OpEd

Paralajmërimi

Ashtu siç ka filluar të shkruhet historia e pandemisë në SHBA, ashtu do të shkruhet për të gjitha vendet, dhe e përbashkëta e shumicës së vendeve del të jetë se “virusi” në qeverisje dhe politikat populiste ishin ndër shkaktarët kryesorë të përhapjes së pandemisë COVID-19

Në verën e vitit 2005, gjatë pushimeve, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W. Bush, mori një libër për të lexuar, nga ku do të hartohej më pastaj strategjia kryesore amerikane për shmangien dhe menaxhimin e pandemive. Libri të cilin Bush po e lexonte ishte “The Great Influenza” i shkruar nga historiani John Berry dhe që trajtonte problemin e gripit spanjoll të vitit 1918, i cili për dy vjet mori jetën e rreth 50 milionë njerëzve, duke përfshirë edhe jetën e 675 mijë amerikanëve.

Pas pushimeve, më 14 tetor 2005, presidenti Bush mblodhi një grup ekspertësh të Shtëpisë së Bardhë dhe urdhëroi krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të reagimit në rast të një pandemie. Strategjia duhej të përmbante hapa të qartë se si të veprohet me kufijtë e jashtëm, masat rreth tregtisë, udhëtimeve dhe, më e rëndësishme, si të mbrohen jetët e njerëzve deri sa zhvillohet vaksina kundër një virusi të panjohur. Pas kësaj, Bush mori aprovimin e Kongresit për të shpenzuar mbi shtatë miliardë dollarë në hartimin e një strategjie parandaluese për pandeminë. Me shaka, libri i Berryt filloi të quhej ‘libri i shtatë miliardë dollarëve’.

Obligimin për hartimin e një plani për pandeminë e mori një ekip i Shtëpisë së Bardhë dhe jo Departamenti për Shëndetësi apo Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Në maj të vitit 2006 strategjia për parandalimin dhe kontrollin e një pandemie eventuale u finalizua. Ky ishte dokumenti më gjithëpërfshirës në botë sa i përket qasjes ndaj pandemive.

Strategjia fokusohej kryesisht në distancimin social, si masë më efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë deri në zhvillimin e një vaksine. Shkollat dhe infrastruktura shkollore në përgjithësi, duke përfshirë hapësirat në klasa, hapësira në autobusët që bartin nxënësit, mënyra e shoqërimit të nxënësve, etj., u panë si një ndër elementet që më së shumti mund të ndikojë në bartjen e virusit në kohë pandemie, andaj strategjia parashihte mbyllje të menjëhershme dhe afatgjatë të shkollave.

Pas kësaj, ekspertët që punuan në hartimin e saj u angazhuan në detyra tjera, por në kuadër të Shtëpisë së Bardhë, edhe në presidencën e Obamas, funksiononte një njësi, e cila detyrë primare kishte parandalimin e një pandemie.

Më 9 prill të vitit 2018, presidenti Trump emëroi John Boltonit si këshilltar për Siguri Kombëtare. Një ditë më pas, Boltoni i largoi nga puna të gjithë dhe eliminoi Drejtorinë për Sigurinë Shëndetësore Globale dhe Mbrojtjen nga Sulmet Biologjike në Kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Pas një viti e gjysmë koronavirusi, i cili kishte origjinën në Wuhan të Kinës, preki edhe SHBA-në. Por, atëherë askush nga njerëzit që kishte punuar strategjinë për pandeminë, nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë. CDC-ja ishte nën ndikimin e politikës së Trumpit dhe për shumë muaj e minimizoi rrezikun nga koronavirusi. SHBA-ja ishte një ndër shtetet e fundit nga vendet Perëndimore që iu qas më me seriozitet pandemisë, ani pse ishte vendi i parë që kishte zhvilluar një strategji për qasje ndaj pandemisë, strategji e cila do të përdorej më shumë nga vendet tjera sesa nga vetë SHBA-ja. Madje, edhe Zimbabve ishte më efektive se SHBA-ja në testimin e pacientëve për koronavirus.

Duke parë neglizhencën e politikës për t’iu qasur më me seriozitet pandemisë, grupi i ekspertëve që kishte punuar në strategjinë për parandalimin e pandemisë krijoi një ekip joformal, që filloi të quhej “The Wolverines”, për të ndikuar te qendrat vendimmarrëse për ndërmarrjen e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-it.

Në kohën kur vetëm se u shpall edhe zyrtarisht pandemia, ishte shumë vonë që rastet të izoloheshin. Virusi nuk kishte të ndalur. Këto ngjarje janë objekti i librit më të ri të Michael Lewis, “The Premonition” (2021), sipas së cilit pandemia vetëm se ishte paralajmëruar shumë vite para se ajo të ndodhte dhe se pandemia do të mund të parandalohej në rast se politikanët do t’i dëgjonin shkencëtarët, të cilët punuan në strategjinë për pandeminë që nga koha e George Bushit dhe Barack Obamas.

Lewis në librin e tij “The Premonition” nuk jep detaje për zhvillimin e diskutimeve brenda Shtëpisë së Bardhë. Por, në librin e Bob Woodwardit, “Rage” (2020) jepen detaje se si më 28 janar 2020, presidenti Trump ishte paralajmëruar nga këshilltarët e tij se COVID-19 ishte rrezik aq sa ‘gripi i madh’ i vitit 1918.

Tash, pas gati dy vjetësh prej kur janë regjistruar rastet e para në Kinë, koronavirusi ka infektuar 220 milionë njerëz në mbarë botën dhe ka shkaktuar mbi 4.5 milionë vdekje, e mbi 650 mijë vdekje vetëm në SHBA. Për pak ditë, vdekjet nga COVID-19 në SHBA do të kalojnë numrin e vdekjeve të shkaktuara nga gripi spanjoll. Me ardhjen e Joe Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë, një ndër veprimet e para të tij ishte rikthimi i drejtorisë, e cila kishte përgjegjësi detektimin e hershëm dhe menaxhimin e pandemisë.

Rasti i parë me koronavirus në Kosovë u regjistrua më 13 mars 2020 dhe vdekja e parë nga virusi u regjistrua më 22 mars 2020. Deri më sot, janë infektuar mbi 153 mijë persona dhe kanë humbur jetën mbi 2.700 persona.

Që nga fillimi i pandemisë, politika dhe institucionet të cilat e kanë përgjegjësi reagimin në raste të rrezikimit të shëndetit publik nuk kanë pasur një strategji të qartë veprimi. Masat kanë qenë gjysmake dhe të paefektshme. Të dhënat e publikuara rreth pandemisë janë të mangëta. Kosova është vendi i vetëm që nga fillimi i pandemisë ka ndërruar tri qeveri të ndryshme. Aktualisht, jemi në krye të listës së vendeve me numrin më të madh të vdekjeve për kokë banori.

Ashtu siç ka filluar të shkruhet historia e pandemisë në SHBA, ashtu do të shkruhet për të gjitha vendet, dhe e përbashkëta e shumicës së vendeve del të jetë se “virusi” në qeverisje dhe politikat populiste ishin një ndër shkaktarët kryesorë të përhapjes së pandemisë COVID-19.