Arroganca e injorimi, moskomunikimi dhe mospërpjekja për ta gjetur një zgjidhje që do të sillte stabilitet, do të na fusë në krizën e radhës. Pas katër vjetësh të pashfrytëzuara stabiliteti politik, tash do t’i hyjmë ciklit të prishjes së nervave (jo ky tha, jo ai tha). Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të vegjetojmë në letargjinë dhe amullinë në të cilën jemi qe sa kohë. Njerëz pa asnjë fije iniciative, pos ankesave në FB, për ta shprehur bile një protestë të vogël në rrugë për rritjen e çmimit të rrymës, apo edhe shpuplimin që na e bën “Termokosi”. Ama, për gjeopolitikë, nuk na e kalon kush
Sot na qenka një ditë gëzimi. Kështu së paku na e paralajmëroi KQZ-ja nëpërmjet zëdhënësit të saj kur na e kumtoi se të shtunën, në orën kur do ta caktojë KQZ-ja, do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën para pesë javësh.
Pra, PESË javë iu deshën trupit që ka për detyrë t’i menaxhojë zgjedhjet, për t’i numëruar më pak se një milion vota. Dhe për të na treguar, pak a shumë, atë që tashmë e kishim paraqitur si rezultat të mundshëm në projeksionin e KOHËS natën e zgjedhjeve: se fituesi dihet; se diferenca me të parit dhe të tjerëve është e madhe, por jo mjaftueshëm e madhe sa për krijimin e qeverisë vetëm.
Dhe se me gjithë matematikat, mundësia e vetme për të krijuar shumicë parlamentare të brishtë me 61 deputetë është që VV-së t’i bashkohen komunitetet joserbe (dhe kjo jo të gjithë), plus Rashiqi dhe që të “peshkohen”, mbase katër a pesë deputetë nga partitë e tjera, për ta arritur numrin e nevojshëm për ta votuar qeverinë.
Por, edhe për ta shkaktuar krizën që mund të çojë në zgjedhje të reja vitin që vjen në këtë kohë, për shkak se zor se do të ketë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit/kryetares së shtetit, ku kërkohet kuorumi prej 80 deputetësh në të tri rundet e votimit.
* * *
Ende pa u certifikuar rezultatet, partitë opozitare mbajtën mbledhjet e tyre dhe bartësit e listave u paraqitën në intervista televizive për ta sqaruar apo edhe betonuar qëndrimin e tyre politik karshi krijimit të një qeverie të ardhshme.
PDK-ja, e cila e pati një fushatë shumë të mirë, të strukturuar dhe pa skandale e incidente, e përcolli procesin e numërimit pa ankesa, pa drama dhe pa vjedhje brendapartiake. Pra, kësaj radhe qe partia model në kuptimin e seriozitetit dhe qëndrimit korrekt deri në daljen e shifrave përfundimtare.
Bartësi i saj i listës në zgjedhjet e fundit doli për të treguar se partia kishte vendosur që mos të bënte koalicion me VV-në dhe arsyetimi kryesisht u soll rreth programeve politike, dhe “mospërputhjen e tyre”, pra edhe pamundësinë që të merreshin vesh për të.
Ky arsyetim qëndron mbi këmbë të qelqta, ngase sinqerisht, nuk do të mund të thoshe se njëmend ka pasur programe politike që do ta tërhiqnin vëmendjen, e që, gjithashtu, do të ishin vendimtare për hedhjen e votës.
Programet zgjedhore, për partitë tona, janë sikur t’ua jepje një detyrë enciklopedike, logjike e matematikore bashkë. Pra një gjë thuajse e parealizueshme, për shkak se as pas dy dekadash e gjysmë, partitë tona dinë të japin premtime populiste dhe për havaje, e jo gjëra të bëshme, që kanë synim primar interesin e shtetit, që janë të bëshme, e mbi të gjitha, që janë të nevojshme.
Pra, kjo do të thotë që në një situatë shumë hipotetike ku do të bëheshin bashkë për të qeverisur, programi qeveritar do të duhej të punohej veçmas, me grupe të përbashkëta, ku pos që do të ndaheshin ministritë – që në fakt e bën pikën më të rëndësishme të një programi politik kosovar, do të përcaktoheshin synimet dhe metodat e realizimit.
Fakti qëndron që të mos kemi dëgjuar për takime zyrtare mes partish që potencialisht do ta formonin qeverinë. E siç qëndrojnë punët hë për hë, PDK-ja i ka tërhequr vijat e kuqe, por nuk e di nëse ky është vendim përfundimtar. Nëse nuk është, dhe arrihet një marrëveshje eventuale me VV-në, po e parafytyroj situatën ku Bedri Hamza bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Financave (dhe i Ekonomisë, ndoshta). Disi kam bindjen se do të performonte shumë më mirë sesa ministri aktual.
