Në kolumnen e fundvitit të kaluar kam marrë guximin që të bëj parashikime se çfarë do të ndodhë me gjërat kyç politike në Kosovë dhe rajon gjatë vitit 2022. Sot është ushtrim zbavitës për të parë se sa të sakta kanë qenë këto parashikime, si dhe të tentojmë të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në vitin 2023
Vitin e kaluar kam vendosur që kolumnen e fundvitit t’ua dedikoja parashikimeve për dy arsye. E para, parashikimet janë të shëndosha për shoqërinë jo sepse ato mund rezultojnë të sakta apo të pasakta, por sepse vendosin në sipërfaqe trendët kryesorë në shoqëri dhe na bëjnë më vigjilentë në dizajnimin e mekanizmave për t’iu përgjigjur atyre gjatë vitit respektiv. E dyta, është patjetër edhe zbavitëse që një vit më vonë të shikosh se ku ke qenë i saktë apo i gabuar. Dhe, me këtë hyrje të shkurtër le të shikojmë si kanë rezultuar parashikimet për vitin që po e lëmë pas.
Qeveria Kurti
Rezultati: Përveç ristrukturimit të Qeverisë, parashikimi i vitit të kaluar i ka mbijetuar kohës goxha saktë. Përderisa qytetarët në përgjithësi janë të kënaqur me qeverinë Kurti, e cila ka instaluar një standard të ri të mirëqeverisjes në Kosovë, ende mbretëron një përshtypje se kjo çfarë kemi parë në këta pothuaj dy vjet të qeverisjes nuk ka jetësuar pritjet e entuziazmit të mbrëmjes së 14 shkurtit 2021. Kësaj përshtypjeje patjetër se i ka kontribuuar fakti që Qeveria deri më sot nuk mund të krenohet me asnjë ndryshim thelbësor në krijimin e vendeve të reja pune, përmirësimin e sistemit shëndetësor apo avancimin e sistemit arsimor. Pra, premtimi për “Epopenë e arsimit” ka mbetur vetëm aq: premtim.
Nga ana tjetër, kësaj përshtypjeje të përgjithshme patjetër se i ka kontribuuar edhe një konglomerat i grupeve të veçanta në Kosovë, të cilët me qëllim të ruajtjes së status quosë dhe interesave të tyre gjatë gjithë këtij viti kanë zbatuar masat aktive dhe hibride të dezinformimit me qëllim të delegjitimimit të mazhorancës. Ndërsa sa i përket dialogut, siç është pritur këtë vit dialogu, është intensifikuar dhe me të është rritur edhe presioni ndërkombëtar ndaj Qeverisë. Fillimisht Qeveria ka menaxhuar suksesshëm tentativën e Serbisë për organizimin e referendumit, mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, si dhe çështjen e letërnjoftimeve, por që nga çështja e targave Qeveria ka gjetur veten në një situatë më komplekse politike nga e cila ende sot kërkon një shtegdaljeje të suksesshme. Presioni ndërkombëtar për ngritjen e Asociacionit po arrin dalëngadalë pikën e tij kritike.
Parashikimi për 2023: Vitin 2023 Qeveria Kurti do të finalizojë disa nga reformat kyç në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë vettingun dhe byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë. Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publikë po ashtu do të hyjnë në fuqi. Këto ligje dhe të tjera do të janë burim i tensioneve të konsiderueshme politike dhe sociale: nga ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe shërbimit civil e deri tek interesat legjitime apo jo të SBASHK-ut. Vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave, anëtarësimi i mundshëm në Këshilli e Evropës dhe pranimi potencial i kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE do ta veshin qeverinë me një legjitimitet të konsiderueshëm. Por, nga këndvështrimi i avancimit të reformave të rëndësishme sektoriale siç janë ekonomia, arsimi dhe shëndetësia duhet pritur rezultate anemike. Gjatë gjithë vitit 2023 grupet e veçanta të interesit që kanë për qëllim mbylljen e Kosovës në status-quo do të përkrahin me këmbëngulje forcat destruktive të shoqërisë. Aktivitetet e tyre malinje do t’i shohim në formën e instrumentalizimit të agjentëve të kontrollueshëm institucionalë, si dhe zbatimit të fushatave dezinformuese që do të synojnë ndaljen e ecurisë progresive të vendit. Presioni mbi Qeverinë për dialogun do të arrijë pikën e tij kritike.
