OpEd

Përgjegjësia

Tmerri që u ekspozua në Ferizaj, që tani shfaqet para syve të publikut, në Kosovë dhe më gjerë, me detajet mizore që i morëm vesh copa-copa, gjatë ditës së hënë, për krimin e rëndë, çnjerëzor, që dy persona kryen ndaj një vajze 18-vjeçe - nuk do të duhej ta linte askënd indiferent.

Pa mëdyshje, qysh tani jemi të bindur, shpresoj të gjithë pa dallim, se ky krim kërkon ndëshkimin më të rëndë të mundshëm që parashohin ligjet e Kosovës. Këta dy, që Policia e Prokuroria i akuzon se ngritën dorën ndaj gruas së re, e vranë dhe ikën, duhet të gjykohen sa më parë, ashpër dhe pa asnjë mëshirë.

* * *

Ditët në vijim gjasat janë se do të marrim vesh edhe më shumë detaje të tmerrshme e të trishtueshme. Ndodh se do të kuptojmë edhe sa lehtë i parandalueshëm ishte ky krim. Do të flasim – në fakt qysh tani kemi nisur të flasim – për përgjegjësit e tjerë, përtej dy kriminelëve. Për institucionet, që është dashur të vepronin dhe që me mosveprimin e tyre ia kanë hapur rrugën kësaj vrasjeje. Për shoqërinë, që pjesën më të madhe të kohës hesht para djelmoshave e burrave të ashpër, e dikur nis edhe t’i vështrojë me një përzierje të kërshërisë dhe frikës, disa edhe me admirim, saqë edhe ua pëlqejnë postimet që ilustrojnë mendjen e dhunshme. Për rrethin e ngushtë e të gjerë të njerëzve që kthejnë kokën anash kur shohin shenjat e para të dhunës që dikur do të bëhet krim i rëndë.

Për baballarët, që i stërvitin djemtë për të qenë mizorë ndaj grave, për të treguar se muskujt janë më të fortë se mendja, se bota është e burrave, dhe se burrë je veç kur di të grushtosh, të godasësh e ta përgjakësh gruan.

Do ta përkujtojmë njëri-tjetrin (qysh tani e bëjmë) se nuk është hera e parë që burri vret gruan duke pasur dosje të trashë policore. Do të kujtojmë rastet e tjera të jetëve që u shuan, sepse nuk kishte veprim institucional e as shoqëror.

Dhe mirë do të bëjmë që do të flasim, qoftë edhe në Facebook, në përpjekje që më në fund ta gjejmë atë vijën imagjinare përtej së cilës nuk duhet kaluar me asnjë kusht, atë vijën të cilën rëndom e shkelin kriminelë si këta që kryen krimin në Ferizaj.

Mirë, pra, që flasim dhe duhet të flasim - nëse jo për hir të vetes sonë, atëherë për ata që kanë ardhur tashmë pas nesh dhe që do të vazhdojnë të vijnë.

Vetëm nuk jam i sigurt nëse do të flasim, siç do të duhej të flisnim, edhe për atë pjesën tonë të përgjegjësisë, si shoqëri, si qytetarë të këtij vendi, si njerëz të shekullit 21. Flas për pjesën mashkullore të shoqërisë, edhe pse e di që jo secili prej nesh është në shekullin 21 dhe ka që as nuk duan të jenë.

Flas, pra, për përgjegjësinë tonë për tolerimin (dhe me këtë edhe nxitjen) e kulturës së krimit, mashtrimit, “burrnisë”, armëve. Kulturën e britmës, ngritjes së dorës, goditjes me grusht, shkrepjes së këmbëzës, sidomos e posaçërisht ndaj më të dobëtit, gruas, fëmijës...

Kulturën e këngëve plot mllef, dhunë e të shara, ku vajzat shërbejnë si dekor i botës së djemve. Kulturës së medias që do spektakle, do zhurmë, fishekzjarrë e të shtëna revolesh, konflikte permanente, për të ushqyer rrjetet sociale.

Po, pra. Jemi ne, burrat e kësaj bote, në pushtet (politik, ekonomik, shoqëror, medial, kulturor), që krijuam këtë model përbindëshi, që pasi të ketë provuar gjithçka pa u sfiduar - në fund edhe vret.

* * *

Atëherë - do ta pyesim sonte njëri-tjetrin apo edhe vetëm veten tonë: Kam mundur të bëj diçka që të mos jetë kështu? Që këto të mos ndodhin?

Do të kemi frikë nga përgjigjja?