OpEd

Paramendoje veten në pozitën e një serbi në veri

Edhe serbët, edhe shqiptarët e Kosovës duket se nuk e kanë ndërmend të bien më në këto gracka të lira. As serbët kosovarë e as shqiptarët kosovarë s'kanë pse të derdhin gjak e as të mbesin pengje të ambicieve të politikanëve karrieristë në Beograd! E as të kokave të nxehta në Prishtinë!

NJË STORIE televizive pas shembjes së murit në veri të Mitrovicës dhe me fillimin e ndërtimit të sheshit atje, kishte marrë përshtypjet e qytetarëve të të dyja etnive.

Edhe serbët në veri, edhe shqiptarët në jug, përgjithësisht, thoshin se është mirë që u rrënua muri dhe se nuk i pengon ndërtimi i një shëtitoreje pak më larg.

“Jo, nuk po shoh ndonjë problem. Veç të mos shohim mure e të hapet ura”, tha njëri në shqip.

“Nuk na duhen muret. Na duhen lulet”, tha tjetri në serbisht.

Ishin këto fjalët e qytetarëve, të cilët tash e 18 vjet janë të lodhur me gjendjen e pasigurisë, të ankthit dhe përkohshmërisë së situatës.

Nëse nuk do t’i dallonte gjuha që përdornin për t’u shprehur, do të ishte e vështirë që të përcaktohej se mendimi i elaboruar po vinte nga një shqiptar, ose nga një serb.

E përbashkëta e tyre ishte thirrja për paqe. Meqë në këtë qytet, ndonëse lufta ka marrë fund më 12 qershor 1999, ende jetohet me psikozë lufte.

A e ka menduar ndonjëherë ndonjë serb në Beograd përse vërtet shqiptarët e Kosovës nuk duan më që të jetojnë në një shtet me Serbinë?

A e ka menduar ndonjëherë ndonjë shqiptar në Prishtinë përse serbët kosovarë e kanë kaq të vështirë integrimin?

ËSHTË TEPËR e vështirë ta gjykosh tjetrin, nëse fillimisht nuk e merr mundin ta shohësh botën me sytë e tij, të ecësh në këpucët e tij, të dashurosh me zemër të tij.

Ne, shqiptarët e Kosovës, i kemi përsëritur me mijëra e mijëra herë argumentet tona se përse nuk ka kthim prapa nga Pavarësia e Kosovës. I kemi përmendur dëbimet nga puna, helmimet e nxënësve nëpër shkolla, burgosjet, nënçmimet, pastaj vrasjet e masakrat, përdhunimet, djegiet e shtëpive, dëbimin e një milion shqiptarëve, e deri te moszbulimi i fatit të të pagjeturve, bllokimi i njohjeve të Pavarësisë, i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, e – pse jo? – gjuha pezhorative e ofenduese që ende vazhdon të përdoret në raste në Beograd për t’i përshkruar shqiptarët.

Është fat që këto argumente tonat nuk kanë shkuar në vesh të shurdhër dhe sot Kosova është shtet i pavarur, me mbështetjen e vendeve më demokratike dhe të zhvilluara të globit.

Mirëpo vazhdon të mos trajtohet si e tillë nga një pjesë e konsiderueshme e serbëve kosovarë. A po gabojnë ata serbë kosovarë që s’po e njohin Kosovën për shtet të tyre? Pa dyshim se po.

A ka Kosova Kushtetutë më të avancuar në aspektin e të drejtave të njeriut se të gjitha shtetet e tjera të Evropës? Besoj se edhe këtu përgjigjja është – po.

A mund të bëhet diçka më tepër në aspektin ligjor për t’i trajtuar serbët pozitivisht në shtetin e Kosovës? Nuk besoj se ka çka të bëhet më tepër në aspektin ligjor.

A mund të bëhet diçka më tepër në rrafshin njerëzor? Po!

Mbase ka ardhur koha që shqiptari i Prishtinës ta kuptojë se, pavarësisht se serbët kosovarë gëzojnë diskriminim pozitiv të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe pavarësisht se në raste marrin paga të dyfishta – kjo nuk iu ndihmon atyre që të shihen si serbët më të viktimizuar në Ballkan.

PARAMENDOJE VETEN në pozitën e një serbi në veri të Kosovës:

Ti tash e 18 vjet jeton në një tampon zonë, e cila nuk është as tamam Kosovë, as tamam Serbi. Në fakt, pushtet tamam aty janë vetëm kriminelët serbë, të ndarë në grupe, të cilët me mbështetje politike nga Beogradi dhe me biznes të paligjshëm me individë nga Prishtina – janë bërë të paprekshëm. Nëse e ke keq me ta, ty, edhe pse je serb, mund të të hidhet bomba, mund të të kërcënohet familja, mund të të thyhet vetura...

