OpEd

Patriotizëm i bërë ylym për qylym!

Krekosjet, inatet, hakmarrjet politike, në situatën në të cilën gjendemi, nuk i sjellin Kosovës e as popullit të saj asnjë të mirë përveç ndasive edhe më të thella. E te ne edhe sorrat kanë arritur që të politizohen dhe të rreshtohen në mënyrë partiake. Në një vend ideal apo, le të themi, në një vend funksional ku njerëzit do të shikonin përtej inateve të tyre personale dhe partiake, pushtet e opozitë do të uleshin bashkë dhe do të vendosnin sesi do të duhej vepruar më tutje si shtet, pasi që me këto vendime dhe pasoja nuk do të jetojmë vetëm ne, por edhe gjenerata të tëra pas nesh

Përfundoi edhe një kremte patriotike e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Flamujt me shkabën dykrenore u palosën dhe u vendosën në sirtarët e shumtë.

Kësaj radhe, përveç flamujve, na ka dalë punë që t’i shkundim dhe palosim edhe qilimat patriotikë. Shqiptari asnjëherë nuk zhgënjen me nivelin e kreativitetit për ta shpalosur apo palosur patriotizmin e tij.

Shtoja kësaj edhe borën e parë, dhe ekzaltimi veç sa shkon në maksimum. Edhe dordolecët i kurorëzojmë me rekuizita patriotike. Mirëpo, të gjitha këto janë të pakuptimta, kur ende lexon lajme se edhe në prag të festës apo në ditën e festës burri e mbyt gruan, fqinji e mbyt fqinjin, vëllai e mbyt vëllain. Cinikët do të thoshin se këto janë gjëra që ndodhin gjithkund nëpër botë. Unë vetëm do të shtoja se ne jemi një popull i vogël në numër dhe jo prej disa dhjetëra apo qindra milionash, prandaj për mua mbeten shumë brengosëse.

Çfarë dua të them është se patriotizmi i vërtetë shkon përtej valëvitjes së flamujve dhe qilimave. Patriotizmi i vërtetë e do natyrën që e rrethon, i do ujërat që e rrethojnë, i do dhe i respekton njerëzit me të cilët kohabiton në të njëjtën hapësirë, i do edhe kafshët njashtu.

Patriotizmi është shumëdimensional dhe si të tillë nuk mund ta reduktosh vetëm në valëvitje flamuri, në ndonjë këngë patriotike me çiftelia dhe parulla e fjalë boshe.

I tillë ishte edhe tubimi i radhës i dy qeverive të popullatës shumicë shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. U arritën “marrëveshje” që bëhen tradicionalisht dhe protokollarisht për çdo vit, por implementimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Mirëpo, si pamje patriotike s’ka fjalë. Sivjet qilimi patriotik ishte kryefjala dhe vetë kallëzuesi. Përndryshe, urime unifikimin e Abetares, problem ky që do të “zgjidhë” shumë nyje midis vëllezërish.

“Uaaa mami topi im, uaaa babi topi im”.

Kur jam te topi, mendoj se popullata shqiptare u tregua vigjilente në kritikat dhe në analizat e saja të thukëta për edicionin e sivjetmë të çmimit “Balon d'Or 2021” dhe për atë nëse Messi ishte kandidati adekuat për ta fituar këtë çmim. Debatet ishin në nivelin e duhur, duke filluar nga rrjetet sociale e më pas edhe ato të avancuarat nëpër studio televizive. FIFA dhe UEFA i kanë sytë të kthyer nga ne dhe me përpikëri vrojtojnë secilin mendim dhe kritikë tonën.

Në skenën politike botërore, atë të lojtarëve të mëdhenj, vërejmë ngritje tensionesh e përplasje retorike midis aleancës së NATO-s dhe Rusisë. Krejt kjo si pasojë e grumbullimit të ushtrisë ruse pranë kufijve me Ukrainën dhe frikës për një invazion të ri të Rusisë ndaj këtij shteti. Në anën tjetër, është frika e Rusisë për grumbullimin dhe manovrat ushtarake të NATO-s në vendet lindore evropiane përgjatë kufirit me Rusinë. Në këtë lojë, Rusia shfrytëzon edhe proxyt e saj, si Alexander Lukashenkon e Bjellorusisë dhe Milorad Dodikun e Bosnjë-Hercegovinës, ashtu që problemet me NATO-n t’i përhapë edhe në vendet e tjera rajonale dhe të Evropës Perëndimore, si dhe të shkaktojë destabilitet.

