OpEd

Për nevojat fiziologjike dhe të tjera...

Pra, qasje më populiste se kjo – që të degradohet diskursi diplomatik në nivelin e nevojave fiziologjike, absolutisht nuk ka. Demek, nëse flasin me gjuhën popullore, do ta përçojnë mesazhin më efektshëm. Dhe përderisa rrëzimi i nivelit të komunikimit mund të bjerë dhe me siguri se bie në kontakte të drejtpërdrejta a takime mes diplomatëve dhe zyrtarëve politikë të vendit, kjo nuk do të thotë se etiketa nuk duhet ruajtur në diskursin publik. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për hir të respektit ndaj popullit të shtetit në të cilin janë akredituar këta diplomatë. Pra popullit që bën be në Amerikën dhe që është më properëndimori (pavarësisht infiltrimit dhe pozicionimit të islamit politik që nga çlirimi) gjithsesi në Ballkan, nëse jo më gjerë

Javën e shkuar u shënua përvjetori i sulmit terrorist në Banjskë, me një lëvizje të vogël drejt përcaktimit të përgjegjësisë për rastin, dhe kjo vetëm me kushtin që gjykimi do të mund përfundojë shpejt dhe me një vendim të padiskutueshëm.

Prokuroria ngriti aktakuzën pak para përvjetorit, tre nga sulmuesit janë në paraburgim e 42 të tjerë me gjasë në Serbi dhe seanca e parë u shty për shkak se kërkohet interpretimi nga Supremja nëse gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarve.

Ndërkohë, faktorët ndërkombëtarë thonë se për fajësimin ose jo të Serbisë për këtë sulm terrorist, duhet pritur përfundimin e gjykimit. Pra, edhe ata vetë e dinë se gjykimet te ne janë super maratonike dhe jo rrallë parashkruhen (për të cilën gjë janë jo pak bashkëpërgjegjës), që do të thotë se trysnia politike për “normalizimin” do të vazhdojë ndaj Kosovës, kurse lajkatimi do t’i vazhdohet Serbisë, për kohë të pakufizuar.

* * *

Në kuadër të këtij presioni është edhe një copëz e fjalimit që e mbajti ambasadori Hovenier javën e shkuar, ku pasi që kritikoi qasjen e ngurtë të qeverisë karshi kërkesave jo përherë racionale të BE-së dhe të SHBA-së, e përmendi një thënie të gjyshit të vet: “Po qe se do që të bëhesh pjesë e klubit, mos u pshurr te dera e klubit”.

Se përse politikanëve tanë duhet përçuar mesazhe me përmbajtje, apo përbërje si të doni, fiziologjike, mund të jenë disa arsye, por asaj që gjithsesi nuk mund t’i shmangesh është ofendimi që mund ta ndiejë një popull kur udhëheqësve të partive politike e të institucioneve publikisht u thuhet ose “mos e dhini punën”, ose “mos u pshurrni te dera e klubit të cilin e synoni”.

Pra, qasje më populiste se kjo – që të degradohet diskursi diplomatik në nivelin e nevojave fiziologjike, absolutisht nuk ka. Demek, nëse flasin me gjuhën popullore, do ta përçojnë mesazhin më efektshëm. Dhe përderisa rrëzimi i nivelit të komunikimit mund të bjerë dhe me siguri se bie në kontakte të drejtpërdrejta a takime mes diplomatëve dhe zyrtarëve politikë të vendit, kjo nuk do të thotë se etiketa nuk duhet ruajtur në diskursin publik. Nëse për asgjë tjetër atëherë për hir të respektit ndaj popullit të shtetit në të cilin janë akredituar këta diplomatë. Pra popullit që bën be në Amerikën dhe që është më properëndimori (pavarësisht infiltrimit dhe pozicionimit të islamit politik që nga çlirimi) gjithsesi në Ballkan, nëse jo më gjerë.

Pra, Kosova për shumëçka ka faj pse i ka punët si i ka, falë politikanëve që e udhëhoqën dhe e udhëheqin. Kjo, për shkak se ne vetë i kemi zgjedhur (ndonjëherë me ndonjë shtytje a mohim nga të huajt) dhe se vetë shumë shpesh pa fije nevoje apo për interesa të ngushta personale i jemi nënshtruar si shoqëri dikujt që ka qenë më i fuqishëm se ne vetë. Për pasojë, brenda një dhjetëvjetëshi, dy ambasadorë amerikanë u qasen produkteve fiziologjike/biologjike për të komunikuar me politikanët tanë, e nëpërmjet tyre edhe me ne.

