OpEd

Pasojat politike të zemërimit të kryetarit

Apo, si fushata hakmarrëse e kryetarit të LDK-së e dëmtoi partinë dhe si ky qëndrim inatçor vë në rrezik një koalicion “anti-PDK”, ashtu siç ishte edhe vota e qytetarëve

Isa Mustafës iu dha fjala që t’u drejtohet deputetëve si kryeministër i sapozgjedhur në seancën e 8 dhjetorit 2014. Fytyra e tij nuk reflektonte aspak gëzim, ani pse kishte arritur postin më të lartë politik në vend. Isa Mustafa nuk po u gëzohej 73 votave që kishte marrë për t’u zgjedhur kryeministër, atë po e mundonin votat e tetë deputetëve të LDK-së, të cilët nuk e votuan një koalicion me PDK-në. Ai ishte i mbushur me inat, fakt që nuk e fshehu as në fjalimin e tij. Ai i falënderoi deputetët e PDK-së, komuniteteve pakicë dhe anëtarët e partisë së tij, të cilët e votuan. Falënderoi, po ashtu, deputetët e partive opozitare që votuan kundër, duke u thënë se kjo është e drejtë e çdonjërit që të votojë sipas mendimit të vet. “Natyrisht kjo vlen për të gjithë ju” - vazhdoi ai duke shikuar me bisht të syrit nga grupi parlamentar i LDK-së - “por jo edhe për deputetët e LDK-së, të cilët votuan kundër dhe abstenuan”. Ky ishte fillimi i një hakmarrjeje të gjatë, e cila po vazhdon edhe sot. Isa Mustafa do t’u hakmerrej atyre deputetëve, të cilët po mbanin një qëndrim parimor, qëndrim me të cilin edhe kishin fituar votat e qytetarëve, se nuk do të hynin në koalicion me PDK-në.

Deputetët që votuan kundër koalicionit me PDK-në, si Vjosa Osmani, Anton Quni, Adem Salihaj, Arben Gashi, Fatmir Rexhepi, Doruntinë Maloku e Armend Zemaj, nuk u emëruan në Kryesi të Kuvendit apo në kryesimin e komisioneve parlamentare. Madje, asnjëri prej tyre nuk u emërua as për zëvendëskryetar/e të komisioneve parlamentare. E në “klubin e deputetëve të dënuar” më vonë do të hynin edhe Hatim Baxhaku dhe Shpejtim Bulliqi. Hatim Baxhaku pësoi nga veprimet e kryetarit inatçor, për mosdhënien e votës së tij për presidentin Thaçi, president të cilin vetë LDK-ja deklaroi gjatë fushatës para zgjedhjeve të 11 qershorit se nuk e njeh si të tillë. Kurse, ndaj Shpejtim Bulliqit kryetari i LDK-së shprehu haptas disa herë zemërimin e tij për shkak të qëndrimit ndaj demarkacionit.

Të gjithë këta deputetë do të pësonin nga një kryetar i partisë me karrierë mbi 30-vjeçare në politikë, profesor universitar dhe anëtar i akademisë. Tërbimi i tij ishte më i fuqishëm sesa përvoja e tij politike dhe përgatitja akademike. Dhe objekti i tërbimit të tij nuk ishin vetëm deputetët, por edhe anëtarë të tjerë të partisë së tij dhe kritikues të punës së tij. Një nga kritikueset e veprimeve të tij, Donika Gërvalla-Schwartz u nxor zvarrë nga konventa e LDK-së, kur po vendosej për kryetarin e partisë. Tashmë janë të njohura të gjitha shfryrjet e tij në rrjetin social Facebook, ku çdo kundërshtari politik i jepte një epitet kafshe. Pas hulumtimit të mediumit Insajderi se si vëllai i kryeministrit ishte një ndër azilkërkuesit, Isa Mustafa telefonoi gazetarin Vehbi Kajtazi duke e kërcënuar “se ke me pagu shtrenjtë, qen bir qeni”.

Por, veprimet inatçore të kryetarit të partisë nuk u ndalën me kaq. Pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Isa Mustafa iu hakmor edhe një herë deputetëve të partisë së tij. Deputetët Hatim Baxhaku, Shpejtim Bulliqi, Adem Salihaj e Fatmir Rexhepi nuk u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet të zgjedhjeve të 11 qershorit. Vjosa Osmani, e cila ishte deputetja e dytë më e votuar nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 2014-s, u degradua nga fundi i listës, ani pse vetëm tre vjet më parë ajo mbante numrin tre në listë. Kurse bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, ata që ia ledhatuan sedrën për çdo veprim të tij, u pozicionuan më mirë më listën e deputetëve.

