OpEd

Për të mbijetuarit e dhunës seksuale lufta nuk mbaron kur heshtin armët

(14 Prill - Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale në Kosovë)

Kujtimet janë ende të freskëta për gruan që e takova në një ditë të zymtë shkurti të vitit 1999, në një kamp refugjatësh në Kukës. Ajo qëndronte e mpirë nga dhimbja, me dy fëmijët e saj të ngjeshur pas trupit. Sytë e saj ishin bosh, pa jetë dhe e paaftë të fliste për atë që kishte përjetuar.

Unë, thjesht u mpiva nga dhimbja e saj. Si mund të qëndroja indiferente përballë një dhimbjeje që ndihej si flakë e gjallë në zemrën e saj?

Mes atij trishtimi të thellë, si një mjeke e re, e sapodiplomuar në Tiranë, e kuptova se duhej ta mblidhja veten. Për të, për fëmijët e saj. Dhe për të gjitha viktimat e tjera që atëherë nuk i njihja ende, por që më vonë do të bëheshin qëllimi i jetës sime. Përqafimi ishte mënyra për t'i treguar që nuk ishte vetëm dhe, dhimbja e Saj, nuk ishte më vetëm e saj … Ajo nuk ishte vetëm me dhimbjen e saj. Ishte hapi i parë drejt shërimit.

E kapluar prej atij trishtimi që rëndonte ajrin ne mes mijëra klithmave e rënkimeve që i dëgjoja, si një mjeke e re nga Kosova, përballë asaj dhimbjeje që s’kishte nevojë për fjalë,  e kuptova se duhej të mblidhja copëzat e vetes sime. Përqafimi që i dhashë asaj gruaje të heshtur nuk ishte vetëm një gjest empatie por ishte një premtim i heshtur se ajo nuk ishte dhe nuk do të mbetej vetëm. Ishte hapi i parë i përbashkët drejt shërimit, një rrugë që do ta ecnim së bashku – me zemrën, kujtesën dhe forcën që lind nga solidariteti.

Ajo grua, mbijetuesja e parë e dhunës seksuale që njoha, diktoi rrugëtimin tim. Në sytë e saj të tronditur, në një prani të mpirë nga dhimbja dhe frika, ndjeva një heshtje që klithte për ndihmë. Trupi i saj nisi të dridhej pas një përqafimi të ngrohtë. Zemra e saj e thyer po përpiqej të rrihte sërish. Ajo dridhje nuk ishte vetëm shenjë traume, por edhe fillimi i një komunikimi të heshtur mes nesh.

Ajo, dhe shumë gra e burra të tjerë që do të dëgjoja më vonë, u bënë arsyeja pse vendosa t’i përkushtohem kësaj kauze. Ishte më shumë se një rrugë profesionale ishte po ashtu një thirrje e zemrës dhe e mendjes sime. Një betim i pashkruar për t’u qëndruar pranë të mbijetuarve të dhunës seksuale, për t’u ndihmuar në rikthimin e dinjitetit që lufta ua kishte mohuar.

Ky mision nuk ishte vetëm i imi. Ai u ndërtua mbi përkushtimin e shumë bashkëpunëtorëve, që me zemër, dije dhe dashuri, ndërtuan një ambient të sigurt, profesional, inkluziv dhe bashkëpunues në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, menjëherë pas luftës. Aty, çdo mur mbante rrëfime lufte por edhe frymën e shpresës. U përpoqëm dhe vazhdojmë përkushtimisht të krijojmë një strehë shprese për të gjitha ato gra dhe burra, por edhe fëmijë, që kishin dhe kanë ende nevojë për rehabilitim nga plaga e dhunimit dhe torturat e tjera të luftës.

Dhimbja e tyre, përveç që trajtohet me shumë ndjeshmëri, sot është kthyer në zë të fuqishëm. Është një zë që nuk kërkon më mëshirë, por drejtësi. Një zë që na fton të mos heshtim, por të veprojmë me profesionalizëm dhe ndërgjegje për t’u përballur me të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme me më shumë dhembshuri e dinjitet për të gjithë.

Rruga e gjatë drejt njohjes dhe drejtësisë               

Lufta nuk mbaroi kur heshtën armët. Për të mbijetuarit e dhunës seksuale, vuajtjet vazhduan në heshtje dhe izolim. Për vite me radhë, ne luftuam për të sfiduar stigmën e rrënjosur që i mbante në një izolim të mëtejmë të mbijetuarit. Institucionet publike por edhe ato ndërkombëtare në atë kohë, të hezituara për të njohur të mbijetuarit, i lanë nën hije. Ama, ne refuzuam të pranonim heshtjen. Përmes QKRMT-së, nisëm fushata ndërgjegjësimi, mobilizuam të gjitha komunitetet dhe kërkuam njohjen ligjore të të mbijetuarve.