Ti si serb në veri të Kosovës ke në pushtet në Beograd ata që në fakt janë fajtorët kryesorë përse jeta jote është shndërruar në një ankth që nga vitet ’90 e po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Vuçiqi dhe Daçiqi kanë qenë në dhe rreth pushtetit në Serbi tash e 27 vjet. Të njëjtët kanë dhënë kontribut të madh që në Kosovë të ndodhë segregacioni, të fillojë lufta, të vazhdojë dualizmi shoqëror, dhe duan që ti të mos bësh zë teksa të të qeverisin edhe sot. Nëse ke qenë vetëm 10 vjeç në vitin 1990, sot je 37 vjeç, dhe jeta jote vazhdon të jetë një kaos i përkohshëm dhe i përhershëm njëkohësisht.

Të njëjtët, kurdo që iu duhet atyre, të shfrytëzojnë për poenë të lirë politikë, duke rrezikuar që edhe ti të vritesh, në mënyrë që të provokohet situata. Ti je figurë shahu, makinë votuese, peng.

Ti dëshiron të të dëgjohet zëri, organizohesh politikisht dhe përnjëherë të vjen “kryetari” nga Beogradi, t’i sjellë disa njerëz të vet të dëgjueshëm, ta bën një listë zgjedhore me ta dhe të tregon se për kë duhet të votosh. Edhe kur ti vendos që të mos votosh, vota jote do të numërohet dhe i zgjedhur yt do të jetë “lista”.

Ti dëshiron të dalësh në pjesën jugore të qytetit, mendon se u bë mjaft më, mund ta përshëndesësh ish-komshiun tënd shqiptar, se kaluan tashmë 18 vjet, por s’mundesh. Mediat të thonë se ti duhet të frikësohesh. Se mund të të vrasin. Edhe pse ka rreth 10 vjet që s’ke dëgjuar se një shqiptar e ka vrarë një serb për motiv etnik.

Sheh përreth qytetit dhe sheh kryesisht njerëz të moshuar. Vitrina dyqanesh të vjetra. Dhe kujtohesh se sa pak ka ndryshuar qyteti për 27 vjet.

Në anën tjetër, ti ende nuk e di se çka ka ndodhur me mbi 300 serbë kosovarë që ende mbahen si të pagjetur. Sheh se shqiptarët në Prishtinë ata as që i përmendin. Madje edhe shifrën prej 1600 të pagjeturve, prej të cilëve rreth 400 janë serbë dhe joshqiptarë të tjerë, ata e paraqesin vetëm si “1600 shqiptarë të pagjetur”.

Politikanët në Prishtinë thonë se duan të bisedojnë me ty, vetëm me ty, jo me Beogradin, por me ty, por sheh se ata të pushtetit asnjëherë nuk të kanë pyetur asgjë, kurse këta të opozitës...

Shkurt, kujt i bëhet vonë për ty, serb i veriut?!

Ti duhet të jesh viktima kujdestare, ti duhet të jesh krimineli duarpërgjakur kujdestar.

BEOGRADI E NISI trenin rus, por nuk ishte aty me serbët kosovarë kur ai u detyrua të kthehej mbrapshtë, pas reagimit të Prishtinës.

Beogradi e sponsorizoi murin në veri të Mitrovicës, por nuk ishte mbrëmë aty me serbët kosovarë kur ata nënshkruan për rrënimin e tij, pas reagimit të Prishtinës.

Çka po ndodh?

A ka vendosur Beogradi, nëpërmjet provokimeve të dështuara që po bën, t'iu kumtojë serbëve kosovarë se Qeveria serbe më s'mund t'iu ndihmojë?!

T'iu kumtojë se janë vetëm, se adresa është në Prishtinë?!

Më parë ka gjasa që Beogradi po synon gjakderdhjen ndëretnike në Kosovë, me synimin e përfitimit të vet politik.

Mirëpo, këto ditë s'po i shitet.

Edhe serbët, edhe shqiptarët e Kosovës duket se nuk e kanë ndërmend të bien në këto gracka të lira.

As serbët kosovarë e as shqiptarët kosovarë s'kanë pse të derdhin gjak e as të mbesin pengje të ambicieve të politikanëve karrieristë në Beograd!

E as të kokave të nxehta në Prishtinë!

NJË MUR u rrëzua, këto ditë...

Është koha të rrëzohen edhe muret në mendjet e njerëzve, në të dyja anët e murit të rrëzuar.

Derisa nuk rrëzohen muret në mendje të njerëzve, do të ketë edhe mure të tjera...

[email protected]

Twitter: @adriatikk