OpEd

Përgjegjësia e Vuçiqit

Gradimi i Radoiçiqit në “luftëtar të lirisë”, lartësimi i terroristëve të Banjskës si “gardianët e atdheut” dhe shpallja e Kosovës “nën okupim total” kanë qenë ftesë e hapur për minimin e kanalit Ibër-Lepenc. Kjo është arsyeja përse sot, ndonëse nuk e dimë autorin e sulmit në Ibër-Lepenc, Vuçiqi mban përgjegjësinë e plotë për mjedisin e krijuar

Philip Reeker, ish-zyrtar i lartë i Departamentit Shtetit, tha këtë javë se Ballkani nuk është prioritet dhe se tanimë është shpenzuar shumë kohë për rajonin tonë. Kësisoj, Reeker artikuloi publikisht atë që diplomatët perëndimorë e thonë privatisht. 

Deklarata e Reekerit nuk vjen si befasi në rajonin tonë. Pasojat e mungesës së vëmendjes perëndimore për Ballkanin kanë filluar të shfaqen prej kohësh. I gjithë rajoni ynë ka ngecur në procesin integrues drejt BE-së, përderisa perëndimi ka zëvendësuar thirrjet për reformat dhe progresin me kërkesat për paqen dhe stabilitetin. Liderët e rajonit e kanë parë këtë si dhuratë për ta uzurpuar pushtetin. Askund kjo nuk është më e qartë se në rastin e vendit më të madh të rajonit: Serbisë. Në Serbi, Vuçiqi ka asgjësuar opozitën, ka vënë nën kontroll çdo institucion shtetëror, me theks të veçantë sektorin e sigurisë, ka monopolizuar pothuaj gjithë skenën mediatike dhe ka shndërruar gjithë buxhetin e shtetit të Serbisë në portofolion e partisë së tij. 

Mungesa e vëmendjes perëndimore prodhoi pasojat edhe në dialogun Kosovë–Serbi. Tani mbi dhjetë vjet, dialogu nuk arriti t’i normalizojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky jonormalitet i marrëdhënieve u rishfaq me gjithë dramaticitetin e tij këtë javë më shpërthimin e kanalit Ibër-Lepenc. Dhe ndonëse e gjithë ngjarja ende ka shumë të panjohura, një gjë e dimë: ky ishte sulm terrorist. Sipas përkufizimit të BE-së, çdo akt, i cili “krijon shqetësim serioz te qytetarët apo seriozisht destabilizon ose shkatërron themelet politike, kushtetuese, ekonomike apo sociale të një vendi” konsiderohet akt terrorist. 
Në këtë sfond, sulmi në Ibër-Lepenc përmbushi kriteret e ”aktit terrorist”. Përzgjedhja e tij si cak i sulmit në mënyrë të kalkuluar ka synuar të ndërpresë furnizimin me ujë dhe rrymë në pjesën e madhe të Kosovës, duke shkaktuar kështu “destabilizim serioz të themeleve ekonomike apo sociale” të Kosovës dhe “krijimin e një shqetësimi serioz” te qytetarët. Rrjedhimisht, kjo ishte edhe arsyeja përse BE-ja me shpejtësi vendosi ta trajtojë sulmin si “sulm terrorist”. 

Tani ngelet të kuptojmë pjesën e dytë të enigmës: kush e bëri? Dhe këtë kam frikë se nuk do ta kuptojmë asnjëherë. Aktet sikur këto dizajnohen dhe zbatohen me një vëmendje dhe shkathtësi të lartë, i cili e bën shumë të vështirë zbulimin e tyre. Por, përtej emrave të autorëve të sulmit, një gjë është e qartë: Vuçiqi ka krijuar një mjedis politik dhe të sigurisë, i cili inkurajon dhe mbështet aktet sikur këto. Ai e ka lartësuar Radoiçiqin si “luftëtar të lirisë”, ndërsa terroristët e Banjskës si “gardianët e atdheut”. Ai e ka deklaruar Kosovën “nën okupim total”, ai i ka denigruar zyrtarët e Kosovës si “gaulajterë nazistë”, ai e ka krahasuar Kurtin me Hitlerin dhe ka paralajmëruar se “asnjëherë gjërat nuk përfundojnë mirë për okupatorin”. Për më shumë, ai ka bërë thirrje për “rezistencë”, ka paralajmëruar perëndimin se “do të presim momentin më të mirë dhe do të shfrytëzojmë mundësinë tonë”, ka kërcënuar perëndimin me “pasojat të cilat nuk keni parë akoma” dhe ka paralajmëruar se “do të këtë akoma më shumë konflikt”. 

Shtoja kësaj marrëdhëniet kokëfortësisht të afërta me Rusinë dhe aparatin e saj të sigurisë dhe piktura e përgjegjësisë së Vuçiqit për atë çfarë ka ndodhur në Ibër-Lepenc kompletohet. Ka qenë ai personalisht, i cili ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj Kosovës, në kuadër të së cilës vetëm kohëve të fundit janë kidnapuar tre policë të Kosovës, është sulmuar KFOR-i, është sulmuar Banjska, është vrarë Agim Bunjaku dhe janë sulmuar me granata dore disa lokacione në veriun e vendit. Pra me diskursin e tij nacionalist, me veprimet e tij armiqësore dhe me marrëdhënien e tij malinje ruse, Vuçiqi ka krijuar një mjedis të rrezikshëm sigurie në veriun e vendit. Kjo është arsyeja përse sot, ndonëse nuk e dimë autorin e sulmit në Ibër-Lepenc, Vuçiqi mban përgjegjësinë e plotë për mjedisin e krijuar.