OpEd

Përherë në ikje

Sado paradoksale që mund të tingëllojë, për dikë që ka një vizion zhvillimi ekonomik, ky do të mund të ishte rasti për ndërtimin e një strategjie të re të punësimit dhe dhënies së perspektivës së munguar prej kohësh

Nuk kishte si ndryshe të kalonte edhe kjo javë, pos edhe me një festë zyrtare. Mirëpo kjo, për fatin e keq të shumicës shëtitëse, ra të martën, e diqysh nuk mundën t’i lidhnin tri ditë shëtitjeje.

E megjithatë, pritja nëpër vendkalime kufitare kishte qenë e gjatë. Dhe ky fenomen, i bllokimit të kufijve për shkak të fluksit të madh të udhëtarëve që dalin nga Kosova, do të mbetet enigma më e madhe për mua. Ende nuk e kam të qartë se si bëhet që shteti më i varfër, me rrogën më të ulët minimale në rajon, të ketë kaq shumë njerëz që largohen prej Kosovës për fundjavë.

Udhëtimi, pra karburantet, qëndrimi dhe ushqimi krejt e kanë një kosto. Dhe jo, nuk vlen arsyetimi se “njësoj kishim harxhuar në shtëpi”, sepse nuk është gjithherë kështu. Mund të jetë te rasti i atyre që kanë prona në Shqipëri e gjetkë... por jo për shumicën. Ata të parët kanë pasur kapital dhe mundësi investimi në patundshmëri jashtë vendit. Po këta të tjerët?

Pra, përderisa po e shohim që ekonomia e Kosovës nuk ka para në qarkullim, gjë e cila tashmë është bërë kronike dhe nuk po shoh që kush është kah mërzitet për këtë punë; dhe përderisa në njërën anë kemi papunësi të madhe, nga ana tjetër kemi njerëz që janë në kërkim të punëtorëve që nuk gjinden, e vazhdojmë t’i kemi tokat djerrë – nga po na vijnë paratë për kësi stili jetese?

Tashmë e dimë se diaspora është financuesja më e madhe e konsumit në Kosovë, por prapë, edhe mjetet e diasporës e kanë një kufi, e qejfi ynë nuk e ka.

* * *

Pra tema e javës qe ikja potenciale e një numri të madh qytetarësh nga Kosova që në çastin kur të liberalizohen vizat.

Gjasat janë se ashtu do të jetë dhe se shumë njerëz do të shkojnë, porse përsëri shtrohet pyetja nga mjetet për të ikur, nga mjetet për të shëtitur? E ky është trend i cili nuk ka ndryshuar në njëzet vjetët e fundit. Pra, çdo dhjetë vjet ka ndodhur një valë të ikurish, kryesisht në të zezën, me shumë para për shërbimin i cili nuk kishte garanci se do të kishte sukses. Dhe kjo po përsëritet tash, edhe në mandatin e një qeverie, e cila ka qenë shumë kritike ndaj qeverive paraprake, që nuk kanë ditur si ta mbanin rininë në Kosovë për shkak se nuk u jepej asnjë perspektivë.

Deklaratat e ditëve të fundit të zëvendëskryeministrit Bislimi në fakt e thonë atë që e kanë thënë krejt qeveritë paraprake në lidhje me migrimin: se kjo është gjë normale dhe është pasojë e ambicies së individit për të realizuar mirëqenie më të mirë seç e ka në shtëpi.

Pra, deklaratë e cila tregon se gjendja në shtëpi nuk po përmirësohet as me këtë qeveri dhe se njerëzit nuk shohin rrugëdalje tjetër pos migrimit. Se a është migrimi zgjidhja, për shumëkënd është dëshmuar se po, pavarësisht kohës kur janë larguar prej këtu. Por janë me mijëra të tjerë që migrimin e kanë përjetuar në formën më të vrazhdë të mundur: kanë paguar shumë para për të shkuar e kaluar ilegalisht, apo madje edhe legalisht kufijtë e Evropës dhe pas një kohe relativisht të shkurtër janë kthyer prapa, se nuk kanë mundur të rehatoheshin, ngase ëndrra nuk u doli ashtu siç e kishin parafytyruar.

* * *

Mërgimi ndër kosovarë nuk është gjë e re dhe në të kaluarën përherë ka qenë i shkaktuar dhe i cytur nga politika represive e atyre që e kanë udhëhequr shtetin, nëpër të gjitha formatet në të cilat ka ekzistuar.

Edhe kjo valë e sotme është pasojë e politikës. Natyrisht, nuk mund të krahasohet me fazat e represionit shtazarak nga e kaluara, por gjithsesi është pasojë e politikave ekonomike dhe mungesës së zhvillimit ekonomik.

Duhet qenë korrekt për të thënë se gjendja aktuale nuk është pasojë vetëm e udhëheqjes dyvjeçare të kësaj qeverie, por e politikave të munguara më parë sesa të gabuara të të gjitha qeverive të pasçlirimit, që nuk e patën të qartë idenë se nga jemi nisur.

Kësaj duhet shtuar edhe faktin se korrupsioni ka pasur tokë të pëlleshme ku të kultivohej dhe përfundimisht ka lulëzuar me vite. Pasojë e kësaj ka qenë pasurimi marramendës i një pjese të shoqërisë, të cilëve kurrë nuk iu shtrua pyetja se “nga i more gjithë këta miliona”, e as nuk u bë gjë që të përndiqeshin e që këto mjete të ktheheshin aty nga ishin marrë. Korrupsioni qe i përcjellë edhe nga një sistem drejtësie gjysmëfunksional, që nuk e kreu detyrën e vet primare – të vendosjes së drejtësisë në shoqëri.

* * *

Gjasat janë që shumë njerëz do të largohen nga Kosova në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Do të ketë të tillë që do të gjejnë punë, të tjerë do ta kenë rastin t’i vizitojnë vendet që i kanë parë vetëm në televizion e internet, e me siguri se do të ketë edhe plot të tjerë që do të zhgënjehen, sepse nuk do t’iu dalë ashtu siç iu është thënë.

E në Kosovë do të mbetemi, me gjasë, ne që e kemi pasur mundësinë të shkonim prej këtu moti e nuk e kemi bërë. Atëherë këtë nuk e bëmë për shkak të idealit, kurse tash nuk e bëjmë sepse nuk ka kush të na presë duarhapur, pavarësisht përvojës profesionale e jetësore që e kemi akumuluar. Do të mbeten edhe ata që nuk i kanë mundësitë për të udhëtuar, pra ata të cilëve do t’u hapet perspektiva për punë në Kosovë, ngase konkurrenca do të jetë më e vogël.

Sado paradoksale që mund të tingëllojë, për dikë që ka një vizion zhvillimi ekonomik, ky do të mund të ishte rasti për ndërtimin e një strategjie të re të punësimit dhe dhënies së perspektivës së munguar prej kohësh.

[email protected]