Storia që ka problematizuar vendimmarrjen e ministres Meliza Haradinaj për 40 anëtarë të Shërbimit të Jashtëm, nuk përmban të pavërteta. Në të janë listuar vetëm fakte, përfshirë edhe pjesën që i referohet vendimit në rastin e gradimit të Valëza Oruqit.
KOHA, në procesin e hartimit të stories, ka dërguar pyetje edhe në Ministri, nga i cili institucion ka kërkuar informata për vendimin rreth gradimit të Oruqit. Përgjigjet janë ofruar vetëm pas lajmeve qendrore të KTV-së, kur është publikuar storia, dhe pasi e njëjta është postuar edhe në KohaNet.
Oruqi, sikurse edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e arsyetojnë ligjshmërinë e vendimit, duke u thirrur në një rekomandim që ka dhënë Komisioni për Grada në vitin 2018.
Por, Ligjit për Shërbimin e Jashtëm është strikt në këtë pikë. Ai kërkon që dhënies së një grade duhet t’i paraprijë një proces vlerësimi.
“Transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Në çdo rast, propozimi shoqërohet dhe mbështetet në vlerësimin e punës të paraqitur nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i nëpunësit”, thuhet në nenin 21.
“Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, theksohet në paragrafin e dytë të nenit 28.
Edhe Rregullorja që përmendet në këto dispozita, e kërkon të njëjtën gjë në nenet 8, 12 e 14. Pra, kërkon vlerësim performance përpara gradimit.
Është fakt se Komisioni i Gradave nuk ia ka bërë vlerësimin e punës Oruqit që prej 2018-s, ani se ndërkohë ka pasur edhe valë të tjera të gradimeve, pas të cilave ministri ka firmosur vendime që kanë nxjerrë diplomatë të rinj apo edhe kanë avancuar të tjerë.
Pavarësisht kësaj, ministrja Meliza Haradinaj-Stublla e ka avancuar Oruqin, pa ia vlerësuar Komisioni performancën e dy viteve të fundit.