OpEd

Për çfarë nuk duhet të jetë dialogu

Deri më tash ata që kanë përfaqësuar Kosovën në dialog me Beogradin në Bruksel kanë pranuar që në të të diskutohet për çështjet për të cilat në fillim thoshin se dialogu nuk mund të jetë. Kështu dialogu ishte politik e jo teknik, ishte për veriun e Kosovës dhe për çështje të brendshme të Kosovës, ishte për rolin e Serbisë në Kosovë. Tash ka rrezik që Kosova të bjerë në një grackë të re, që të lërë përshtypjen sikur statusi nuk është përfundimtar. Kosova duhet të insistojë që dialogu të jetë vetëm për rregullimin e raporteve me Serbinë. Për këtë i duhet edhe mbështetja amerikane, sepse sa për BE-në, nëse pritet që ajo të flasë me një zë, lirisht mund të rifillojnë negociatat për status përsëri. Dialogu, po ashtu, nuk bën të personalizohet, siç ka qenë deri më tash

Në kohën kur flitet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese-ligjore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të duhej t’i normalizonte raportet, asgjë e qartë nuk del as nga Prishtina, as nga Brukseli e as nga Beogradi rreth këtij dialogu apo qëllimit përfundimtar të tij.

Javën e shkuar u zhvillua një rund i dialogut në nivelin teknik në Bruksel dhe nga ai nuk doli asgjë në opinion. Po vazhdohet me avazin e vjetër që opinioni dhe qytetarët të mos kenë të drejtë të dinë se çfarë saktësisht ndodhi. Edhe nëse nuk ka ndodhur asgjë, edhe nëse ky ka qenë vetëm një takim që ekipi i vjetër i Serbisë të njihet me atë të riun e Kosovës, është dashur kjo të thuhet në opinion. Udhëheqësi i ri i ekipit nga Kosova, Avni Arifi, pasi u kthye në Kosovë, u kërkoj ndjesë gazetarëve se nuk ka mundur të thotë asgjë, sepse ashtu janë marrë vesh me BE-në dhe vetëm zëdhënësja e BE-së ka folur. Zoti Arifaj duhet ta dijë se ai përfaqëson qytetarët e Kosovës e jo Maja Kocijançiq.

Kjo e fundit është nëpunëse e BE-së e jo e Kosovës. Nëse shefi i kabinetit të kryeministrit mendon se është për keqardhje pse nuk ka “guxuar” të flasë për gazetarët e Kosovës. E me këtë edhe për qytetarët, atëherë nuk është dashur të pranojë një kushtëzim të tillë, as nga Beogradi e as nga Brukseli. Nëse kanë pranuar atëherë që në takimin e parë kanë dëshmuar se do të jenë të dëgjueshëm në dialog, do të pranojnë kushtet e Brukselit e Beogradit, qoftë edhe për mënyrën se si komunikohet dialogu dhe rezultatet e tij.

E BE-ja me komunikatën që dha zëdhënësja e saj, e tejkaloi edhe vetveten në atë që e konsideron “ambiguitet” e që tashmë është shndërruar në ofendim të opinionit. Ja çfarë tha për rezultatin zëdhënësja e shërbimit të Jashtëm të BE-së:

“Diskutimet u zhvilluan në një frymë konstruktive dhe bashkërisht identifikuam disa çështje dhe hapa që duhen trajtuar për të ecur përpara në punën e zbatimit, duke normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre”. Lexojeni disa herë dhe mundohuni të kuptoni se cili na paska qenë rezultati i takimeve dyditëshe në Bruksel, sipas kësaj zëdhënëse nga BE-ja, e cila na paska folur jo vetëm në emër të BE-së, por edhe të Kosovës dhe Serbisë. Mundohuni të kuptoni se çfarë fshihet pas konstatimit që “bashkërisht identifikuam disa çështje dhe hapa që duhet trajtuar për të ecur përpara në punën e zbatimit”. Një gjë të tillë e thoshin edhe para një viti, para tre apo pesë vjetësh. Kjo është për të thënë diçka e për të mos thënë asgjë në të njëjtën kohë. Dhe i tillë ka qenë nga fillimi ky dialog i cili qytetarët, sidomos serbët e Kosovës, i ka lënë në terr informativ edhe pse ai kinse do të duhej të ishte para së gjithash në interes të tyre dhe për t’ua lehtësuar atyre jetën.

