OpEd

Përgatitja për të paparashikueshmen: Qasja e Finlandës

Kosova ka qenë shënjestër e fushatave dezinformuese që synojnë minimin e sovranitetit dhe stabilitetit të saj. Këto përpjekje shfrytëzojnë ndasitë etnike, përhapin propagandë dhe synojnë të dobësojnë besimin në institucionet e Kosovës dhe partneritetet me aleatët. Këto taktika synojnë të vonojnë integrimin e Kosovës dhe të rajonit në strukturat euroatlantike. Përveç masave të përditshme për t'iu kundërvënë këtyre narrativave, një qasje më strategjike mund të forcojë më shumë reziliencën shoqërore

Në një botë të definuar gjithnjë e më shumë nga tensione gjeopolitike, kriza mjedisore dhe kërcënime jokonvencionale të sigurisë, koncepti i reziliencës është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Këto sfida kërkojnë që popujt të zhvillojnë strategji fleksibile dhe efektive. Rruga e Finlandës gjatë shekullit të fundit, nga një histori konfliktesh dhe vështirësish në një model të sigurisë dhe përgatitjes, ofron mësime të vlefshme. Përmes qasjes së saj të detajuar dhe gjithëpërfshirëse, Finlanda ka dëshmuar se rezilienca nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por me ndërtimin e një shoqërie që mund të qëndrojë e fortë përballë pasigurisë. Për vende si Kosova, që përballen me sfida të veçanta, shembulli i Finlandës ofron një udhërrëfyes për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe progresit të qëndrueshëm.

Qasja gjithëpërfshirëse e shoqërisë për gatishmëri

Rruga e Finlandës drejt pozicionit të saj aktual nuk ishte e lehtë. Pavarësia në vitin 1917 u pasua nga një luftë civile dhe humbje shkatërruese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Epoka e Luftës së Ftohtë e vuri në provë aftësinë e vendit për të ruajtur neutralitetin, duke balancuar marrëdhëniet si me Lindjen, ashtu edhe me Perëndimin. Megjithatë, këto përvoja formësuan fokusin e Finlandës në reziliencë, diplomaci dhe inovacion. Procesi i rindërtimit jo vetëm që ruajti sovranitetin e Finlandës, por gjithashtu hodhi bazat për angazhimin e saj ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Në thelb të strategjisë së Finlandës (Strategjia e Sigurisë për Shoqërinë) qëndron qasja “e gjithë shoqëria” sa i përket sigurisë dhe gatishmërisë (përgatitjes). Ky model, i rrënjosur në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, sektorit privat, OJQ-ve dhe qytetarëve, siguron reziliencën e shoqërisë përballë kërcënimeve moderne.

Përgatitja e secilit dhe veprimet e tij ndikojnë në aftësinë e vendit për të përballuar situata të ndryshme. Autoritetet koordinojnë situatën e përgjithshme, ndihmojnë ata që kanë më shumë nevojë dhe sigurojnë që jeta e përditshme të vazhdojë sa më normalisht. Megjithatë, autoritetet nuk mund të bëjnë gjithçka vetë. Kjo e bën të rëndësishme që secili të kontribuojë në përgatitje.
Marrja e masave paraprake është thelbësore, ngase nuk i rrit gjasat qe kërcënimi të ndodhë. Çdo person duhet të jetë i përgatitur për lloje të ndryshme emergjencash, si ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike ose lidhjet e telekomunikimit. Për dekada, qytetarët finlandezë e kanë të njohur listën e detajuar të furnizimeve emergjente për shtëpi, e cila përfshin ujë, ushqime dhe gjërat e tjera të nevojshme. Për më tepër, përgatitja përfshin edhe marrjen e informacionit për rreziqet dhe kërcënimet, aftësi për të vepruar kur përballeni me një situatë jonormale dhe ndjenjën e solidarizimit me komunitetin.

