Thaçi, duke e imituar Vuçiqin, me zë patetik tregon se marrëveshja do të jetë shumë e vështirë dhe e dhimbshme. Ai i vetmi e di, për shkak se vetëm ai e di se çfarë koncesionesh ka ofruar pa u konsultuar me askënd. E di edhe për shkak se me gabimin që e ka bërë me OJQ Zajednicën ia ka dhënë bazën Serbisë për të kërkuar edhe shumë më shumë -- sepse me të, tashmë e ka bërë bashkësundimtare të Kosovës
Ngjarja e javës nuk qe rekomandimi për liberalizim vizash, sepse si i tillë nënkupton një proces të gjatë ku do të jenë të përfshirë edhe Parlamenti Evropian edhe shtetet anëtare, e që mund të na çojë deri në vitin e ardhshëm pa përgjigje. Fundja, po është me rëndësi që të kemi lëvizje të lirë, e edhe që të mos ndihemi se jetojmë, të vetmit në një geto. Porse pesha e këtij liberalizimi as që mund të krahasohet me atë që e jetojmë dita më ditë.
Ngjarja e javës, qe edhe hajgarja e javës, e cila u realizua në Bruksel. Oda e zvogëluar e burrave shkoi, doli syret dhe u kthye.
Ekipi i ç'unitetit
Negociatat me Serbinë vazhdojnë: një one-man show nga ana e Kosovës dhe një shtet i fortë që po di saktësisht çfarë muzike t'i bjerë dhe si ta bëjë Thaçin të vallëzojë sipas atij ritmi.
Pasi me arrogancën më të madhe u vetemërua kryenegociator, mbase duke parë se barra e historisë në rast të edhe një dështimi do të ishte tepër i madh, me ngulm nisi të kërkonte krijimin e ekipit të unitetit me të në krye. Ia doli që në këtë ekip, ende jo ekip dhe ende i pazyrtarizuar nga askush, pa mandat, pa platformë, pa vija të kuqe, pa asgjë -- ta fusë kryeministrin, kryeparlamentarin e edhe Limajn, i cili deri në këtë çast kundërshtonte udhëheqjen e ekipit nga Thaçi. Opozita vazhdon të kundërshtojë dhe nuk dërgon përfaqësues.
Dhe, duke e ditur se të mërkurën do të mbahej takimi i radhës me Serbinë, pra ideja qe që në takimin e radhës do të merrnin pjesë të katërtit, që kanë dalë në politikë nga krahu i luftës.
Por natyrisht se Kosova nuk do të ishte kjo që është po të mos ishin shëtitjet grupore të stilit të së mërkurës së shkuar. Mogherini e priti delegacionin prej gjashtë burrash: Thaçin, Veselin, Haradinajn, Pacollin, Limajn dhe Dardan Gashin (sic!), të cilëve me gjasë ua kumtoi punën e rekomandimit të vizave. Takimi u krye. U nisën për ta bërë një foto “Hajde Familli”, e cila nuk u realizua dot pa Bacin, të cilin në kor e thërrisnin ata të tjerët e renditur për pozë. U krye edhe fotoja. Dhe teksa besohej se pjesa e dytë e shëtitjes do të përfundonte në takim me Vuçiqin, ndodhi ajo që është dashur të jetë pritur: Thaçi shkoi i vetëm (kështu thonë) në atë takim. Këtyre pesë të tjerëve ua dha “off” për të dalë e pirë kafe.
Nëse intenca ka qenë t'i dëshmohet Mogherinit se Kosova flet me një zë, atëherë ky qëllim edhe është arritur: sepse në këto bisedime flet i vetmi zë, Thaçi. Dhe për më keq, nuk e dimë as çfarë flet.
Ironia e fotos
Pjesa më ironike e gjithë kësaj shëtitjeje, pos anekdotës për aeroplanin privat që ishte udhëzuar të kalonte nga Serbia e që më pas ishte ridrejtuar me urdhër të Pacollit, qe vetë fotoja e cila qarkulloi gjatë gjithë ditës nëpër mediume.
