Një raketë prej letre u lëshua të enjten mbrëma në qiellin e Kosovës, nga dritarja e Gjykatës Kushtetuese. Pasi që i ndezi fitilin topit, gjyqtari mblodhi trupin dhe mbylli veshët me duar për të mos dëgjuar zhurmën dhe jehonën e eksplodimit të saj. Natyrisht se kumtimi i verdiktit të pritur nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e Dekretit të presidentit nuk u bë në këtë mënyrë. Kështu e pa karikaturisti i gazetës, Jemi.
Vendimi nuk pati jehonë aq të madhe sa mund ta kenë pritur gjyqtarët e Kushtetueses, apo sponsorizuesit e vendimit. Kjo sepse edhe zogjtë e malit tashmë e dinin se në favor të kujt do të shkonte. Madje, që pa nisur procedurat e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit. Që nga dërgimi i rastit në Kushtetuese, Gjykata me vetëdije e shtronte rrugën drejt vendimit që mori. Së pari duke dërguar në Komisionin e Venecias pyetje “favorizuese” për Thaçin, e pastaj duke kërkuar punimet përgatitore të Kushtetutës për të shtuar arsyet pro qëndrimit. Kishim kureshtje vetëm se si do t’ia “lidhte kryet” në fund vendimit në dobi të tij.
Dy ditë pas vendimit, burime nga Kushtetuesja i kanë treguar gazetarit të “Kohës”, Besnik Krasniqit, për hilet juridike që përdorën gjyqtarët gjatë përpilimit të vendimit. Sipas burimeve, Gjykata Kushtetuese është shërbyer me normë jorelevante kur u është referuar afateve çfarë nuk i përmban Kushtetuta dhe është bazuar edhe në dokumente që u kontestohet vërtetësia, për t’ia dhënë vulën e kushtetutshmërisë Dekretit të Thaçit.
Gjyqtarët, le që nuk e gjetën aspak fajtor strumbullarin edhe të një krize politike në Kosovë, por u shprehën të gatshëm që të vazhdojnë “misionin” e vënë nga “padroni”. Thanë se do të punojnë edhe gjatë ditëve të pushimit të fundjavës, për t’ia shtruar rrugën sa më shpejt formimit të qeverisë së re. Sepse Thaçi është vazhdimisht në nguti kur dëshiron t’i realizojë synimet e tij. Nuk zgjedh mjete, spërdredh ligje dhe as që i merr në konsideratë nevojat apo hallet e popullit. Qëmoti ka harruar se populli ekziston. Përfundimisht e vërtetoi kur së bashku me të nënshtruarit e tij nga partitë e PAN-it, të cilave iu bashkua edhe LDK-ja, në momentin më të rëndë të pasluftës, vendosën që popullit t’ia vështirësojnë betejën kundër COVID-19, duke e lënë me qeveri në detyrë.
Aktgjykimi i Kushtetueses, sipas ekspertëve juridikë, do të prodhojë pasoja të mëdha politike, sepse si i tillë ia humb rëndësinë garës elektorale dhe u jep peshë pazareve dhe shantazhit paszgjedhor. Njëri syresh ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese ka dalë përtej interpretimit kushtetues me aktgjykimin në rastin e Dekretit të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i partisë së dytë për kah fuqia e votës, është caktuar mandatar për ta formuar qeverinë. Kushtetutën, sipas tij, do të mund ta shpëtonte e ta mbronte nga shndërrimi në mjet politik - amandamentimi. Por, si do të mund të shpëtohet vendi nga rreziku i gardës së vjetër të politikanëve që aktgjykimi i rikthen pa zgjedhje në pushtet, e të cilët përgjatë 20 vjetëve na kanë dëshmuar se qeverisjen dhe buxhetin e shtetit i shohin si mundësi të arta për përfitime materiale për veten.