Këto veprime inatçore, së bashku me dështimet në qeverisjen trevjeçare dhe një koalicioni joparimor me PDK-në, lanë shumë pasoja edhe në rezultatin e gjithëmbarshëm të partisë. Për herë të parë në histori të zgjedhjeve të Kosovës, LDK-ja u radhit si partia e tretë me numrin e votave, madje edhe duke qenë në koalicion me më së paku dy parti të tjera. Rënia e numrit të votave në komunat Gjilan, Prizren, Ferizaj e Podujevë mund të ketë ardhur edhe për faktin e mospërfshirjes në listë të deputetëve nga këto komuna. Në anën tjetër, votuesi i LDK-së ka ndëshkuar me votë bashkëpunëtorët më të ngushtë të z. Mustafa, duke iu dhënë votë kandidatëve të rinj dhe atyre që i kundërshtuan veprimet e tij në koalicion qeverisës. Vjosa Osmani, e cila ishte kundërkandidatja e vetme për postin e kryetares së LDK-së dy vjet më parë, doli një ndër deputetet më të votuara.

Sfera publike, nëse jo edhe ajo private, duhet të jetë vend për diskutime të qeta e jo emocione zemërimi, argumenton filozofja Martha Nussbaum në librin e saj “Zemërim dhe Falje: Fyerja, Bujaria, Drejtësia” (Origjinal: “Anger and Forgiveness: Resentment, Generosity, Justice”, Oxford Univesity Press, 2016).

Sipas Nussbaum, zemërimi manifestohet në dy mënyra. E para, rruga e shpagimit, kur i zemëruari beson se duke i shkaktuar vuajtje keqbërësit, në njëfarë mënyrë kontribuon në rivendosjen e gjërave të dëmtuara. E dyta, rruga e statusit, kur i zemëruari tenton të rikthejë statusin e tij, duke ulur statusin e tjetrit, qoftë përmes turpërimit apo përmes degradimit.

Sipas Nussbaum, të dy këto rrugë të zemërimit kanë probleme normative, sidomos kur aplikohen në sferën publike, për shkak se bazohen në një besim të rremë të një drejtësie kozmike, si dhe, ulja e statusit të tjetrit nuk nënkupton domosdo forcimin e statusit të të dëmtuarit.

E kryetari i LDK-së, z.Isa Mustafa, beson se ai u dëmtua padrejtë në tërë mandatin qeverisës, nga të gjitha anët: nga opozita, të cilët me gaz lotsjellës dhe protesta pamundësuan rrjedhën normale të qeverisjes; nga partneri i koalicionit, i cili nuk e la të qeverisë deri në fund; dhe nga anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk e përkrahën në çdo vendim. Këtë “padrejtësi”, ndaj tij, kryeministri në detyrë po mundohet ta vërë në vend duke kërkuar shpagim nga partneri i koalicionit, përmes ripërsëritjes së refrenit “kurrë më me PDK”, duke mohuar një koalicion me VV-në, ku këta të fundit mbajnë postin e kryeministrit, me arsyetimin se “”VV-ja mori vendim për rrëzimin e Qeverisë” dhe duke degraduar anëtarët e partisë së tij, qoftë duke i lënë jashtë listave zgjedhore, qoftë duke i fshehur nga fundi i listës.

Kryetari i LDK-së është caktuar edhe si përfaqësues i koalicionit LDK-AKR-Alternativa në negociatat me partitë e tjera për arritjen e koalicionit qeverisës. Personaliteti i tij inatçor, ashtu si dëmtoi partinë në zgjedhjet e 11 qershorit, rrezikon që të bllokojë po ashtu edhe një koalicion të mundshëm “anti-PDK” – apo atyre që e kanë kapur shtetin, siç ka deklaruar edhe vetë z.Mustafa disa herë. Andaj, duke respektuar votën e qytetarëve, të cilët përkrahën në masë të madhe deputetët, të cilët nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë të z.Mustafa, si dhe votuan në masë të madhe kundër partive që kanë qenë në qeverisje këto dhjetë vjetët e fundit, z.Mustafa duhet t’u hapë rrugë ndryshimeve, së pari brenda LDK-së, e pastaj edhe në koalicionet qeverisëse.