OpEd

Parokializmi ambicioz i Evropës

Ideja se BE-ja mund të dalë nga kriza e COVID-19 derisa pjesa tjetër e botës ngec, shumë shpejt do të dëshmohet se është e gabuar. Edhe për rajonet e pasura sikurse Evropa, çdo përfytyrim i besueshëm për një të ardhme të qëndrueshme pas pandemisë domosdo kërkon solidaritet ndërkombëtar

Bashkimi Evropian i ka ndryshuar politikat ekonomike për të mirë, duke u dakorduar rreth një plani 1.8 trilionë eurosh të rimëkëmbjes së pas pandemisë që do të financohet drejtpërsëdrejti prej buxhetit të BE-së. Në veçanti, më shumë se gjysma e pakos – e cila përbëhet prej buxhetit afatgjatë të BE-së dhe fondit 750 miliardë eurosh të rimëkëmbjes për Gjeneratën e Ardhshme të BE-së – është parashikuar për shpenzime publike drejt së ardhmes.

Plani është i guximshëm dhe mbresëlënës. Do të ketë mbështetje për kërkime dhe inovacion nëpërmjet programit “Horizon Europe”, dhe për klimë e transicion digjital përmes fondit “Just Transition” dhe respektivisht programit “Digital Europe”. Pakoja do të krijojë gjithashtu një program të ri shëndetësor, EU4Health, si dhe një Fond për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri me qëllim të rimbursimit të shumicës së fondeve të BE-së për Gjeneratën e Ardhshme. Ndërkaq, një shumë e majme do të ndahet për mbrojtjen shoqërore, përfshirë mbështetjen në të ardhura për punëtorët dhe të papunësuarit.

Një ndryshim i tillë politikash është padyshim i mirëseardhur, për shkak se kësisoj i vihen themelet një unioni ekonomik më të shëndetshëm. Për në një aspekt thelbësor, liderët evropianë – pak a shumë sikurse homologët e tyre amerikanë – ende nuk po e kuptojnë këtë gjë. Njëjtë sikurse masat e stimulimit të shpallura prej administratës së re të presidentit amerikan, Joe Biden, që kryesisht janë të destinuara për ekonominë amerikane, pakoja e BE-së e shpërfaq solidaritetin përbrenda Evropës, duke e çarë fare pak kokën për pjesën tjetër të botës.

Sa për dijeni, pakoja masive e BE-së për rimëkëmbje paraqet hap të rëndësishëm drejt një unioni fiskal, pa të cilin unioni monetar i bllokut pashmangshëm do të ishte më i brishtë, i paqëndrueshëm dhe i cenueshëm nga krizat. Një integrim i tillë fiskal dukej, gjithashtu, si qenësor gjatë krizës së borxheve, me të cilën ishin përballur Greqia, Irlanda, Spanja, Portugalia dhe Italia nga viti 2010 e tutje, por Gjermania dhe shtetet më të kamura anëtare e hodhën poshtë idenë.

Qeveritë individuale evropiane veçse kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash në përgjigjen ndaj pandemisë, nën vëzhgimin e një Banke Qendrore Evropiane që papritmas është parë me sy shumë më kritik nga vendet anëtare. Duke e miratuar një pako të rimëkëmbjes që ngërthen në veçanti huamarrjet e përbashkëta dhe transferet fiskale midis vendeve, shtetet anëtare të BE-së duket ta kenë kapërcyer tabunë historike të integrimit evropian.

Çfarë ka ndryshuar në Evropë? E para e punës, përmasat e pandemisë COVID-19 dhe dëmit ekonomik të shkaktuar prej tij – përfshirë edhe në disa ekonomi më të mëdha të bllokut, si Franca dhe Italia – kanë përqendruar mendjet e politikëbërësve kah nevoja për veprim të përbashkët urgjent.

Kriza i ka shtruar ata drejt formave të integrimit dhe shprehjeve të solidaritetit rajonal që dikur ishin menduar si të pamundura, pa marrë parasysh se sa të domosdoshme mund të kenë qenë. Brexit-i mbase mund të ketë ndihmuar gjithashtu, pasi që Mbretëria e Bashkuar ka kundërshtuar tradicionalisht ekspansionin fiskal në nivel të BE-së.

