OpEd

Pazari me paga

Kroacia është përballur në fundvit me kërcënimin e sindikatave me grevë. Ndryshe nga sindikalistët kosovarë, ata janë treguar më të mëshirshëm ndaj të mirës publike. Nuk kanë lypur 100 për qind, siç ka kërkuar dhe ka vendosur kryeministri për vete, për vartësit e tij, për prokurorët e për gjykatësit, e as 30 për qind, siç kanë kërkuar arsimtarët. Punëtorët kroatë janë mjaftuar me kërkesën që nuk shkon mbi 5.8 për qind. Por, kjo shifër për Qeverinë e Kroacisë, që arkëton 12 miliardë euro në vit vetëm nga turizmi, është dukur e lartë - u ka ofruar 3 për qind

Për tre vjet qeverisje, Isa Mustafa dhe kabineti i tij u përpoqën t’u qëndronin besnikë këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për çështjen e rritjes së pagave në sektorin publik. Për aq sa keni rritje ekonomike, për aq edhe mund të manovroni me të ardhurat e të punësuarve në sektorin publik, ndryshe të njohur edhe si sektori joprodhues, ishte sugjerimi i FMN-së.

Rritja ekonomike gjatë mandatit të Mustafës ka qenë ndërmjet 3 dhe 4 për qind. Në këto nivele rritja pritet të jetë edhe në parashikimet e vitit të dytë të Qeverisë Haradinaj.

Edhe buxheti nuk është se dallon shumë, meqë kjo rritje ekonomike, është thënë e stërthënë nga ekspertët, nuk përkthehet në zhvillim ekonomik e punësim, dhe si e tillë nuk mund të lëvizë këtë “makineri” të shkatërruar nga politikat e papërgjegjshme (sipas ekspertëve, efektet pozitive mund të arrihen kur rritja ekonomike mbërrin në afro 10 për qind).

Por, ndryshe nga Mustafa, që kritikohet për mungesë “guximi”, Haradinaj me shokë shifrave njëshifrore të pagave ekzistuese ua ka shtuar diku një e diku dy zero në përqindje. Për vete dhe për qindra vartës të tij i ka rritur 100 për qind. Për arsimtarë, mjekë dhe të tjera kategori të të punësuarve ka përdorur rritjet me përqindje dhjetore, duke e çuar ngarkesën financiare me afro 120 milionë euro shtesë, ndërsa bashkë me mbulimin e skemave pensionale, shpenzimin e buxhetit në 1.4 miliardë, nga afro 2 miliardë sa janë kapacitetet grumbulluese të Kosovës.

Mësimdhënësve në Kosovë u mjaftuan tri javë rebelim për të përfituar rritje të pagave prej 20 për qind. Dhe ky nuk shënon fundin e përpjekjes për më shumë rritje. Kompromisin me Qeverinë, sindikalistët e sektorit që zë vendin e fundit në botë në vlerësimin ndërkombëtar të dijes, e kanë bërë për “hatër të nxënësve dhe prindërve të tyre”. Ata mbeten mbrapa kërkesës që të arrihet kuota e rritjes prej 30 për qind, ashtu siç u ishte premtuar në fushatën e fundit zgjedhore nga liderët e partive në koalicionin qeverisës, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj.

Edhe Kroacia është përballur dy muaj më parë me kërcënimin e sindikatave të punëtorëve të sektorit publik me grevë. Ngjashëm me kolegët e tyre në Kosovë, edhe atje të pakënaqur me paga. Por, ndryshe nga sindikalistët kosovarë, ata janë treguar më të mëshirshëm ndaj të mirës publike. Nuk kanë lypur 100 për qind, siç ka kërkuar dhe ka vendosur kryeministri për vete, për vartësit e tij, për prokurorët e për gjykatësit, e as 30 për qind, siç kanë kërkuar arsimtarët.

Punëtorët kroatë kanë thënë të jenë të lumtur sikur pagat të rriteshin 5.8 për qind. Por, për Qeverinë e Kroacisë shifra e kërkuar është dukur e lartë - u ka ofruar 3 për qind.