* * *
Gjatë javës, LDK-ja u prononcua dy herë. E para foli nënkryetarja Kica-Xhelili dhe gjithashtu tërhoqi linjat e kuqe: VV-ja si fituese e zgjedhjeve le ta bëjë qeverinë vetë, tha, ndërkohë që theksoi se LDK-ja nuk do të pranonte të bënte pjesë në një qeveri të brishtë (që nënkupton votat në tetik të opozitës bashkë). Pra me fjalë të tjera, mbetet në opozitë.
Nga mbledhja maratonike e udhëheqjes së LDK-së, doli edhe qëndrimi i tretë: se LDK-ja nuk do të hynte në asnjë kombinim, nëse nuk e merr postin e kryeministrit.
Kosova ka pasur kryeministër nga partia e tretë, një herë, dhe një herë nga partia e katërt – dhe në të dyja rastet qe i njëjti njeri: Ramush Haradinaj.
Pra nuk është gjë që nuk bëhet, po qe se lëshimi i postit të shefit të qeverisë, është në interes të stabilitetit politik të vendit. Megjithatë, kam përshtypjen, se ky më parë është blof i Abdixhikut –sepse e di se Kurti nuk do të çonte duar kaq lehtë nga posti i kryeministrit, pos nëse i shkon nëpër mendje të kandidohet për kryetar të shtetit vitin tjetër. E, megjithatë, kjo në praktikë do të thoshte se lidhja e VV-së me LDK-në nuk do të mjaftonte për kuorumin e kërkuar vitin tjetër. Pra, është blof i Abdixhikut.
Dhe është blof për shkak se Abdixhiku do të kishte shanse shumë serioze për t’i fituar zgjedhjet komunale në Prishtinë në vjeshtë dhe ta fuqizonte veten në krye të partisë brenda një mandati, për të garuar më pastaj për kryeministër. Nuk do të ishte hera e parë që kjo do të ndodhte brenda partisë së vet: Isa Mustafa u bë kryeministër pasi e kishte kaluar dy mandate në krye të Komunës, që tash pas sa vjetësh, del se e ka menaxhuar më mirë se Ahmeti dhe pakrahasueshëm më mirë sesa Rama.
Me kandidimin eventual për kryetar të Prishtinës, do ta ndreqte gabimin e bërë kur e solli Ramën prej Londrës për ta bërë kryetar dhe për ta qeverisur qytetin me “rendera” dhe sikur ta kishte pronë private. Fitorja hipotetike pa asnjë dyshim do ta fuqizonte politikisht dhe do ta shpinte në moshën e një pjekurie si njerëzore, ashtu edhe politike.
* * *
Fituesi i dëshpëruar i zgjedhjeve e përsërit se do ta bëjë qeverinë Kurti 3. Nuk tregon si, por nuk heq dorë nga pushteti.
Gjatë fushatës shmangu mediumet në Kosovë, për të dalë në një intervistë në një televizion të Shqipërisë natën para zgjedhjeve. E ka pesë javë që sërish i shmang krejt mediumet dhe komunikon me publikun qoftë nëpërmjet mbledhjeve të qeverisë qoftë me deklarata pas ndonjë takimi a vizite në terren.
Mungesën e tij e kompensojnë me ankesa, herë sekretari i partisë Alim Rama, e herë Sami Kurteshi, njëri përfaqësues i VV-së në KQZ, që në këto zgjedhje u dallua për një listë budallallëqesh që i bëri e i tha. Ndër më të marrat ka qenë refuzimi për certifikimin e Listës Serbe – edhe pse për atë punë do të duhej të kishte bile një vendim gjyqësor; refuzimi i votimit të shpërndarjes së parave për partitë garuese; insistimi qe të shkelej ligji që të zgjatej afati për paraqitjen e diasporës për të votuar, ani që kishin kaluar pesë muaj qëkur mundësia ishte hapur dhe prezenca e tij në QNR dhe presioni verbal që ua bënte numëruesve, për të kulmuar me të shara e akuza skandaloze ndaj disa gazetarëve të mbledhur në QNR.
Situatat si këto, babai im i përshkruante me thënien: “i ka hy uji në vesh” – nuk dëgjon, se arroganca nuk të lë. Ama po kjo arrogancë, të fundos.
* * *
Arroganca e injorimi, moskomunikimi dhe mospërpjekja për ta gjetur një zgjidhje që do të sillte stabilitet, do të na fusë në krizën e radhës. Pas katër vjetësh të pashfrytëzuara stabiliteti politik, tash do t’i hyjmë ciklit të prishjes së nervave (jo ky tha, jo ai tha).
Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të vegjetojmë në letargjinë dhe amullinë në të cilën jemi qe sa kohë. Njerëz pa asnjë fije iniciative, pos ankesave në FB, për ta shprehur bile një protestë të vogël në rrugë për rritjen e çmimit të rrymës, apo edhe shpuplimin që na e bën “Termokosi”. Ama, për gjeopolitikë, nuk na e kalon kush.