Ka pak gjasa, nëse gjykojmë sipas fillimit, që të ketë tash në dialog më shumë transparencë sesa që kishte në parë. Ndoshta do të vijë shpejt koha që t’i kërkojmë falje zonjës Edita Tahiri pse e kemi kritikuar për mungesë të transparencës. Ajo vërtet shpesh ka dhënë interpretime që kanë dalluar shumë nga realiteti. Por asnjëherë nuk ka ikur dhe nuk ka refuzuar të prononcohet.

Apo ndoshta mungesa e transparencës nga takimi i parë ka qenë për shkak se Kosova ka një ekip të ri. E ky ekip përbëhet nga këshilltarët, apo përfaqësuesit, e katër liderëve politikë: Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt. Nëse nuk është kështu atëherë le të na tregojnë se si është. E ndoshta vërtet nuk kanë pasur çfarë të thonë, sepse në këtë takim nuk ka ndodhur asgjë konkrete, dhe as që ka mundur të ndodhë për shkak se në Serbi të dielën u zhvilluan zgjedhjet lokale. E zhvillimi i deritashëm i dialogut ka dëshmuar se ato i përshtaten nevojave të liderit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu i deritashëm ka sjellë edhe dëme dhe komplikime për Kosovën, edhe pse i ka relaksuar disa çështje praktike. Problemi me këtë dialog që nga fillimi ka qenë se nuk është sqaruar deri në fund se për çfarë nuk mund të jetë ai. Shumë probleme kanë lindur pikërisht për shkak të mungesës së komunikimit të sinqertë rreth dialogut.

Deri më tash ata që kanë përfaqësuar Kosovën në dialog me Beogradin në Bruksel kanë pranuar që në të të diskutohet për çështjet për të cilat në fillim thoshin se dialogu nuk mund të jetë. Kështu dialogu ishte politik e jo teknik, ishte për veriun e Kosovës dhe për çështje të brendshme të Kosovës, ishte për rolin e Serbisë në Kosovë. Tash ka rrezik që Kosova të bjerë në një grackë të re, që të lërë përshtypjen sikur statusi nuk është përfundimtar. Kosova duhet të insistojë që dialogu të jetë vetëm për rregullimin e raporteve me Serbinë.

Për këtë i duhet edhe mbështetja amerikane, sepse sa për BE-në, nëse pritet që ajo të flasë me një zë, lirisht mund të rifillojnë negociatat për status përsëri. Dialogu, po ashtu, nuk bën të personalizohet, siç ka qenë deri më tash. Në rastin e Kosovës, në nivelin më të lartë, ka një kontinuitet. Rolin kryesor në emër të Kosovës e ka Hashim Thaçi, pa marrë parasysh se çfarë funksioni formal mban ai në momentin e caktuar kohor. Por ai, edhe pse ka dëshmuar në Bruksel se është konstruktiv, nuk ka dëshmuar në Kosovë se mund të sigurojë zbatimin e detyrimeve që ka marrë në Bruksel.

Dialogu që nga fillimi ka pasur tri synime kryesore: të sigurojë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, të normalizojë raportet Kosovë-Serbi dhe të ndihmojë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale.