Cilado qoftë arsyeja, sigurimi i marrëveshjes për një pako të tillë nga anëtarët e përçarë të BE-së ishte një e arritur domethënëse. Por uniteti më i madh ka fuqizuar gjithashtu besimin e Evropës se mund t’ia dalë e vetme në shtegun e daljes prej krizës. Duke e vënë vetë shtëpinë e saj në rregull, mendohet, BE-ja mund t’i anashkalojë apo të mos shqetësohet fort për atë se si pjesa e mbetur e botës do të kalojë.

Kjo gjë e shpërfaq natyrën zymtësisht të pabarabartë të përgjigjes më të përgjithësuar politike ndaj COVID-19.

Ekonomitë e avancuara zbatojnë pako masive fiskale më zemërgjerësisht, derisa i privojnë shumicën e shteteve në zhvillim prej kushteve që do të mundësonin përgjigje të ngjashme makroekonomike. Një qëndrim i tillë është shkurtpamës dhe kundërproduktiv.

Sfidat e menjëhershme dhe serioze të pandemisë dhe stagnimit global të punësimit nuk mund të zgjidhen apo adresohen në mënyrë të duhur po qe se nuk trajtohen globalisht.

Çfarë mund të bëjnë ndryshe BE-ja (dhe Shtetet e Bashkuara)?

Për ata që nuk e dinë, ata mund të lënë mënjanë vetëm një fraksion të vogël të pakove të tyre masive të rimëkëmbjes për eliminimin e borxhit bilateral, të cilin e kanë vendet më të varfra, dhe ta ndjekin aktivisht shtegun e zgjidhjes së çështjes së borxhit sovran për kreditorët privatë. Më gjerësisht, ato duhet të mos i mendojnë më ndihmat e huaja si dhuratë apo bamirësi, dhe në vend të kësaj të ndajnë fonde për investime globale publike me qëllim të jetësimit të synimeve të përbashkëta ndërkombëtare. Dhe mund të punojnë menjëherë drejt zgjerimit të theksueshëm të qasjes së ekonomive në zhvillim te valutat e huaja nëpërmjet shpërndarjes së re të madhe të së Drejtave të Posaçme të Tërheqjes, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Mbi të gjitha, BE-ja dhe SHBA-ja mund t’i japin fund menjëherë qasjes tmerrësisht të pabarabartë në vaksinat kundër COVID-19, gjë kjo që e përkufizon qasjen e gabuar të bllokut. Ndonëse mediat evropiane rrallëherë e përmendin këtë gjë – BE-ja është zotuar që ta anashkalojë sistemin e drejt të distribuimit, të përcaktuar nga Grupi Global i Qasjes në Vaksina kundër COVID-19 (COVAX), dhe të blejë vaksina drejtpërsëdrejti nga kompanitë farmaceutike, duke ia mohuar kësisoj furnizimet pjesës së mbetur të botës.

Akoma më keq, duke insistuar në ruajtjen e të drejtave patentuese të kompanive farmaceutike rreth vaksinave të zhvilluara me subvencionet qeveritare dhe në kurriz të kërkimeve publike, BE-ja ka ndihmuar në pengimin e zgjerimit të prodhimit të vaksinave deri në nivele që do ta mundësonin imunizimin e shpejtë të të gjithë botës. Do të ishte larg më mirë që të pezulloheshin të drejtat e patentimit apo madje të lëshoheshin licenca të detyrueshme për prodhuesit në vendet sikurse India, me kapacitete të dëshmuara të prodhimit të vaksinave. Kësisoj do të rritej theksueshëm furnizimi global dhe do të reduktohej rreziku prej mutacioneve të koronavirusit, duke e siguruar përfundimin shumë më të shpejtë të pandemisë.

Ideja se BE-ja mund të dalë nga kriza e COVID-19 derisa pjesa tjetër e botës ngec, shumë shpejt do të dëshmohet se është e gabuar. Edhe për rajonet e pasura sikurse Evropa, çdo përfytyrim i besueshëm për një të ardhme të qëndrueshme pas pandemisë domosdo kërkon solidaritet ndërkombëtar.

(Jayati Ghosh, sekretar ekzekutiv i Shoqatave Ndërkombëtare për Zhvillim Ekonomik, është profesor i ekonomisë në Universitetin Amherst të Massachusettsit dhe anëtar i Komisionit të Pavarur për Reforma në Taksat Ndërkombëtare për Korporata. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).