Tashmë kanë filluar stilin e njëjtë të pazareve me ndarjen e dikastereve qeveritare, duke kërkuar më shumë ministri sesa që kanë deputetë. Kjo tregon se numri i ministrive do të rritet, e me këtë edhe mundësia e keqpërdorimeve dhe e zhvatjes së parasë publike. Mëditjet dhe shpenzimet e luksit sërish do të rikthehen në tema ditore, sepse nuk mund të pritet që për gjashtë muaj larg pushtetit, parti si AAK-ja e Nisma, ta ndryshojnë traditën e etabluar të qeverisjes me skandale e afera korruptive. Me daljen nga qeveria dhe tradhtinë që ia bëri elektoratit, edhe LDK-ja e vërtetoi se nuk i përshtatet qeverisja transparente dhe llogaridhënëse, që e nisi partneri i saj i koalicionit. Të pamësuar t’u jepen informata e shpjegime për vendime e veprime, siç bënte qeveria në detyrë, qytetarët për herë të parë nisën t’i besojnë dhe ta ndiejnë më të afërt qeverinë.
Kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, sidomos në Qeveri e Kuvend, e konfirmuan gjetjet e anketës së Pulsit Publik të UNDP-së, bërë gjatë muajit prill. Pulsi ka treguar se nivelet e kënaqshmërisë janë më të lartat të regjistruara nga anketat e Pulsit Publik që nga viti 2010. Sipas anketës, është rritur kënaqshmëria te qytetarët ndaj kryeparlamentares, kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, por ka rënë te presidenti. Thirrje për t’u besuar matjeve të Pulsit ka bërë ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. “Statistikat flasin vetë”, ka thënë ai.
Qeveria e re pritet që t’i shfuqizojë vendimet e marra nga Qeveria Kurti, me të cilat ajo pati nisur pastrimin e bordeve nga militantët partiakë dhe këputjen e lidhjeve klienteliste nëpër institucione. Mediat e huaja, duke raportuar për vendimin e Kushtetueses, kanë shprehur shqetësimin për rikthimin në pushtet të gardës së vjetër dhe kanë konstatuar se vendimi i Kushtetueses e lë prapa luftën kundër korrupsionit, të nisur nga Kurti.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese paraqet hap të madh prapa të programit ambicioz të reformave për luftë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, që e ka iniciuar Albin Kurti”, ka vlerësuar analistja e njohur gjermane për çështje të Ballkanit, Johanna Deimel.
Qeveria në ardhje ka premtuar se e ka prioritet rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike nga pasojat e pandemisë së koronavirusit. Qindra shkrime e hulumtime të faktuara ka publikuar gazeta për zhvatjet dhe keqpërdorimet e parasë publike nga partitë që pritet të marrin pushtetin. Si mund t’u besohet atyre se do ta rimëkëmbin ekonominë e vendit, shkatërrimit të së cilës i kanë kontribuar vetë.
Por, pasoja më e rrezikshme që prodhon vendimi i Kushtetueses për t’i rikthyer humbësit në pushtet është gatishmëria e tyre për t’iu nënshtruar presioneve politike për pranimin pakushte të një marrëveshjeje të paralajmëruar si të keqe me Serbinë.
LDK-ja ka premtuar se nuk do të hyjë në pazare territoresh me Serbinë, të proklamuara dhe të shtyra nga presidenti Thaçi. Si mund të besohet se nuk fal territor një parti, e cila vetëm dy muaj më parë tradhtoi votuesit e vet dhe ua devijoi vullnetin politik. Apo, a mund t’i zihet besë një partie si AAK-ja, që ia fali 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi dhe që ia pagoi qindra-mijëra euro të shtetit një kompanie të huaj, që ajo të lobojë për shkëmbim territoresh. Hajnitë e luksin me paratë tona e përpijmë disi, ashtu si kemi bërë me vite. Por, si të përpijmë copëtimin e shtetit që e ndërtuam me shumë gjak e sakrificë. Në qoftë se misioni kryesor i qeverisë në ardhje do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, na mbetet vetëm të lutemi që dëmi që do t’i sjellë ajo shtetësisë së Kosovës të jetë sa më i vogël.
valbona@koha.net