Me gjithë tronditjet ekonomike që janë duke ndodhur në të gjithë botën, ne sillemi thuajse jetojmë në njëfarë flluske, disi të izoluar dhe në lëvizje të lirë të nxitur nga inercia, pa ndonjë siklet të madh për asgjë
Kur ndalem e mendoj, me gjithë tronditjet ekonomike që janë duke ndodhur në të gjithë botën, ne sillemi thuajse jetojmë një njëfarë flluske, disi të izoluar dhe në lëvizje të lirë të nxitur nga inercia, pa ndonjë siklet të madh për asgjë.
Në këtë vend, me gjasë askujt nuk i bëhet vonë për asgjë, pos dikujt, dikujt që në muajt e fundit të mandatit komunal, ngutet të shpallë tenderë, duke mos çarë kokë ama bash për asnjë procedurë juridike. Por, kur e “fiqiron”, e përse të mos veprojnë ashtu. Pse, a mos ka ndonjë prokuror që do t’i ndjekë, a?
Njëzetegjashtë vjet lirie, e ne ende të ngufatur nga bërlloku, ndotja, ndërtimet pa kontroll, treg të vogël punësimi, ngecje kryesisht në gjithçka, pos në një gjë: ekspertizën e analizës së gjithçkaje kurdo dhe kudo.
* * *
Kryetari amerikan vendosi t’i shpallë luftë komerciale gjithë botës. Secilit vend që i është kujtuar, përfshirë edhe ishullin e banuar me pinguinë, ia imponoi tarifën prej minimum 10% për mallin që Amerika e importon prej tyre.
Edhe Kosova u përfshi në këtë listë. Dhe, pardje e kuptuam edhe befasinë: prej vitesh, Kosova i paskësh imponuar Amerikës një tarifë prej 10% për mallin që kishim importuar prej atje (sic!). Nuk e di se çfarë importojmë prej atje, porse kjo tarifë e jona duket të mos ketë fort logjikë.
Shumë logjikë ka pasur tarifa që iu pat imponuar Serbisë dy herë – por e cila ishte kundërshtuar fuqishëm nga përfaqësuesit e atëhershëm amerikanë në Kosovë. Është fakt, gjithashtu, se ata përfaqësues kanë qenë të epokës Biden, me siguri me qasje tjetër ndaj tregtisë botërore.
Por, në një situatë hipotetike, do të ishte shumë interesante po qe se Kosova do të niste të importonte më shumë nga Amerika e kështu ta përmbyste bilancin tregtar me Serbinë, për shembull. Me një të rame dy të vrame – se nuk e kemi ne syrin e dikujt që do të donte të niste prodhimin e artikujve bazikë, që vazhdojmë t’i importojmë.
Më parë i hamë specat e Greqisë e Turqisë, sesa nisim t’i prodhojmë specat tona edhe në kohë dimri. Me gjithë avancimin e teknologjisë së prodhimit, ne ende, edhe hudhrat i importojmë. Hiç më larg se nga Kina.
* * *
Pas analizës së tarifave të rrymës edhe tarifat amerikane e shpërfaqën edhe një herë, raportin e plasaritur mes kryetares Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti.
Te çështja e tarifave të rrymës, është hera e dytë që nga zyra e kryetares dalin propozime nëse duhet apo nuk duhet rritur tarifat, edhe pse kjo nuk është kompetencë e kësaj zyre. Osmani ka mundur të dalë e ta shprehë mendimin si qytetare, dhe aty nuk kishte pasur asnjë vërejtje, se fundja të gjithë do të digjemi me tarifat e reja të rrymës, e ne që kemi ngrohje qendrore, edhe me të “Termokosit”.
Te çështja e tarifave të importit, dhe nga reagimi i ministrit Murati, e kuptuam se ajo i ishte drejtuar me shkrim Qeverisë, duke kërkuar që tarifa ndaj Amerikës të hiqej. Por, tre minuta më vonë e kishte postuar një status në “X”, në anglishte, në të cilën shkruante “Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që ta suspendojë tarifën...”.
Dhe bëri gabim. Në këtë rast të dyfishtë.
I pari, është se ajo nuk mund t’i kërkojë qeverisë të heqë tarifa, sepse kjo nuk është prerogativë e saj. Ajo do të mund të sugjeronte a të propozonte një gjë të tillë, dhe këtë ta bënte qetazi, pa pompozitet, pa statuse në rrjete sociale. Pa nevojë për protagonizëm.
Reagimi i ministrit të Financave ia vuri vulën plasaritjes së raporteve. Përgjigjja doli në rrjete sociale, sikur të bëhej fjalë për këmbimin mes dy institucioneve që nuk njihen mes vete. Doli me një formulim ironik pasuar nga konstatimi se kjo çështje nuk është kompetencë e saj.
