Letra e sekretarit Blinken drejtuar kryeministrit Kurti ka përmbysur doktrinën Grenell, ka rikujtuar sloganin e kampanjës presidenciale të Clintonit ‘92 dhe ka sjellë në jetë thënien e famshme apokrifale të mbretit francez Louis XIV
Gjatë administratës së ish-presidentit Trump është proklamuar për herë të parë një strategji e re karshi normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në fakt ajo nuk ishte strategji pasi që asnjëherë nuk është bazuar mbi një dokument formal publik, por më shumë ishte një qasje joformale që u formësua nga intervistat dhe Twitteri i eksponentëve kyç të administratës Trump. Për shkak të asocimit të ish-përfaqësuesit të veçantë të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell, me këtë qasje të re mund ta quajmë “doktrina Grenell”.
Doktrina në pak fjalë nënkuptonte se normalizimi ekonomik duhet t’i paraprijë normalizimit politik në mes të dy vendeve. Kësisoj, z. Richard Grenell deklaronte: “Nuk e di sa herë duhet ta them, edhe pse kam qenë jashtëzakonisht i qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të bindur që konflikti 20-vjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik”. Dhe ky nuk ishte qëndrim individual i z. Grenell. Ky ishte mesazh koherent i niveleve më të larta të administratës së SHBA-së. Ish-këshilltari për Siguri Nacionale, z. Robert O'Brien, konsideronte se normalizimi ekonomik do të sjellë “progres të paprecedentë në çështje politike”. Rrjedhimisht, edhe vetë ish-presidenti Trump gjatë takimit të 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale tha: “Administrata ime ka propozuar një qasje të re për përafrimin e palëve, duke u fokusuar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike, dy vendet kanë bërë një arritje të madhe...Serbia dhe Kosova kanë treguar përkushtim për normalizimin ekonomik. Një togfjalësh shumë i rëndësishëm”.
Frytet fillestare të zbatimit të kësaj qasjeje ishin nënshkrimi i tri marrëveshjeve për fluturimet direkte Prishtinë – Beograd, hekurudhat dhe autostradat, ndërsa kulminacioni ishte takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale, kur edhe u nënshkrua marrëveshja për normalizim ekonomik.
Në Kosovë kjo qasje e re është pritur diku në mes të konfuzionit dhe refuzimit, pasi që çdo qytetar kuptonte se asnjë rritje e eksporteve të Serbisë apo vijë e re ajrore nuk mund të kontrollojë epshin ushtarak dhe politik të Serbisë mbi Kosovën.
Sidoqoftë, qasja e re u vetëshpërbë pa filluar mirë zbatimi. Asnjë nga marrëveshjet nuk u zbatuan. Ndërsa në mungesë të një përkushtimi koherent, serioz dhe institucional amerikan secila palë vendosi të interpretonte zbatimin e marrëveshjeve sipas mënyrës së vet.
Me ardhjen e administratës së re Biden kjo qasje e administratës Trump u përmbys. Zyrtarë të lartë amerikanë kanë groposur marrëveshjen e Washingtonit thellë në harresën e tyre, si pak a shumë çdo trashëgimi të administratës Trump. Në këtë drejtim, letra e sekretarit Blinken nuk përmend fare marrëveshjen e Washingtonit apo “normalizimin ekonomik” dhe si e tillë kthen politikën amerikane karshi dialogut Kosovë-Serbi në binaret e doktrinës tradicionale të politikes së jashtme, ku zgjidhja e çështjeve politike është themel për avancimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
***
Në gishtat e një dore mund të numërohen letrat që do të pranojë cilido kryeministër i Kosovës nga ana e sekretarit të Shtetit. Rrjedhimisht, është e rrugës që çdo letër e sekretarit të Shtetit të kalojë nëpër një proces ekzaminimi të mesazheve kyç. Letra e sekretarit nuk shkruhet nga një asistent apo këshilltar i tij. Ajo është shkruar, ekzaminuar, komentuar dhe rishkruar nga përfaqësues të të gjitha institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe diplomacisë amerikane. Si e tillë ajo nuk përfaqëson qëndrimin e një sekretari të shtetit, por të të gjithë administratës amerikane. Kjo është në veçanti e vërtetë për administratën Biden, pasi që ajo karakterizohet me një qasje institucionale funksionimi që përbëhet nga një kuadër jashtëzakonisht cilësor profesionistësh.
Letra e sekretarit Blinken ka pesë paragraf dhe në vijim është tentativa ime për të zbërthyer mesazhet dhe implikimet e secilit paragraf.
Paragrafi 1: Kosova, në ujërat e thella ndërkombëtare
Duke lënë anash pjesën e kurtuazisë, paragrafi i parë i letrës së sekretarit na sjell për vëmendje se kush është vlera e Kosovës në politikën e jashtme të SHBA-së. Pra, Kosova është një nga shtetet në të cilat SHBA-ja mund të llogarisë çdoherë, madje edhe në kuadër të çështjeve të ndjeshme apo kontroverse ndërkombëtare. Kësisoj, vitin e kaluar Kosova ka qenë partner i afërt i SHBA-së në strehimin e afganëve që ishin në pritje të rivendosjes në shtete të treta, si dhe zbarkimin e FSK-së në Kuvajt, nën komandën e ushtrisë amerikane.