Nisma konkrete, si një numër i madh i strehimoreve civile në mbarë vendin, niveli i lartë i njohurive mediatike dhe programet gjithëpërfshirëse të mbrojtjes kibernetike, janë elemente kyçe të kësaj qasjeje. Për shembull, gjatë procesit të anëtarësimit të Finlandës në NATO, taktikat e luftës së informacionit synuan të dobësojnë besimin e qytetarëve ndaj Aleancës. Finlanda iu kundërpërgjigj këtyre përpjekjeve përmes komunikimit të hapur, fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe iniciativave të edukimit mediatik, të cilat forcuan besimin në institucione dhe bashkuan popullin.

Në mënyrë të ngjashme, Kosova është përballur me sfida në adresimin e kërcënimeve hibride, të cilat kërkojnë një qasje të përshtatur. Sulmi i vitit 2023 në Banjskë ekspozoi potencialin destabilizues të fushatave të dezinformimit. Pas sulmit të armatosur, u përhapën narrativa të rreme. Megjithatë, Kosova reagoi në mënyrë efektive ndaj këtyre pretendimeve dhe, përmes një përgjigjeje të shpejtë dhe transparente, jo vetëm që hodhi poshtë narrativat dashakeqe, por gjithashtu forcoi besimin e publikut në institucionet kombëtare. Përqendrimi i Finlandës në edukimin mediatik dhe komunikimin proaktiv ofron një paralele të vlefshme, duke ilustruar rëndësinë e përgatitjes së shoqërive për t’i përballuar si kërcënimet fizike, ashtu edhe ato të informacionit. 

Gatishmëria nuk kufizohet vetëm në kundërshtimin e narrativave dashakeqe. Gatishmëria e Finlandës shtrihet edhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të shëndetit publik. Aftësia për të menaxhuar krizat, qoftë fatkeqësi natyrore apo kërcënime të sigurisë, mbështetet nga përpjekje të koordinuara ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe komuniteteve. Ky model nxjerr në pah rëndësinë e gjithëpërfshirjes për të siguruar reziliencë afatgjate. Rëndësia e këtyre përpjekjeve është e dukshme në shembujt realë, ku infrastruktura është bërë objektiv destabilizimi.

Për shembull, sulmi i fundit terrorist ndaj kanalit të ujit në Zubin-Potok nxori në pah brishtësinë e infrastrukturës kritike dhe nënvizoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë ndaj  gatishmërisë. Ky incident tregoi se si infrastruktura kritike mund të bëhet objektiv për destabilizim, duke vlerësuar rëndësinë e modelit të Finlandës për gatishmërinë bashkëpunuese, që përfshin koordinimin qeveritar, angazhimin e sektorit privat dhe pjesëmarrjen e komunitetit për të mbrojtur burimet jetike në kohë krize.

Popujt e vegjël mund të kontribuojnë në sigurinë globale

Modeli i reziliencës finlandeze shtrihet përtej kufijve të saj. Me formalizimin e anëtarësimit të saj në NATO në vitin 2023, Finlanda ka përqafuar rolin e saj në sigurinë kolektive duke mbajtur vëmendjen te paqja dhe stabiliteti. Finlanda kontribuon në sigurinë globale përmes ndërmjetësimit për paqe dhe menaxhimit të krizave. Këto përpjekje pasqyrojnë angazhimin për multilateralizëm dhe parimet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Roli aktiv i Finlandës tregon vlerën e popujve të vegjël në rritjen e stabilitetit global.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë shpërfaqi rëndësinë e solidarizimit në mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit. Finlanda ka mbështetur Ukrainën – dhe vazhdon ta bëjë këtë – përmes ndihmës humanitare, ndihmës mbrojtëse dhe avokimit aktiv për zgjerimin e BE-së. Populli e kupton se stabiliteti në Evropë varet nga mbështetja e vlerave të përbashkëta dhe forcimi i bashkëpunimit. 
Përvoja e Finlandës me sfida jotradicionale të sigurisë, si manipulimi i informacionit dhe sulmet kibernetike, ofron mësime të vlefshme për vende si Kosova dhe rajone të tjera që përballen me probleme të ngjashme. Duke nxitur bashkëpunimin, duke ndërtuar kapacitete në edukimin mediatik dhe forcuar infrastrukturën e sigurisë, Finlanda demonstron rëndësinë e angazhimit proaktiv për të zbutur presionet e jashtme. 

