OpEd

Për një vit më normal

Javën tjetër hyjmë në fushatë zgjedhore zyrtarisht. Dhe zyrtarisht do të hyjmë në etapën e përrallave, ëndrrave, renderëve, premtimeve për Kosovën zvicerane a suedeze, për reformat këtu e aty, sikurse na ndodh në çdo cikël zgjedhjesh. Një muaj euforie, mbushur me fjalë, akuza e kundërakuza, poezi e ligjërata, ndërkohë që gjërat në terren do të mbesin këto që janë. Derisa politikanët do t’i ndjekin votat, e përkrahësit e tyre do t’ua formojnë karvanët, do të ketë të tillë që nuk do ta ndalin punën. Dikush duhet të punojë në këtë shtet

Mbas shumë, shumë vjetësh më bëri vaki që viti i ri të vinte derisa isha në gjumë të thellë, të cilin besoni ose jo, nuk mundën ta prishnin bataretë e fishekzjarrëve dhe petardëve që kishin plasur atë natë në Prishtinë.

Më treguan se ulërima dhe baroti ishin përhapur nëpër qytet deri nga ora 01:00 pas mesnate, e mbase edhe më vonë. Për mua qe njësoj – nuk i dëgjova. Mbase tashmë ia kam dalë ta trajnoj trurin e që ky ta krijojë njëfarë mbrojtjeje nga ndotja akustike e përmasave alarmante në qytet.

Përfundimisht, ky gjumë është pasojë e një viti tepër të komplikuar, të cilin e mbyllëm me shpresën (çfarë do të ishte nga ne po të mos ishte shpresa?) se 2025-a do të ishte më ndryshe, se do të ishte vit më i mbarë. Më normal.

* * *

E që të mos niste me ndonjë freski u përkujdes VV-ja me një shfaqje kuazipatriotike në KQZ, me punën e certifikimit të Lista Srpskas. Vendimit për moscertifikim i mungoi konsensusi në KQZ. Partia serbe parashtroi ankesë në PZAP, e ky trup e hodhi poshtë vendimin dhe e detyroi KQZ-në që ta certifikonte këtë subjekt. Në të njëjtën kohë, edhe Gjykata Supreme e hodhi poshtë ankesën e VV-së ndaj vendimit të PZAP-së.

Kryetari i KQZ-së, gjykatës i Apelit përndryshe, e interpretoi vendimin si detyrim pa pasur nevojë që të votohej dhe Lista... u certifikua. Reaguan dy anëtarët e VV-së në KQZ, dhe njëri nga ta, Krasniqi, tha: “Certifikimi bëhet me votim, me votim shkruan. Nëse PZAP-ja paska ardhur të na zëvendësojë ne këtu ose Supremja, në këtë rast, por PZAP-ja se Supremja s’është marrë me lëndën, atëherë ky është cenim pikërisht i pavarësisë së institucionit”. Kurse anëtari tjetër, Kurteshi, deklaroi se vendimet e dy trupave janë të mangëta se nuk e kanë marrë parasysh Kodin e sjelljes.

Problemi për Krasniqin dhe Kurteshin është se edhe gjykatat janë të pavarura dhe, çështje kyç, kanë fuqi mbi KQZ-në. Dhe, nëse aq nuk kanë pasur besim në PZAP dhe në Gjykatën Supreme, pse janë ankuar, pra?

* * *

Çështja e Lista Srpskas në KQZ u ngrit jo për kot, por me paramendimin shumë të qartë për ta shfrytëzuar edhe trupin vendimmarrës për zgjedhje për t’u çuar porosi votuesve për atë se kush janë patriotët e kush tradhtarët të cilën duhet a nuk duhet dhënë votën.

Në formë procedure mbase edhe ka mundur të ngrihet çështja e këtij subjekti politik, porse moscertifikimi pa u plotësuar forma e votimit, me automatizëm ishte nisur drejt dështimit.

Veprimi kundër kësaj Liste..., që në udhëheqje ka pasur një terrorist që e ka pranuar autorësinë e sulmit në Banjskë është dashur të ndërmerrej në gjykatë, menjëherë pas sulmit.

Ka pasur mbi 15 muaj kohë që çështja e ndalimit eventual të veprimit të kësaj partie të zgjidhej nëpërmjet gjykatës – me argumentin se mbase kjo parti ka qenë burimi i idesë për sulmin në Banjskë; se atë e ka udhëhequr një kriminel i deklaruar dhe se ajo synon cenimin e sovranitetit shtetëror e territorial të Kosovës që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Por ky veprim, pra kjo kërkesë, padi, a sido që të doni ta quanit, ka munguar.

Për pasojë, Lista... është përkujdesur që t’i plotësonte kushtet formale për certifikim, pavarësisht se çfarë është bindja e thellë politike e pjesëtarëve të saj. Cirku që pasoi me moscertifikim, sa kot, nxiti reagimin ndërkombëtar dhe e nxiti edhe më shumë akuzat e ndërsjella politike mes anëtarësh të partive të përfaqësuara në KQZ.

* * *

E cirku në KQZ ndodhi njëkohësisht në kohën kur kryeministri Kurti po ftohej sërish që të dëshmonte si dëshmitar në Prokurori.

Dhe për kushedi të satën herë, Kurti do të refuzonte me arsyetimin se më parë ka pasur kryeministra a zyrtarë që janë marrë në pyetje në zyrë dhe se i ftonte prokurorët që të vinin në zyrë te ai: “Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”.

Refuzimi i Kurtit që të shkojë në prokurori për të dhënë deklaratë si dëshmitar është shkelje e ligjit, që do të mund të nënkuptonte se, teknikisht, policia do të mund të vinte ta merrte në shtëpi ose në zyrë për ta çuar të deklarojë.

