OpEd

Për mbrojtësit cinikë të Goran Bregoviqit

Zelli i disave nga çarshia politike shqiptare për ta mbrojtur paraqitjen e Goran Bregoviqit në një festë të lëngut të elbit në Korçë është – thënë më së buti – cinik. Thënë më qartë: si nuk ju vjen turp të gënjeni e t’i injoroni faktet? Qe disa të vërteta për injorantë dhe mashtrues – të vërteta që e demaskojnë tërësisht Bregoviqin.

1.

Në vitin 2019 Goran Bregoviqi dha intervistë në emisionin “Çirilica” të një televizioni serb, ku foli për takimin e tij me liderin e dikurshëm të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili ndërkohë është dënuar për gjenocid nga Tribunali i Hagës. Bregoviqi tregoi se e ka takuar Karaxhiqin në recepsionin e një hoteli në Beograd dhe e ka pyetur: “Si po ecën çështja jonë?” Karaxhiqi, sipas Bregoviqit, ishte përgjigjur: “100 për qind po fitojmë”. Pas reagimeve të ashpra, Bregoviqi u arsyetua se pyetja e tij dhe përgjigjja e Karaxhiqit kishin të bënin “me lojën me letra që po zhvillohej në hotel dhe jo me luftën, e cila atëherë ende s’kishte filluar”. Askush nuk i kishte besuar përrallës së Bregoviqit. Më 2019 Bregoviq nxiti shumë reagime dhe komente në rrjetet sociale kur u fotografua me Sonja Karaxhiqin, të bijën e Radovan Karaxhiqit.

2.

Gjatë rrethimit të Sarajevës Goran Bregoviqi qëndroi në Paris dhe në Beograd. Sipas të dhënave zyrtare, në Sarajevë forcat serbe vranë 13’952 njerëz, mes tyre 1602 fëmijë. Në intervista Bregoviqi ka mbajtur “qëndrim neutral” ndaj krimeve serbe. Heshtjen e tij e ka arsyetuar se kjo “s’ka qenë lufta ime”. Artistë e intelektualë me përmasa ndërkombëtare kanë dhënë shembuj të tjerë. Intelektualja e madhe amerikane Susan Sontag ka qëndruar në Sarajevë gjatë rrethimit dhe e ka vënë në skenë dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckettit. Në maj të vitit 1992, kur lufta në Bosnjë tashmë kishte filluar, filozofi francez Bernard-Henri Lévy mori me qira në Venedik një Renault 25 dhe bashkë me mikun e tij Gilles Hertzog udhëtoi në Sarajevë. Lévy gjatë dhe pas luftës u solidarizua me viktimat dhe u përpoq të alarmojë opinionin botëror mbi krimet serbe në Bosnjë. Më 1994 ai themeloi madje listën “Europa fillon në Sarajevë” dhe mori pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian në Francë. Kandidatë të tjerë të listës kanë qenë këta intelektualë të njohur: Alain Touraine, Marina Vlady, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Michel Polac, Gérard Toulouse, François Fejtő, Luc Boltanski, Nedim Gürsel.

3.

Ndërsa për krimet serbe në Sarajevë, në qytetin e tij të lindjes, Bregoviqi ka heshtur, më 1999 ai vrapoi në Selanik dhe mbajti një koncert kundër intervenimit të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Deri më sot nuk është e regjistruar askund një deklaratë e vetme e Bregoviqit ku dënon krimet e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Për koncertin në Selanik ka thënë se ka qenë “deklarativisht për të gjitha viktimat e luftës në Ballkan”. Edhe kjo deklaratë e tij tingëllon hipokrite, kur dihet se e majta dhe e djathta ekstreme greke kanë qenë kundërshtare të ndërhyrjes së NATO-s. Kur më 2005 revista “Dani” e Sarajevës e pyeti Bregoviqin se përse nuk ka mbajtur koncert solidariteti kur Sarajeva ishte e rrethuar, ai deklaroi se kjo do thoshte se është vënë në anën e presidentit të atëhershëm të Bosnjës Alija Izetbegoviq, “gjë që as ndërmend nuk më bie”. Kjo është një deklaratë cinike. Solidarizimi me viktimat e agresionit serbomadh në Sarajevë assesi nuk do të ishte përkrahje e Izetbegoviqit. Këtë nuk e kanë bërë Susan Sontag, Bernard-Henri Lévy, André Glucksmann dhe intelektualë të tjerë: ata thjeshtë janë solidarizuar me viktimat.

4.

Gazetari i njohur nga Sarajeva Senad Avdiq lidhur me Bregoviqin ka deklaruar: “Morali nuk ka qenë kurrë ana e fortë e Goranit. Ai s’ka kurrfarë përmbajtje politike, ai është kameleon që përshtatet. Ai nuk e ka problem të shkojë e të puthet me Millorad Dodikun (liderin e serbëve të Bosnjës) dhe ditën tjetër me kryetarin e Sarajevës nga SDA (Partia boshnjake e Aksionit Demokratik”.

5.

Me “Orkestrën për dasma e varrime” Bregoviqi në mars 20915 mbajti një koncert në Krime, një vit pas aneksimit nga Rusia të kësaj siujdhese ukrainase. Me atë rast Bregoviqi shfryu disa parulla antiperëndimore. Ai tha: “Perëndimi përherë ka qenë paranoik ndaj Rusisë dhe shpresoj se kjo paranojë do të kalojë”. Për shkak të koncertit dhe porosive që dha, organizatorët në Ukrainë dhe në Poloni ndaluan koncertet e Bregoviqit. Nuk është Perëndimi paranoik kundër Rusisë, siç thotë Bregoviqi, por Rusia prej vitesh atakon Perëndimin përmes një lufte hibride. Dhe jo vetëm hibride. Rusia e Vladimir Putinit akuzohet se ka vrarë kritikë të Kremlinit në botën perëndimore. Është dëshmuar tendenca ruse për të manipuluar zgjedhjet amerikane. Në Mal të Zi qarqe ruse kanë bërë përpjekje më 2016 të rrëzojnë Millo Gjukanoviqin nga pushteti. Në Shkup dyshohet se agjentë rusë kanë përkrahur regjimin e Nikolla Gruevskit. Me deklaratat e tij Goran Bregoviqi renditet në mesin e artistëve cinikë që nuk solidarizohet me viktimat dhe akuzon Perëndimin për paranoja antiruse. Qe, pra, kush këndoi në Korçë.