiptarët jetojnë në Maqedoni, shqiptarët jetojnë në Luginën e Preshevës në Serbi, shqiptarët jetojnë në Mal të Zi.
Serbët jetojnë në Serbi, serbët jetojnë në Bosnjë, serbët jetojnë në Mal të Zi, serbët jetojnë në Maqedoni.
Nëse po flasim, siç thotë Vuçiq, për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve dhe serbëve, si dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit, duke luajtur kufirin Kosovë-Serbi, atëherë çka do të ndodhë me ata serbë e shqiptarë që jetojnë në shtete të tjera.
Pikërisht, duke e ditur se kjo nuk është zgjidhja, edhe nuk është lejuar rihartimi i kufijve në baza etnike.
Se të flasësh për ndarje të Kosovës i bie të flasësh kundër Marrëveshjes së Rambouillet-së,
kundër Marrëveshjes së Kumanovës,
kundër Pakos së Ahtisaarit,
kundër procesit të deritashëm të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi,
si dhe kundër Marrëveshjes së Daytonit,
kundër Marrëveshjes së Ohrit,
kundër Referendumit për pavarësi të Malit të Zi,
ose edhe më direkt - kundër Kosovës,
kundër Bosnjës,
kundër Maqedonisë,
kundër Malit të Zi;
pastaj kundër investimit çerekshekullor të SHBA-së dhe të BE-së,
por më e dhimbshmja - kundër 130 mijë të vrarëve të luftërave në ish-Jugosllavi.
Por të flasësh kundër të gjithë këtyre, i bie të flasësh për interesa të vetëm një pale: vetëm të Serbisë... dhe Rusisë.
Se koncepti i shteteve etnikisht të pastra në fund të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21 është kryesisht i Beogradit dhe i Moskës.
Këtij koncepti deri më tash i është dalë suksesshëm në rrugë. Pse t’i hapet rruga tash?!
KA NË KËTË mes edhe të atillë që spekulojnë se ka garanci nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama se shqiptarët në Maqedoni do të jenë “të urtë” dhe nuk do të kërkojnë ta prishin Maqedoninë, si dhe se ka garanci nga Aleksandër Vuçiq se edhe serbët në Bosnjë do të “rrinë urtë” dhe s’do ta prishin Bosnjën. Ta zëmë se për një çast është e mundur që këta politikanë edhe kanë folur me përfaqësuesit e shqiptarëve, gjegjësisht të serbëve, në këto shtete dhe se ata iu kanë premtuar se çfarëdo që të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndikojë tek ata. Mirëpo, njerëzit që i besojnë këto, qofshin të rajonit ose të huaj, duhet ta dinë se shtetet e Ballkanit, ndonëse me demokraci të brishtë, megjithatë kanë demokraci. Dhe se liderët e njëjtë nuk do të rrinë në pushtet përgjithmonë. Kështu që, me gjithë garancitë e ndonjë pushtetari të sotëm nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia, pushtetarët e nesërm mund të mos e çajnë kokën dhe t’i përfillin garancitë e paraardhësve.
Ndërsa nëse shqiptarët në Maqedoni nesër duan të ndahen, ose serbët në Republikën Serbe të Bosnjës duan të ndahen nga Bosnja - duke u thirrur në të drejta të njëjta me serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Luginë të Preshevës – kush mund t’i ndalojë?!
Garancitë e liderëve në Prishtinë, në Tiranë ose në Beograd? Vështirë! Vështirë të bëjnë punë edhe garancitë në Bruksel e Washington.
Se edhe nëse nuk ia dalin të ndahen, do të shkaktojnë incidente e trazira, njerëz të pafajshëm mund ta humbin jetën, fate familjesh ta pësojnë.
Së këndejmi, jo! Nuk mund të ketë zgjidhje në relacionin Kosovë-Serbi, duke u thirrur në zgjidhjen e problemit të popujve më të mëdhenj të Ballkanit, shqiptarëve dhe serbëve.
Përpiquni më tepër!
Twitter: @adriatikk