Opozita
Rezultati: Përveç pjesës së sanksioneve amerikane, edhe ky parashikim i vitit të kaluar i ka mbijetuar kohës goxha saktë. Dialogu ka qenë kryefjala e opozitës gjatë tërë këtij viti. Sidoqoftë, duhet pranuar se opozita ka qenë jashtëzakonisht aktive edhe ne temat e tjera të rëndësishme, siç janë ngritja e çmimeve, kriza energjetike dhe mungesa e reformave në shëndetësi apo arsim. Presioni qytetar dhe nevoja për përfaqësues civilë dhe kredibilë politikë ka shtyrë partitë opozitare të promovojnë gjeneratën e re të politikanëve në nivel nacional dhe lokal. Kjo ka filluar të sjellë përfitimet fillestare politike përmes formulimit të kritikës së arsyeshme ndaj mazhorancës, qeverisjes së mirë në nivelin lokal dhe si rezultat rritjes së besueshmërisë së qytetarëve në partitë opozitare.
Parashikimi për 2023: Gjatë këtij viti opozita është treguar fisnike dhe e arsyeshme. Patjetër se ka pasur momente te ekzagjerimit dhe destruktivitetit, por në fund fare çdo opozitë kudo në botë nganjëherë e tepron. Është në DNA të opozitarizmit të ekzagjerosh gjërat. Tani sa i përket vitit 2023, unë pres që patjetër opozita do të vazhdojë të mirëmbajë fokusin tek dialogu pasi që natyrshëm ajo do të jetë temë dominuese e vitit, por njëkohësisht do të jetë pika më e dobët e mazhorancës. Do të jetë esenciale që opozita të vazhdojë të krijojë hapësirë dhe të fuqizojë figurat e reja dhe progresive brenda strukturave të partisë. Kjo do të kërkojë prishjen e balancës së vjetër të forcave dhe patjetër do të rezultojë në pakënaqësi të grupeve të caktuara, por kjo mbetet e vetmja rrugë përpara për opozitën nëse dëshiron të bindë përfundimisht qytetarët se ka ndarë rrugë nga elementet destruktive brenda saj.
Dialogu
Rezultati: Edhe ky parashikim i vitit të kaluar i ka mbijetuar kohës goxha saktë. Gjatë këtij viti, me gjithë pritjet e shumta nuk u arrit marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Sidoqoftë të dy vendet, Kosova dhe Serbia, kanë qenë të ekspozuara ndaj presionit të madh ndërkombëtar për të bërë progres në dialog. Rrjedhimisht të dy vendet kanë bërë kompromise. Vuçiqi pranoi elementet e caktuara të shtetësisë së Kosovës, pasi që hoqi dorë nga referendumi dhe zgjedhjet, dhe njëkohësisht u tregua konstruktiv me njohjen e letërnjoftimeve të Kosovës, si dhe dakordimin për udhërrëfyesin për energji. Kurti me gjithë narracionin kundërshtues politik, u tregua konstruktiv me zbatimin e marrëveshjeve të arritura politike, siç është ajo e energjisë. Njëkohësisht, këtë vit Kurti për herë të parë pranoi se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe atë të Asociacionit.
