OpEd

Paralajmërimi i Saramagos

Sot Vuçiqi ka jetësuar paralajmërimin e Saramagos për fuqinë shkatërruese të një pushteti i cili refuzon të pranojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur me vullnetin e tyre të lirë fatin e një copë letre – e cila është tërësisht në përputhje me ligjin

E gjithë kjo që po ndodh në veri është për një copë letre. Pra, epiqendra e gjithë kësaj që po ndodh është se çfarë do të shkruan në një copë letre – a zgjedhin qytetarët e Kosovës tabelat “KS” apo “RKS”. Pra, për këtë qëllim qytetarët në veriun e vendit janë subjekt të spiunimit nga ana e strukturave të sigurisë serbe, për këtë qëllim ata janë në shtetrrethim, për këtë qëllim përfaqësuesit e tyre politikë janë tërhequr nga institucionet, dhe për këtë qëllim sulmohen qytetarët dhe pronat e tyre në veri. E gjithë kjo për një copë letre – e cila është tërësisht në përputhje me ligjin. Kjo ma kujtoi një ngjarje.

***

Ishte ditë me shi të jashtëzakonshëm. As të vjetrit nuk mbanin mend se kishte ra ndonjëherë shi i tillë. Nga zymtësia e reve nuk u dinte a është ditë apo natë. Në qendrën e votimit një nga një ngadalë ishin duke arritur zyrtarët nga KQZ-ja dhe përfaqësues të partive politike. Të lagur deri në lëkurë shkëmbyen ca fjalë mirëmëngjesi, komentuan motin e tmerrshëm dhe filluan përgatitjet për hapjen e qendrës së votimit. Pas finalizimit strikt dhe pedant të të gjitha përgatitjeve që kërkon një proces sublim demokratik i zgjedhjeve, ata filluan të zënë vendet e tyre të cilat ishin organizuar sipas protokollit të veçantë neutraliteti për të mos lënë asnjë përshtypje favorizimi në mesin e partive politike. Një nga përfaqësuesit e partisë së re politike e cila sapo ishte krijuar shpërfaqi mungesën e përvojës së tij me ca pyetje rreth renditjes së karrigeve, dhe në këtë drejtim kryetari i Qendrës së Votimit nga KQZ-ja nxori “Udhëzimin Administrativ mbi renditjen e ulëseve të partive politike në vendvotim” dhe citoi solemnisht nenin 7 i cili rregullonte qartazi çështjen respektive. Pasi që kjo çështje u sqarua, të gjithë zunë përfundimisht vendet e tyre. Qetësia që mbretëronte në qendrën e votimit ishte e sikletshme. E vetmja gjë që dëgjohej ishte shiu i furishëm që binte mbi kulmin dhe dritaret e vendvotimit. Koha kalonte dhe askush nuk vinte për të votuar. Kryetari i Qendrës së Votimit nga KQZ-ja udhëzoi asistentin e tij që të kontrollojë nëse dyert e qendrës janë të hapura. Por sapo kishte dhënë këtë udhëzim ai e anuloi atë, pasi që iu kujtua se është më mirë që fillimisht të merr pëlqimin e përfaqësuesve të të gjitha partive politike për një veprim të tillë.

Edhe pse duket absurde, por ai nuk dëshironte të linte asnjë përshtypje të keqpërdorimit të pozitës së tij si kryetar i qendrës së votimit me vendime të njëanshme dhe rrjedhimisht edhe për një gjë kaq banale ai dëshironte të siguronte konsensus dhe pajtim të të gjithëve. Kështu është bota e burokratëve – respektimi strikt i procedurave ligjore dhe formale vjen para gjykimit të lirë dhe të shëndoshë logjik. Të gjithë u dakorduan dhe asistenti i kryetarit të qendrës së votimit vrapoi për të kontrolluar se dyert e qendrës ishin të hapura. Kthimi i shpejtë i asistentit të kryetarit me konfirmimin se dyert ishin të hapura nuk ishte ndonjë lajm në të vërtetë. Të gjithë e dinin se dyert ishin të hapura, por njëkohësisht të gjithë e panë këtë ndërmarrje si të dobishme për të thyer qetësinë e sikletshme që mbretëronte në qendër të votimit. Përsëri mbretëroj qetësia. Dikush nga përfaqësuesit e partive politike – nuk mbahet mend kush – rekomandoi që të telefonojnë në KQZ për të parë nëse gjendja është kështu vetëm në qendrën e tyre të votimit apo kësisoj është në të gjitha qendrat. Pasi u dakorduan se kjo është kompetencë e kryetarit të qendrës së votimit, kryetari bisedoi me hierarkinë përkatëse në KQZ dhe kuptoi se gjendja ishte e tillë në të gjitha vendvotimet – shiu i jashtëzakonshëm po pengonte votimin në gjithë kryeqytetin. Kryetari me qëllim të transparencës së plotë, po ashtu, raportoi për qortimin nga hierarkia e KQZ-së pasi që pyetjet e tyre për daljen e qytetarëve për të votuar vendosnin dyshim të panevojshëm mbi përkushtimin e qytetarëve fisnikë të kryeqytetit për të drejtën më sublime demokratike.

