Muzeu i Holokaustit në Illinois ka sponsorizuar një panel diskutimesh, të enjten, në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Në vijim janë qëndrimet e mia mbi mësimet që nuk janë nxjerrë nga Srebrenica
Njëzetepesë vjet pas Srebrenicës, është koha e duhur që ta shtrojmë pyetjen: a kemi nxjerrë mësime?
Është një gjë të thuhet se nuk duhet të ketë më Srebrenica të tjera, por çfarë jemi duke bërë që kjo gjë të garantohet?
Një aspekt historik. Srebrenica ishte kulmimi i krimeve kundër njerëzimit në luftën e Bosnjë-Hercegovinës; ka ndodhur në vitin e tretë të asaj lufte. Mu në fillim të luftës, sulmi mbi myslimanët e Bosnjës ishte një gjenocid. Vetëm kujtojini kampet e përqendrimit, përdhunimet sistematike, shkatërrimin e kulturës, deportimet masive. Bosnja ishte përherë një krim i maskuar si luftë.
Një shikim i shpejtë në të sotmen, një çerek shekulli më vonë. Ajo çfarë thashë për Bosnjën mund të thuhet sot edhe për Sirinë. Një krim i luftës i maskuar si luftë. Janë bërë tani nëntë vjet të kësaj lufte. Regjimi sirian, qysh nga viti 2013, rregullisht ka hedhur bomba kasetore që janë të destinuara për vrasjen e civilëve dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre. Rreth 700 mijë njerëz kanë vdekur dhe 6 milionë të tjerë kanë ikur si refugjatë apo janë zhvendosur përbrenda vendit. Ky është një krim kundër njerëzimit, por me një shkallë edhe më masive sesa në Bosnjë. Në aspektin më të gjerë, atëherë nuk i kemi nxjerrë mësimet nga Bosnja.
Prandaj, çfarë kemi mësuar nga ngjarjet e para një çerek shekulli? Dhe çfarë nuk kemi arritur të mësojmë?
Një gjë, të cilën unë personalisht e mësova në Bosnjë është se mediat mund të tërheqin vëmendjen e publikut. Ja i pari nga një sërë rrëfimesh që i shkrova, e që ndihmuan të ngrenë alarmin. Ishte publikuar më 1992, tre vjet para Srebrenicës.
Si arrita në atë vend për ta shkruar rrëfimin? E mora një informatë prej një miku gazetar në Beograd se trena të mbushur me refugjatë po mbërrinin në veri të Serbisë. Në atë kohë, po punoja si korrespondent nga Evropa për “Newsday”, një gazetë rajonale në New York. E njihja Jugosllavinë e moçme meqë isha caktuar të punoja aty për Reutersin, 15 vjet më parë. E njihja gjuhën. I kisha mbuluar luftërat e mëhershme. Por edhe mua mu deshtë ta gjeja busullën.
Mu deshën muaj për t’i vëzhguar ngjarjet që pasuan luftën në Bosnjë për të përcaktuar se çfarë po ndodhte. Vendi asokohe i njohur si Jugosllavi, një shtet ky shumëkombësh, po shpërbëhej. Dy lufta i paraprinë asaj të Bosnjës. Më në fund konstatova se lufta serbe me Kroacinë, e cila nisi në qershor të 1991-s, ishte një luftë e agresionit serb. Lufta në Bosnjë nisi në mars të 1992-s, dhe edhe kjo ishte qartazi një luftë agresioni, me fjalë të tjera, për të rrëmbyer territore.
