Shembulli i përzgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi do t’i demotivojë edhe më shumë profesionistët që të aplikojnë në pozita të larta të shërbimit civil
Këtë javë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dha shembullin më të keq sa u përket emërimeve në pozita të larta vendimmarrëse: për komisioner për Informim dhe Privatësi, pikët maksimale i mori personi i cili e kishte falsifikuar CV-në e tij dhe nuk ishte vlerësuar me pikët maksimale nga BDO, kompania profesionale, e angazhuar nga Ambasada Britanike për përzgjedhjen e profesionistëve në pozita të larta të shërbimit civil.
Procesi i përzgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi ka filluar në prill të vitit 2019, pra më shumë se dy vjet më parë. Sipas ligjit, komisioneri është një ndër pozitat kyç, i cili siguron transparencën e institucioneve publike dhe ndihmon shoqërinë civile dhe mediat që të sigurojnë të drejtat ligjore për qasje në informata. Si e tillë, pozita e komisionerit/es është shumë e rëndësishme sa u përket demokratizimit të institucioneve dhe llogaridhënies. Për atë, shoqëria civile dhe mediat kanë qenë pjesë aktive e monitorimit të procesit të përzgjedhjes së komisionerit/es.
Nga prilli i vitit 2019, konkursi për komisioner/e është përsëritur katër herë. Në vazhdimësi, pjesë e konkursit kanë qenë persona me të kaluar të dyshimtë dhe individë partiakë. Por, falë reagimit të organizatave të shoqërisë civile, personat me të kaluar partiake janë larguar nga procesi.
Pas intervistave të mbajtura në gusht të vitit 2020, pikët maksimale i kishte marrë një kandidate grua, e cila së bashku edhe me një kandidat tjetër ishte rekomanduar për votim në seancën plenare të Kuvendit, të mbajtur më 14 gusht 2020.
Por asnjëri nga kandidatët nuk i mori 61 votat e mjaftueshme për t’u përzgjedhur në këtë pozitë.
Kjo bëri që Ambasada Britanike të reagojë, duke deklaruar se “dështimi i Kuvendit për të përzgjedhur njërin nga kandidatët e vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për ta zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike... dhe dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë... çdo emërim publik do të duhej të merrte parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak. Dështimi i Kuvendit për të emëruar komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi do t’i lërë qytetarët kosovarë pa mbrojtje të duhur institucionale të privatësisë dhe të të dhënave. Kjo gjithashtu... do të shkaktojë vonesë në fondet e BE-së për Agjencinë. Procesi i radhës nuk do të mbështetet nga projekti ynë i rekrutimit. Ne nuk do të çojmë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë...”.
Pas këtij dështimi, Agjencia për Informim dhe Privatësi humbi 2 milionë euro fonde të BE-së, dhe Ambasada Britanike nuk mori më pjesë në procesin e përzgjedhjes.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje premtoi angazhimin e profesionistëve në pozita vendimmarrëse. Me Programin e Qeverisë për vitet 2021-2025, Qeveria Kurti 2 premtoi “zhvillimin e një sistemi kredibil dhe transparent të ngritjes së kapaciteteve në shërbimin civil, që siguron rekrutime dhe avancime të bazuara në meritokraci dhe që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët”.
Në Program u tha se do të zbatohen praktikat më të mira për rekrutimin në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil, duke siguruar integritetin e procesit të rekrutimit të këtyre pozitave.
Por vetëm pak muaj nga marrja e mandatit qeverisës dhe pak javë pas aprovimit të Programit, Vetëvendosje nuk i ndoqi praktikat më të mira për rekrutimin në pozita drejtuese dhe shkeli integritetin e këtij procesi.
Në procesin e përzgjedhjes së komisionerit, deputetët e VV-së nuk ia dhanë pikët maksimale kandidates që kishte marrë vlerësimin maksimal në procesin e mbikëqyrur më herët nga kompania britanike.
Në vazhdim të praktikës së partive të mëhershme, përveçqë nuk i vlerësoi profesionistët, VV-ja e vlerësoi më shumë një burrë të papërgatitur sesa një grua e cila plotësonte kriteret për të udhëhequr me këtë pozitë. Edhe ashtu gratë udhëheqin me vetëm 9% të pozitave të nivelit të lartë drejtues në shërbimin civil në institucionet qendrore.
Për më tepër, personi i cili mori pikët maksimale nga Grupi Parlamentar i VV-së, para disa vjetësh ishte në proces hetimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kësisoj, VV-ja theu edhe premtimin se do t’i spastronte institucionet nga personat që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe fondet shtetërore. Dhe falë VV-së, të dhënat tona personale do të “ruhen” nga një person me të kaluar të dyshimtë.
Vetëvendosje ka shumicën parlamentare dhe është në pozitë për të përzgjedhur drejtuesit e institucioneve kryesore në vend. Por shembulli që po e dërgon me përzgjedhjen e komisionerit/es për Informim dhe Privatësi do t’i demotivojë edhe më shumë profesionistët për të kandiduar në pozita të tilla.