Të tjerë me heshtjen e tyre pranuan se telefonata nuk ishte ide e mirë. Përsëri mbretëroi qetësia e sikletshme. Por pas pak filluan lajme të mira. Shiu u ndal. Qielli u hap me gjithë kaltërsinë e tij pranverore dhe qytetarët dalëngadalë filluan të arrinin në qendrën e votimit. Me kalimin e çdo ore shumë e më shumë qytetarë arrinin për votim. Rreshti i qytetarëve ishte i pafund. Përkundër numrit të madh të qytetarëve, ata treguan sjellje shembullore demokratike dhe i gjithë procesi i votimit kaloi për mrekulli. Kur qendra e votimit u mbyll, numërimi i votave filloi me një dozë optimizmi për përfundimin e mbarë të ditës së votimit përkundër fillimit të tij të zymtë. Dalëngadalë vinin rezultatet e votimit nga të gjitha qendrat e votimit. Rezultati është skandal i paparë. 70% e qytetarëve kanë hedhur në kuti të votimit fletëvotimin e zbrazët – gjë që është tërësisht në përputhje me ligjin.

E gjithë ngjarja shkakton termet politik në vend dhe pas diskutimeve të shumta politike presidenti i vendit – si Shef i Shtetit – iu drejtohet qytetarëve solemnisht duke i njoftuar se i gjithë procesi zgjedhor do të përsëritet, pasi që qartazi shteti ka dështuar të komunikojë me qytetarët për rolin dhe përgjegjësitë që ata kanë në proces zgjedhor. Zgjedhjet përsëriten. Moti kësaj radhe është i mrekullueshëm. I tillë është edhe i gjithë procesi zgjedhor. Qytetarët masivisht ushtrojnë të drejtën e tyre sublime demokratike. Dhe në fund rezultati është edhe më i tmerrshëm. Tani 83% të qytetarëve refuzojnë partitë politike duke hedhur në kuti të votimit fletëvotimin e zbrazët – gjë që është tërësisht në përputhje me ligjin.

