OpEd

Për deputetët e legjislaturës së gjashtë

Mbetet të shihet se sa nga deputetët në fund të mandatit do ta bëjnë punën me i “puth”, e sa me i “pështy”?

Punimet e legjislaturës së gjashtë filluan ashtu siç përfundoi legjislatura e pestë: me bllokadë dhe neglizhim të punës së Kuvendit. Pak minuta pasi dhanë betimin, në të cilin ndër të tjera thuhet se “deputetët e Kuvendit do ta kryejnë detyrën e tyre me nder dhe përkushtim, se do ta përfaqësojnë me dinjitet popullin, do të punojnë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shumica e deputetëve shkelën këtë betim, duke mos u paraqitur në vazhdimin e seancës, pa dhënë asnjë arsyetim.

Numrat

Tridhjetë e shtatë deputetët e rinj, të cilët për herë të parë u ulën dje në sallën e Kuvendit, rrisin në 434 numrin e të gjithë deputetëve, të cilët që nga viti 2011 kanë marrë mandatin e deputetit për periudha të ndryshme kohore. Janë dy deputetë që dhanë betimin për të gjashtën herë, Flora Brovina dhe Xhavit Haliti. Shtatë deputetë dhanë betimin për të pestën herë, shtatë të tjerë për të katërtën herë. Për 35 deputetë ky do të jetë mandati i tretë, kurse për 32 të tjerë ky do të jetë mandati i dytë.

Plot 83 deputetë u rikthyen në Kuvend, 73 nga legjislatura e kaluar, kurse 10 nga legjislaturat e mëhershme. Kjo e bën legjislaturën e gjashtë një ndër legjislaturat me më së paku deputetë të rinj. Për rikujtim, në legjislaturën e dytë ishin 59 deputetë të rinj; në legjislaturën e tretë ishin 71 deputetë të rinj, që nuk ishin pjesë e dy legjislaturave të para; në legjislaturën e katërt ishin 87 deputetë të rinj, që nuk ishin pjesë e tri legjislaturave të para; kurse në legjislaturën e pestë ishin 56 deputetë, të cilët nuk ishin pjesë e katër legjislaturave të mëhershme. Por legjislatura e gjashtë është legjislatura me ndryshimet më të mëdha pas legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e vitit 2007, sa i përket fuqisë politike të partive, me një dyfishim të partisë Vetëvendosje dhe një rënie të madhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

Punimet

Kur u shpërbë legjislatura e katërt më 2014, organizatat të cilat merren me monitorimin e punës së Kuvendit deklaruan se u përmbyll mandati i legjislaturës më të dobët në historinë e shkurtër të Kuvendit. Pastaj erdhi legjislatura e pestë, e cila ishte më jetëshkurtra në krahasim me legjislaturat e mëhershme dhe, njëkohësisht më e përçara, mandati i së cilës u shoqërua me fyerje të shumta dhe përdorim të mjeteve të dhunshme. Sipas raporteve monitoruese të KDI-së, vetëm për dy vjet të punës së Kuvendit 2015-2016, deputetët kanë munguar plot 1646 herë në seancat plenare dhe 2702 herë në punimet e komisioneve parlamentare. Këto mungesa kanë bërë që të dështojnë shumë herë mbledhjet e komisioneve dhe shumë seanca plenare të shtyhen. Debati parlamentar ishte aq i polarizuar sa nuk u arrit të merret vendim në ditën e parë të seancës së thirrur për të reaguar kundër arrestimit në Francë të kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj.

Kompensimet

Sipas Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, paga e deputetit përcaktohet me Ligjin për pagat e funksionarëve publikë. Por, ironia qëndron se edhe pas shtatë vjetësh nga hyrja në fuqi e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, nuk ekziston një ligj për pagat e zyrtarëve të lartë publikë. Në mungesë të tij, pagat dhe kompensimet e deputetëve përcaktohen me vendim të Kryesisë së Kuvendit, i cili nuk bëhet publik. E vetmja mënyrë për të kuptuar pagën bazë dhe kompensimet e tjera mujore të deputetit është përmes formularëve të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Kompensimet mujore mesatare për një deputet sillen rreth 2 000 euro, sa 14 paga minimale. Mesatarisht, për mandatin e ndërprerë në legjislaturën e pestë, deputetët kanë marrë rreth 55 mijë euro nga taksat e qytetarëve, kurse për një vit, për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, shpenzohen afër 10 milionë euro. Përveç kësaj, 47 deputetë të cilët nuk janë rizgjedhur, do të marrin edhe 12 paga, ose rreth 1 milion euro në vit, në rast se asnjëri nuk lidh marrëdhënie pune brenda vitit.

Qëllimi

Për organizimin e zgjedhjeve u shpenzuan afër pesë milionë euro. Votën e qytetarëve e kërkuan 971 kandidatë. Votuesi zgjodhi 120 prej tyre. Paga e deputetëve ka filluar të numërohet që nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve një muaj më parë. Por puna e deputetëve nuk ka filluar ende. Fatkeqësisht shumë nga deputetët e legjislaturës së kaluar, të cilët neglizhuan punën e Kuvendit, janë rikthyer sërish si deputetë. E ata që nuk u zgjodhën do të vazhdojnë të paguhen si deputetë edhe për një vit.

Edhe më tej, votuesi kosovar nuk e jep votën e tij bazuar në angazhimin parlamentar të përfaqësuesve në Kuvend. Po të ishte ndryshe nuk do të mbetej jashtë Kuvendit një deputet si Muhamet Mustafa, i cili ishte një ndër deputetët më aktivë dhe më përmbajtjesor, dhe të votohej Teuta Rugova, meritë e vetme e së cilës është të qenit vajza e ish-presidentit Rugova. Një nxënës i shkollës së mesme përjashtohet nga shkolla nëse arrin 32 mungesa të paarsyeshme gjatë një viti, kurse një deputet mesatarisht ka munguar në 36 seanca dhe mbledhje të komisioneve parlamentare dhe për këtë nuk i jep askujt llogari.

Deputetët nuk duhet të shfrytëzojnë vetëm të drejtat që u takojnë, por të respektojnë edhe detyrimet. Kushtetuta, Rregullorja e punës dhe Ligji për të drejtat dhe detyrimet e deputetit detyron ata që të marrin pjesë në seanca dhe në trupat ndihmëse të Kuvendit. Shumica e deputetëve si duket kanë harruar se detyrë e tyre është aprovimi i ligjeve, mbikëqyrja e punës së Ekzekutivit, monitorimi i zbatimit të ligjeve dhe politikave qeveritare, e jo vetëm bllokimi i punës parlamentare, hedhja e gazit e fyerjet nga më të ulëtat.

Deputeti më i moshuar në Kuvendin e Kosovës, Adem Mikullovci, kolegëve ua recitoi një poezi nga Azem Shkreli: “sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”. Andaj, mbetet të shihet se sa nga deputetët në fund të mandatit të legjislaturës së gjashtë do ta bëjnë punën me i puth, e sa me i pështy.