Për ta përmbyllur këtë pjesë të kolumnes, po i kthehem pak historisë dhe një fotografie të shkrepur në Prizren më 1996. Sikur të ishte porositur nga diplomatët:

Foto: Flaka Surroi

* * *

Ndërkohë, prej dje e kuptuam se lulja e Dukagjinit nuk është Peja, por është marihuana. 
Në një aksion policie që ishte nisur para dy muajsh, u zbuluan nja dy plantacione të mëdha kanabisi dhe u konfiskua më së paku një tonelatë kanabisi me vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. U arrestua një shtetas i Shqipërisë dhe thuhet se edhe së paku gjashtë persona (nuk u specifikua shtetësia) ishin në ndjekje.

Prodhimi ka qenë i destinuar për tregun evropian. 

Thuajse nuk kemi boll telashe me përafërsisht gjithçka në jetën tonë që tash na u desh edhe zbulimi i faktit se edhe te ne paska nisur kultivimi i kanabisit. Nuk u befasova asnjë pikë të vetme me të kuptuar se i arrestuari i vetëm deri tash është shtetas i Shqipërisë. Sepse sa herë flitet për drogën më kujtohet Lazarati dhe mbretëria e paprekur me vite e një fshatari që brenda natës u bë milioner sepse në oborr i kishte mbirë njëfarë gjethi, i cili më pas vetvetiu i ishte shumëzuar. 

Nami që e përcjellë Shqipërinë si vendin prodhues por edhe transit të drogës për në Evropë nuk na bën nder shqiptarëve në përgjithësi. Droga është shumë fitimprurëse për atë që e kultivon dhe e shet, por është absolutisht e dëmshme për atë që e konsumon. Dhe për fat të keq, sipas mbase OJQ-së së vetme që merret me rastet e abuzimit të narkotikëve, “Labirint”, numri i fëmijëve që e konsumojnë kanabisin qysh në shkollë fillore është në rritje.

Prej një shteti që kryesisht ka qenë importues i drogave (natyrisht në mënyrë ilegale) tash bëhemi vend në të cilin zbulohen plantacione të mëdha kanabisi. Pra nëse janë zbuluar këto dy plantacione, edhe sa të tjera do të jenë të shpërndara gjithandej? Pa dyshim se kjo është tepër shqetësuese, sepse flet edhe për gjendjen tepër të rëndë ekonomike nëpër të cilin kalon ky popull dhe për mungesën e perspektivës me vende normale pune që mund ta sigurojnë jo mbijetesën por jetesën e dinjitetshme. Përpjekja për të fituar shumë para me aktivitete ilegale duhet të na brengosë të gjithëve si shoqëri. Dhe jo, droga nuk sjell prosperitet – sepse po të ishte ashtu Kolumbia do të lulëzonte nga të mirat, e jo nga krimi.

* * *

E prosperitetin Kosovës gjithsesi nuk do t’ia sjellë Kuvendi aktual i Kosovës, absolutisht më i dobëti që kemi pasur deri tash. 

Do ta mbajmë mend për numrin më të madh të seancave të shtyra për shkak të mungesës së kuorumit.

Do ta mbajmë në mend edhe për shkak të përzgjedhjes së kalkuluar dhe të dështuar të deputetëve – sepse nuk janë gjetur aty për shkak të ndonjë njohurie a ekspertize të veçantë, por për shkak të interesave partiakë për të mbledhur vota nëpërmjet vardisjes turli rryme dogmatike, ideologjike a biznesore.

E mira është se këtij Kuvendi do t’i pushojë mandati edhe ndonjë muaj, por e keqja është që nuk ka asnjë garanci se gjërat do të ndryshojnë edhe në legjislaturën e radhës – sepse sistemi ynë zgjedhor ka mbetur i pandryshuar: Kosova është ende një njësi zgjedhore, kurse kandidatët për deputetë përcaktohen në bazë të tekave të udhëheqësve partiakë, e jo në bazë të një gare të shëndoshë mes kandidatësh nga një trevë e caktuar gjeografike.

Për fat të keq, ne do të vazhdojmë t’ua paguajmë budallallëqet me tatimet tona, ndërkohë që prej tyre do të varen ligjet të cilat do ta prekin jetën tonë drejtpërsëdrejti.

* * *

Mbase ka diçka të mirë në faktin se pas thuajse një dekade, ambasadori amerikan e vazhdoi traditën e nisur nga ambasadorja amerikane e kohës – mbase këto dy thirrje do të duheshin të ishin thirrjet tona ndaj politikanëve tanë tash e mbas. 

Neve do ta na kishin më shumë hije – shqiptimi ynë do të ishte fort më autentik, dhe do të dhembte më pak.

[email protected]