Ka edhe një ndryshim tjetër substancial mes dy vendeve. Në Kroaci arsyeja e kërkesës për rritje në sektorin publik është se ata qëndrojnë me paga më të ulëta se sektori privat dhe beteja sindikale është se si të arrihet ekuilibri në mes dy sektorëve. Në Kosovë diferencat mes sektorëve kanë ekzistuar gjithmonë, e me vendimin e fundit ato janë thelluar edhe më tej.

Debati në Kroaci, vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s, për dhe kundër rritjes së pagës, ka një referencë që pushteti dhe politika në Kosovë nuk e ndjejnë, mbase “të droguar” e “të shfrenuar”nga luksi i tepruar. Të gjithë në Kroaci pajtohen se vendi është i varfër, ani që vetëm nga turizmi arkëtojnë afro 12 miliardë euro në vit. Në këtë shtet afro 5-milionësh, 99 për qind e të punësuarve në sektorin publik kanë vetëm një vend pune.

Eksploatimi i qytetarëve që kanë vendosur të mos trokasin për një vend pune tek institucionet e kapura, i atyre që duan të sigurojnë mirëqenie për vete e familjen nëpërmjet iniciativave private dhe që nuk duan të ecin zvarrë rrugëve ilegale për të mbërritur në një vend të Perëndimit, është krim i organizuar institucional.

Askush nuk e ka pyetur sektorin privat – pronarët dhe të punësuarit në të, se a duhet të abuzohet me paranë dhe taksën e tyre. Askush nuk i pyet se si ia dalin në këtë treg kaotik, askush nuk brengoset se si ia dalin në një vend që përveç politikave izoluese të vendosura nga jashtë, janë krijuar të tjera politika izoluese nga brenda - për shkak të imazhit të keq në shërbim, në ndarjen e drejtësisë e në trajtimin e pronës, për shkak të orientimit klientelist të investimeve kapitale dhe të infrastrukturës, për shkak të politikave tatimore, për shkak të politikave abuzuese kredituese, për shkak të politikave të pagave në sektorin publik, e për shkak të skemave të dyshimta sociale e pensionale (Kosova ka 240 mijë përfitues të skemës pensionale dhe afro 30 mijë përfitues të skemës së ndihmës sociale). Nuk i pyet kush për ndikimin e politikave të dështuara arsimore - mungesën e kuadrit që u përgjigjet kërkesave të tregut të punës.

Nëse vazhdon ky trend i rritjes së pakontrolluar të pagave në sektorin publik dhe kjo ngufatje e sektorit privat, shumë shpejt do ta kemi më të lartë pensionin dhe të ardhurat nga skema sociale, sesa pagat në sektorin privat, në të cilin në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rritje vetëm 2 për qind. Ky hendek mund të rrënojë qëndrueshmërinë financiare, për të cilën Kosova është vlerësuar pozitivisht nga monitoruesit ndërkombëtarë.

Miratimi i Projektligjit për Paga, sado që përkthehet arritje nga Qeveria dhe mbështetësit e saj, nga ekspertët e sistemit juridik vlerësohet të jetë edhe kundërkushtetues. Projektligji, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk ka arritur as qëllimin primar – ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Përveçse ka kufizuar investimet në zhvillim ekonomik, ka provokuar sërish pakënaqësi sociale.

Pazari me paga dhe thellimi i hendekut në mes sektorit publik dhe privat, po ashtu, mund të nxisë kontrabandën dhe informalitetin. Mund të pengojë rritjen e punësimit dhe të shtyjë të rinjtë drejt migrimit. Në një perspektivë të afërme kjo do të reduktojë fuqinë punëtore, edhe me keq atë konsumuese.

Por, në këtë lojë të rrezikshme ka edhe përfitues – janë autorët e saj që do të shpërblehen me vota në zgjedhjet e ardhshme dhe mbështetësit e tyre partiakë, shumica “parazitë”, që do të hanë edhe më tej në “grazhdin” e pushtetit. Të tjerët, sado që në numër janë shumë, ka shanse të mos votojnë as për, as kundër. Ata, të dëshpëruar, mund të zgjedhin bojkotin, mbase edhe ikjen nga vendi, si të vetmen mundësi për të mos ia paguar më haraçin pushtetit që riciklohet përgjatë 20 vjetëve dhe që ua nxinë jetën atyre dhe familjeve të tyre.