OpEd

Për një vit normal

Për një vit pa zhurma koti, luftë, neglizhenca a dallavere. Për punë të mira e ngritje të mirëqenies. Për një vit në të cilin gjithçka do të jetë thjesht normale

Shoqëruar nga pija, një takim nëntori me shokë të jetës pas një kohe të gjatë, më futi në mendime të thella. Fjalët e ndiera që tregojnë dëshpërimin, më bënë të flisja me veten. Studentë të shkëlqyeshëm e tash mjekë, që të ardhmen do ta zhvillojnë larg. Jo se deshën vetë, por se Kosova i ka fajet. “A jemi vend normal?”, lindi pyetja pas zhgënjimeve të dëgjuara panumër, e kur shpresa u zbeh skajshmërisht.

I kotë del të jetë mundi kur në vendin e merituar të punës hyn dikush me të njohshëm a dikush që ka pushtet. Edhe më shumë gërmon e keqja kur çdo ditë që kalon, pasiguria për të ardhmen rritet. Nga pesë sa ishim, shumë shpejt me gjasë në Kosovë do të ngelim dy. Dy me mjekësi do të vazhdojnë jetën atje ku vlerësohen si duhet, e i treti në kërkim të së ardhmes do t’i ndjekë studimet në Evropë. Nga biseda e kupton thyerjen shpirtërore, që pavarësisht përpjekjeve a suksesit në studime, pa mendjen për të ikur, detyrohen që në Kosovë tash të vijnë si mysafirë për t’i vizituar të afërmit. “Hajt se ma mirë që jeni atje”, përmbyllet diskutimi për t’i dhënë fundin e hidhur bisedës çmallëse. Për fund, ai që la Kosovën për jetë më të mirë, nxjerr më shumë të holla për t’i lënë në tavolinë. Jo se ndihet që ka më shumë, por e di në lëkurë se si ishte kur jetonte në vendin, nga i cili u detyra të ikte.

Ndërsa Kosova humb të rinj gjithnjë e më shumë, shteti tashmë është bërë imun ndaj të këqijave. Për 80 ditë vendi qe pa ministër të Shëndetësisë. Në një kohë kur asgjë s’funksionon e kuptohet se miliona euro u keqpërdorën në emër të të sëmurëve rëndë që kërkojnë trajtim jashtë vendi, premtimi për “kthim të trurit” del se qe mashtrim. U kërkua “durim” për emrin e ri të ministrit, thua se ai do ta nxjerrë shëndetësinë nga fundi i pusit. Neglizhenca e tillë s’mund t’ua bartë 100 për qind barrën ish-pushteteve për dështim, për të mos thënë që është e barabartë. Kosova s’ka dështuar vetëm në shëndetësi. E vërtetë që drejtësi të mirëfilltë s’ka pasur ndër vite, por në kohën kur çdo krim i rëndë heshtet për pak ditë e kur fajtorët s’marrin ndëshkim, Kosovës s’i ngutet të bëjë kryeprokuror të Shtetit. Tensionet në veri po shtohen ditë pas dite, e policët që rrezikojnë jetën, edhe 24 vjet pas lufte, vazhdojnë të jenë pa sigurime shëndetësore. Kur lufta në Ukrainë shkaktoi ngritjen e çmimeve gjithandej, veprimet e ngadalshme dhe të pabarabarta të Qeverisë vështirësuan jetën përtej imagjinatës.

E gjithë bota është prekur e po vuan, por kur në një vend nis të varfërohet shtresa e mesme, çfarë të thuhet për ata që veçse ishin buzë greminës. Bizneset alarmojnë për telashe financiare. Nëpër sektorë të ndryshëm ka zëra edhe për mungesë punëtorësh. Flluska e telasheve gati të shpërthejë, por shtetit s’i bëhet vonë. Në vitin e ri, hyn duke mos menduar për të ardhmen. Inauguron parqe lodrash nëpër fshatra ose tabela të emrave të rrugicave në komuna. Të mos e harroj: zgjat edhe sheshe se gjithçka tjetër është në vijë! Madje edhe ndalja e rrymës nëpër qendra të mjekësisë familjare me plot pacientë, s’i lë kujt përshtypje. Krejt këto duken normale në një vend jonormal.

Mijëra të rinj po gjejnë hapësira në vende të tjera. Jo se atje marrin punëtorë të dobët, por se Kosova s’i vlerëson. Kanë marrë shumë në ndërtimtari, e tash mjekët e inxhinierët. Së shpejti edhe drejtime të tjera. Këta të rinj kanë dalë nga këto shkolla, mësimdhënësit e të cilave nuk vlerësohen sa duhet, edhe pse s’do diskutim që ka të meta të shumta në punën e tyre. Për “100 euro shtesë” që i kërkuan për të çuar muajin deri në fund, u shanë e u përbuzën. Pas linçimit, në fund shteti u tërhoq e ua përmbushi gjysmën e kërkesës. Me gjithë ngecjet që kanë edhe mësimdhënësit, për dështimin e arsimit fajtor është shteti. Dallavere ka që nga regjistrimi i fëmijëve nëpër çerdhe e deri te ngritja akademike e profesorëve. Qe 24 vjet është në “reformë” që sillet në të njëjtin rreth. Është sistemi që prodhon mjekë të cilëve s’ua gjen vendin e punës. Ka disproporcion të hatashëm të profileve që dalin në treg me kërkesat e tregut. Tash kur prodhoi mjekë të cilët ua fali të tjerëve, Kosova ka nisur të përballet me pasoja, e do të vuajë nga mungesa e tyre.

24 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova ngec aty ku dhemb më së shumti. Koha ecën e përmirësim s’ka. Sado që të jenë, për dikë më shumë e për dikë më pak në numër, lëvizjet pozitive të deritashme do të mbahen në mend gjatë. Negativet s’do të harrohen kurrë. Hapi i fundit për t’i dhënë kahe tjetër të ardhmes po troket. Izolimit të pakuptimtë po i afrohet fundi, nëse Evropa nuk mashtron sërish. Lëvizje do të ketë e rreziku do të rritet. Nëse shumë shpejt ngasja nuk e merr drejtimin e duhur, kabina pas timonit do të zbrazet tërësisht. Më vështirë do të bëhet kur të rinjtë shohin se megjithatë, diku tjetër do të vlerësohen si duhet e se po ekzistuaka një jetë normale. Të zgjedhurit duhet të bëjnë zgjidhje. Për këtë edhe janë zgjedhur. Kosova e meriton të jetë vend pa tensione e ku secili, të paktën ata që mbesin, të jetë i barabartë me tjetrin në realitet, jo vetëm në letër.

Për një vit pa zhurma koti, luftë, neglizhenca a dallavere. Për punë të mira e ngritje të mirëqenies. Për një vit në të cilin gjithçka do të jetë thjesht normale. Që secili të ketë jetë normale në vendin e tij normal – Gëzuar!