OpEd

Përfundimi i kobshëm!

Më mirë është të zhgënjehemi me HTH në fund, sesa të zhgënjehemi me pasojat e përpjekjes së tij për të mbijetuar pa fund!

Duke e njohur kontekstin e rrethanave, gjatë dhe pas luftës së fundit, motivet, synimet, qëllimet, veprimet dhe karakterin e HTH, kam deklaruar publikisht më herët se fundi i tij do të jetë i kobshëm! Kuptova me vonesë të vogël se ai harron shumë shpejt krimet që duhet mbajtur në mend. Ndërsa, vazhdimisht e ka në mend pushtetin! Në luftë e ka fshehur emrin publik, pas luftës është munduar t’i fshehë edhe veprimet gjarpërore. Ndjenja se vetëm bindjet e tij personale janë të sakta dhe të vërteta në krahasim me mendimet e të tjerëve, vendosmërisht ndikoi në rrugën e formimit dhe veprimit politik të “gjarprit”.

Mjerisht, me veprimet që i ka ndërmarrë gjatë dhe pas luftës, kurrë nuk e kalkuloi edhe fundin! Deklaratën e tillë nuk e kam dhënë nga dëshira, por nga pasojat e kobshme që mund t’i ketë edhe imazhi kombit dhe shtetit të Kosovës, duke i marrë parasysh faktet se shumë procese vendimtare të krijimit të shtetit të Kosovës janë të lidhura me veprimtarinë e HTH. Meqenëse asnjë fund nuk përfundon në fillim, ja, erdhi çasti i ballafaqimit me të vërtetën dhe drejtësinë. Sinqerisht, më dhimbset HTH, por vetëm për shkak të pasojave që do t’ia shkaktojë imazhit të luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, të prirë nga UÇK-ja, në shtabin e së cilës kam përfunduar edhe unë në Tiranë!

Gabimi i parë që e bëri (pa menduar fundin) pas publikimit të aktakuzës, është identifikimi me simbolin e UÇK-së! Secili pjesëtar i UÇK-së, mbase edhe qytetar i thjeshtë, ka të drejtë të identifikohet dhe krenohet me UÇK-në, por askush s’ka të drejtë që ta instrumentalizojë në paqe, për nevoja personale, aq më pak kur Gjykata Speciale është krijuar nën trysninë personale të HTH. Nën rezistencën e flashkët të individëve, pjesës e opozitës, organizatave që po paralajmërojnë se kanë disponimin të instrumentalizohen për protesta, ndonëse Gjykata Speciale është aprovuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, pavarësisht se kërkesa për shfuqizimin e saj do të rrezikojë dhe shkaktojë pasoja të kobshme, para së gjithash në raport me drejtësinë ndërkombëtare. Nëse HTH i ka besuar drejtësisë kur ka bërë trysni te deputetët e Parlamentit të Kosovës për themelimin e saj, tashmë nuk mund të mos i besojë drejtësisë, sepse ai nuk është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë sot. Nëse atëherë, kur ka bërë trysni, ka besuar se bashkëluftëtarët e tij kanë zhvilluar luftë të drejtë, nuk mund të sjellë në dyshim luftën e tij personale! Përfundimisht, koha e sakrificave të bashkëluftëtarëve për t’i realizuar ambiciet personale të HTH duhet të përfundojë! Pasojat e ballafaqimit të tij me drejtësinë për historinë e re dhe shtetin e Kosovës do të jenë më të vogla nëse ai personalisht ballafaqohet me të kaluarën dhe veprimet e tij të pasluftës, që bien ndesh me drejtësinë, pa implikuar UÇK-në, në këtë lojë. Është gati e sigurt që aktakuza do të konfirmohet. Prandaj, më mirë të zhgënjehemi me HTH në fund, sesa të zhgënjehemi me pasojat e përpjekjes së tij për të mbijetuar pa fund!