Gjashtë burra, prej të cilëve tre e kishin shkelur Ligjin e protokollit shtetëror, dhe njëkohësisht kishin udhëtuar jashtë shtetit pa ndonjë autorizim nga askush. Gjashtë burra, ndër të cilët madje tre zëvendëskryeministra/ministra: i Jashtmi që nuk e kishte vendin aty, ngase kjo është punë e ministres së Integrimeve; i dyti, pa portofol, por kryetar i partisë që iu bashkua ekipit (ky me arsye) dhe i Diasporës, që kush nuk e mori vesh se çfarë kërkonte aty. Pra gjashtë burra, të cilëve iu kumtua se Kosova e kishte plotësuar edhe kriterin e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar -- duke e ditur që të gjithë, edhe kumtuesit e edhe ata të cilëve kjo iu kumtua -- se kjo është rrenë e kulluar.
E sa është rrenë e madhe e dëshmonte vetë fotografia e asaj dite: nga të gjashtë burrat e fotografuar, vetëm dy kishin qenë të punësuar para lufte. Këta të tjerët rrogat e para i kanë marrë nga buxheti i Kosovës mbas lufte -- ama kur iu mblidhet pasuria të të gjithëve dalin qindra miliona, edhe pa Bacin. E këta, ëndrra e çdo të riu në Kosovë (do të bëhem politikan, sepse do të pasurohem), e bartin detyrën e luftimit të krimit e të korrupsionit, i cili si kriter është plotësuar, porse që duhet të luftohet, sepse krimi e korrupsioni vazhdojnë të lulëzojnë në Kosovë. Ironike.
Fajtori kujdestar
Pas takimit me Vuçiqin doli Thaçi. I ngrysur deklaroi: “Ka qenë takim i shkurtër, ka qenë takim jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”.
Nuk u mjaftua me këtë deklaratë, porse të nesërmen mbajti takim me gazetarët dhe e përsëriti të njëjtën gjë, porse nuk e tregoi përmbajtjen e bisedës me Vuçiqin. E sikur kjo të mos mjaftonte, pasi që kishte shkretuar para disa javësh (“Nuk ka vija të kuqe”); pasi që kishte refuzuar edhe të ashtuquajturën platformë të Partisë së tij ku viheshin ca kufizime dhe pasi që ambasadori amerikan refuzoi të deklarohej për vijat e kuqe, sërish doli para gazetarëve. Kësaj radhe për ta kritikuar, natyrisht, KOHË-n, e cila i ka bërë publike prapaskenat e negociatave që po i zhvillon në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses, si dhe për ta mbajtur një monolog patetik -- një kopje identike e komunikimit të cilin Vuçiqi e bën me publikun e tij.
Dy ditë më herët e përsëriti se “...në muajt e ardhshëm sa kanë mbetur, 6 muaj, të arrihet marrëveshja përfundimtare historike, ajo e normalizimit të marrëdhënieve, e paqes dhe njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”. Nuk dihet të jetë diskutuar ndonjëherë ndonjë afat brenda të cilit duhet të arrihet çfarëdo marrëveshje. Porse Thaçi, i prirë për të qitur data sipas qejfit (e mbani mend historikun e liberalizimit, të para 8 vjetësh, se ky do të arrihej për 15 muaj), me gjasë do ta ketë fiksuar vetë këtë datë. Kjo, për të treguar se sa shumë punë do të ketë; dhe sa punë do t'i kryejë pa e pyetur askënd për asgjë.
Kurse dje, e përsëriti se marrëveshja do të jetë shumë e vështirë dhe e dhimbshme. Pra ai e di se sa do të jetë e dhimbshme, për shkak se me gjasë e di se çfarë koncesionesh ka ofruar pa u konsultuar me askënd. E natyrisht se do të jetë e dhimbshme për shkak se gabimin që e ka bërë me OJQ Zajednicën do t'i shërbejë Serbisë si bazë për të kërkuar edhe shumë më shumë -- sepse me të, tashmë ia ka njohur të drejtën e vendimmarrjes politike në Kosovë për të gjitha çështjet.