Në fund, u nxitën reagimet gjithandej dhe e tëra atë ditë, përfundoi me një shije shumë të hidhur. Kur komunikimi mes institucionesh bie në nivelin e rrjeteve sociale, veç e vërteton se jemi shtet hajgare, dhe se edhe për këtë punë, shumica nuk na marrin seriozisht.
* * *
Raporti i përshkruar më lart është gjithashtu njëfarë indikatori se gjasat që Osmani të rizgjidhet në postin që e mban tash duken të jenë minimale. Në këtë konstelacion, do t’i duheshin 80 deputetë prezentë në sallë prej të cilëve 61 do ta votonin, por nëse acarimi me Qeverinë nuk zbutet, pa deputetët e VV-së kuorumi është zor i arritshëm.
Kjo edhe në rastin e përkrahjes nga partitë opozitare, përfshirë edhe LDK-në, që është duke e kaluar një krizë të brendshme, që mund të mbarojë me krijimin e një fraksioni... që në rastin e LDK-së, nuk do të ishte hera e parë në histori.
Nëse ende mbaj mend mirë, nga LDK-ja dolën: LBD-ja, LDK-ja e re, LDD-ja, Lista Rugova, ADK-ja edhe mbase ndonjë që më ka ikur nga mendja.
Pra, edhe po të formohej fraksioni i ri, udhëhequr nga “garda e vjetër” së cilës i është bashkuar edhe ish-kryeministri Hoti, gjasat janë se me këtë rast partia “do të pastrohej” nga ata që për shkak të trashëgimisë më të gjatë në parti, janë pengesë për Abdixhikun për ta konsoliduar pushtetin brenda saj.
Do të kujtojmë para disa javësh, u mbajt një mbledhje maratonike në LDK. Dhe duket se në atë mbledhje u diskutua për temën e cila shpërtheu javën e shkuar, përmes rrjedhjes së komunikimeve në Whatsapp e Viber të anëtarëve kryesisë, po besoj, në lidhje me votat tejet të dyshimta që kanë ardhur nga diaspora.
Këto vota i bënë deputetë dy persona jo fort të njohur në opinion dhe i lanë në listë të pritjes, madje edhe shefin e grupit parlamentar në legjislacionin e kaluar.
Sipas këtij komunikimi, doli që edhe ata vetë ishin të vetëdijshëm se votat ishin kurdisur dhe se kjo paraqiste problem për legjitimitetin e rezultateve dhe për kredibilitetin e partisë.
Në mesin e atyre këmbimeve ishte edhe një ndërmjet Hotit dhe Abdixhikut, ku ky i fundit, mes tjerash, shprehte brengën se përse nuk ishin mbledhur 40 mijë votat e premtuara nga diaspora. Premtimet vijnë e shkojnë... fundja janë fjalë goje... pos nëse ai premtim lidhet me ndonjë përfitim.
Mbas zhurmës së madhe, Abdixhiku doli për ta “qetësuar” situatën me një status në FB. “Spini” i tij qe patetik me përpjekjen që LDK-ja të paraqitej viktimë e sulmeve prej të gjithëve.
VV-ja po e akuzonte LDK-në se votimi në diasporë kishte qenë një skemë mashtrimi; partitë e tjera nuk u bënë gjallë, e publiku foli tri ditë dhe e harroi punën, se edhe ashtu, situata nuk mund të kthehet mbrapa.
Në fund doli se sulmet e vetme që po i pësonte, po vinin prej brenda. Që tregon se LDK-ja është në krizë dhe ka nevojë për konsolidim të shpejtë nëse do që të garojë me më pak telashe në zgjedhjet komunale.
* * *
LDK-ja është në krizë, e ne të tjerët jemi të rrezikuar nga një krizë ekonomike që do të na e shkaktojë inflacioni, nëse rritet çmimi i rrymës. Ndërkohë, edhe tarifat e Trumpit do të mund të reflektoheshin edhe te ne.
E mira e së mirës do të ishte që shtetet perëndimore, të cilëve u vështirësohet qasja në tregun amerikan, të eksportonin te ne me marzha sa më të vogla fitimi.
Neve edhe ashtu krejt paratë po na shkojnë jashtë – po bile të blejmë mall më të lirë e të mos digjemi krejt, se do të jetë shumë zor të mbahet ritmi, në kushtet kur sektori privat zor se mund t’i rrisë rrogat.
Më 15 prill do të mbahet mbledhja konstitutive e Kuvendit. Uroj për formimin e një qeverie sa më shpejt – që do të ketë njerëz të dijshëm e efikas në sektorin e ekonomisë dhe financave. Dikë që e kupton se buxheti i Kosovës nuk duhet të copëtohet në mijëra copëza të pamjaftueshme për askënd, madje as për qëllime zgjedhore.