Pra, hipotetikisht, kjo që do të mund të ndodhte do të ishte shumë më e shëmtuar sesa parafytyrimi i Kurtit për skenarin e pretenduar të kryeprokurorit në detyrë: se do të dilnin gazetarët ta përcillnin sesi hyn në prokurori, dhe më pas të dilte lajmi: ja, kryeministri merret në pyetje për korrupsion.

Shumë më zi do të ishte të dilte fotoja e kryeministrit në përcjellje të policëve të uniformuar tek e përcjellin në prokurori për të dhënë deklaratë, për shkak se ka refuzuar ta respektojë ligjin sikurse secili qytetar tjetër i Kosovës.

Nuk është për t’u çuditur, porse edhe kjo është deklaratë e papranueshme, sidomos meqë vjen nga ministrja e Drejtësisë, po parafrazoj: “se edhe të tjerët janë intervistuar në zyrë, e pse mos të intervistohet edhe Kurti”.

Pikërisht se përse të tjerët qenkan intervistuar, Kurti do të duhej të vepronte ndryshe, pra ta respektonte ligjin, meqë erdhi në pushtet duke i kritikuar të tjerët pikërisht për shkelje të tij. Me kryeneçësinë arrogante që e shpërfaqi javën e shkuar (unë guxoj, të shohim a guxojnë ata) na e kujtoi Kurtin e ditëve të rinisë, revolucionari në tentativë. Por problemi është se tash nuk është student, por kryeministër që ka marrë përgjegjësinë për gjithë shtetin. E shteti pa drejtësi o bëhet anarki, o bëhet autokraci, apo edhe diktaturë.

E asnjëri variant, pos demokracisë së fuqishme me sistem funksional të drejtësisë, nuk na duhet. Që të gjitha i kemi jetuar, kush më shumë, e kush më pak.

* * *

Nga fillimi i muajit të shkuar, Augustini raportonte nga Brukseli për shqetësimin e disa shteteve të BE-së për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Kosova në Evropë. Për nëntë muaj që nga liberalizimi i vizave, 3905 kosovarë kishin aplikuar për azil, që paraqiste rritje prej 108% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak

Objektivisht, nuk do të mund të thuhej se Kosova është vend ku ka përndjekje politike të oponentëve politikë e që do të shërbente si bazë e mirë për azil politik në cilindo vend në botë. Por fakti se ka njerëz që aplikojnë për azil për, e besoj, shkaqe ekonomike, tregon për problemin që Kosova ka qëkur është çliruar.

Ndërkohë, ka shumë të rinj që refuzojnë të punojnë në Kosovë për shkak të rrogave të vogla dhe kërkojnë të shkojnë jashtë e të marrin paga më të mëdha, pa e kuptuar se punësimi legal jashtë nënkupton edhe obligime tatimore që mund ta kapin gjysmën e asaj që fitohet.

Sido që të jetë, dje KTV-ja kërkoi deklaratë nga qeveria në lidhje me këtë trend si dhe me kërkesën e BE-së që të organizohet një fushatë vetëdijesimi për publikun, ku shpjegohet se çfarë në fakt nënkupton liberalizimi dhe se nëse ndodhin shkelje të vazhdueshme, ky vendim edhe mund të tërhiqet.

Dhe nëse ndonjëherë vendoset që dikujt t’i tërhiqet vendimi për udhëtim pa viza, Kosova do të ishte, e besoj e para, që të dënohej në këtë formë. Pse jo? Do të shërbente si eksperiment i mirë për të tjerët. Nuk do të ishte hera e parë.

Nejse, në emër të kabinetit qeveritar u deklarua këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadriu. E ai deklaroi: “Ky është një trend që e kemi parë të përsëritet edhe në shtetet e rajonit që në momentin e marrjes së vendimit të liberalizimit të vizave madje ka pasur shtete fqinje që i kanë pasur shifrat edhe më alarmante se këto tonat. Për shembull... Serbia ka pasur rritje të azilkërkuesve nga 6-7 mijë në 15 mijë...”.

Injorimi i problemit duke u munduar ta amortizojë me shifra statistikore të fqinjëve (e pse do të duheshim të brengoseshim ne për Serbinë, për shembull?) është shprehje e paaftësisë për t’u ballafaquar me problemin. Mbase këshilltarit do të duhej kujtuar se Serbia ka katërfish më shumë popullatë se Kosova dhe se numri i azilkërkuesve serbë paraqet 0,22% të popullsisë së saj, kurse në rastin e Kosovës ky numër paraqet 0,25% të popullsisë.

Po, e kuptueshme, është kohë zgjedhjesh se askush nuk do të dalë në Qeveri që haptazi të pranojë se e kemi edhe një në vargun e shumë problemeve. Por fakti se çështja relativizohet dhe injorohet, nuk do të thotë se problemi do të zhduket. Sepse Kosova nuk ka magjistarë që me një shkop do ta zhdukin edhe këtë problem.

* * *

Javën tjetër hyjmë në fushatë zgjedhore zyrtarisht. Dhe zyrtarisht do të hyjmë në etapën e përrallave, ëndrrave, renderëve, premtimeve për Kosovën zvicerane a suedeze, për reformat këtu e aty, sikurse na ndodh çdo cikël zgjedhjesh. Një muaj euforie, mbushur me fjalë, akuza e kundërakuza, poezi e ligjërata, ndërkohë që gjërat në terren do të mbesin këto që janë.

Derisa politikanët do t’i ndjekin votat, e përkrahësit e tyre do t’ua formojnë karvanët, do të ketë të tillë që nuk do ta ndalin punën. Dikush duhet të punojë në këtë shtet.  

[email protected]