Gjatë luftës në Kroaci, iu qepa pas rrëfimeve që dëshmonin se Qeveria serbe po qëndronte prapa kërdisë atje. Pastaj iu qepa rrëfimeve që i shpërfaqën lidhjet e drejtpërdrejta midis regjimit serb të Bosnjës dhe krimeve në Bosnjë. E kalova gjithë kohën nëpër krahina, sidomos në Banjallukë, kryeqytetin krahinor të dominuar me serbë. Iu qepa rrëfimit deri në fund. Isha me fat. Kisha redaktorë të mençur, të cilët më shtronin pyetje, por e dinin si t’i shtronin rrëfimet e mia bindshëm. Më mbështetën derisa po i zbardhja krimet. Dhe e kisha edhe një fotoreporter të mrekullueshëm. Pamja e kampeve të përqendrimit, kur burrat dërgoheshin të torturuar, të lënë të vdisnin urie dhe vriteshin, ishte një shembull i krimit të drejtuar nga Qeveria kundër njerëzimit. Rrëfimi e bëri ndryshimin. E përçova një dallgë shokimi përgjatë botës. OKB-ja debatoi. Nën presionin nga fuqitë e mëdha, serbët e Bosnjës i mbyllën kampet. Me mijëra jetë ishin shpëtuar. Edhe një rrëfim e bëri ndryshimin. Ai i njerëzve prej së vërteti që pranuan të fotografoheshin. U thashë, pa fotografitë tuaja, askush nuk do t’i besonte rrëfimit tim. Kjo gjë goditi ndërgjegjen. Qeveritë kërkuan hetime. U nis përpjekja për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për gjykimin e krimeve që morën jetë. Ajo që mësova ishte: Ka njerëz të mirë në Qeveri, në politikë dhe në jetën publike, por ata duhet të aktivizohen me qëllim që të veprojnë.
Faktet, që ne gazetarët e shtypit i zbulojmë, e bëjnë këtë gjë. Fotografitë e bëjnë. Ato të Ronit qartazi e bënë. Dhe e bënë edhe këto të Andree Kaiserit, fotoreporterit tim. Kongresi luajti një rol të rëndësishëm. OJQ-të luajtën një rol të rëndësishëm. Ky muze dhe përkujtimorja e Holokaustit në Washington asokohe nuk ekzistonin, por tani po, dhe e bëjnë ndryshimin.
Rezultati i së sotmes është dëshmia. Kemi mësuar, po ashtu, se tribunalet ligjore nuk janë zëvendësim për ndaljen e gjenocidit, kur ai ndodh. Dhe ato mund edhe t’i konceptojnë gjërat gabim. Tribunali i Hagës kurrë nuk gjeti dëshmi se spastrimi etnik serb në qytete, formimi i kampeve të përqendrimit, vrasja e të burgosurve në kampe e shkatërrimi i kulturës ishin gjenocid. Prokurorët vazhdimisht insistuan për këtë akuzë. Ama gjykata, e cila për vite me radhë gjykoi vetëm një hise të vogël të krimeve, nuk mund të përqendrohej në të.
Nuk e kapi Radovan Karaxhiqin, liderin politik të serbëve të Bosnjës, deri në vitin 2008 dhe Ratko Mladiqin, komandantin ushtarak, deri më 2011. Por tribunalet u shërbejnë shumë qëllimeve. Mund të sjellin ngushëllim për viktimat, i vendosin faktet e asaj çfarë përnjëmend ka ndodhur dhe i përcaktojnë mësimet morale që duhet mësuar nga e shkuara.
Dhe ne e mësuam këtë gjë: Për ta shmangur një tjetër gjenocid, shtetet duhet të veprojnë. Është kjo një çështje e vullnetit politik. Ato nuk duhet t’i dërgojnë me doemos trupat e tyre, por ta përdorin çdo mjet të mundshëm në dispozicionin e tyre e që nuk është intervenim i drejtpërdrejtë. Dhe ja çfarë dështuam që të mësojmë: Se faktet kanë rëndësi. Se janë përgjigja ndaj propagandës së një regjimi kriminal, por mohimi përherë rri aty diku afër.
Akademia suedeze në dhjetor i ndau çmimin “Nobel” për Letërsi Peter Handkes, një shkrimtari austriak që e mohon gjenocidin e Srebrenicës. Dhe heshtja e qeverive karshi krimeve i lehtëson dhe trimëron krimet e mëtutjeshme. Kjo gjë ka ndodhur në Kroaci dhe në Bosnjë. Dhe tani po ndodh edhe në Siri.
Përqendrimi ynë, si gazetarë që mbulojmë luftëra, duhet të jetë te njerëzit. Shumë shpesh, raportimet në lajme janë për krisma. Nëse caqet e tyre janë civilët e pafajshëm, atëherë ky është një krim lufte. Nëse një qeveri është e përkushtuar për krime lufte, atëherë duhet ekspozuar. Përqendrimi ynë, si qytetarë, duhet po ashtu të jetë te njerëzit. Njerëzit kanë nevojë për mbrojtje. Apo armë për t’u vetëmbrojtur. Në Bosnjë, SHBA-ja për një kohë tepër të gjatë e mbështeti embargon e OKB-së për armët, gjë kjo që u lejoi serbëve të Bosnjës ta shkatërrojnë Sarajevën dhe qytetet e tjera.