Tani është e qartë se kjo nuk ishte rastësi. Ishte diçka tjetër. Kësisoj partitë politike, qeveria dhe presidenti fillojnë konsultimet urgjente politike për gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar në vend. Ata – pa asnjë fakt – vijnë në përfundim se qytetarët janë mashtruar nga një forcë armike e cila është duke sabotuar shtetin nga brenda. Kësisoj shteti fillon ndërmarrjen e masave të sigurisë për të identifikuar armikun e brendshëm. Fillimisht shteti fillon me infiltrimin e agjentëve sekretë nga AKI-ja brenda kryeqytetit. Qëllimi i tyre është të kuptohet përmes metodave dhe teknikave të sofistikuara të spiunimit se kush dhe çfarë i ka shtyrë qytetarët të sabotojnë procesin zgjedhor. Agjentët infiltrohen në mesin e qytetarëve në kafe, stadiume dhe në sheshet, por pa asnjë rezultat. Spiunimi i bisedave të rëndomta të qytetarëve nuk arrin të zbulojë asnjë anomali. Çdo agjent raporton të njëjtën gjë: qytetarët kanë votuar sipas bindjeve të tyre të lira duke hedhur në kuti të votimit fletëvotimin e zbrazët – gjë që është tërësisht në përputhje me ligjin. Pas kësaj shteti ashpërson masat e sigurisë duke marrë në pyetje drejtpërdrejt në stacionet policore qytetarët e kryeqytetit. Shpresa ishte se ky demonstrim më i vendosur i forcës do t’i bindë qytetarët se situata është serioze dhe se shteti ka në mend t’i shkojë deri në fund kësaj pune. Por, përsëri edhe kjo përpjekje e shtetit dështon. Përkundër hetimeve të dhunshme qytetarët deklarojnë se kanë votuar sipas bindjeve të tyre të lira duke hedhur në kuti të votimit fletëvotimin e zbrazët – gjë që është tërësisht në përputhje me ligjin. Pas kësaj, lidershipi i shtetit kupton se gjendja është shumë më serioze se që kanë menduar. Armiku i brendshëm ka arritur të komprometojë përtej imagjinatës së tyre jetën demokratike të kryeqytetit. Armiku i brendshëm ka arritur t’i bindë qytetarët se partitë politike dhe rrjedhimisht institucionet e shtetit janë të panevojshme dhe të padobishme për jetën e qytetarëve, prandaj ata refuzojnë të janë pjesë e proceseve demokratike. Me një fjalë, qytetarët janë shndërruar në anarkistë dhe në armiq të shtetit. Pas kësaj lidershipi i vendit kupton se ka ardhur koha për masa më radikale. Nëse qytetarët mendojnë se institucionet e shtetit janë të panevojshme atëherë le të përjetojnë me të vërtetë si është të mos kesh institucione. Le të përjetojnë anarkinë, le të përjetojnë si është të mos kesh shkollat, policinë, spitalet, gjykatat etj. Kësisoj, shteti vendos që të gjitha institucionet e shtetit të tërhiqen nga kryeqyteti dhe qytetarët të kuptojnë nga dora e parë se çfarë është anarkia pa dorën sublime të shtetit.

Kjo sigurisht se do t’i bëjë qytetarët që ta kuptojnë vlerën e institucioneve dhe përfundimisht do të përmbysë përpjekjet e armikut të brendshëm për të sabotuar jetën demokratike të kryeqytetit. Rreth kryeqytetit vendoset shtetrrethimi dhe tanket me urdhrin që ushtria të qëllojë çdo qytetar që tenton të kalojë shtetrrethimin. Por përsëri edhe kjo përpjekje e shtetit dështon. Kryeqyteti nuk zhytet në anarki. Përkundër kësaj, qytetarët vazhdojnë me jetën e tyre në mënyrë të rëndomtë përmes vetorganizimit dhe bashkëpunimit. E gjithë kjo ekspozon se sa moralisht i dështuar është sistemi politik i shtetit. Problemi nuk është te qytetarët të cilët kanë hedhur në kuti të votimit fletëvotimin e zbrazët – gjë që është tërësisht në përputhje me ligjin, problemi është te sistemi i dështuar politik. Por tani nuk ka kthim mbrapa, shteti ka shkuar shumë larg. Tani shteti ka futur veten në një rrugë pa kthim të terrorit ndaj qytetarëve të vet. Shteti fillon sulme të drejtpërdrejta kundër qytetarëve të vet. E gjithë ngjarja përfundon si tragjedi Orveliane ku një sistem i supozuar demokratik përfundon të jetë moralisht i dështuar duke ekzekutuar qytetarët e vet, dhe krejt kjo për shkak të një copë letre të zbrazët – e cila ishte tërësisht në përputhje me ligjin.

***

Patjetër se e gjithë ngjarja e mësipërme është vepër letërsie. Kjo storie është nga libri “Seeing” i nobelistit portugez Jose Saramago. Libri është satirë politike e cila paralajmëron sa lehtë një vend rrëshqet nga një demokraci ekzemplare në një ferr diktatorial. Libri ekspozon fuqinë shkatërruese të një pushteti i cili refuzon të pranojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur me vullnetin e tyre të lirë fatin e një copë letre – e cila është tërësisht në përputhje me ligjin. Saramago asnjëherë s’ka besuar se Vuçiqi do të jetësojë veprën e tij. Sot qytetarët e veriut janë subjekt të spiunimit nga ana e strukturave të sigurisë serbe, jetojnë në shtetrrethim, përfaqësuesit e tyre politikë janë tërhequr nga institucionet dhe jetët dhe pronat e qytetarëve po sulmohen. E gjithë kjo për një copë letre – e cila është tërësisht në përputhje me ligjin.