Shkatërrimi i habitateve dhe kushtet e jetesës që nuk varen nga pasuria
Derisa po lexoja ligjet, raportet, dokumentet, përgjigjet e shumta që Nora i ka mbledhur për shkrimin e saj gjithëpërfshirës për temën e javës në “Koha Ditore”, që titullohet “Në rrezik nga njeriu”, m’u kujtua një informatë nga shkrimi i para afro katër vjetësh “Mos rri poshtë” i edicionit të atëhershëm të së dielës. Edhe kjo e diel, edhe ajo e qershorit të 2016-s (edhe disa të tjera në mes) i janë kushtuar një teme hiç të nxehtë.
Nuk ka të bëjë me koalicionin, as me presidentin, as me LVV e LDK e të tjerat. Nuk ka të bëjë as me korrupsionin, as me animin apo “linçimin” e prokurorëve e të gjykatësve. Analistët politikë zor se do të mund të gjendeshin. Nuk lidhet as me varfërinë, papunësinë, arsimin e kompromentuar e shëndetësinë e sëmurë.
Nga këndvështrimi vetjak human... nejse, të cilin në këtë rast udhëheqësit institucionalë e qytetarët nuk e kanë ende aq të qartë, tema lidhet me kushtet e jetesës që nuk varen nga pasuria.
***
Ndodh shpesh që Nora të merret me temat për të cilat pak është raportuar. Që nuk ka shumë sfond e as interesim. Por që, si në këtë rast, rëndësia është e madhe, sa e tejkalon preokupimin e masës. Vëmendja e masës natyrisht kanalizohet nëpër çështjet madhore të kryesisht njerëzve të vegjël të profilit të lartë. Është zor që të dilet nga aty. Sepse përditshmëria jonë varet shumë nga ta, por edhe se ata duan ashtu. E duan rolin kryesor. Ky rol në këtë edicion të së dielës u takon kafshëve. Jo viçave, qengjave, pulave... pa të cilët nuk mund të rritet barku ndër kravatë.
Të kthehemi tash të informata nga shkrimi i 2016-s. Ky është paragrafi i plotë: “Parku Nacional i Trigllavit, siç quhet, është krijuar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë, por Sllovenia pas ndarjes e ka zgjeruar atë akoma dhe ka vendosur kritere më të ashpra të mbrojtjes. Ka siguruar hapjen e shtigjeve, dhe promovimin e tyre - secilin për veçantitë e veta. E rregullat e mbrojtjes shkojnë deri aty sa vizitorët, për shembull, që marrin qen me vete obligohen t’i mbajnë të lidhur gjatë tërë kohës, apo që bisedat me zë të lartë ndalohen për të mos ia prishur qetësinë faunës, që vlerësohet se përfshin rreth 3000 kafshë, më karakteristiku i të cilave është cjapi brigjatë”.
E në mesin e të dhënave që ka mbledhur Nora sot është kjo deklaratë: “Qeni e largon dhe e zhvendos shtazën e egër dhe në këtë mënyrë gjuetari e vret shumë lehtë. Nuk mund të japim shifra se sa është numri, sepse nuk e kemi, por ne mund të themi që realiteti është që çdo vit numri i shtazëve është në rënie drastike, duke iu falënderuar faktorit njeri. Nëse në një vend kanë qenë 18 dhi të egra para 4 vjetëve, sot janë 6, mund ta paramendoni se çka ndodh pas pesë vjetëve”.
Deklarata është e shkëputur nga një intervistë me Fatos Lajçin nga “ERA” në Pejën buzë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna, të mbushur me ndërtime të egra dhe të rrezikuar nga interesat e një grusht njerëzish të pasur që synojnë qoftë tkurrjen e tij, qoftë futjen e lumit në gypa. Natyrisht, në Kosovë është vështirë të jesh i pasur pa krahun e politikës.
Intervistën e plotë të Lajçit mund ta lexoni krahas artikujve të tjerë në edicionin “Në rrezik nga njeriu” , që u kushtohet kafshëve të egra.