Parashikimi për 2023: Me gjithë këtë progres, kohëve të fundit dialogu ka hyrë në fazën e tij kritike. Komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin për dakordimin e palëve mbi propozimin franko-gjerman. Vuçiqi insiston se nuk mund të këtë dakordim për propozimin, pa ngritjen e Asociacionit. Kurti insiston në të kundërtën - fillimisht propozimi franko-gjerman e më pastaj diskutimi për Asociacionin. Unë besoj se kjo mosdakordancë për sekuencimin e hapave është e tejkalueshme dhe rrjedhimisht besoj se gjatë vitit 2023 palët do të bëjnë progres të ndjeshëm në normalizimin e marrëdhënieve. Unë besoj se drama që shohim sot në veri është teatër i nevojshëm politik për t’u paraprirë kompromiseve politike që duhet arsyetuar gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat
Rezultati: Me përjashtimin e vlerësimit pesimist për Presidencën Çeke, edhe ky parashikim i vitit të kaluar i ka mbijetuar kohës goxha saktë. Ky fundvit na gjen përsëri pa liberalizimin e vizave, por sidoqoftë është bërë progres i madh në kuadër të procedurës vendimmarrëse të BE-së. Në javën e fundit të Presidencës Çeke ajo arriti të përmbyllë negociatat për plotësim-ndryshimin e aktit legjislativ, i cili do të lejojë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe me sukses siguroi votimin pozitiv nga ana e ambasadorëve të 27 vendeve të BE-së. Tani ka mbetur vetëm votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe në mbledhjen e rregullt të Këshillit për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të BE-së gjatë pjesës së parë të vitit 2023. E gjithë kjo do të përmbyllë procedurën ligjore të liberalizimit të vizave dhe më 1 janar të vitit 2024 liberalizimi i vizave më në fund do të bëhet realitet.
Parashikimi për 2023: Do të duhej të ndodhte diçka e paimagjinueshme që Parlamenti Evropian dhe Këshilli të mos votonin liberalizimin e vizave gjatë pjesë së parë të vitit 2023. Prandaj, besoj se këtu nuk do të kemi befasira. Pikëpyetje sidoqoftë mbetet fati i aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Dhe këtu parashoh dy skenarë. Në skenarin optimist, Kosova do të bëjë progres në dialogun me Serbinë dhe rrjedhimisht gjatë vitit 2023 Këshilli i BE-së do të njohë kërkesën e Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe do të mandatojë më pastaj Komisionin Evropian me përgatitjen e vlerësimit të tij për kandidaturën e Kosovës. Në skenarin pesimist për shkak mungesës së progresit në kuadër të dialogut kërkesa e Kosovës për statusin e vendit kandidat do të bllokohet brenda Këshillit të BE-së.
Rajoni
Rezultati: Edhe ky parashikim i vitit të kaluar i ka mbijetuar kohës goxha saktë. Serbia është i vetmi vend në rajon i cili nuk u është bashkangjitur sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Serbia vazhdon të jetë vend autoritar dhe zgjedhjet e mbajtura konfirmuan kapjen totale të regjimit të Vuçiqit të institucioneve dhe hapësirës publike në Serbi. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnjës vazhdon të sfidohet nga Serbia, por edhe nga forcat reaksionare në Kroaci. Podgorica ishte ditëve të fundit nikoqir i tri protestave masive të qytetarëve kundër ndikimit rus në vendin e tyre dhe përpjekjeve të partive proserbe të uzurpojnë pushtetin në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi. Polarizimet politike në Tiranë janë thelluar gjatë gjithë vitit 2022.
Parashikimi për 2023: Rajoni do të vazhdojë të jetë i tensionuar edhe gjatë vitit 2023. Rusia qartazi sheh rajonin si mundësi për destabilizim. Serbia do të vendosë sanksione të pjesshme ndaj Rusisë, por nuk do të harmonizohet me sanksionet e BE-së. Bosnja, me gjithë marrjen e statusit të vendit kandidat nuk do bëjë asnjë progres gjatë vitit tjetër dhe Republika Sërpska do të vazhdojë të jetë pjesë e kalkulusit rajonal të Beogradit. Situata në veçanti në Mal të Zi do të arrijë kulmin e konfrontimit të forcave properëndimore dhe proserbe. Epilogu i këtij ballafaqimi do të jenë zgjedhje të reja, të cilat do të forcojnë bllokun properëndimor të Malit të Zi. Viti 2023 do të jetë vit i proceseve të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri, të cilat po ashtu do të përcillen me protesta të mëdha kundër mazhorancës momentale. Në përgjithësi skena politike në Shqipëri do të jetë jashtëzakonisht e tensionuar, me mundësi reale të konfliktit fizik.