Serbët e Kosovës sot janë më pak të integruar në strukturat e shtetit sesa që ishin para nisjes së dialogut, nëse mendohet në integrim të sinqertë. Ajo që quhet “integrim” në fakt është përfshirje direkte e Qeverisë së Serbisë në strukturat shtetërore të Kosovës, nga Kuvendi e deri tek Qeveria. Në fakt ajo që quhet sukses në integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës është më shumë pranim i segregimit etnik. Sot Kosova e BE-ja nuk i mbrojnë, ndërsa Beogradi ashpër i sulmon dhe frikëson ata serbë të Kosovës që vërtet do të donin të integrohen dhe këtë integrim ta bëjnë pa pyetur Beogradin për secilin veprim të Kosovës. BE-ja ka në dokumente raporte për sjellje të tillë nga Beogradi, por nuk ka ndërmarrë asgjë.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ishte qëllimi kryesor i deklaruar i dialogut. Kjo është në kornizën negociuese të BE-së, në procesin e anëtarësimit të Serbisë dhe është përfshirë edhe në strategjinë e zgjerimit që para një muajsh u miratua nga Komisioni Evropian. Deri më tash raportet kanë vazhduar të jenë shumë jonormale, nëse këtu përjashtojmë takimet e dy presidentëve nëpër salla të ndryshme në Evropë dhe jashtë saj. Serbia vazhdon të bëjë një agresion politik ndaj Kosovës, dhe nuk lë vend pa penguar Kosovën që të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, sa herë që ka këtë mundësi. Madje në përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, Serbia me sukses arriti ta pengojë këtë duke përdorur edhe fyerjet më të rënda, të cilat asnjë shtet me dinjitet nuk do t’i toleronte pa reaguar. Serbia u kishte dërguar edhe letra shteteve të tjera ku Kosovën e krahasonte me të ashtuquajturin “ISIS”, ndërsa disa shtete fqinje të cilat e kishin mbështetur Kosovën i kishte kërcënuar.

Sa i përket integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, këtu duhet pranuar se Kosova kishte bërë një lëshim të madh gjatë dialogut kur u arrit ajo marrëveshje e famshme Thaçi-Daçiq. Në atë marrëveshje Serbia askund nuk merr përgjegjësi se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por vetëm se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në “rrugën e tyre përkatëse evropiane”. Ideja ka qenë që ajo pikë të përfshinte obligimin e palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën, e as të mos inkurajojnë të tjerët që të provojnë një gjë të tillë, në procesin e integrimeve në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Por Serbia kishte arritur ta hiqte këtë frazë për t’u zëvendësuar ajo me thirrjen që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në “rrugën evropiane” që nuk do të thotë asgjë.

Tash Serbia, për interesa të saj, mund të pranojë edhe ndonjë marrëveshje të cilën Kosova mund ta quajë si “garanci për anëtarësim në OKB”, por edhe këtu duhet pasur kujdes. Sepse mund të ndodhë që Serbia të mos ketë asgjë kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB, por këtë ta bllokojë Rusia e Beogradi të thotë se “ne jemi tepër të vegjël që t’i themi Rusisë se çfarë të bëjë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Serbia vazhdojmë të dëgjojmë fjalorin e njëjtë që lë të kuptohet se për ta statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer. BE-ja dhe Kosova duhet ta kenë këtë të qartë, publike dhe si vijë të kuqe se për statusin nuk mund të diskutohet.

Në vend të presionit ndaj Kosovës që të vazhdojë të dyshojë në shtetësinë e vetvetes, dhe të kërcënimeve se dështimi i dialogut do ta lërë veriun jashtë kontrollit të Kosovës, BE-ja duhet të insistojë që dialogu vërtet të jetë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo mes “serbëve dhe shqiptarëve” e as mes “Beogradit e Prishtinës”, por mes Kosovës dhe Serbisë. Përmendja e raporteve mes popujve apo mes kryeqyteteve, bëhet vetëm për të mohuar subjektivitetin e Kosovës.