Për Kosovën, në udhëtimin e saj drejt integrimit në NATO dhe BE, shembulli i Finlandës shërben si një rikujtim se popujt e vegjël mund të formësojnë peizazhin global të sigurisë përmes reziliencës, partneriteteve dhe respektimit të parimeve të përbashkëta.

A mund të nxjerrë Kosova mësime nga modeli i Finlandës për të rritur reziliencën dhe stabilitetin?

Modeli i Finlandës udhëhiqet me përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta dhe zgjidhjeve praktike. Ndërsa komuniteti global përballet me sfida që variojnë nga paqëndrueshmëria gjeopolitike deri te krizat mjedisore, shembulli i Finlandës vë në pah vlerën e planifikimit afatgjatë dhe politikëbërjen gjithëpërfshirëse. Rezilienca nuk ka të bëjë thjesht me mbrojtjen - ka të bëjë me sigurimin e aftësisë së një shoqërie për t'u përshtatur dhe për të lulëzuar përballë ndryshimeve.
Në botën e sotme të paparashikueshme, qasja gjithëpërfshirëse e Finlandës ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit mund të ofrojë një model për vendet e tjera. Duke u dhënë përparësi këtyre parimeve, shtetet mund të ndërtojnë një të ardhme më stabile, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për qytetarët e tyre.

Kosova ka qenë shënjestër e fushatave dezinformuese që synojnë minimin e sovranitetit dhe stabilitetit të saj. Këto përpjekje shfrytëzojnë ndasitë etnike, përhapin propagandë dhe synojnë të dobësojnë besimin në institucionet e Kosovës dhe partneritetet me aleatët. Këto taktika synojnë të vonojnë integrimin e Kosovës dhe të rajonit në strukturat euroatlantike. Përveç masave të përditshme për t'iu kundërvënë këtyre narrativave, një qasje më strategjike mund të forcojë më shumë reziliencën shoqërore.

Një mundësi është zhvillimi i një strategjie proaktive kundër FIMI (Ndikimi i Huaj dhe Ndërhyrja Dashakeqe) dhe vazhdimi i forcimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë. Kosova mund të përfitojë me një njësi të dedikuar që integron të gjitha institucionet përkatëse, duke u fokusuar në monitorimin, demaskimin dhe parandalimin e FIMI-t si në nivel global dhe rajonal, duke siguruar që zëri i Kosovës të dëgjohet në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, forcimi i aleancave me partnerë, si BE-ja dhe NATO-ja, është thelbësor për të përfituar nga ekspertiza dhe burimet e nevojshme për të forcuar reziliencën ndaj kërcënimeve hibride.

Katër shembuj nga Finlanda që mund të jenë të dobishëm për Kosovën:

1.    Forcimi i reziliencës ndaj kërcënimeve hibride: Kosova mund të adoptojë strategjitë e Finlandës për të parandaluar dezinformimin dhe sulmet kibernetike, duke promovuar edukimin mediatik, rritur ndërgjegjësimin publik dhe bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

2.    Zhvillimi i gatishmërisë gjithëpërfshirëse të shoqërisë: Zbatimi i qasjes gjithëpërfshirëse si në Finlandë, duke angazhuar Qeverinë, sektorin privat, OJQ-të dhe qytetarët në gatishmërinë për kriza dhe ndërtimin e reziliencës, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës dhe stërvitjet përgatitore.

3.    Promovimi i bashkëpunimit rajonal dhe multilateral: Kosova duhet të vazhdojë të thellojë integrimin e saj në kornizat e NATO-s dhe BE-së, si dhe në marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal, duke ndjekur shembullin e Finlandës për balancimin e stabilitetit rajonal dhe partneriteteve globale.

4.    Investimi në institucionet demokratike dhe besimin e qytetarëve: Forcimi i transparencës, sundimit të ligjit dhe barazisë për të ndërtuar besimin e qytetarëve në qeverisje është thelbësor, duke e përdorur si model shoqërinë finlandeze ku mbizotëron besimi në institucione.


(Autori është ambasador i Finlandës në Kosovë)