***
Njeriu e pranon fajin, por nuk lodhet. Kjo është pika që e mbështesin të dhënat dhe vlerësimet si të institucioneve e agjencive shtetërore, ashtu edhe të shoqërisë civile. Një lehtësim për të, pra për njeriun e Kosovës, mund të jetë fakti që e tërë bota është alarmuar me nivelin e shkatërrimit të biodiversitetit gjithandej. Këtë vit Kombet e Bashkuara kanë nisur që të caktojnë afate për t’ia rikthyer tokën dhe oqeanet botës së egër. Deri më 2030 parashihet rikthimi i 30 për qind të sipërfaqes së globit. Por ekziston një fakt tjetër. Që shkatërrimi më i madh ndodh nëpër vendet ku shteti nuk është në gjendje ta mbrojë veten nga interesat e grupeve të interesit. Nëpër xhunglat e malet ku depërtojnë industritë e mëdha si ato të vajit të palmës që shkatërrojnë habitatet e majmunëve, apo më të vogla, si ato të hidrocentraleve miniaturë, gurëthyesve lokalë e vilave luksoze që shkatërrojnë habitatet e faunës për të cilën nuk lodhet kush.
20 vjet pas luftës institucionet nuk kanë një regjistër zyrtar të numrit të secilit lloj të specieve që jetojnë në Kosovë dhe as nuk dihet kur dhe si do të bëhet ai. Legjislacioni i miratuar për mbrojtje të kafshëve të egra, që në disa raste konsiderohet i mangët, nuk zbatohet fare në praktikë.
Ndërkohë, shkatërrimi i habitateve po merr përmasa të frikshme. Një hulumtim i “Kohës Ditore” i publikuar tre muaj më parë ka nxjerrë të dhëna që tregojnë se brenda 70 vjetësh Kosova mund të mbesë pa drunj fare. “Mbështetur në trendin e tashëm të prerjeve për ngrohje prej mbi 2.2 milionë kubikëve dhe volumit të rritjes prej 1.5 milionë kubikëve, Kosova humb çdo vit 1.4 për qind të masës drunore”, thuhet në artikull.
Nga ana tjetër, uji si element tjetër thelbësor i ekosistemit po zhduket nga faqja e dheut për t’u futur nëpër gypa në emër të energjisë së ripërtëritshme, e që në fakt bëhet për të rritur pasurinë e grupeve të interesit. Pakti i Ministrisë së Mjedisit, komunave e ZRRE-së me investitorët po e mbush Kosovën me hidrocentrale kapacitetesh qesharake. Me lëshimin e lejeve të ndërtimit e gjenerimit po shkelen një sërë ligjesh në mungesë të mbikëqyrjes nga Kuvendi dhe ndjekjes nga sistemi i drejtësisë.
Ndërkohë që shtëpia po u shkatërrohet përbrenda, në kombinim hyjnë gjuetarët ilegalë. Edhe ata, duke e shfrytëzuar inteligjencën e species njerëzore, po dalin fitimtarë karshi specieve të egra. Dallimi është që fronti i gjuetarëve nuk e ka motiv përfitimin. Vret veç për sport.
Një front tjetër është ai i njerëzve që janë ngopur me qytetin e që duan të kthehen në rrënjë. Së paku për vikend. Trendi i ndërtimit të “bashkësive të izoluara njerëzore”, pra i lagjeve ku ofrohet siguri e shtuar nga njerëzit varfanjakë dhe nga kafshët e egra, duke qenë edhe afër tyre por edhe larg, përbën një motiv tjetër në rritje. Liqeni i Badovcit është ilustrimi i cili nuk do të ishte vërejtur, po të mos kishte ekzistuar reagimi qytetar që befasoi të gjithë. Veçanërisht Ministrinë e Mjedisit e Komunën e Prishtinës, që kontrabanduan një projekt që, siç e vlerësojnë inxhinierët ujorë e ekologët, ua rrezikon ujin njerëzve dhe habitatin specieve të egra.
Në pritje të koalicionit qeverisës, mbase edhe të ngopur nga lajmet e nxehta të pazareve politike, u lidh koalicioni edhe më i rëndësishëm mes njerëzve dhe natyrës. Nuk është ai veç shpresa për të ardhmen e jetës në tokë, por edhe për funksionimin e shtetit në Kosovë, ku institucionet nisin të skuqen e të ndihen përgjegjës para qytetarit të vet.