Edhe pse dikujt në BE dhe në Beograd mund t’i duket si rast i mirë për kompromise që për Kosovën mund të vendosin katër ish-komandantë të UÇK-së, kredencialet patriotike të së cilëve nuk mund të mohohen, Kosova duhet të ketë kujdes që të sigurohet një unitet tash kur dialogu mund të kërkojë një rrugë të shkurtër për t’i dhënë fund komplikimeve teknike dhe praktike që janë pasojë e mospajtimeve politike për statusin e Kosovës.

Edhe ata që në Kosovë janë kundër dialogut, edhe ata që sot janë në opozitë, duhet ta dinë se çfarëdo obligimi që Thaçi., Haradinaj, Veseli dhe Limaj të marrin në dialog do të duhej ta zbatojë në të ardhmen kushdo që të jetë në pushtet, pas një viti, dhjetë vjetësh apo 20 vjetësh. Shembulli me demarkacionin këtu mund të shërbejë si vërejtje e mirë.

Këtë në BE do ta përmendin si “normë ndërkombëtare”, sipas së cilës obligimet ndërkombëtare duhet të përmbushen edhe kur ndërrohet Qeveria. Problemi në rastin e Kosovës qëndron se marrëveshjet me Serbinë nuk e kanë formën e “marrëveshjeve ndërshtetërore”, siç ka pretenduar deri më tash Qeveria e Kosovës, dhe nuk ka një instancë gjyqësore ndërkombëtare e cila do të interpretonte obligimet nga to, ose të zgjidhte kontestet që dalin nga interpretimet e ndryshme të tyre. E interpretimet vazhdojnë të jenë shumë të ndryshme.

E për statusin, siç kanë thënë nga fillimi, dhe duke pasur parasysh se tashmë shumica e shteteve të botës e kanë njohur Kosovën, nuk mund të rinegociohet më. Nëse BE-ja vazhdon të ketë “mirëkuptim” me qëndrimet e Serbisë për të mos njohur Kosovën, e “mirëkuptime” të tilla vijnë nganjëherë edhe nga vetë anëtarët e Qeverisë së Kosovës , dhe për të punuar në ndarjen e saj atëherë do të bëhet bashkëfajtore për rritjen e thirrjeve për ndryshime të kufijve të vendeve të Ballkanit, që është diçka shumë e rrezikshme.

Koalicioni qeverisës në Kosovë, sado i komplikuar që është, sado joefikas që i duket BE-së, është më stabil sesa duket. Sa më e madhe bëhet Qeveria, sa më shumë ministra, zëvendësministra të ketë, aq më stabile do të jetë. Sepse liderët politikë në Kosovë kanë dëshmuar se më shumë sesa idealet dhe ideologjitë politike i kanë si parim veprimi interesat. Me thyerjet në Vetëvendosje dhe me faktin se LDK-ja gjithmonë ka qenë në favor të dialogut, e një kohë edhe pjesë e saj sa ishte në Qeveri, gjasat që të krijohet një mbështetje për Thaçin për dialog me Vuçiqin janë të mëdha. Lista Srpska edhe ashtu ka pranuar se përfaqëson Beogradin, që është paradoks në vete.

Krejt kjo situatë e paqartë krijon një mundësi që as marrëveshja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, që mund të jetë gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, të mos e sqarojë situatën brenda Kosovës e as të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Tash, nëse do të realizohen pritjet në Bruksel, palët do të duhej të bisedonin për çështje që tejkalojnë telefoninë mobile, targat e automjeteve apo trafo stacionet. Kosova duhet të bëjë një aktivitet më të ngjeshur diplomatik për t’i rikujtuar edhe shtetet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës se edhe pranimi i Pakos së Ahtisaarit ka qenë kompromis, se as me atë Pako, edhe pse ka shpallur Pavarësinë, Kosova nuk i ka fituar të gjitha. Kosova nuk duhet të bjerë në grackën e Beogradit që të kërkohet një zgjidhje ku “të dyja palët humbin nga pak e askush nuk fiton krejt”, sepse fati i një shteti dhe i qytetarëve të saj nuk mund të jetë pjesë e lojës se kush fiton e kush humb.