SHBA-ja konsiderohet hegjemon i historisë moderne. Një fuqi e pakrahasueshme në botë e cila në ndjekjen e interesave të saj, shpesh vepron unilateralisht dhe jashtë arkitekturës dhe rregullave multilaterale ndërkombëtare. Qoftë kjo e vërtetë apo jo, SHBA-ja nuk ka dëshirë të perceptohet si e tillë. Prandaj, ajo edhe kur më të vërtetë vepron unilateralisht (ndërhyrja në Afganistan apo Irak), ajo tenton së paku që të krijojë perceptimin se ka përkrahjen e një aleance të shteteve sovrane. Dhe pikërisht në këtë sens Kosova paraqet një vlerë të shtuar në politiken e jashtme amerikane. Qoftë sa i përket politikës ndaj Lindjes së Mesme (vendosja e ambasadës në Jerusalem) apo Afganistanit (strehimi i afganëve) – Kosova ka dëshmuar se është shtet në të cilin SHBA-ja çdoherë mund të llogarisë në kuadër të ndjekjes së interesave të saj në botë. Dhe kjo është një vlerë e Kosovës që nuk duhet nënvlerësuar.
Paragrafi 2: “Jobs and Justice”, por...
Duke kaluar te paragrafi i dytë vërejmë se mesazhi kyç i këtij paragrafi është ekzistenca e një “agjende të presidentit Biden” për Kosovën. Pra, letra indikon se në kuadër të administratës së presidentit Biden është formësuar një qasje e strukturuar e SHBA-së, e cila është tani një agjendë koherente në politiken e jashtme të SHBA-së. Dhe këtu, siç duket, SHBA-ja ka treguar simpati për “jobs and justice”, platformën e kryeministrit Kurti, pasi që sekretari Blinken mirëpret bashkëpunimin në “fuqizimin e sundimit të ligjit” dhe “nxitjen e rritjes ekonomike”.
Përveç “jobs and justice”, sekretari Blinken veçon edhe dy prioritete me rëndësi: të drejtat e minoriteteve dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe në fakt, paragrafi i dytë mund të lexohet si paragraf tranzitor drejt thelbit të letrës së sekretarit Blinken e ai është dialogu me Serbinë. E them këtë, sepse e gjithë pjesa tjetër e letrës flet ekskluzivisht për rëndësinë e dialogut me Serbinë.
Paragrafi 3 dhe 4: ...It is the dialogue, stupid
Paragrafi i tretë është uverturë për gjithë pjesën e mbetur të letrës. Sekretari Blinken nuk dramatizon kur e bën të qartë se pengesa kyç për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës është mungesa e progresit në dialogun me Serbinë. Pra, me fjalë të tjera Kosova nuk mund të llogaritë në anëtarësim në OKB, NATO, BE, Këshill të Evropës, pa mbylljen e çështjeve të hapura me Serbinë.
Paragrafi i katërt është më thelbësori, së paku në kuptimin praktik, prej të gjithë pjesës tjetër të letrës. Aty janë përmbledhur katër mesazhe kyç.
Mesazhi i parë është se SHBA pret lidership personal nga kryeministri Kurti. Pra, me fjalë të tjera SHBA-ja njeh legjitimitetin e madh të kryeministrit Kurti – gjë që e bën bartës të një procesi, i cili do të kërkojë sakrificë personale politike.
Mesazhi i dytë vendos “rregullat e sjelljes” në kuadër të dialogut. Rregulli i parë: marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen. Implikimet e këtij rregulli mbi Asociacionin e Komunave Serbe është vetevident. Rregulli i dytë: transparenca. Këtë rregull t’iu them të drejtën unë nuk e marr shumë seriozisht pasi që dialogu me Serbinë, si çdo proces i ndjeshëm ndërkombëtar, është i dënuar të mos jetë transparent. Rregulli i tretë: evitimi i ngritjes së tensioneve. Me këtë SHBA-ja e bën të qartë se nuk do të tolerojë veprimet e njëanshme të asnjë pale në një sfond kur SHBA-ja angazhohet në krijimin e një mjedisi të favorshëm për progres në dialog. Rregulli i katërt: vëmendje, urgjencë dhe kreativitet. Me fjalë të tjera sekretari po bën të qartë se nuk ka prioritet më të rëndësishëm se dialogu.
Mesazhi i tretë është më praktik dhe operacional. Sekretari këtu identifikon agjendën imediate të dialogut dhe indikon se kush janë dy çështjet konkrete ku duhet bërë progres në muajt e ardhshëm: fati i personave të zhdukur dhe marrëveshja për energjinë në veriun e vendit.
Mesazhi i katërt është për Manastirin e Deçanit. Sekretari ka ripotencuar qëndrimin e shteteve të QUINT-it për obligimin e institucioneve të Kosovës ndaj zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për Manastirin e Deçanit.
Në përmbledhje, paragrafët 3 dhe 4 përfaqësojnë gjysmën e letrës së sekretarit Blinken. Në diplomaci gjatësia e tekstit përfaqëson rëndësinë e çështjes. Çdo analogji është e dënuar të jetë e paplotë, por nëse kisha përmbledhur letrën e sekretarit Blinken në sa më pak fjalë, atëherë do të kisha huazuar nga fjalët e kampanjës fituese të presidentit Clinton të vitit 1992: “Its the dialogue, stupid”.
Paragrafi 5: L’Etat, c’est Hovenier et Escobar
Diplomatët përfaqësojnë çdoherë zërin e qeverisë që përfaqësojnë. Ky është rregull që nuk diskutohet. Sidoqoftë, në Ballkan ka prirje që edhe rregullat të diskutohen. Rrjedhimisht, sekretari Blinken ka bërë të qartë se ekipi i ri i diplomatëve amerikanë përgjegjës për Kosovën kanë mbështetjen e plotë të tij. Kur flasin ata, flet ai. Louis XIV do të kishte thënë: L’Etat, c’est Hovenier et Escobar.