Në Siri, si administrata Obama ashtu edhe kjo Trump kanë shikuar seri teksa civilët po bombardoheshin dhe kanë anashkaluar thirrjet e tyre. Shkelja masive, flagrante e rregullave të luftës është një shenjë se gjenocidi po vjen. Ndaleni më herët. Deportimet dhe dëbimet e japin një sinjal. Mos e prisni Srebrenicën e radhës. Liderë të ligë, të prirë për vrasjen apo terrorizimin e civilëve do ta gjejnë mënyrën për ta shmangur ndëshkimin. Janë të regjur në këtë përvojë.
Në Bosnjë, gazetaria e bëri ndryshimin. Në Siri jo. Kjo për shkak të praktikës së Assadit për të ndaluar, arrestuar apo vrarë gazetarë. Assadi pretendon se kritikët e tij politikë janë terroristë. Kemi të bëjmë me një lider, i cili mbështetet në grupet terroriste dhe në shtetet e boshtit të së keqes, si Rusia dhe Irani, për ta mbrojtur regjimin e tij kundrejt vetë popullit.
Ne amerikanët, të cilët kemi aq shumë ndikim në botë, e kemi hisenë tonë të gabimeve. Nuk do të duhej t’i rrëzonim qeveritë e popujve të tjerë, pa marrë parasysh sesa të tmerrshme janë. Por në luftë ekzistojnë rregulla të dakorduara, ligjet e luftës. Është punë e komunitetit ndërkombëtar që t’i vëzhgojë ato dhe të kujdeset që ato të vëzhgohen. Dhe në këtë pikë, intervenimi, qoftë edhe vetëm pasiv, me anë të furnizimit me armë mbrojtëse, është i justifikuar. Me fjalë të tjera, përdorni parimet e së drejtës humanitare për të përcaktuar kur dhe nëse të intervenohet, dhe pastaj intervenoni me synimin që t’i ruani parimet e së drejtës humanitare.
Ky është mësimi, të cilin nuk e kemi mësuar.
Andaj, pse po shohim tani një rishfaqje të krimeve të luftës dhe të pandëshkueshmërisë?
Mendoj se po ndodh për shkak se po jetojmë në një epokë të pas 11 shtatorit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e themeluan Guantanamon, aty u praktikuan terrore ndaj të burgosurve dhe u shkërmoqën rregullat e të drejtës humanitare. SHBA-ja ndihmoi në përpilimin dhe krijimin e një gjykate ndërkombëtare penale për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, por nën administratën aktuale është duke bërë çmos që ta rrezikojë këtë gjykatë. Nuk i lejon gjykatësit në këtë vend. Presidenti ynë aktual nuk dëshiron t’i ndëshkojë njerëzit në shërbimet ushtarake amerikane, të cilët i shkelin rregullat e ditura dhe të shpallura.
Aktorët e ligë mbajnë shënime, kur SHBA-ja e humb rastin për ta mbështetur sundimin e ligjit. Aktorët e ligë dinë të sajojnë risi, dhe liderët si Bashar al-Assadi kanë mësuar ta shfrytëzojnë frikën nga terrorizmi për ta penguar një fuqi madhore në veprimin e saj për shpëtimin e jetëve. Kështu që, në 25-vjetorin e Srebrenicës ne tani e kemi një rrugë të gjatë për ta rrahur ashtu që ta garantojmë një “kurrë më”.
Do të isha i befasuar sikur presidenti që ne zgjodhëm në shtator, do t’i kryente punët si duhet. Njerëzit duhet të përqendrohen në hapin e radhës, plus një tjetër pas. Le të mos zhgënjehemi. Le të përqendrohemi në ndryshimin e qasjes sonë për botën, ashtu që të mos ketë më përnjëmend Srebrenica të tjera.
(Roy Gutman është gazetar dhe shkrimtar amerikan i vendosur në Stamboll. Ai ka qenë korrespondent nga Bosnjë-Hercegovina për agjencinë britanike Reuters dhe gazetën amerikane “Newsday”. “Koha Ditore” ripublikon këtë shkrim me lejen e autorit)