Në vitin 2014, pas një avokimi të gjatë dhe të mundimshëm duke mobilizuar të gjitha shtresat shoqërore nga aktivistë, organizata të grave, artistë dhe media, përfundimisht Kosova njohu ligjërisht të mbijetuarit e dhunës seksuale si viktima civile të luftës, duke u dhënë të drejtën e një pensioni personal. Ky ishte një moment historik për drejtësinë sociale dhe një hap i rëndësishëm drejt pranimit publik të dhimbjes së tyre.

Megjithatë, përballjet me këtë kategori tejet të ndjeshme të popullatës sonë, vazhduan. Pavarësisht kornizës ligjore, shumë të mbijetuar përballen ende me ritraumatizëm dhe një kulturë turpi që i hesht edhe më tutje.

Shembulli i atyre që thyen heshtjen u dha kurajë dhe shpresë qindra të tjerëve që ende jetojnë me këtë plagë të thellë që ua la lufta, duke na treguar se një zë i shtypur nga stigma dhe turpi mund të kthehet në forcë për ta ndryshuar shoqërinë.

Shpresa për të gjithë – edhe për burra 

Gjashtë vjet më parë, më 14 prill 2019, së bashku me Vasfijen, familjen e saj dhe aktivistë të shumtë, u bashkuam në Babimost — në vendin e dhimbjes dhe tmerrit të përjetuar mbi trupin e njomë të Saj. Pikërisht nga ky vend, për herë të parë, bëmë thirrje që 14 prilli të njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Pas avokimit të vazhdueshëm, në vitin 2023, kjo ditë është njohur zyrtarisht si Ditë përkujtimore dhe njohje e vuajtjeve për të gjitha gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Zëri i Vasfijes, i kthyer në një thirrje për drejtësi, i dha zë plagës së dhunimit dhe u kthye në një simbol të rezistencës dhe dinjitetit njerëzor.

Gjatë këtyre viteve, një e vërtetë tjetër doli në shesh: edhe burrat ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Në një shoqëri që glorifikon burrërinë, ata shpesh mbeten të padukshëm dhe të heshtur nga stigma. Kjo plagë bëhet edhe më e thellë kur krimi ndodh në praninë e familjarëve. Është një plagë që nuk shërohet lehtë, një dhimbje që mbetet e mbyllur brenda mureve të heshtjes. Por edhe këta burra kanë nevojë të dëgjohen, të pranohen dhe të trajtohen.

Kjo ditë, 14 Prilli, që e shënojmë për kujtesën e mijëra grave dhe burrave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, është gjithashtu një thirrje për të njohur zërat e tyre. "Nga Heshtja në Guxim – I mbijetuari flet" është një hap i guximshëm për të thyer tabutë dhe për të treguar se dhuna nuk ka gjini.

Për herë të parë,  këtë vit QKRMT do të sjellë për publikun e gjerë një histori të një burri të mbijetuar, pikërisht në të njëjtin ambient ku për herë të parë zëri trishtues, por i fuqishëm i Vasfijes kumboi. Ky veprim përcjell porosinë se të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk janë ata që duhet fajësuar – ata janë dëshmitarë të së vërtetës, që kërkojnë drejtësi.

Ky moment do të plotësojë mozaikun e historive të trishta të dëgjuara më parë, nga një fëmijë 16-vjeçar siç ishte Vasfija, te Shyhretja që për herë të parë kërkoi publikisht drejtësi, për dhunimin që kishte përjetuar në prani të vajzave të saj dy dhe katër vjeç – një dhimbje që merr formën e një traume familjare. Ndikimi i saj i thellë pasqyrohet te Venesa, vajza e saj, e cila shpalosi rrugëtimin e saj të vështirë në 25-vjetorin e QKRMT-së, duke bërë thirrje për të mos heshtur: "Fëmijëve të prindërve që iu kanë mbijetuar krimeve të luftës dua t’iu them: jam me ju, në heshtjen tuaj, në mërzinë tuaj dhe në konfuzionin tuaj”.

Sot, duke e shënuar këtë ditë, po kompletojmë mozaikun e zërave të padëgjuar ndër vite. Zërave që kërkojnë njohje, drejtësi dhe shërim.

Kjo është një ditë kujtese, por edhe një thirrje për veprim – për të mos lejuar që historia të harrojë dhe për të siguruar që e vërteta të triumfojë.

Zëri i të mbijetuarve nuk shuhet por vlerësohet 

Nominimi im dhe i QKRMT-së për Çmimin Nobel për Paqe nuk është një arritje personale, por një njohje e betejës për drejtësi dhe dinjitet të të mbijetuarve. Ky nominim është një simbol shprese për të gjitha gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunën seksuale, një dëshmi se zëri i tyre nuk mund të shuhet. Dita e sotme është një thirrje për të mos heshtur, për të mbështetur dhe për të luftuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Lufta nuk mbaron kur heshtin armët - ajo vazhdon derisa të gjithë të mbijetuarit të ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të fuqizuar e të barabartë brenda shoqërisë që i përkasin.