Në prononcimet e fundit të kryesuesit të Aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg, u bë e ditur se elemente të huaja kanë për tendencë destabilizimin e situatës politike në Bosnjë, si dhe në Kosovë. Zakonisht u frikësohem këtyre kacafytjeve të të mëdhenjve, qoftë edhe me fjalë, ngase rëndom e pësojnë ata më të vegjlit dhe më të dobëtit në këto matje forcash e pazaresh gjeopolitike.

Në anën tjetër, përditë e më shumë vërehet një trysni e shteteve perëndimore ndaj Qeverisë së Kosovës për realizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. E fundit ishte letra e përbashkët e anëtarëve të Quintit që Qeveria e Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën rreth Manastirit të Deçanit, e ku bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh. Trysnia tjetër bëhet nga ana e BE-së dhe shtetet tona mike, siç ishte edhe rasti i fundit gjatë vizitës së presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, i cili nga presidentja Vjosa Osmani kërkoi që Kosova ta implementojë Asociacionin e komunave serbe.

Opozita kosovare, e cila kërkon zgjedhje të parakohshme duke aluduar në punën e dobët të Qeverisë, mendoj se këtë gjë e ka më shumë për zhurmë mediatike, e ekzaltuar pas disa sukseseve të arritura në zgjedhjet lokale, sesa që e ka përnjëmend një dëshirë të tillë.

Ishte pikërisht ajo që i solli këto marrëveshje në tryezat e bisedimeve dhe që i aprovoi ato edhe në Kuvend, ndërsa këmbët e arushës tani janë në duart e Qeverisë Kurti. Dhe atyre u mbetet të mundohen që të nxjerrin dhjamë nga pleshti dhe ta bëjnë maksimumin e mundshëm nën rrethanat e krijuara.

Në të njëjtën kohë, nga BE-ja dhe disa vende të saja fillojnë të shtohen zërat se populli i Kosovës i meriton liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë. Disi gjithmonë karotat dhe shkopinjtë sinkronizohen me këto raste dhe ky liberalizim na ka arritur “shumë herë” deri më tash. E atje, kur të vijë puna te votimi i mirëfilltë për liberalizimin e vizave Kosovës, njërit prej anëtarëve të BE-së i teket që të vendosë veton dhe atëherë çështja prapë kthehet në zanafillën e problemeve të saja.

Sidoqoftë, do të jetë shumë interesante të shohim sesi Qeveria Kurti do të notojë në këta ujëra të rrëmbyeshëm, ku opozita është vënë në rolin e vrojtuesit, i cili as që do të tentojë që ta hedhë gomën e shpëtimit. Për t’i përfaqësuar dëshirat e tyre të vërteta, atëherë do të duhesha të thellohesha në mendime morbide.

Kjo prapë më kthen te fillimi i këtij Ditari. Patriotizmi shumëdimensional.

Krekosjet, inatet, hakmarrjet politike, në situatën në të cilën gjendemi, nuk i sjellin Kosovës e as popullit të saj asnjë të mirë përveç ndasive edhe më të thella. E te ne edhe sorrat kanë arritur që të politizohen dhe që të rreshtohen në mënyrë partiake.

Në një vend ideal apo, le të themi, në një vend funksional ku njerëzit do të shikonin përtej inateve të tyre personale dhe partiake, pushtet e opozitë do të uleshin bashkë dhe do të vendosnin sesi do të duhej vepruar më tutje si shtet, pasi që me këto vendime dhe pasoja nuk do të jetojmë vetëm ne, por edhe gjenerata të tëra pas nesh. Së paku një herë të silleni si njerëz të pjekur, të cilëve u është deleguar përgjegjësia për ta udhëhequr shtetin dhe për ta përfaqësuar popullin që tashmë është lodhur nga lojërat e ndyta politike dhe partiake. Këtë mësim do të duhej ta kenë nxjerrë partitë politike pa dallim, si nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme ashtu edhe nga këto zgjedhjet e fundit lokale.

Ky popull e di se kur është mjaft dhe kur i është bërë tepër. Ky popull di të ndëshkojë. Prandaj, thirruni mendjes politikanë të dashur dhe uluni e punoni bashkërisht për gjetjen e rrugëdaljes më të mirë të mundshme për shtetin tonë, i cili u arrit falë sakrificave shekullore të këtij populli. Historia as nuk ka filluar dhe as nuk do të përfundojë me ju.