Çiftelia me një tel
E dje kërkoi që t'ia citojmë tekstualisht atë që e ka thënë (ashtu siç bëjmë çdoherë, edhe atëherë kur fjalitë i ka nonsens). Këtë e tha, pra, tekstualisht: “Marrëveshja do të jetë në mes të vendeve të pavarura dhe sovrane, që nënkupton njohjen formale dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.
Po refuzoi të tregonte se si do të arrihej kjo dhe nëse kjo nënkupton edhe ndarjen territoriale, të cilën ambasadori Delawie e kishte refuzuar kategorikisht në dimër vjet, e për të cilën refuzoi të përgjigjej të enjten mbrëma. Ky ndërrim diskursi mund të thotë se SHBA-ja ka ndërruar qëndrim; mund të thotë se s'ka qëndrim; mund të thotë se e përdor këtë si atu për t'i bindur të gjithë që t'i bashkohen Thaçit në negociata; mund të thotë që mund të mos e dojë Thaçin për kryenegociator; mund të thotë shumë gjëra, e ndër to edhe cungimin e integritetit territorial të Kosovës e për pasojë edhe referendumet për bashkimin e territoreve etnike nëpër të gjithë Ballkanin. Mund të thotë shumë gjëra -- e më së miri do t'i sqaronte vetë ambasadori në ikje, që të mos i lërë deklaratat e interpretueshme sipas kutit të secilit.
Sidoqoftë, atë që e thotë Thaçi (duke shtuar se “Marrëveshja përfundimtare do të jetë e dakorduar me SHBA-në dhe BE-në”) nuk ka shumë kuptim, dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë njohuri nga politika globale.
Të nisemi nga supozimi se marrëveshja do të arrihej brenda gjashtë muajsh, siç thotë ky, dhe me atë marrëveshje do të përcaktohej se në këmbim të shkëputjes graduale të veriut (për nja 7 vjet, ta zëmë), Serbia do të pajtohej që të mos e pengonte Kosovën që të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare; ndoshta edhe do ta njihte Kosovën si shtet, por jo pa kërkuar tash autonominë për gjashtë komuna të tjera serbe që do të mbesnin në jug të Ibrit; eventualisht do të thoshte që një periudhë transitore 20-vjeçare (kur shqiptarët do të shndërrohen në pakicë absolute aty), Kosovës do t'i bashkoheshin tri komunat e Luginës.
Por një gjë që mbetet përherë në ajër dhe kurrë nuk gjen përgjigje te Thaçi është: si do t'ia bëjë kjo marrëveshje, që t'i detyrojë pesë shtetet e BE-së që nuk na njohin, si dhe Rusinë e Kinën që ta pranojnë këtë leje të Serbisë si obligim të cilit duhen përmbajtur?
* * *
Përgjigjen natyrisht nuk e di as Thaçi, i cili me ngulm flet për marrëveshje historike. Dhe flet për shkak se nuk ka kush t'ia ndalë hovin.
Një opozitë që na çau kokën, duke na folur për zgjedhjet e parakohshme, nuk bëhet bashkë për ta ndërtuar një platformë dhe t'ia imponojë kujtdo që do ta marrë barrën për të negociuar. As nuk e merr guximin për t'i thënë jo, e as nuk ndërmerr asnjë hap për të vendosur një rend a një ide. Natyrisht se është e lehtë tërheqja dhe deklarimi se nuk do të inkuadrohen në një ekip të destinuar për dështim nëse udhëhiqet nga Thaçi, porse përderisa mbajnë pushtet parlamentar, edhe partitë opozitare mbajnë përgjegjësi për këtë proces që mund të na kushtojë shumë.
Patetizmi i Thaçit dikur do të na bëhet i njëtrajtshëm, për shkak se tingëllon si çifteli së cilës i është këputur njëri tel, dhe si me shumë gjëra të tjera që na i ka thënë e që nuk kanë pasur kuptim, ai do të vazhdojë të shkojë në Bruksel. Dhe sa herë që do të kthehet, do të paraqitet në trajtën e njeriut të cilin e kanë lënë të vetëm të luftojë kundër këlshedrës, dhe i cili për ta “shpëtuar shtetin” do të falë edhe të paimagjinueshmen. Sepse nuk di më mirë.