OpEd

Pastaj erdhi 24 marsi...

Për aq kohë se opinioni serb refuzon të kuptojë se cilat ishin arsyet që i sollën bombat e NATO-s, paqja në Ballkan mbetet e paqëndrueshme dhe pajtimi mes popujve një dëshirë nëpër punëtori të organizatave qeveritare

Milorad Dodiku është kryetar i kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës. Por në Sarajevë vjen vetëm kur është patjetër e domosdoshme, për shembull për ndonjë mbledhje. Një seli të përkohshme e ka ngritur në Sarajevën Lindore, e cila gjendet në Republikën Serbe, entiteti i dytë i Bosnjë-Hercegovinës. Dodik nuk lodhet së përsërituri se Bosnja është shtet i pamundshëm, pa ardhmëri. Ai thotë se në Sarajevë ndihet si një derrkuc në Teheran. Ai njofton se – ndonëse formalisht është kreu i shtetit të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës – në botën e jashtme udhëton me pasaportë të Serbisë.

Në 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve kundër Serbisë, për shkak të terrorit mbi popullsinë civile në Kosovë, Dodik qëndroi në Nish. Në këtë qytet të Serbisë Jugore, aty ku ishte selia e Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave më 1999, e cila kreu shumë krime të luftës në Kosovë, Dodik mbajti një fjalim që tregon se sporti më i popullarizuar në mesin e politikanëve serbë është manipulimi i historisë, heshtja e fakteve dhe retorika antiperëndimore. Më 1999, NATO-ja i paska shkaktuar dëm të madh civilizimit. Po, kjo është e vërtetë, nëse me civilizim mendohen vrasja e civilëve, djegia e pronave të tyre, dëbimi i tyre, terrori i përditshëm, diskriminimi ekonomik, kulturor dhe arsimor.

Është pikërisht kjo që ka bërë regjimi i Beogradit në Kosovë në vitet ’90 – gjithnjë nga pozicioni i “racës superiore” ndaj shqiptarëve. Në një reportazh të revistës “Vreme”, në vitet ‘90 përshkruhej se si krimineli i luftës, Arkani, futej në argjendari në Prishtinë dhe merrte çfarë i duhej. Këto ëndrra tash Dodiku i sheh nga Nishi, kur llomotit: “Vuajtjet dhe bombardimi i tmerrshëm i Serbisë dhe RS (Republikës Serbe) kanë qenë pjesë e planit kriminal të NATO-s dhe Perëndimit, të cilët atëbotë na vendosën në anën e të këqijve, të cilëve duhet shkaktuar dëm. Sot e dimë se agresioni i NATO-s ka qenë gjatë i planifikuar dhe e dimë se për nga pasojat po zgjat deri më sot”.

Deklaratat e Dodikut nuk janë befasuese. Të neveritshme janë qëndrimet edhe të atyre politikanëve serbë që konsiderohen si të moderuar, por kur vjen puna te sulmet e NATO-s – ato shikohen si diçka që erdhën nga qielli i kaltër, papritmas, dhe qëlluan një popull të pafajshëm. Kjo verbëri për të kuptuar arsyet që sollën ndërhyrjen e NATO-s, kjo tendencë e përhershme për revidimin e historisë, kjo përpjekje për manipulim faktesh, e bëjnë të pamundur konsolidimin e paqes në rajon dhe krijimin e një klime të besimit bazik mes popujve. 24 marsi i vitit 1999 erdhi, sepse më parë mijëra serbë stolisën me lule tanket që më 1991 shkonin drejt Vukovarit për ta bërë rrafsh me tokë; 24 marsi i vitit 1999 erdhi, sepse u bombardua Dubrovniku, qytet i mbrojtur nga UNESCO-ja; 24 marsi i vitit 1999 erdhi, sepse në Srebrenicë forcat serbe të prira nga gjenerali Ratko Mladiq kryen gjenocidin e parë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore; 24 marsi i vitit 1999 erdhi, sepse në qytete si Vishegradi forcat serbe kryen krime të llahtarshme; 24 marsi i vitit 1999 erdhi, sepse gjatë rrethimit mbi trevjeçar të Sarajevës u vranë mbi 10 mijë civilë.

Në përpjekjet për të argumentuar kundër ndërhyrjes së NATO-s politikanët serbë si Vuk Jeremiqi përmendin uraniumin e varfëruar që NATO-ja ka “hedhur mbi Serbi”. Që në vitin 2001 një program i OKB-së për ambientin arriti në përfundim se sasia e uraniumit, që përmbanin bombat, nuk paraqet rrezik të dukshëm për shëndetin. Argumenti tjetër jo vetëm serb është se me ndërhyrjen në Kosovë, NATO-ja ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Është absurde dhe cinike që një vend si Serbia, që aktivisht e ka përkrahur gjenocidin në Srebrenicë, të pretendojë se po mbron të drejtën ndërkombëtare. “Një e drejtë ndërkombëtare pa mundësi sanksionimi është e parëndësishme”, thoshte më 1999 politikani zviceran Jean Ziegler, një ikonë e kritikëve të globalizimit, majtist dhe shok i Che Guevaras, pra assesi dashamir i Amerikës. Zieger e përkrahu qartë ndërhyrjen e NATO-s. Profesori zviceran i së drejtës ndërkombëtare Walter Kälin nënvizonte se e drejta ndërkombëtare lejon një interpretim në favor të mbrojtjes së popullsisë shqiptare të Kosovës. Bruno Simma, njëri prej ekspertëve më të njohur gjermanë të së drejtës ndërkombëtare, theksonte se kur shteti e keqpërdor qeverisjen dhe e shndërron në krim masiv, atëherë “fqinjët demokratikë” duhet të vrapojnë për të ndihmuar, sepse nga dilema e të vepruarit sikur tashmë ekziston gjendja plotësisht e institucionalizuar civile botërore nuk pason maksima se “viktimat duhet lënë nën mëshirën e kasapëve të tyre”.