OpEd

Performanca e ndërmarrjeve publike

Performanca në ndërmarrjet publike në Kosovë ka qenë gjithmonë temë diskutimi në opinionin publik. Performanca mund të matet nëpërmjet një sërë faktorësh, si: të hyrat, shpenzimet, fitimi apo humbja gjatë vitit, ekuiteti, asetet dhe detyrimet e ndërmarrjes, si dhe numri i të punësuarve.

 

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) si organizata implementuese të projektit “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, kanë analizuar performancën e gjashtë ndërmarrjeve publike për tre vjetët e fundit. Nga gjashtë ndërmarrjet e analizuara, vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Ngrohtorja e Qytetit të Prishtinës - Termokos operojnë me fitim. Ndërsa katër ndërmarrjet e tjera, KRU Prishtina, KRM Pastrimi, Infrakos, dhe NH Ibër-Lepenci, janë ndërmarrje publike të cilat operojnë me humbje, në një total prej 12.76 milionë eurosh brenda tre vjetëve. Detyrimet e këtyre gjashtë ndërmarrjeve janë mjaft të larta dhe arrijnë 1.06 miliardë euro. KEK-u ka më së shumti detyrime, përkatësisht 763.7 milionë euro. Tek tri nga gjashtë ndërmarrjet e analizuara (KEK, KRU Prishtina dhe NH Ibër-Lepenci) edhe shpenzimet kanë pasur rritje gjatë këtyre viteve. Kur jemi te shpenzimet, ajo që mund të vërehet te shumica e ndërmarrjeve është ulja e gjithsej shpenzimeve gjatë vitit 2020, për shkak të rënies së aktiviteteve dhe karantinimit të vendit gjatë pandemisë COVID-19. 

Sa u përket punësimit dhe burimeve njerëzore, këto gjashtë ndërmarrje ndër vite kanë ulur numrin e përgjithshëm të të punësuarve. KEK-u mbetet ndërmarrja e cila ka bërë uljen më të madhe në numrin e punëtorëve, ku nga 4,033 punëtorë që i numëronte në vitin 2019, dy vjet më vonë ka 405 punëtorë më pak. Ndërsa, ulje të numrit të të punësuarve gjatë këtyre tre vjetëve ka edhe KRU Prishtina, Infrakos dhe NH Ibër-Lepenci. Edhe pse numri i punëtorëve ka rënë me kalimin e viteve, këto tre ndërmarrje te shpenzimet e stafit kanë pasur një trend rritës në raport me gjithsej shpenzimet vjetore. Për shembull, te KRU Prishtina gjatë vitit 2019,  shpenzimet e stafit përbënin 31% të gjithsej shpenzimeve operative. Gjatë vitit 2020, te KRU Prishtina kjo shifër arriti në 33.48%, për t’u ulur pastaj në 31.32% një vit më vonë.  Në Infrakos mbi 50% të shpenzimeve operative janë shpenzime të stafit. Më konkretisht, gjatë vitit 2019, 55.31% të shpenzimeve të kësaj ndërmarrje ishin shpenzime të stafit, ndërsa gjatë vitit 2021, kjo shifër arriti në 57.33% të shpenzimeve operative. Trend rritës te shpenzimet e stafit në raport me gjithsej shpenzimet ka edhe NH Ibër-Lepenci ku gjatë vitit 2019, shpenzimet e stafit përbënin 35.10% të gjithsej shpenzimeve dhe dy vjet më vonë, kjo shifër arriti në 38.27%.

Për më shumë informata të performancës së këtyre gjashtë ndërmarrjeve shihni infografikat në vijim.

{gallery}

(Ky publikim është pjesë e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe INDEP. Mendimet e shprehura janë të autorit/organizatave zbatuese dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit).